Prof. Dr. Rexhep Doçi

Është çështje e pakontestueshme se Dardani ishte mbreti i Dardanëve dhe i Dardanisë. Për Dardanin kanë shkruar shumë studiues, dhe ja si e paraqet J. G. Hahni: “Gojëdhëna e thotë se ai është djali i Zeusit edhe Elektrës. Straboni shkruan që dardanasit e vjetër banonin në Fushën e Kosovës, në Mezinë e sipërme, që i kishin marrëdhëniet nëpër tokë me dardanasit e Azisë së Vogël”. Sipas Prof. M. Domit, J. G. Hahni qe i pari, i cili afroi emrat ilirë “Dardania e Dardan me fjalën shqipe dardhë”. Në një mënyrë apo tjetër Dardani si mbret i dardanëve shfaqet edhe te Homeri, te “trojanët dardanë dhe portat dardane” të Trojës, që Homeri cek në “Iliadë”: “pas shtylle t’varrit që trojanët ia ndreqën atit të lashtë Il Dardanit”, dhe njofton më tej, që “Akil hyjnori qëlloi Laogonin tok me Dardanin”, si dhe na njofton për “kalanë mbretërore të Priam Dardanit” etj. Po shihet qartë se Homeri përdor emrin vetjak si antroponim Dardan dhe si patronim: Il Dardani (për Yll Dardani-R. D.) dhe Priam Dardani. Edhe toponimi i tashëm Dardanelet, ndërmjet kontinenteve të Azisë dhe Afrikës (10 km afër rrënojës së Trojës), ka të bëjë me Dardanin dhe Dardanët, për të cilin toponim të ngulitur dhe përdorur nëpër mijëvjeçarë Enzo Gatti bën të ditur: “Dardanët arrijnë në ngushticën e Dardaneleve”. Ngjashëm për Dardanelet e dardanëve shkruan edhe Zaharije Majani, që thamë edhe më sipër se: “Një fis tjetër ilir, Dardanët vendosen në lindje, në Samotrakë e Troadë, ku i jepin emrin e tyre Dardaneleve”.

Për Dardanin si mbret ilir sikur kuptojmë edhe nga mendimi i Arsim Spahiut që thotë: “M. G. L. Hammmond shkruan se Dardani është djali i madh i Ilirit. Në krye të herës dardanët zunë vend në afërsi të malit të Sharrit (Dardani)”. Për kohën se kur ka sunduar si mbret ilir Dardani, ose njëri prej mbretërve ilirë me emrin Dardan, na thonë bashkautorët Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa, pas të cilëve: “Dardani thuhet të ketë mbretëruar më 1568 para Krishtit”. Ndërkaq, për dardanët si bashkëfisasë të trojanëve, si dhe për praninë e hershme të onomave që nga koha mbase parahomerike me bazën *dard- > dardh- bën të ditur prof. E. Çabej, p. sh. në trevat në Dardani, në Apuli të Italisë, në Tesali, në ishullin Lesbos etj. Sot ka sa e sa patronime të shqiptarëve me fjalën dardhë, por po i theksojmë vetëm disa emra të fshatrave me këtë fjalë dhe me trajta të nduarnduarta të kësaj fjale, si p. sh.: katundi Dardhë i rrethit të Korçës, katundi Darzë i anës së Ulqinit, si dhe katundi Darda në Kroaci, si afër qytetit Osijek. Dhe s’do mend se katundi Darda në Kroaci ka bazë antroponimike, i formuar në zanafillë nga një antroponim i farës Dard – Dardan, me kohë patronim, dhe më në fund oikonim, sepse në Kroaci ka sot përplot patronime të kroatëve me fjalën dardhë, që i përdorin si relikte të gjuhës së dikurshme pellasde-ilire-shqipe, p. sh.: Darda, Dardai, Dardalić, Dardić, Dardelić, Dardić etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here