Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj ambienteve me myk mund të bëhet shkak në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme tek ne. Edhe pse një alergji myku është problemi më i zakonshëm i shkaktuar nga ekspozimi ndaj mykut, ky i fundit mund të shkaktojë sëmundje dhe pa një reaksion alergjik. Myku gjithashtu mund të shkaktojë infeksione apo dhe reagimet toksike. Infeksionet e shkaktuara nga myku mund të zhvillojnë shumëllojshmëri problemesh shëndetësore.
Por çfarë është myku?
Myk është termi që përfshin familjen e kërpudhave, të cilat rriten në ushqime dhe ambiente me lagështi. Myku mund të jetë me ngjyra të ndryshme, i bardhë, i zi apo në çfarëdolloj ngjyre tjetër. Ai ka pamje nga më të ndryshmet dhe ka erën e tij karakteristike. Për t’u zhvilluar, mykut i duhet një ambient i përshtatshëm dhe natyrisht lagështia. Kur zhvillohet, ai fillon të lëshojë në ajër ‘sporet’, të cilat janë shumë të vogla, aq sa mund të thithen lehtësisht me frymëmarrjen e njeriut. Thithja në sasi të mëdha e sporeve të mykut është shumë e dëmshme për shëndetin. Vendet me myk identifikohen lehtësisht me shikim, por ato më të zakonshmet janë parvazet e brendshme të dritareve apo ballkonit, këndet e paajrosura të dhomave, muret (zakonisht muret e banesës në kontakt me jashtë), tapetet, anekset e gatimit, sipërfaqet në ambientet e dushit, pjesët e brendshme nën lavamanë apo ku ka tubacione dhe shkarkime hidraulike, etj..
Çfarë rreziku përbën myku për shëndetin tonë?
1- Acarim i syve dhe fytit
2- Krijim i kollës dhe gëlbazës
3- Frymëmarrje e rënduar dhe me ndërprerje
4- Simptoma të astmës
5- Prani e reaksioneve alergjike.
Reagimi i njerëzve ndaj mykut nuk është i njëjtë tek të gjithë. Ai varet nga shumë faktorë, si ekspozimi ndaj tij, gjendja e përgjithshme shëndetësore, mosha, sëmundjet apo alergjitë kronike, e shumë rrethana të tjera personale. Natyrisht, më të rrezikuarit janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.