Nga: Zylyftar Hoxha

Ai prehet i vetmuar, pse jo edhe i harruar, atje në varrezat e Ersekës, nën fërshëllimat e erërave të Pllajës së Kolonjës dhe të Gramozit, duke pritur një fjalë të pathënë për plakun zulmëmadh të Shqipërisë Juglindore, që në vitet e vështira të Luftës së Parë Botërore uli në gjunjë gjeneralë dhe diplomatë të huaj. Por, këtë fjalë nuk i tha askush, as në gjallje e as në vdekje nga të gjitha qeveritë që kanë kaluar: nga e Zogut, dihet, s’kishte ç’priste, se atij i kishte kthyer pushkën; nga komunistja mori vetëm disa loloçka që s’i hynë në punë askujt; nga demokratikja, harresën e plotë.

Meqenëse këtë vit është 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe Shqipëria ishte një nga fatkeqet më të mëdha të saj, do të ishte nder të përmendje një nga heronjtë e shqiptarë të kësaj lufte, Sali Butkën.

Sali Butka lindi në fshatin Butkë të Kolonjës, në vitin 1857, në një familje të madhe me origjinë të hershme nga Frashëri i Përmetit, të cilët janë njohur me mbiemërin Aliçkaj, ishin shpërngulur nga trojet e tyre aty rreth vitit 1630 dhe u vendosën në Butkë të Kolonjës. Një familje e madhe, por e thjeshtë filloi të ndihej e të merrte emër në të gjithë zonën Kolonjë, Përmet, Korçë e Skrapar, kur i biri i Tahirit, Saliu, u lidh me çetat që u ngritën në fillim të shekullit të 20-të kundër Turqisë.

Ai ishte anëtar i Komitetit të Manastirit “Për Lirinë e Shqipërisë”. Në dhjetor të vitit 1905, Bajo Topulli shkoi vetë në fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës, ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur. Në këtë çetë, me komandant Sali Butkën, bënin pjesë edhe patriotë të tjerë, si: Qani Starja, Qamil Panariti, Riza Veleishti, Selim Pojani, Sefer Panariti, Dilaver Lubonja, Hasan Qinami, Myftar Butka, Pituli etj. Në vitin 1907, çeta e Sali Butkës dhe ajo e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, organizuan një aksion të përbashkët për vrasjen dhespotit grek, Fotit, i cili konsiderohej si një nga armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Pas atij aksioni, qeveria turke e futi në burg Sali Butkën dhe i dogji shtëpitë në fshatin Butkë. Më pas Porta e Lartë vuri Dajlan Bej Qafzezin, veglën e saj në Kolonjë, për të vrarë vëllanë e Saliut, Selman Butkën.

Duke parë kontributin e madh në mbrojtjen e krahinave të Jugut dhe Qeverisë së Vlorës, kryeministri Ismail Qemali e thërriti Sali Butkën në Vlorë dhe e priti atë përzemërsisht. Plaku i famshëm i Butkës u takua aty edhe me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj. Në atë kohë ai organizoi mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar nga sulmet e ushtrisë greke. Lidhur me këtë, në atë kohë gazeta “Liri e Shqipërisë”, midis të tjerash shkruante: “Sali Butka ka zhveshur pallën dhe po lufton me grekët nga ana e Naselishtës dhe nga ana e Korçës dhe po tregon trimërinë e tij si në kohë të Skënderbeut”.

Që në moshë të re ai lexonte dhe shpërndante veprat e rilindasve në të gjithë territorin ku vepronte, të cilat i sillte nga Manastiri dhe Sofja. Sali Butka bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë. Saliu, së bashku me Nasuf Bej Novoselën, ishin dy njerëzit që e morën në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë e kundërshtarët e tij që e kercënonin vazhdimisht për ta eliminuar fizikisht. Që në atë kohë ai filloi të shkruajë e të botojë vjersha me temë patriotike, të cilat më pas u kthyen në këngë popullore që këndohen edhe sot. Në vitet 1906-1908 ngriti dhe organizoi çeta të tjera të armatosura në zonën e Kolonjës dhe të Leskovikut. Në vitin 1910, Sali Butka së bashku me 2 500 kolonjarë, mori pjesë në mitingun e madh të shkronjave shqipe që u organizua në qytetin e Korçës. Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, patrioti i madh Mihal Grameno, në shkurtin e vitit 1910, në gazetën “Lidhja Orthodhokse”, midis të tjerash shkruante: “Gjithë qyteti, burra e gra, kishin dalë për të pritur kolonjarët, që çuditën botën me taktikën e tyre”.

Në mars të vitit 1911, patrioti i njohur Spiro Bellkameni, u kthye nga mërgimi dhe shkoi në fshatin Butkë duke qëndruar disa ditë në çetën e Kolonjës e cila udhëhiqej nga Sali Butka. Me qëllim që të zgjerohej lëvizja kryengritëse, Sali Butka i dha Bellkamenit, vëllanë e tij Myftarin, djalin Ganiun, dhe Thoma Pitulin, për të formuar një çetë më vete në Fushë të Korçës, e cila u bë e njohur në luftën e Orman-Çifligut, ku mbetën të vrarë gjashtë pjesëtarë të saj e të cilët më pas u shpallën dëshmorë të atdheut. Në krye të forcave të bashkuara kryengritëse, Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë me çetat e Spiro Ballkamenit e të Kajo Babjenit, në gushtin e vitit 1912 e çliruan Korçën. Lidhur me këtë ngjarje, gazeta “Koha” e datës 19 gusht të vitit 1912, midis të tjerash, shkruante: “Në ballë të çetës së dytë ishte kapedani dhe trimi i Shqipërisë, i dëgjuari patriot Sali Butka, burrë i thjeshtë shqiptar dhe me gjithë zemër mëmëdhetar” .

Gjatë vitit 1914, pati dy plagë të mëdha. Në luftën e Qafës së Martës kundër grekëve iu vra Nasi Qafzezi, të cilin ai e donte si djemtë e tij, ndaj në këngën që ngriti për të e quajti Nasi Spiro Butka; dhe plaga e dytë ishte vrasja e djalit të tij 23-vjeçar, Ganiut, në Pogradec, më 2 korrik të vitit 1914, në përpjekje me forcat e reaksionit. Edhe për këtë ai ngriti këngën “Malet e Gramozit qajnë, për Gani Butkën që vranë”, një këngë që këndohet në çdo gosti e muhabet edhe sot në Kolonjë, Përmet, Korçë, Skrapar, Dangëlli e Berat. Veç kësaj, grekët i dogjën shtëpinë dhe familja tij u detyrua të jetojë në Skrapar, nëpër miq dhe shokë.

Në vitin 1914, kur në jug filluan masakrat greke, Sali Butka me familjen dhe me mijëra refugjatë të Kolonjës u hodh në Vlorë dhe u sistemua në ullishtet e saj. Plaga në sy që kishte marrë atë vit në Nikoliçë, e bezdiste shumë dhe ishte bërë e padurueshme. Miqtë i thanë të shkonte në Itali ta hiqte syrin. Meqenëse ishte aty afër, i hipi një anijeje mallrash dhe shkoi në Bari. Aty e pritën shumë shqiptarë emigrantë dhe e ndihmuan të mbaronte punë shpejt. Pas dy vizitave, në një klinikë të njohur u vendos që të operohej për t’i hequr syrin e dëmtuar. Kur vajti në sallën e operacionit, doktori i tha se do t’i bënte narkozë për ta vënë në gjumë, që të mos ndiente dhimbje. Plaku nuk pranoi. “S’dihet se ç’bëj në gjumë”, i tha, “më shpëtojnë nga poshtë apo pëllas si ka në mes të Italisë dhe të turpërohem. Më bën dot pa ilaç”? Mjeku ngulte këmbë për narkozë, plaku po si mushkë në të tijën. Operacioni nuk u bë atë ditë. Pas konsultës së dytë, kërkesa u pranua. Operacioni u krye pa narkozë. Ia lëshuan në dorë kokordhokun e syrit të dëmtuar. As zëri më i vogël nuk doli nga goja e të sëmurit, vetëm djersët dinin sumbulla-sumbulla nga fytyra e zbehur nga dhimbja. Të nesërme gazeta “Corriere della Puglia” botoi një lajm në krye të faqes së parë, se një shqiptar kishte nxjerrë syrin pa narkozë. “Askush nuk do t’i ishte nënshtruar vullnetarisht një rasti të tillë, duhet të jesh shqiptar, duhet të jesh trim dhe guximtar që të bësh një gjë të tillë”, shkruante gazeta. Ky lajm mblodhi gazetarë dhe mjekë kirurgë nga e gjithë Italia, dhe ngjarja u pasqyrua edhe në gazeta të tjera. Ajo u pasqyrua edhe nga shtypi shqiptar i kohës. Mihal Gramenua në gazetën “Koha” shkruante: “Atë ditë të mos e harrojmë kurrë! Vammë të gjithë luftëtarët ta ngushëllojmë, kur na thotë duke qeshur: ‘Mos kini frikë, o vëllezër, se nuk do të turpëroj Shqipërinë dhe asnjë pëlumb kundër armiqve s’ka për të shkuar dëm’”.

Mbasi morën ultimatumin francezët dërguan në kampin e Saliut një përfaqësues të bisedonte me Plakun, por më tepër ai donte të merrte vesh se sa forca kishte plaku që t’i binte Korçës. Por, ai nuk mund ta merrte me mend intuitën e fshatarit të zgjuar e dinak që shikonte prapa gardhit. Ai kish porositur që ato 5 000 forca që kishte në moment të lëviznin, ca të shfaqeshin dhe ca të zhdukeshin matanë kodrës së Gjergjevicës, dhe të vazhdonin kështu deri në aksham, sa t’u griseshin këpucët. I ardhuri, duke parë këtë lëvizje, që ata që kishin dalë para dhjetë minutash, dilnin përsëri, por që ai i dinte si forca të reja, bëri llogaritjet se do të ishin aty te 10 mijë forca. Duke shtuar edhe rezervat që do të ishin pak më lartë, ai llogariti se plaku i kishte të sigurta 12 mijë forca. Është e çuditshme, por këtë kishte bërë edhe Ilarion Kutuzovi 100 e ca vjet më parë, kur Napoloni i ishte afruar Moskës. Ai kishte parë se pas çdo zjarri kishte pasur 5-6 ushtarë, atëherë ai urdhëroi që çdo ushtar të kishte një zjarr. Ushtria franceze u rrethua në një oqean me zjarre. Në këto kushte ata u kthyen mbrapsht. I bindur mbi fuqinë e madhe të Sali Butkës, oficeri francez i telegrafoi komandantit në Selanik se 12 mijë vullnetarë mund të sulmojnë Korçën nga çasti në çast. Telegrami ndiqte telegramin, nga Selaniku në Athinë, nga Athina në Paris, derisa u kthye përgjigja se Korça është e shqiptarëve. Kështu, Plaku i famshëm i Butkës mbrojti jo vetëm Korçën, por të gjithë Shqipërinë Juglindore nga synimet e sulmet e shovinistëve grekë. Nisur nga kontributi dhe fama e madhe që mori Plaku i Butkës gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, në 1920 ai u zgjodh dhe mori pjesë si delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjës.

Ishte gushti i vitit 1919. Shqipëria jetonte, ndoshta, çastet më kritike të historisë: Italianët siguruan Vlorën dhe Sazanin, serbët veriun e Shqipërisë, francezët që e mbajtën aq kohë Korçën tani donin t’ua dorëzonin grekëve. Populli i Korçës vendosi të kundërshtojë. U ngrit një komision me 13 veta, me njerëzit më të shquar të qytetit. Qyteti duhej të mbrohej me forcë, po ku ta gjeje këtë forcë? Iu kërkua ndihmë qeverisë së Durrësit për 200 mijë franga ari të mbaheshin me ushqim vullnetarët, por ajo nuk u tregua e gatshme. U mendua dhe iu bë thirrje Sali Butkës që ishte në Konak të Tomorricës me pushime në atë kohë. Pas kësaj, kur dëgjoi edhe se Themistokli Gërmenjin e kishin vrarë francezët në Selanik, në kokën e Plakut shpërtheu stuhia. Brenda pak ditëve ai solli në Gjergjevicë, afër Korçës 1 500 vullnetarë. Në fillim të shtatorit 1919 ai u dërgon një ultimatum të butë me 14 pika forcave franceze në Korçë: Po pse të butë, sepse duhej shmangur gjakderdhja, sepse Franca ishte fuqi e madhe.

Plaku, pasi i mbaroi të gjitha u kthye më në fund në shtëpi, në Butkë, filloi të ngrinte shtëpitë nga themelet pasi i kishte djegur greku. Jetonte ditët e tij i qetë, duke kujtuar djemtë që kishte lënë maleve. Një ditë i thanë se Zogu kishte thyer qafën. “Hair, inshallah”, kishte shfryrë plaku. Por, s’kaloi shumë dhe i thanë se ai ishte kthyer prapë. Prefekti i Korçës, Beqir Gjylbegu i kërkon ndihmë Plakut. Dhe ai me 300 kolonjarë dhe në moshë të thyer zuri kufijtë, por Zogu paskësh hyrë në anën tjetër. Kërkuan ta arrestonin, por s’mundën herën e parë, herën e dytë në Kryengritjen e Fierit e arrestuan, por ai tani nuk ishte gjë tjetër veçse një grusht kockash, ndaj e liruan. Kur u kthye mori dy oparkë t’i bënin gurin e varrit me një shqipe të skalitur. Ua ktheu dy herë, deri sa gjeti karar. Vdiq më 20 tetor 1938.

Mbas largimit nga jeta të Plakut legjendar të Butkës së Kolonjës, jeta e pinjojve të kësaj shtëpie eci sipas traditës së krijuar, me angazhim në punët e atdheut. Myftari, i vëllai Saliut, si i dyti i fisit, mbajti hatërin e plakut dhe nuk mund t’i dilte përpara, megjithatë qëndroi në kahun e duhur; dy djemtë e Plakut, Iliazi dhe Ganiu u vranë në luftë kundër grekut; Safeti, me idetë e tij ekstreme, i mençur, trim dhe luftëtar i vendosur, mori një drejtim që, po të ishte gjallë Plaku, nuk do ta kishte lënë të shkonte andej ose do të ishin prishur për jetë; ndërsa sot, më i dëgjuari i fisit, nipi, Urani, djali i Safetit, i zgjuar, i mësuar dhe i zoti, natyrisht, doli në mbrojtje të kauzës të të atit. /Gazeta “Dita”/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here