“… Në Bolenë Fejzi Micoli,

Flakëron si dritë ylli;

Shtati derdhur metal bronxi

Ballit çelur lule prilli…”

Edhe kaq sa shkruhet në rreshtat e para për bëmat e këtij heroi, do të ishin të mjaftueshme për patriotizmin e tij, por jo, jo, heroi ynë rrezaton më shumë…, ai është nëntë herë dëshmorë, heroi i atdheut… “Hero mbi heronjtë”.

Mbi trupin e tij mori nëntë plagë plumbi nga nemcia hitlerjane, që e kafshoi si kuçedra me gjuhë flakësh, por ky bir i Bolenës që e kishte në gjak trimërinë s’u tut, përul e gjunjëzua, si kreshnikët bashkë me bijtë e tjerë të Shqipërisë, ja preu gjuhët kuçedrës, plagët i mjekoi me amanetin e shokëve të rënë, lotët e nënave, lirinë e atdheut, dhe luftoi si ai cep më cep të Shqipërisë, mori nëntë plagë, por luftoi 900 herë më shumë deri në çlirim të atdheut. I tillë ishte dhe do të mbetet për jetë të jetëve në kujtesën e brezave, heroi ynë “Fejzi Micoli”.

Fejzi Micoli

Jeta e tij është e mbushur plot vuajtje, mundime, sakrifica, përkushtim e urrejtje ndaj shtypjes e pushtimit, por edhe e gatuar me guxim, heroikë e trimëri, për të luftuar, që ta shihte Shqipërinë një ditë të lirë e të pavaruar, të begatë, e të lulëzuar… U lind në një familje të varfër fshatare. Xhaxhai i tij Sino Micoli erdhi nga Amerika e ra dëshmor për çlirimin e Vlorës më 1920. Prindërit i vdiqën shpejt, mbeti jetim bashkë me vëllain e tij Idajetin (Dëshmor i atdheut).

Të dy vëllezër të mitur u përballën me vështirësitë e sakrificat e jetës. Vuajtjet i burrëruan para kohe. Fejziu si më i madhi, në moshën 17 vjeçe (1931), u detyrua të punoi në Kuçovë, më pas në Vlorë në ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës, gurore e gjetkë.

Gjatë pushtimit fashist punoi në ndërmarrjen “Xhonio – militare”, hamall në port dhe shoqërinë italiane “Puriçeli”. Me krijimin e P.K.Sh, qe nga të parët që përqafoi idetë e saj. Aktiviteti i tij patriotik e revolucionar për çlirimin e atdheut është i madh, ai pasqyrohet në katër faza kohore: Vlorë, Bolenë, Brigadën e I. S dhe vitin e parë të lirisë (1945).

NË VLORË

U lidh me Hysni Kapon e Mumin Selamin. U bë njëri nga aktivistët e dalluar të Komitetit Qarkor të Vlorës, mori pjesë në demonstratën e bukës (9 mars 1942) në ballë të demonstruesve, për shkak të aktivitetit revolucionar ndiqej nga fashistët dhe u hodh në ilegalitet me shumë shokë të Vlorës. Korrik 1942 Fejziu u bë anëtar i njësitit të parë partizan të Qarkut të Vlorës dhe ju dha pseudonimi “Vullneti”. Ky njësit zhvilloi veprimtari luftarake në qytet e fshatra, pjesë e të cilës ishte edhe bolenasi F. Micoli.

– Më 4 dhjetor 1942, u krijua çeta Plakë e Vlorës, ku Fejziu qe komandant skuadre.

– Më 21 tetor 1942, mori pjesë në pritën që ju bë në Mal të Bardhë autokolonës italiane, duke treguar trimëri të rrallë.

– Më 26 dhjetor 1942 mori pjesë në djegiet e depove italiane në Radhimë.

– Më 31 dhjetor 1942, mori pjesë në luftën e Gjormit.

– Më 10 shkurt 1943, me Dervish Hekalin dogjën depot italiane në Patos.

– Më 21 shkurt 1943, në Selenicë sulmoi kazermat e karabinierëve italianë etj.

Veprimtaria e tij ra në sy dhe filloi të ndiqej nga milicia fashiste, por ai ishte trim e i guximshëm.

Ja dy aspekte nga veprimtaria e tij revolucionare në Vlorë:

-Një ditë u ndodh ballë për ballë me një kapiten të milicisë, e njihte se babai i tij Hyseni kishte punuar bujk te agai që ishte babai i kapitenit (milic i fashizmit). Kapiteni i armatosur rëndë e i krekosur si gjel po ecte pranë patrullës, befas pa Fejziun dhe u shtang…! Fejziu me gjakftohtësi iu afrua dhe i foli prerë:

– Qërromu nga sytë, zagar, s’dua të ndyj dorën me ty, se kam punë të tjera më të rëndësishme për të bërë. Kapiteni shërbëtor i pushtuesve se bëri dy, iku me bisht ndër shalë.

Ky Fejzi Micoli, trim me çika stralli, K. Qarkor i Vlorës e kishte ngarkuar edhe me detyra të tjera të rëndësishme zbulimi, që i kryente në mënyrë perfekte, të cilat i ushtroi edhe më pas në Brigadën e Parë Sulmuese.

Aspekti i dytë: Bisedë në familjen e Shaskajve – Kocul.

I zoti i shtëpisë i thotë: “- Ju partizanët s’keni kokë kush t’ju drejtoi, Shqipërisë i duhen burra, populli është si kope dhensh që nuk lëviz dot pa dash përçor”. Fejziu – gjakftohtë, kurajoz e me qetësi mendimi, por jo pa urrejtje iu përgjigj:

-“Shqipërinë do ta çliroi e drejtoi vet populli, duke nxjerrë në udhëheqje bijtë e tij më të mirë. Iku koha e Shaskajve dhe e sërës së familjeve tuaja, që e quani veten desh përçorë dhe popullin kope dhensh”. Rastet tregojnë vendosmërinë e këtij trimi të paepur, që për lirinë s’falte grimën.

            NË BOLENË

Kurrë s’i humbi lidhjet me vendlindjen. Edhe pse i ngarkuar me detyra të rëndësishme, ai vinte shpesh edhe në Bolenë. Bazë kishte xhaxheshën e tij Hankon, të cilën e thërriste me emrin “LIGO”. Në shtëpinë e saj solli dhjetëra trakte. Gjatë një operacioni, fashistët gjetën traktet, dogjën shtëpinë dhe arrestuan e burgosën djalin e saj Zenelin. Gjatë ardhjes në Bolenë “Vullneti” mori kontakt e u njoh me Mustafa Matohitin, Bexhet Memën dhe kuadro të L.A.Naçl. që vepronin në zonën e Kurveleshit.

Emri i tij u ngrit lart nga qëndrimi kritik që mbajti ndaj fraksionit të “Xhepit”, i cili shfrytëzoi vrasjen e vëllait të tij Idajetit (Dyshekun), për të goditur lëvizjen N.Çl. Nuk ra në këtë grackë, sqaroi popullin e Bolenës dhe gjithë luftëtarët e “Çetës Plakë” të Vlorës.

            NË BRIGADËN E PARË SULMUESE

Me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese Fejziu u rreshtua në radhët e saj, kreu detyra të rëndësishme zbulimi e komandimi deri në komandant batalioni. Luftoi në Korçë, Berat, Mallakastër, Librazhd, Dibër, Mat, Tiranë, deri në Malësinë e Shkodër. Nëntë plagë mori luani, por se mposhtën dot, luftoi si dragua me flatra. Për herë të dytë i ra të luftonte në Patos, këtë herë si komandant kompanie i Br. I. S. U ndesh trup më trup me gjermanët, e mbuloi tymi e flaka e artilerisë armike, shokët thanë se u vra, por jo s’vritej kreshniku, u ngrit, shkundi baltërat dhe vazhdoi luftën… Aktet e tij heroike janë të panumërta. Në Mat kundër gjermanëve dhe mercenarëve të Gjon Markagjonit e Abas Kupit, asgjësoi mitralozin armik, duke treguar një akt të paparë trimërie, i cili tmeroi nazistët e mercenarët.

Zgjuarsia, trimëria dhe heroika e tij shkëlqeu në luftën e Tiranës. Fejziu udhëhoqi batalionin në një sërë goditjesh të fuqishme për çlirimin e qendrës së kryeqytetit dhe gjithë Tiranës. Mbas luftimeve të ashpra ditën, natën zbriste në qytet organizonte aksione zbulimi e asgjësimi të njësive e shtabeve gjermane. Vetëm gjatë një nate në Tiranë në krye të një njësiti të vogël partizan, kapi një kamion me materiale luftarake, pastaj i bëri pritë një veture me tre oficer madhor gjermanë, i asgjësoi dhe mori një çantë me dokumente të rëndësishme, që ndihmuan për njohjen e situatës së armikut.

Bashkëfshatarët e tij kanë treguar, se si këto aksione, ai kreu me dhjetra nga jugu në veri, por ato të Tiranës janë akte madhore e të papara. Bashkë me Fejziun doli partizan dhe bashkëshortja e tij Hajdinea, duke lënë vetëm dy fëmijë: një e dy vjeç, Viton dhe Mënon, për ta u kujdes dajua i tyre Lato e Labikë Allushi. Lufta dhe përkushtimi në Br. I. S. e bëri Fejzin jo vetëm një luftëtar trim, por edhe një kuadër të zot, ushtarak që drejtoi me zgjuarsi e trimëri batalionin në beteja të vështira, por i fitoi ato, se ishte amaneti i shokëve të rënë dhe ëndrra e madhe e lirisë e cila u vulos më 29 nëntor 1944 me çlirimin e Shkodrës e gjithë Shqipërisë.

Vula e 29 nëntorit 1944, është e ngjyer edhe me gjakun e nëntë plagëve të kreshnikut tonë Fejzi Micoli. Në një foto në ish muzeun e luftës N.Çl, të Fejzi Micolit dalë me një shok partizan ditën e parakalimit të Qeverisë së Parë Demokratike, në diçiturë shkruhej: “Gëzuar festën shokë!!” Simboli më i bukur i asaj dite, dy partizanë të përqafuar urojnë njëri – tjetrin për festën e lirisë 29 nëntorin e vitit 1944. Fotua dalë me rastin e 30 vjetorit të çlirimit, marrë nga Muzeu Tiranë, dhe ekspozuar te pallati i kulturës në një stendë gjigande, ku njeri prej tyre ishte heroi ynë F. Micoli.

            NË DITËT E PARA TË LIRISË

(15 janar 1945)

Vendi ishte çliruar. Plagët e luftës dukeshin kudo, bijtë e atdheut që luftuan po merrnin përsipër detyrën e ringritjes së Shqipërisë. Fejziu prej një viti në Tiranë kryente detyrën e komandantit të batalionit me gradën kapiten. Në janar të vitit 1945, me batalionin që komandonte iu dha urdhër të shkonte në Malësi të Shkodrës (Kelmend) për spastrimin e asaj zone nga reaksioni dhe forcimin e pushtetit popullor. Gjatë këtij aksioni në zonën e Tamarës, batalioni u gjend i rrethuar nga forca të shumta mercenare, në një terren tepër të thepisur e malor.

Megjithatë Fejziu me gjakftohtësi organizoi sulmin, çau rrethimin, batalioni u tërhoq, por ai ra heroikisht ashtu siç bien trimat. I plagosur rëndë i pështyti në fytyrë mercenarët, duke i quajtur sahanlëpirës të fashizmit. Bashkë me të u vra edhe komandanti i kompanisë togeri trim Aliko Meçe i cili u kthye gjatë tërheqjes për të ndihmuar komandantin. Në këtë aksion u vranë 40 partizanë. Mbi lumin e Cenit bashkë me gjakun e tyre rrodhi edhe gjaku i dy partizanëve trima të Bolenës. Sot në faqet e atij lapidari janë skalitur 40 emra mes tyre: Fejzi Micoli “Hero i Popullit”, Aliko Meçe, “Dëshmor i atdheut”.

Për qëndrueshmëri të lartë, akte të shquara trimërie në luftën Nacionalçlirimtare e atë kundër tradhtarëve të vendit, Kuvendi popullor e ka vlerësuar Fejzi Micolin me titullin më të lartë “Hero i Popullit”.

Le të ndryshojnë kohët, sistemet e qeveritë sa të duan. Edhe 1000 kohë të vinë, heronjtë janë të pavdekshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here