Bekim Berisha është krenaria e Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjës. Është ushtari i vetëm i dekoruar nga tre presidentë dhe për artin e tij luftarak flitet edhe sot, 19 vjet pas vdekjes. Mediat kroate kohë pas kohë publikojnë shkrime dhe video ku lartësojnë figurën e tij.
“Kroatët e quanin atë “shok” gjersa në Kosovë, njihej si “Abeja”. Në fakt, emri i tij ishte Bekim Berisha. Aftësitë e tij të luftës i ka dëshmuar në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, ku edhe vdiq 19 vite më parë. Këtë trim shqiptar banorët e Banovinës e kujtojnë edhe sot, ndërsa guximi Bekim Berishës i kishte bërë përshtypje edhe presidentit të parë kroat Franjo Tugjman”.
“Ky luftëtar vlen sa 1000 ushtarë” – kishte thënë Tuxhman për Berishën.
“Berisha është një nga ushtarët më të mirë dhe më të besueshëm që kam takuar ndonjëherë”, – e vlerësoi gjenerali Janko Bobetko.
Ai ishte pjesë e tri luftërave në Ballkan e të cilat kishin një armik të përbashkët Serbinë.
Bekim Berisha, në Kroaci kishte arritur në gusht të vitit 1991 dhe që nga atëherë për 539 ditë ishte pjesëtar i Ushtrisë Kroate. Në vitin 2013 nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, është dekoruar me medaljen e artë.
Bekim Berisha është dekoruar edhe nga ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu me urdhrin heroi i kombit.
Ai u vra më 10 gusht 1998, në betejën e Junikut mes forcave të policore dhe ushtarake të Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.