Në qershor 1945, pak muaj pas masakrave të fundit në Çamëri, ndërsa mijëra burra gra, fëmijë e pleq, endeshin rrugëve të Shqipërisë, të pastrehë e të traumatizuar nga masakrat e ushtruara mbi ta nga forcat zerviste, nxjerrja e nëj bilanci të kësja tragjedie ishte një emergjencë.

Këshilli Antifashist i Minoritetit Shqiptar çam, kishte hartuar me 22 qershor një raport të plotë mbi gjithë masakrat e ndodhura në zonat e Çamërisë nga qershori 1944 e deri në mars 1945.

Në raportin e firmosur nga Vehip Demi jepen detaje dhe shifra mbi vrasjet, djegjet, shkatërrimet, vjedhjet dhe shumë pasoja të tjera tragjike shkaktuar nga spastrimi i fshtrave dhe qyteteve të tëra të banuar nga çamët.

Dokumenti është dërguar në qershor 1945 në Këshillimin e Ministrave në Tiranë dhe ruhet në fondin e Këshillit të Ministrave në Arkivin e Shtetit.

Dokumenti i plotë:
KËSHILLI ANTIFASHIST I MINORITETIT SHQIPTAR ÇAM
VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT
Tiranë, më 22 Qershor 1945

HISTORIK I SHKURTËR MBI NGJARJET, MASAKRIMET, DJEGIET, SHKATËRRIMET, GRABITJET DHE VEPRAT ÇNJERËZORE TË BËRA NGA REAKSIONI GREK DHE BANDAT ZERVISTE MBI POPULLATËN E PAFAJSHME TË MINORITETIT SHQIPTAR ÇAM DHE SIDOMOS MBI ATO TË BËRA PREJ DATËS MUAJI QERSHOR 1944 DERI NË MUAJIN SHTATOR 1944.

Gjatë sundimit 32 vjeçar grek, populli i ynë priti, nga regjimet antipopullore shoveniste greke: burgime, internime, tortura, vrasje, djegie, sanksione ekonomikee, me pakë fjalë të gjitha të drejtat qytetare i kishte të humbura.

Këto metoda, këto provokime të shkaktuara prej 1913 dhe deri në regjimin e zi të Metaksajt në vitin 1940 nuk mundën të vinin në praktikën dëshirën dhe programin e shovenismit të tërbuar grek: “shpërnguljen e çamërvet prej vendlindjes së tyre duke marrë rrugën e emigrimit në toka jashtë Greqisë”. (p.sh. si në Turqi, Shqipëri dhe tjera).

Më 25 Shkurt 1913 çetat dhe ushtrija greke hynë në qytetin e Paramithisë, shpërndahen nëpër fshatrat, mbledhin nga parësija e vendit 72 veta dhe i vrasin çnjerësisht në Prrojin e Selanit afër Paramithisë. E bënë këtë vrasje në parësi që pjesa tjetër e popullit të mirrte panik dhe të braktiste vatrat dhe pasurinë, me pakë fjalë të mirrte rrugën e emigrimit, por gjakëftohtësija e këtij populli bëri që të dështoi plani i famshëm i komandantit të këtyre çetavet, Deli Janaqit.

Prej vitit 1942 dhe deri më 1924 qeverija greke përdor çdo mjeshtëri dhe manovër politike për të bërë që populli çam të shkëmbehet me grekërit e Azis së Vogël. Në këtë drejtim u punua në një mënyrë të hollë dhe të djallëzuar prej qeveritarëvet grekë, por populli çam, që s’e bashkonte kurrëgjë me popullin turk, mbajti qëndrim nacional, duke mos pranuar me asnjë mënyrë shpërnguljen dhe kështu shohim një rezistencë të ashpër kundër çdo manovrimi dhe kërcënimi të qeveritarëvet grekë të atëherëshëm.

Që në vitin 1940 qeverija e Metaxajt, nën pretekste të kalbëta, me hapjen e luftës fashiste Italo-Greke, internon të gjithë meshkujt e Çamëris prej 15-75 vjeç n’ishujt të largët të Mesdheut. Në muajin Qershor të vitit 1941 ajo pjesë që shpëtoj kthehet në Çamëri nga internimi e shpartalluar shëndetsisht dhe moralisht.

Provokimeve të shovinistave grekë, në kohën prej 1940, e deri në 1944, u shtohet edhe provokimet e djallëzuara të dy okupatorëve fashisto-nazist në vendin t’onë. U shtohen puna e pa lodhur që bëjnë bejlerët Dinenj të Çamëris për t’a bërë këtë popull që të ecë drejt shkatërimit të tij.

Këtu bëhet edhe më e dallueshme rezistenca e popullit t’onë, për të eliminuar këto provokime të rezikshme për jetën e tij dhe si përfundim kemi, që pjesa e shëndoshë të hidhet në luftën e drejtë, në luftën e vllazërimit të bllokut Antifashist, në luftën Nac.Çl. të popullit Grek liridashës dhe përparimtar kundra armiqve të përbashkët fashistave okupatorë dhe satilitëve të tyre.

Pjesëmarrja e mëse 500 partizanëve të Çamëris në reparte t’ELASIT është përgjigja e provokimeve për luftën e madhe antifashiste.

Palikarët e Llakave të Sulit, andartë dhe oficerë si KAMARA, KRANJA, ZOTO, KAÇO, VITO, BALLUMI e të tjerë të komanduar prej Napoleon ZERVËS, t’etshëm për gjak të pafajshëm të frymëzuar prej retheve politike e reaksionare t’Athinës dhe të llajkosut nga klikat antipopullore dhe fashiste t’EPIRIT, duke përfituar nga lëvizjet e ndryshme të gjermanëve Nazista, lëvizje këto që vinin në pa mundësi trupat e ELASIT për të mbrojtur popullatën t’onë, përfitojnë bandat kriminale Zerviste dhe sulen si qen të tërbuar më 27 Qershor 1944 kundra popullit t’onë të qetë në qytetin e Paramethisë dhe fillojnë aktet çnjerëzore. Këtu fillon masakrimi i parë. Ky masakrim provokoj në mënyrë të shëmtuar që popullata Çame të marrë rrugën drejt kufirit Shqiptar për të shpëtuar nga vdekja e sigurt.

Bandat Zerviste e ndoqën popullatën Shqiptare Çame këmba këmbës dhe në qytetin e Filatit në muajin Gusht 1944 bënë masakrimin e dytë mbi burra, gra dhe fëmijë. Si rjedhim e tërë popullata Çame që mundi të shpëtojë nga këto kasaphane hyni në tokën Shqiptare ku ishte i qetë dhe i sigurtë për jetën e tij në sajë të forcave t’ushtris Nac.Çl. Shqiptare.

Kur Epiri dhe Çamërija u çliruan nga forcat e ELASIT, pjesa e vogël dhe e vobektë, që ndodhej afër kufirit, riatdhesohet në krahinën e Filatit. Mbrenda një kohe të shkurtër situara zotërohet me armë prej organeve të qeveris së Gjeneral PLASTIRAS, jo vetëm në vendin t’onë por në të gjithë Greqinë. Pa humbje kohe këta organe të Gjeneral Plastiras ndërsijnë qentë e tërbuar të Zervës për të derdhur gjakun e njeriut të pafajshëm, për të tretën herë në mënyrë të shëmtuar dhe çnjerëzore në kurizin e kësaj popullate të mjerë.

Për të bërë edhe më konkrete tragjedinë e mëllëngjyer të kësaj popullate, këtu poshtë vihet në dukje me shifra përfundimi i të gjithë masakrimevet, djegjeve, shkatërimeve dhe grabitjeve në vendin t’onë Çamëri:

Masakrimi i parë në qytetin e paramethis (27 Qershor 1944). Ka qenë dita e Premte, ku më tepër se 5.000 Zervistë hyjtin në këtë qytet duke premtuar qetësi dhe paqe e dashuri me të gjithë. Paris i premtuan vllezërim dhe asnjë prekje më të vogël, u tha, nuk do të guzonte njeri të bënte. Ishte mëngjes në të gdhirë, kur arritën. Deri në drekë nuk u veprua asgjë. Mbas dreke, filloj masakrimi ku do dhe në çdo vend ku gjenin njerëz Çamër. Masakrimet janë bërë në shtëpira mbrenda, mbi gra dhe fëmijë. Burrat janë vrarë mizorisht në për rrugë dhe hedhur në hendeqe.

Numri i të vrarëvet është si vijon: Tregëtarë, pronarë, bujqë dhe punëtorë: 103 burra dhe 62 gra të reja, vajza, plaka dhe fëmijë.

Po në qarkun e paramithisë, në katundet e quajtur: Gardhiq, Dhragoni, Kamine e Karbunarë, një ditë më pas u masakruan tëmerrësisht nëpër prrenj dhe rrugë të fshatravet: tregtarë, pronarë, bujq dhe punëtorë: 600 burra dhe 150 gra, vajza, plaka dhe fëmijë.

Po në këto ditë vepruan barbarisht në katundet: Arpice, Kuç, Arvenicë, Vole, Niste, Vrohona, Vris, Pargë (qytet), Margëllëç (qytet), Globoçar, mbi një pjesë të paktë që nuk mundi të ikënte me furi maleve për t’u hedhur nga ana e fushës së lumit Kalama, siç bëri pjesa tjetër për të shpëtuar nga vdekja e sigurtë.

Në këta katunde numri i të vrarëvet është: 97 në burra dhe 18 gra.

Nga ky masakrim, i shkakëtuar me dashje prej ushtarëve andartë të E.D.E.S.-it mbi popullsinë që banonte andej lumit, në malësitë e Paramithisë dhe të Margëllëçit, u bë që mijëra çamër të marrin rrugën e ikjes dhe të afrohen në kufitë e Shqipërisë së Jugut, në krahinën e Filatit (Çamëri) dhe n’atë të Konispolit.

Masakrimi i dytë në qytetin e Filatit e katunde (Gusht 1944).
Në qytetin e Filatit dhe në katunde kishte mbetur një pjesë e popullsisë që shpresonte se kësaj radhe Grekërit reaksionarë e shovenistë nuk do të zbatonin planet e tyre të mëparëshme.

Kemi vetëm në katundin Spatar këta të vrarë: Bujqë, punëtorë dhe barinj 31 burra dhe 9 gra

Në katundin Shulash: 4 burra dhe 12 gra e fëmijë

Mbrenda në qytetin e Filatit kemi: tregtarë, punëtorë dhe djem të rinj, 151 burra dhe 38 gra e fëmijë

Në katundet e afërtë (çame) të kufirit shqiptar-grek, familjet e fundit që mbetën për t’u hedhur këndej kufirit u kapën dhe burrat u masakruan në sy të gravet dhe fëmijvet të tyre; kemi kështu një numër të vrarë, në katundet: Lopës, Koskë dhe Smarto, prej: 12 burra dhe 2 gra.

Në muajin shtator 1944 kemi plotësimin e amigrimit të mbarë popullatës çame në tokën e Shqipërisë.

Veprat çnjerëzore, të turpëshme që u bënë në të dy masakrimet, përmblidhen në burgimin e 300 e ca grave në qytetin e Paramithisë ku u torturuan dhe u çnderuan dhe mandej u liruan të marrin rrugën e ikjes.

Në Filat ndodhi po një rast i tillë. U muarrnë më shumë se 250 gra, plaka dhe të reja, të cilat pësuan të njëjtin fat të zi dhe mjerim si ato të qytetit të Paramithisë. Edhe këto gjysmë të vdekura u lanë më vonë të lira të marrin rrugën nga kufiri shqiptar. Këtu është për t’u shënuar fakti: me djallëzi të pregatitur, me një demagogji reaksionare si ajo e partisë së E.D.E.S.-it, për gjyqin që u bë në këtë qytet ndaj njëj pjese të burravet që u kapën. Të gjithë ata që u gjykuan nga drejtësija (!) e bandavet të Zervës përfunduan të jenë të masakruara.

Kallnor 1945. Një pjesë e popullatës çame, e mbetur afër kufirit, në krahinën e Konispolit, riatdhesohet kur Epiri dhe Çamërija zotërohet ushtarakisht nga Eam-Elasi.

13 Shkurt 1945. Bëhet marrëveshtja e Varkizajt ndërmjet Eamit dhe Qeverisë së Pllastirës. Elas-i në bazë të marrëveshtjes dorëzon armët. Nga fundi i Shkurtit largohen trupat e Elas-it për të dorëzuar armët në Janinë. Krahina e Filatit ku ishin riatdhesuar çamërit mbeti në duar të organevet të Gjeneral Pllastirës. Këta organe duke përfituar nga situata sulen mbi këtë popullatë dhe bëjnë masakrimin e tretë. Plaçkitet, torturohet, masakrohet kjo popullatë nga zervistët e djeshëm që këtë radhë me kurorën e mbretit paraqiteshin ushtarë të Pllastirës.

Nga fillimi i muajit Mars kemi kështu: Në Filat e katunde gjithsejt të vrarë: 142 burra dhe 59 gra e fëmijë

Ikja, edhe një herë e atyre që mundën të shpëtojnë, shkakëtoi që të mos mbetet më çam gjallë në Çamëri për t’u gjakosur nga katilat zervistë.

NUMRI I PËRGJITHSHËM I VRASJEVE NË ÇAMËRI GJATË TRE MASAKRIMEVET ËSHTË KY: 27 Qershor 1944, Paramethi, Margëllëç e katunde: 800 burra, 230 gra e fëmij, gjithsej 1030.

Pargë: 130 Burra

Gusht 1944- Në Filat e katunde: 198 burra, 61 gra e fëmijë, gjithsej 259.

Mars 1945- Në Filat e katunde: 142 burra, 59 gra e fmëijë, gjithsej 201

1940-1941- Të humbur burra, gra e fëmijë në qytetet Paramethi, Pargë e Filat: 230

Nga internimi i bërë në regjimin e Metaksajt, në kohën e luftës italo-greke, të vrarë e të vdekur nga torturat…: 450

DJEGIE DHE SHKATËRIME

Të gjitha katyundet janë djegur dhe shkatëruar nga veprimet barbare të Zervës me largimin e popullsisë çame. Jepet kjo përqindje: 60% të shtëpive të djegura, 40% të shkatëruara.

Në 61 katunde në Pargë, Paramethi Margëllëç, Gumenicë e Filat janë djegur e shkatërruar 5800 shtëpi.

Në të gjithë Çamërinë janë djegur 85 xhami.

GRABITJE NË GJË TË GJALLA- Në qytete me gjithë katunde të Margëllëc, Paramithi, Igumenicë dhe Filat janë grabitur: 17 mijë bagëti, 800 lopë e qe, 425 kuaj.

Po ashtu kanë humbur dhe ngordhur gjatë rrugës së emigrimit 110.000 bagëti, 400 lopë e qe, dhe 200 kuaj.

DRITHËRA DHE MISËR E VAJ TË LËNË DHE TË PRONËSUARA NGA BANDAT ZERVISTE

Këtu janë për t’u llogaritur sasitë që ndodheshin nër shtëpija familjare si dhe ndër dyqane të të gjitha gjanave ushqimore sidomos: drithëra, misër dhe vaj.

Veç kësaj duhet edhe llogaritur mbledhja e të gjithë prodhimit të vajit për vitin 1944, në të cilën stinë popullata çame ishte në emigrim.

Nuk mund të llogaritet plaçka e shtëpisë në të gjitha sendet e duhura ku çamërit kishin një stoli të veçantë shtëpije shumë të kushtushme. Mjaft të thuhet se nuk muarnë gjë me vehte. Gjithë ajo që mbeti u pronësua menjëherë, bile në sy të vetë familjevet çame, nga andartët e Zervës.

Po japim shifra vetëm për prodhimet bujqësore të lëna dhe të humbura: Braktisur nër shtëpija: 1.730.000 okë drithra, 650.000 okë misër, 620.000 okë vaj.

Humbja e prodhimit të vitit 1944: 4.000.000 okë drithëra, 3.700.000 okë misër dhe 2.990.000 okë vaj

SHËNIM.
1) Provokime të tjera. Nga muaji i shtatorit 1944 brenda kufirit Shqiptar të caktuar në vitin 1913 në rajonin e Konispolit andartë të Zervës kalojnë kufirin, rrëmbejnë qindra bagëti të çamërvet, vrasin barinj dhe kthehen në vendin e tyre. Të tilla provokime kanë qenë të dendura nga koha në kohë.

Në muajin Nëndor 1944 në ujrat shqiptare, benzinata me flamurin shqiptar kapet nga piratët zervista të detit, të cilët lundronin me një dragaminë që mbante flamurin engles. Kapin të gjithë çamërit që ndodheshin n’atë benzinatë (persona 20) i lidhin dhe i dërgojnë në Korfuz bashkë me benzinatën, fati i të cilëve nuk dihet.

Provokimet e shovenistave grekë vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe në ditët e sotme. Shumë herë kanë kaluar kufirin dhe kanë grabitur kafshë në Konispol të Shqiptarëve dhe të çamëve.

Në muajin Maj 1945 40 hajdutë zervista tentuan të kalojnë kufirin shqiptar por mbasi ndeshen në trupat partizane, roje të kufirit, u ndes lufta ku vazhdoi më se katër orë.

2) Statistika e çamërvet. Gjatë rrugës emigracionit nga sëmundje dhe mjerime të tjera të emigrimit kanë vdekur një numër prej 2.400 çamësh.

Gjendja e tyre e sotme të shpërndarë nëpër krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut paraqitet në numrin prej 18.150.

Përmbledhje: Të vrarë 2300 frymë, të vdekur gjatë emigrimit 2400 frymë. Gjithsej: 4700

Gjendja e sotme 18150- Numri i përgjithshëm që paraqitej para një viti 22850

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here