6.1 C
Pristina
Friday, September 24, 2021
Home KULTURË Shënime të Edith Durham nga një udhëtim i saj në viset jugore...

Shënime të Edith Durham nga një udhëtim i saj në viset jugore të Shipërisë

U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit, unë me kalin tim më të dobët që kam parë ndonjëherë, sepse ai as vraponte, as mundte të ecte, por lëvizte gjithnjë duke u hedhur. Nuk mërzitem nga hedhjet e një mëzi për një farë kohe, por kur kjo zgjat për 12 orë rresht, është vërtetë e lodhshme. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.

Suvaria (xhandar kalorës), një djalë i qeshur i zhdërvjellët, i cili e quante udhëtimin tim çështje sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht, tha se përveç një pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të, sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim, ai tha që shpresonte që të mos hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu, ai shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë, ai nuk banonte përgjatë rrugës që do të kalonim ne, por po ta shihte njeri mund t’i zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur, që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.

Të gjithë burrat, që lëronin tokën mbanin gjeverdare (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatare me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “vëri gishtin kokës, jam unë këtu”. Jeta në këtë krahinë është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja, të cilat ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë, dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kishte mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë? Suvaria nuk e dinte por ndoshta kishin armiqësi gjaku. Po të kenë qenë ashtu ata duhet të kenë qenë të marrë që s’kanë qenë të armatosur. Që të dalësh jashtë pa qenë i armatosur në këto rrethana është aq budallallëk sa si të dalësh jashtë pa pasur ombrellë në Angli dhe pastaj të ankohesh pse u lage. Gjykatësit i kishin çuar në ferr. Ky një vend pagan, që quhet Myslim, por as kishte as xhami, prift a hoxhë. Nuk gjendet në katundet e shumta të shpërndara nga të gjitha anët.

…Më në fund zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajo që më dha ky, më detyroi ta ndjek nga pas e pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë, porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim në mes të qiparisave që na dukej se nuk do të mundeshim t’i aviteshim kurrë…”.

Ja kush jam unë…

 Një letër e pak e njohur e Edith Durham për Mit’hat Frashërin

 Në këtë letër Durham jep të dhëna autobiografike, të cilat, me sa duket, ia ka kërkuar Mit’hati për një shkrim për të në një nga gazetat kohës. Letra është zbuluar kohët e fundit. Të bën përshtypje modestia e Durham në fund të letrës, ku ajo i kërkon Mit’hatit të mos publikojë foton e saj, por edhe në këto shënime “nuk ka ndonjë gjë interesante”…

Londër, 1 shkurt 1921

Miss Edith Durham

Mit’hat Frashërit

 I dashur Zotëri

Jam lindur në vitin 1863 dhe më e madhja e fëmijëve të Arthur E.Durham, kryekirurg i spitalit Guy në Londër. Në moshën 11 vjeç hyra si nxënëse e jashtme në një shkollë të vogël që e mbanin dy gjermanë, Zoti dhe Zonja Pretorius. Zonjës Pretourius dhe nënës sime i detyrohem shumë për kujdesin e vazhdueshëm që tregonin për mbarëvajtjen në mësime të fëmijëve, sepse ata më futën edhe dëshirën për të nxënë. Po ashtu u detyrohem shumë edhe mësuesve, sidomos mësuesit të latinishtes e atij të anglishtes. Në moshën 14 vjeç më dërguan në kolegjin Bredford të Londrës ku ndenja deri në moshën 19 vjeç. Gjithnjë kam dashur të bëhem piktore dhe kështu në moshën 19 vjeç shkova në Shkollën e Arteve të Bukura të St. Johan’s Wood-it. Kur isha 21 vjeç mora një bursë për në Akademinë mbretërore të Arteve të Bukura në Londër, ku punova tre vjet. Fillova të bëj ilustrime, ekspozova disa tablo dhe kur shpresoja të arrija suksesin, vdekja e papritur e vëllait të madh dhe e tim ati m’i shkatërruan të gjitha shpresat. Shëndeti i së shkretës nënës sime u trondit. U shtrëngova të heq dorë nga studimet e mia. Të mbaja një atelie ishte e pamundur, sepse nuk mund ta lija vetëm nënën time të sëmurë. Pesë vjet punë e përkujdesje më lodhën aq sa mjeku më konsideroi aq të sëmurë sa tha se kisha nevojë absolute për dy muaj pushim çdo vit, për të shpëtuar shëndetin tim. Të rrija gjithmonë mbyllur brenda ishte e pamundur. Dëshira ime e zjarrtë ishte të kthehesha tek arti im. Në këto rrethana bëra një udhëtim për arsye shëndetësore, një udhëtim në Adriatik dhe shkova, rastësisht, në Mal të Zi.

Atje mbajta shumë shënime dhe bëra shumë skica. Dhe, meqenëse rrethanat në shtëpi nuk më linin të merresha me pikturë, si një mjet për të ndryshuar sadopak shërbimin monoton të atij që kujdeset për një të sëmurë, fillova të merrem me studime antropologjike duke shpresuar që çdo vit gjatë pushimeve të mia të hyja sa më thellë në Ballkan, të vizitoja secilin vend dhe të bëja studime krahasuese midis popujve të ndryshëm. Pasi më vdiq nëna vendosa t’u kushtohesha krejtësisht këtyre gjurmimeve si dhe pikturës dhe të kapja kështu 11 vitet e humbura. Më zgjodhën anëtare të Institutit Mbretëror të Antropologjisë të Londrës. Dhe nëpër malësitë e Shqipërisë së Epërme fillova studimet e mia, me shumë shpresë dhe mund të them, edhe me shumë sukses. Kështu, për të dytën herë po e rifilloja jetën dhe nuk parashikoja më pengesa. Për fat të keq, po atë vit plasi kryengritja e turqve të rinj, e pasuar pothuaj menjëherë nga kryengritjet e malësorëve. Meqenëse ndodhesha në vend dhe nuk kishte njerëz që t’i ndihmonin refugjatët e shkretë, fillova të mbledh nga pak të holla dhe t’u njoftoj gazetave situatën e krijuar.

Dhe ja që për të dytën herë, të gjitha planet dhe shpresat e mia u shkatërruan. Që prej këtij momenti të hidhur, sikurse e dini mire edhe ju vetë historia e Shqipërisë nuk është veçse një luftë e vazhdueshme. Jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e gjithë vendeve të tjera ballkanike. Me ankth e gjeta veten të përfshirë midis rrotave të politikës.

S’kishte më studime e as pikturë. Kur përfundoi Lufta Ballkanike, besoja se njohja e pavarësisë së Shqipërisë do të më shpëtonte edhe mua. Në mars të 1914 u nisa nga Londra me shpresa të përtërira, me bojërat e ujit dhe gjithë mjetet e tjera për pikturë, me qëllim që të rifilloja jetën dhe me shpresë që të bëja gërmime për të gjetur objekte prehistorike.

Kur arrita në Trieste mora vesh se gjendja në Shqipëri ishte tashmë shumë e rëndë dhe kur të arrinim në Durrës lufta mund të kishte filluar. Zoti Harry Lamb më dërgoi në Vlorë që t’i çoja prej atje disa njoftime mbi sulmin e grekëve dhe gjendjen e refugjatëve. Lufta e madhe kishte shpërthyer dhe të shkretat plane e aspiratat e mia, ashtu si ato të miliona njerëzve të tjerë qenë shkatërruar. Nuk kam më forcë për të rifilluar për të tretën herë kërkime e gjurmime që duan energjinë e viteve të rinisë. Por, shpresoj gjithnjë të shpëtoj nga ky skllavërim i politikës dhe të gjej kohën e lirë të paktën për të redaktuar shënimet e mia.

Kur i premtova zonjës Dako në Korçë dhe imzot Preng Doçit në Orosh se do të bëja ç’të kisha mundësi për të ndihmuar Shqipërinë, nuk kisha asnjë ide ku do të më çonin këto premtime. Ja zotëri, historia e një zhgënjimi të gjatë. Por, ndoshta si thonë malësorët, kështu ishte e shkruar, apo jo? Të bëhet ç’të bëhet!

Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetave, nuk mund t’jua jap as juve.

Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe.

A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante.

T’u ngjatë jeta (këto fjalë janë shkruar në shqip)

  1. Edith Durham

AQSH, Fondi 35, viti 1921, dos.36/5, fl.101.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin ‘Irishman’, De Niro duket gjigant..

Daut Dauti Robert De Niro dhe Al Pacino kanë gjatësi të trupit gati të njejtë, por në filmin 'Irishman',...

OBSH: Ndotja e ajrit vret shtatë milionë persona në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fuqizuar të mërkurën udhëzimet e reja për kualitet të ajrit, duke thënë se ndotja e ajrit është...

Balli Kombëtar i kërkonte Amerikës në prill 1945 të rrëzojë Enver Hoxhën

Nga Thanas Mustaqi Më 14 prill 1945 krerët e Ballit Kombëtar të arratisur në Itali i sugjeronin Uashingtonit që...

Ujqit, 40 Fakte magjepsëse dhe interesante të ujkut

A keni frikë pak nga ujqit? Për mijëra vjet, qeniet njerëzore i kanë adhuruar ata, kanë frikë dhe madje i kanë urryer.

Recent Comments