6.1 C
Pristina
Monday, October 18, 2021
Home KËSHILLA Qumështi, cilat janë dobitë shëndetësore dhe çfarë rreziku kanos ata që abuzojnë...

Qumështi, cilat janë dobitë shëndetësore dhe çfarë rreziku kanos ata që abuzojnë në konsumimin e tij

Të pish një gotë qumësht në mëngjes do të thotë që ke pirë ilaçin për mbrojtjen nga dhjetëra sëmundje. Studime të bëra në vende të ndryshme të botës kanë arritur në përfundimin se pirja e qumështit ka shumë efekte pozitive për trupin e njeriut.

Qumështi mbron nga kanceri i zorrës

Konsumimi i rregullt i qumështit mbron nga rreziku për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë. Studiuesit amerikanë kanë analizuar të dhëna të pothuajse 500 mijë personave të mbledhura nga studimet e mëhershme. Rezultatet e analizave kanë treguar se personat të cilët pinë 400 mililitra qumësht çdo ditë kanë 12 për qind rrezik më të zvogëluar për t’u prekur nga ky lloj i kancerit krahasuar me ata që nuk pinë qumësht. Kanceri i zorrës së trashë është lloji i tretë më i shpeshtë i kancerit në botë, ndërsa shkalla e prekjes nga ai dallon në vende të ndryshme, që mund të shpjegohet edhe nga ndryshimi i shprehive në të ushqyer. Ndikimin pozitiv të qumështit shkencëtarët e shpjegojnë me veprimin e kalciumit, i cili më herët ishte dëshmuar se ka efekt mbrojtës. Vlerësohet se konsumimi i kalciumit në sasinë prej 1000 miligramësh në ditë, mund të ulë rastin e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë deri në 15 për qind te gratë dhe deri në 10 për qind te meshkujt.

Qumështi kundër sëmundjes së kockave

Të parandalosh osteoporozën, sëmundjen në skeletin e njeriut, është e mundur. Sipas specialistëve italianë të Universitetit të Firences, për të mos u prekur nga sëmundja e kockave duhet të pijmë një gotë qumësht në ditë. Kjo mund të zëvendësohet me 30 gram kaçkavall, që nëse do e llogarisim në formë të grirë është i barabartë me 4 lugë të vogla. Ky rekomandim vjen si rezultat i një takimi mbi osteoporozën, i organizuar nga Vëzhguesi i Shëndetit në Itali. Parandalimi, përtej tavolinës lidhet edhe me aktivitetin fizik, i cili nuk duhet të “braktiset” edhe kur je i ri. Kjo këshillë është e vlefshme sidomos për gratë që janë në prag të menopauzës. Nga qumështi dhe nënproduktet e tij, merret sasia e kalciumit që është e nevojshme për një organizëm të shëndetshëm, por nëse organizmi ka mangësi, mund të përdoren edhe ushqime të fortifikuara siç mund të jenë koset që shiten në treg.

Qumështi lufton diabetin

Qumështi dhe djathi janë aleatë të mëdhenj në parandalimin e diabetit të tipit 2. Është rezultati i një studimi të kryer në Shkollën Harvard të Shëndetit Publik në Boston. Hulumtuesit, të udhëhequr nga dr. Dariush Mozaffarian, kanë zbuluar produktet si djathi, qumështi dhe kosi jenë aleatë në luftën lundër diabetit të tipit 2. Pas shqyrtimit të 3.736 vullnetarëve për 20 vjet, duke pasur nën kontroll llojin dhe zhvillimin e sëmundjes, studiuesit kanë kuptuar se ka pasur një lidhje. Dhe kjo lidhje bën fjalë pikërisht për qumështin dhe produktet e qumështit. Faktikisht, personat që e konsumonin atë në një masë të caktuar kishin nivele të ulëta të kolesterolit dhe një rrezik më të ulët të diabetit me 60% më pak.

Dy gota qumësht në ditë për të rënë nga pesha

Jeni në dietë? Mos hiqni dorë nga qumështi duke menduar se ka shumë kalori, sepse vetëm pirja e rregullt e tij mund t’ju bëjë që të bini më kollaj nga pesha. Ky është konkluzioni i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, sipas të cilit, kush pi mesatarisht dy gota qumësht në ditë për dy vjet humb 5 kilogramë e gjysmë më shumë krahasuar me ata që nuk konsumojnë qumësht apo prodhimet e tij. Të dhënat erdhën pasi një grup kërkuesish izraelitë morën nën vëzhgim 300 burra dhe gra mbipeshë duke i vënë për dy vjet në një dietë me përbërje yndyrash, në një dietë mesdhetare apo në një regjim me pak karbohidrate. U pa se ata persona që kishin në dietë sasi më të madhe kalciumi pas dy vjetësh kishin humbur 5 kilogramë e gjysmë më shumë se sa të tjerët.

Hani më ngadalë, merrni më pak kalori

Njerëzit të cilët hanë më ngadalë, mund të reduktojnë dukshëm sasinë e kalorive të konsumuar gjatë vakteve kryesore. Ky është përfundimi i nxjerrë nga një studim i publikuar javën e kaluar në revistën shkencore mjekësore “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”. Kërkuesit amerikanë kanë përcjellë një grup të vogël të pjesëmarrësve, gjysma e të cilëve ishin me peshë normale dhe gjysma tjetër e mbipeshë. Ata janë vendosur në dy situata: një herë të hanë më ngadalë dhe një herë tjetër të hanë më shpejtë. Rezultati ka treguar se kur kanë ngrënë më ngadalë, pjesëmarrësit e të dyja grupeve (me peshë normale dhe të mbipeshë) kanë konsumuar më pak sasi të ushqimit dhe më pak kalori, edhe pse janë ngopur më shpejtë. Sipas autorëve, arsyeja mund të jetë te përcjellja e informatës në tru sa i takon ngopjes. “Një arsye e mundshme për këtë rënie të konsumimit të kalorive mund të jetë se gjatë ngrënies të ngadalshme njerëzit arrijnë më mirë të ndjejnë urinë dhe ngopjen”, – thotë autorja e studimit, Meena Shah, profesoreshë në Texas Christian University. Kur kanë ngrënë ngadalë personat po ashtu kanë konsumuar më shumë ujë, që ka bërë lukthin të fryhet më shumë.

Kujdesi që duhet treguar me konsumimin e qumështit

Këshilla – Qumështi dhe prodhimet e tij sa të demonizuara aq edhe të pakuptueshme. Kërkimet shkencore tregojnë se ai mund të jetë i rrezikshëm nëse me të abuzohet, ashtu si edhe me ushqimet e tjera. Ja se çfarë duhet të dini tjetër

Të pimë apo të mos pimë qumësht?! Ashtu siç ndodh shpesh, kur bëhet fjalë për ushqime të cilat përfshijnë aspekte etike ose besime pak a shumë të bazuara, rriten edhe dyshimet. Ja një listë me argumentet më të përhapura në favor dhe kundër përdorimit të këtij ushqimi me origjinë shtazore. Por si qëndron e vërteta? Në shumicën e rasteve, është si gjithmonë, e vërteta më e madhe qëndron në mes.

A është e vërtetë se pirja e qumështit në moshë të rritur është e panatyrshme?

“Qenia njerëzore është e vetmja ‘kafshë’, e cila vazhdon të pijë qumësht edhe pas shkëputjes së ushqyerjes me gji”, dëgjojmë të thuhet shpesh për të theksuar se nuk duhet të konsumojmë qumësht. Por në fakt, “një shembull i rëndësishëm i një mutacioni të dobishëm, që ka ndodhur përgjatë evoluimit njerëzor, është aftësia për të konsumuar laktozë në moshën e rritur”, kjo sipas mjekut gjenetist, Luca Cavalli Sforza.

A është e vërtetë se konsumimi i qumështit mund të favorizojë sëmundjet kardiovaskulare?

Qumështi përmban yndyra shtazore dhe si i tillë, sipas kritikuesve të tij, favorizon sëmundjet kardiovaskulare. Por ndërkohë, studimi i publikuar te “American Journal of Clinical Nutrition” dhe i kryer nga studiuesit holandezë të Universitetit të Wageningenit, tregon se si pirja e qumështit redukton si rrezikun nga hipertensioni, ashtu edhe atë të goditjeve në zemër. Nga e gjithë kjo mund të dilet në përfundimin se nuk janë yndyrat shtazore ato të rrezikshmet, por abuzimi që bëhet me marrjen e tyre, siç ndodh me të gjitha llojet e ushqimeve, shtazore apo vegjetale qofshin ato.

Qumështi u bën mirë apo keq kockave?

Një tjetër bindje shumë e përhapur është ajo sipas së cilës, qumështi acidifikon gjakun dhe është shkaktar i osteoporozës. Duhet theksuar se futja e substancave acide dhe bazike, nuk e ndryshon PH në gjak, i cili qëndron stabël në 7,4. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ne mund të vdesim në pak minuta. Pra organizmi ynë është ndërtuar nga një sistem i tillë ekuilibri, i cili është në gjendje të “trajtojë” substancat, si ato acide edhe bazike, në mënyrë që të neutralizoheshin dëmtimet e mundshme.

Konsumimi i shumtë i qumështit mund të shkaktojë gurë në veshka?

Një studim i kryer nga Universiteti i Parmës dhe i publikuar në “New England Journal of Medicine”, ka evidentuar se si gurët në veshka nuk lidhen aspak me konsumimin e qumështit dhe të nënprodukteve të tij.

A është e rrezikshme që qumështi të pihet i papërpunuar?

Rasti i qumështit të papërpunuar (të zier) shpërtheu në dhjetorin e vitit 2008 me përhapjen e distributorëve të qumështit të menaxhuar nga fermerët, ku u verifikuan raste të helmimit me E.Coli O 157. Rrezikshmëria e qumështit krudo vjen nga kontaminimi potencial bakterial, që mund të ndodhë gjatë mjeljes e që mund të shkaktojë një shumëllojshmëri të sëmundjeve, duke përfshirë antraksin e brucelozës, tuberkulozin, salmonelën etj. Pra, para se ta konsumoni valojeni mirë.

A e stimulon zhvillimin e tumoreve kazeina (proteina) e qumështit?

Një studim mbi këtë përgjigje është trajtuar shumë nga “China Study” (studimi kinez), ku mjaft eksperimente janë realizuar te minjtë laboratorikë dhe kjo gjë rezultonte të ishte e vërtetë, pra, proteina e qumështit me emrin kazein, zhvillonte tumoret te këta minj.

Por këtë gjë e ka vënë në dyshim Andrea Ghiselli, mjeku i fushës së ushqyerjes dhe drejtuesi i studimit Inran: “Studimi nuk korrespondon aspak me realitetin. Ai është kryer 40 vjet më parë dhe tashmë është mohuar nga literatura aktuale. Të gjitha udhëzimet aktuale të komunitetit shkencor janë kundër”. Në raportimin prestigjioz të “World Cancer Research Fund/American Institute for Cancer Research”, nuk evidentohet asnjë lloj lidhjeje mes konsumimit të qumështit dhe kancerit të vezoreve.

A të shëndosh qumështi?

Qumështi mund të shkaktojë rritje të peshës në bazë të sasisë së konsumuar, konfirmon një studim i kryer nga Shkolla e Mjekësisë së Harvardit. Por një studim tjetër i publikuar në “Medicine and Science in Sport and Exercise”, ka theksuar se pirja e qumështit në vend të ujit gjatë bërjes së ushtrimeve fizike, rrit masën muskulare dhe ul atë yndyrore. Ndërkohë, një hulumtim tjetër i “International Journal of Obesity” ka demonstruar se konsumimi në masë të madhe i qumështit dhe nënprodukteve të tij, me kalimin e kohës shkakton një rritje të vogël të peshës dhe sidomos të belit.

Më mirë qumështi i freskët apo ai i konservuar?

Në rastin e qumështit të konservuar ju do të fitoni në kohë, por do të humbni në cilësi. Valimi i tij nga kompanitë e përpunimit dhe të ambalazhimit, në temperatura të mëdha (në mënyrë që të mos prishet për 4-5 ditë), shkakton humbjen e përqindjeve të shumë vitaminave (A,C, B1, B6,B12).

Qumësht për të tërë jetën apo me moderim? Cili është konsumi ideal?

Udhëzimet shkencore për një ushqyerje të shëndetshme rekomandojnë konsumimin e qumështit dhe të nënprodukteve të tij për të gjithë jetën. Për sa i përket konsumit ideal, ju duhet të pini tre racione në ditë (375 ml) qumësht ose kos, si dhe të hani tre racione djathë (100 gr) në një javë.

Ata që janë intolerantë nga laktoza, duhet ta eliminojnë fare qumështin nga dieta e tyre?

Kjo varet nga organizmi i çdokujt që vuan nga intoleranca e laktozës. Pra është specifike. Ndaj përgjigjja më e mirë për këtë rast janë analizat te mjeku specialist.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Këngë për lisin me rrënjë shekullore, Aristidh Kolën e shqiptarisë

Nga: Abdurahim Ashiku Meditime me një pikë loti rrudhave të jetës Në 15-vjetorin e IKJES Të...

Krapi Koi, nga tryeza deri te simboli i statusit: Përse ky peshk vlen deri në dy milionë dollarë

Koi në Japoni është simbol i dashurisë dhe i miqësisë Vitin e kaluar Krapi koi është shpallur peshk kombëtar...

Ndërtimet më ekstreme në planet (Video)

Nga ndërtimi i një hekurudhe në nxehtësinë e vrastare të shkretëtirës deri në rinovimin e një stacioni kërkimor në një nga vendet...

Wilhelm Röntgen, gjerman që zbulou rrezet-x, fizikanti që tejpërçoi brenda nesh shikimin

Ai ishte një prej atyre mendjeve krijuese, pasioni dhe përkushtimi i të cilit i dhuroi botës një dimenison të ri njohës, e...

Recent Comments