Ku ishte Uskana- Nga Ramazan Kica

Uskana ishte qytet antik në territoret e Dibrës së sotme, territore që në antikitet quheshin Penesti, të cilat ishin pjesë e Ilirisë. Banorët e Penestisë, penestët, shtriheshin përgjatë luginës së lumit Drini i Zi, nga afër grykës së Radikës (ku sot është qyteti Dibër) e duke vazhduar drejt veriut. Uskana ishte qyteti kryesor dhe më i madh i penestëve. Për vendndodhjen e tij ka pasur shumë mendime nga ana e historianëve, duke e menduar në Kërçovë, në Pollog, në Grazhdan Maqellarë etj., gjë që ende nuk ka një version përfundimtar. Fillimisht po themi, që siç tregojnë historianët antikë, Uskana ishte në jugperëndim të fshati Grazhdan të Maqellarës, rreth 10 km., në veri të qytetit Dibër, në koordinatat  41°36’19” V, 20°27’59” L, 580 metra mbi nivelin e detit, ku si dëshmi e ekzistencës së saj sot janë muret e ish qytetit, përgjithësisht të rrënuara.

Uskana përmendet nga shumë autorë antikë (Polybi, Tit Livi, Stefan Byzantini etj), si “qytet në Penesti”, “qytet i penestëve në Iliri”, “qytet ilir afër me Maqedoninë” etj.

Për kohën që po flasim (170 – 169 para erës sonë) romakët kishin pushtuar Epirin dhe kishin shkuar deri në Ohër (Lyhnid), i cili shtrihet në koordinatat 41°07′01″V 20°48′06″L, ku kishin vendosur kampin ushtarak.

Tit Livi (59/58 para erës sonë – 17 të erës sonë), shkruan (XL 10): “Aty afër [Lyhnidit] gjendej qyteti Uskana, i cili përfshihej brenda kufijve të shtetit të Perseut” {A A, f. 123}. Në fakt qyteti Uskana, që “kishte 10 mijë banorë dhe një garnizon të vogël kretas” {A A, f. 123}, ishte qytet i lirë i penestëve (në Penesti). Nga Uskana erdhën fshehurazi lajmëtarë (në fakt ky qe një kurth që penestët u bënë romakëve), të cilët i njoftuan Klaudit (komandanti i ushtrisë romake në Ohër) se, “në qoftë se do t’i sillte më afër ushtritë e tij, do të kishte njerëz , të cilët do t’ishin gati t’ia dorëzonin qytetin” {A A, f. 123}. Kështu Klaudi, me 8 mijë luftëtarë “ditën që ishte caktuar (viti 170 para erës sonë), u nis nga Lyhnidi dhe vendosi lëmin dymbëdhjetë milje nga qyteti ku ishte drejtuar. Nga ora katër pas mesnate u drejtua për në qytet, duke lënë si roje të lëmit rreth njëmijë vetë.” (AA, f. 123-124). Shtojmë që ushtria romake pësoi katastrofë në Uskanë.

Nga kjo kuptojmë që Uskana ishte larg Ohrit 12 milje (19 km) më shumë se distanca që bëri ushtria romake brenda një dite. Ose më kuptueshëm, ushtria romake nën komandën e Klaudit u nis nga Ohri dhe ngriti kampin (lëmin) po atë ditë 12 milje pa arritur në Uskanë (nga lëmi drejt Uskanës ushtria romake u nis në orën 4 pas mesnate).

Ushtria romake, në marshim normal bënte 100 stepa në minutë (në marshim të shpejtë bënte 120 stepa në minutë). Një step është i barabartë me gjysmë hapi romak (rreth 75 cm). Në 7 orë (që ishte sasia e kohës së marshimit në një ditë), ushtria romake bënte një distancë rreth 15 deri 18 milje (24 – 29 km); që i bie mesatarisht 3.4 – 4.1 km në orë. Kjo (24 – 29 km) llogaritej kur ushtria do marshonte për disa ditë. Ndërsa kur ushtria do marshonte vetëm një ditë (ose 2 apo 3 ditë), ajo ecte normalisht deri 12 orë në ditë, duke bërë një distancë prej rreth 50 km.

Distanca nga Ohri në Grazhdan (sipas Google) është rreth 53 km (në vijë ajrore) , të cilën duke e llogaritur në koefiçentin 1 me 1.2, del përafërsisht 63-64 kilometër rrugë. Lëmi i Klaudit ishte 12 milje (rreth 19 km) pa vajtur në Grazhdan; pra rreth 45 kilometër larg Ohrit. Sqarojmë që distancën në vijë të drejtë (Ohër-Grazhdan 53 km) e llogaritëm me koefiçentin e ulët 1.2, sepse kjo rrugë, duke ndjekur luginën e Drinit të Zi, është pothuajse e njëjtë me drejtimin e shkurtër ajror.

Pra, ushtria romake e Klaudit, duke u nisur nga Ohri bëri brenda një dite 45 kilometër rrugë drejt Uskanës, dhe vendosi lëmin 19 km., pa arritur në Grazhdan.

Tit Livi (XL 18) shkruan që Perseu (mbreti i Maqedonisë) vendosi (në të hyrë  të dimrit të vitit 169 para erës sonë) të “shtronte ilirët që ishin në kufi” (të Maqdonisë), sepse “ilirët nuk rrinin qetë dhe u linin shteg romakëve” {A A, f. 124}. Gjithashtu mendonte që duke shtruar ilirët që ishin në kufi, “atëherë edhe Gentin (mbreti i labeatëve të Ilirisë) i cili prej kohësh ngurronte, do të mund ta bënte për vete” {A A, f. 124}. Kështu u nis nga Stybera (që është në koordinatat 41°14′37″V 21°23′51″L) me 10 mijë këmbësorë, 2 mijë ushtarë e pesëqind kalorës dhe duke marrë drithë për shumë ditë me vete, dhe “në të tretën ditë ngriti lëmin pranë Uskanës, që është qyteti më i madh i tokës së penestëve” {A A, f. 124}. Pra, ushtria e Perseut eci dy ditë të plota dhe një ditë të tretë që mund të mos jetë e plotë (sepse, në të tretën ditë ngriti lëmin pranë Uskanës).

Duke arsyetuar edhe për ushtrinë e Perseut, si për ushtrinë romake, meqenëse udhëtimi ishte gjithsej dy ditë e gjysmë deri tri ditë, ajo ka bërë rreth 40 km., rrugë në ditë (10 orë ecje).

Distanca nga Styberra në Grazhdan është rreth 85 km (në vijë ajrore), të cilën duke e llogaritur në koefiçentin 1 me 1.3, na del përafërsisht në 110 km., rrugë. Sqarojmë që distancën në vijë të drejtë (nga Styberra në Grazhdan, 85 km) e llogaritëm me koefiçentin 1.3, sepse kjo rrugë (ndryshe nga rruga Ohër – Grazhdan) nuk ndjek drejtimin e shkurtër sipas vijës ajrore. Kështu jemi plotësisht brenda kufijve logjikë siç shkruan Livi, që Perseu që u nis nga Styberra dhe ditën e tretë arriti pranë Uskanës (Grazhdanit). Shih “pamja 1”, që është një hartë ku tregohet (me ngjyrë të kuqe) lëvizja e Klaudit nga Ohri drejt Uskanës. Brenda një dite lëvizi nga Ohri deri në vendi ku ngriti lëmin (19 km., larg Uskanës), dhe më tej rreth gjysmë dite nga lëmi deri në muret e qytetit. Ndërsa me ngjyrë blu tregohet lëvizja e Perseut nga Stybera, ku ditën e tretë arriti pranë mureve të Uskanës.

———-

A A (Autorët Antikë); – Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëllimi I, ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Shtyp. N.I.SH. Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë 1965.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here