Lakorja e harresës: Sapo e mësuar, tashmë e harruar…
Sot do të mësoni diçka që me siguri pas katër ditësh do ta harroni: Lakoren e harresës të Ebbinghausit. Nuk e njihni? Sigurisht vetëm nuk ju bie ndërmend! Sepse kjo është pikërisht ajo që psikologu gjerman Hermann Ebbinghaus zbuloi gjatë vetë-analizës. Pas rreth 20 minutave, 40 përqind e asaj që ka mësuar njeriu, e harron.
Pas një ore, vlera e asaj që dimë tashmë bie në 45 përqind, pasi një ditë na kujtohet më së shumti një e treta (34 përqind) e përmbajtjes së ngulitur në mendje. Mahnitëse gjithashtu: Vetëm pas gjashtë ditësh, aftësia jonë e kujtesës është tkurrur në 23 përqind (shiko grafikun) – në planin afatgjatë, ne ruajmë në kujtesë vetëm 15 përqind të të mësuarës. Pra, tani përpiquni t’i memorizoni këta numra përgjithmonë!
Lakorja e Ebbingshaus: Pse harrojmë ne?
Në fakt, harresa varet jashtëzakonisht shumë nga ajo që ne përpiqemi për ta mësuar. Ditëlindjen tënde, numrin e celularit të të dashurës tënde, një adresë portali – e gjithë kjo është e lehtë për t‘u mbajtur mend. Mirëpo, me numrin e llogarisë bankare, me përvjetorin e dasmës, ose fjalëkalimin, na shfaqen shumë telashe:
• Mendohet se nxënësit, pas 3 – 6 ditë, mbajnë në mend deri në 90 përqind të fjalëve të mësuar nga gjuha e huaj.
• Të rriturit, nga ana tjetër, harrojnë 25 përqind të një poezie pas vetëm një dite, dhe pas pesë ditësh, gjysma tashmë është tretur.
• Në prozë, lakorja e harresës është edhe më e rrëpirë: pas një dite, plot 53 përqind e përmbajtjes humbet.
Fatkeqësisht kurrë nuk dihet më parë, se me kalimin e kohës, cilat pjesë të dijeve zhduken nga qelizat tona gri, dhe për të luftuar kërcënimin e avullimit të njohurive, kemi vetëm dy mundësi: ta pranojmë atë, ose të zhvillojmë kundër-strategji të përshtatshme.
Mnemoteknika kundër lakores së harresës
Një dëshirë, që kishin njerëzit qysh në lashtësi. Mnemozinia, (fjala shqipe‚ mendje‘ gjendet aty LB) perëndesha greke e kujtesës, (mbamendjes), ka ngelur deri më sot si një simbol i teknikave të ndryshme, të cilave u dha emrin e saj mnemomikë, ose mnemoteknikat.
Sidoqoftë, për ta zhvilluar atë, së pari duhej të kuptohej se si funksionon memorja (kujtesa). E thënë trashë, çdo herë lidhjet nervore, të ashtuquajturat sinapsa, rilidhen për një çast në mes vete. Vendimtare për aftësinë e mbajtjes mend është, sa lidhje të ndryshme ka për këtë ose për atë koncept. Sa më shumë alternativa që të ketë truri për të gjetur fjalën e kërkuar, aq më shpejt mund ta nxjerrim atë nga këndi i pasmë i qelizave tona gri në vetëdije. Natyrisht, kjo njohuri mund të përdoret si një trajnim i kujtesës.
Është e rëndësishme te të mësuarit përmendsh të krijohen sa më shumë lidhje të fuqishme sinaptike, që të jetë e mundur dhe te lënda që mësohet, të memorizohen edhe ngjyra, forma, imazhe, erëra, tinguj, ndjenja dhe ngjarje. Por është gjithashtu e rëndësishme, të caktohet koha e të mësuarit. Nëse mësohet dhjetë minuta në ditë për katër javë (rreth 300 minuta) do të sjellë më shumë rezultate, se sa pesë orë brenda një ditë (gjithashtu rreth 300 minuta).
Lakorja e harresës, si të mbajmë mend më gjatë
1. Shkruajeni
Sigurisht udhëzimi nuk është i ri, por efektiv. Kur shënojmë gjëra që duam t’i mbajmë mend, i shndërrojmë ato njëkohësisht në fjalë tona, që për ne kanë më shumë kuptim. Nga germat bëhen edhe imazhe, të cilat gjithashtu mund t’i mbajmë mend më mirë. Sigurisht, të talentuarit mes jush mund të pikturojë vërtet një pamje të vogël nga ato. Pasi të keni pikturuar vende, vegëza, për t’u kujtuar, ato do krijojnë një përshtypje ndjenjësore për trurin tuaj. Aroma e letrës mund të krijojë përshtypje tjera shqisore, që kanë të bëjnë vetëm me të mësuarit. Përpiquni gjithashtu të përvetësoni këto përshtypje.
2. Përsëriteni të mësuarën
Ditë pas dite shfaqen detyra të panumërta, që kërkojnë vëmendjen tuaj të plotë. Kjo largon vëmendjen – dhe përqendrimin tuaj vazhdimisht në stimuj të rinjë. Në mënyrë që e mësuara të mos zbehet, duhet t’i riktheheni herë pas here, të rishikoni faqen me shënime të rëndësishme, pastaj përsërisni ato me fjalë.
3. Mësoni të këndelleni
Trysnia e vazhdueshëm në një pikë të caktuar arrin vetëm të bllokojë. Më mirë mëson kush këndellet (relaksohet) rregullisht dhe bën pushim. Stërvitja autogjenike ose këndellja progresive e muskujve ndihmon. Metodën e dytë e ka zhvilluar suedezi Edmund Jacobson. Qëllimi është që të tendosen grupet e muskujve në mënyrë që pastaj të shtendosen ato papritmas. Kjo ndikon që trupi të këndellet plotësisht brenda pak minutash. Sidoqoftë, për këtë duhen pak ushtrime. Kështu funksionon ushtrimi: Filloni me këmbët tuaja. Mblidhni gishtat e këmbëve për rreth katër sekonda me të gjitha forcat, pastaj lëshoni shtrëngimin papritmas. Gjersa bëni një pushim të shkurtër, përpiquni të ndjeni ngrohtësinë që rritet në gishtërinjtë tuaj. Pas kësaj, filloni nga thembra dhe gradualisht nga një grup i muskujve në grupin e muskujve përpjetë. Shumica tashmë janë të këndellur para se të arrini te krahët.
4. Flini më mirë
Për mbamendje të përhershme, gjumi i shëndetshëm, që zgjat mesatarisht shtatë orë – është shumë i rëndësishëm. Koka mëson menjëherë pas gjumit: pas rreth 15 minutave biem në delta-gjumë. Truri zhvendos përvojat e ditës dhe informacionet e mësuar nga cache (memorizues i përkohshëm), hipokampus, në kujtesën afatgjate (neokorteks). Duke vepruar kështu, truri largon mbeturinat informative në mënyrë që të krijojë vend për informacione të reja dhe njëkohësisht, formon të ashtuquajturën memorie deklarative: na kujtohen faktet, fjalët e reja të mësuara dhe ndodhitë.
Për shembull, kush duhet të mbajë mend një fjalim për nesër, duhet të lexojë përsëri dorëshkrimin para se të shkojë në shtrat. Brenda 90 minutave, gjumi delta kalon në fazën e gjumit REM (= Rapid Eye Movement) – në të cilën sytë lëvizin shpejt nën qepallat e mbyllura. Në këtë fazë të ëndrrave, ne memorizojmë kryesisht zotësi procedurale, si p.sh. luajtja e futbollit, ngasje biçiklete, apo piktura.
Fazat REM dominojnë në mëngjes, prandaj ai që merret me një sport, apo mëson një instrument, duhet të flejë mjaftueshëm. Ekziston edhe një eksperiment interesant për këtë: studiuesi i gjumit nga Lybeku, Jan Born, dëshmoi se pas gjumit të mirë, aftësia e për të mësuar gati trefishohet!
5. Merrni frymë
Kjo gjithashtu këndell: Uluni ose qëndroni drejt, edhe shpatullat drejt. Tani përpiquni të merrni frymë vetëm përmes hundës në bark – pa e ngritur gjoksin. Merrni frymë me metodën 4-6-8: merrni frymë ngadalë dhe thellë, mbajeni frymën dhe numëroni deri në gjashtë, nxirrni frymën ngadalë nëpër gojë dhe numëroni deri në tetë. Përsëriteni këtë të paktën pesë herë. Me këtë ushtrim, ju mund të nxirrni jashtë tok me frymën, edhe stresin dhe bllokadat, që pengojnë të mësuarit.
6. Mbani mend një ngjarje në lidhje me të
Kjo funksionon më pas si ura e gomarit („pons asinorum“*). Një teknikë klasike e memoteknikës: Për t’i memorizuar më lehtë, ndani numrat në grupe, për të cilat mbani mend terma shumë të rëndësishëm. Numri 3210072412 mund të ndahet kështu: “3-2-1 e imja” është slogani i Ebay, 007 kodi i James Bond, 2412 data e Krishtlindjeve. Në vend të 3210072412 ju kujtohet vetëm: “Ebay, Bond, Krishtlindja.” Ose një histori qesharake: “Në Ebay James Bond blen dhuratat për Krishtlindje.” Sa më absurd të jetë mendimi, aq më i madh është efekti i kujtesës.
7. Krijoni vegëza
Një teknikë tjetër për të mbajtur në mend diçka të re, është, ta bashkoni atë me dijen ekzistuese. Kjo mund të jetë një anekdotë që ju e lidhni me të, një vend ose zinxhirë ndikimesh të ngjashëm, që ju tashmë i keni mësuar.
8. Ndajeni
Ndonjëherë kontekstet komplekse thjesht nuk duan të futen në kokën. Në këtë rast, ndihmon ndarja: Ndani informacionin kompleks në kafshata, që mund të kapërdihen dhe ushtrojeni këtë – sa më logjikisht të jetë e mundur – për t’i përvetësuar fraksionet e ndërlidhura.
9. Kujdesuni për ajër të pastër
Pa oksigjen qelizat tuaja gri do të jenë në gjendje të mjerë. Nëse dëshironi të mësoni diçka, keni nevojë për shumë oksigjen. Atëherë, pse të mos e shtypni fjalimin e ta mësoni në park gjatë një shëtitjeje, apo fjalë nga një gjuhë e huaj?
Nëse nuk është e mundur, sepse bie shi ose bie borë jashtë, të paktën hapni dritaren dhe kujdesuni për qarkullim të mjaftueshëm të ajrit. Kohë pas kohe duhet të ngriheni, të merrni frymë thellë dhe të lëvizni, gjë që gjithashtu stimulon metabolizmin dhe qarkullimin e gjakut.
10. Lexojeni me zë të lartë
Për tekste më të shkurtër, siç janë poemat ose prezantimet 10-minutëshe, ekziston edhe një teknikë tjetër: Lexoni dorëshkrimin me zë të lartë fjali pas fjalie. Në fillim vetëm fjalinë e parë, pastaj mbyllni sytë dhe përsëriteni atë përmendsh. Pastaj lexoni fjalinë e dytë me zë të lartë, mbyllni sytë dhe përsëriteni fjalinë e para dhe të dytë kësaj here. Pastaj fjalinë e tretë e kështu me radhë. Kjo mund të jetë e mërzitshme, por me të vërtetë ndihmon – të paktën, nëse nuk keni ndërmend të mësoni përmendësh më shumë se 1000 fjalë.
*Një mnemonik ura e gomarit, latinisht „pons asinorum“ (pons asini) është një teknikë mnemonike për të mbajtur më lehtë në mend një informacion, për shembull planetët e sistemit diellor: „Mami, vetë Maçorri japonez, Saliu, uluroi: Nesër punoj!“
Merkuri, Venera, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani, Neptuni, Plutoni. Meqenëse gomari ka frikë të kalojë ujin, sepse nuk sheh thellësinë, ura e gomarit quhen fjalë, imazhe, ngjarje, që ndihmojnë kujtesën…