Kush ka vënë në dyshim thesaret e Elbasanit në drejtim të gjuhës shqipe, ky përbën një rast më shumë.

Dhe kjo, pasi historianët në Ukrainë kanë gjetur artefakte me mbishkrime të alfabetit të Elbasanit që i përket shekullit të 17.

Thesari u fundit u gjend në fshatin Margaritovo të Ukrainës. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim ka Aleksandër Novik, një studiues i përkushtuar i shqipes i frymëzuar nga shqiptarët që jetojnë në këtë vend. E gjetja, natyrisht që e ka befasuar botën akademike.

Albanologu J.G. Von Hahn ka deklaruar se “Alfabeti i Elbasanit nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregtarët në mërgim”.

Natyrshëm, ky pohim del në konkluzionin se alfabeti në fjalë është përdorur nga mijëra shqiptarë në mërgim që kanë jetuar në territoret e Perandorisë Ruse. Alfabeti i Elbasanit të shekullit të 17-të është një alfabet i veçantë me 54 shkronja.

Por si mundën shqiptarët të emigrojnë në shekullin e 17 drejt Ukrainës. Cilat ishin shkaqet dhe përse pikërisht në këtë vend?

Novik shkruan se “çështja e studimit të diasporës shqiptare në Rusi është shumë e rëndësishme dhe është lidhur me aspekte nga më të ndryshmet historike, ekonomike, shoqërore, politike etj. Gjatë shekullit të 20-të janë hulumtuar në nivel mjaft të lartë vendbanimet shqipfolëse në jug të Ukrainës (në rajonin e Odesës dhe Zaporozhjes) – periudha e themelimit të kolonisë së parë Karakurt i përket fillimit të qindvjetorit të 19-të (më saktë vitit 1811)”.

Në krahasim me këtë periudhë, koha e ardhjes së shqiptarëve në shërbimin ushtarak rus është shumë më e hershme dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit të 18-të.

Studiuesi ka gjetur mjaft të dhëna nëpër arkivat shtetërore dhe krahinore lidhur me pranimin e ushtarëve shqiptarë në shërbim të carëve rusë gjatë shekujve të 18-19-të.

Në vitin 1768, Turqia me përkrahjen e Francës dhe Austrisë fillon luftën kundër Rusisë. Në këto kushte më 1769 perandoresha ruse Katerina II dërgon emisarët e saj në Pelopones të Greqisë, në Mal të Zi, Shqipëri dhe principatat e Danubit me qëllim që të lidhen kontaktet midis popullsisë së krishterë të këtyre trojeve dhe shtetit rus.

Që nga ajo kohë, në trupat ushtarake ruse fillojnë të shërbejnë si ushtarët shqiptarë të cilët konsideroheshin si luftëtarë të mirë kundër ushtrisë osmane. Numri i tyre u rrit ndjeshëm pas marrëveshjes së paqes të vitit 1774 nënshkruar në Kyçyk-Kajnarxhi me kushtet e qeverisë ruse.

Në këto dekada, në territorin rus fillojnë të vijnë familjet e ushtarëve shqiptarë dhe grekë që në dokumentet e epokës fiksoheshin nga zyrtarët me emërtimin e përbashkët arnautë (pa ndarë në etni). Pikërisht në këtë periudhë nisën të shfaqen lagjet dhe rrugët e para të populluara më shqiptarë në qytetet e Rusisë së jugut, por edhe fshatrat, vendbanimet, etj.

Kështu, në rajonin e Rostovit në Don (qarku i Azovit) (sipas sistemit të ri administrativ) në fund të shekullit të 18-të është themeluar fshati Margaritovo, emri i të cilit është lidhur ngushtë me Margarit Bllazon, një oficer i rangut të lartë, me prejardhjen nga trojet shqiptare.

Në fshatin Margaritov kanë dyndur arkeologët. Në këtë zonë të detit Azov nuk flitet më shqip, por popullsia ka ruajtur kujtime për arnautët që janë themeluesit e këtij fshati dhe vendbanimeve përreth. Në këtë territor ekspeditat e organizuara nga Universiteti Shtetëror i San Peterburgut në vitin 2015 kanë mbledhur shumë materiale, narrativa etj., lidhur me praninë e shqiptarëve në shekujt XVIII – XIX. Dhe gjetja më spektakolare janë artefaktet me mbishkrimet në alfabetin e Elbasanit (sistemi i shkronjave që u përhap në Shqipërinë e Mesme në shekullin e 17-të).

I përket qeverisë shqiptare, pse jo edhe Elbasanit që të mundësojë kthimin e këtij dokumenti me vlera të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here