Prof. Ass. Numila Kuneshka*

Defektet e lindura në zemër i klasifikojmë në disa grupe. Një pjesë e tyre janë defekte relativisht të thjeshta si defektet e ndarëseve të dhomave ose vrimat në zemër e që përbëjnë numrin më të madh të defekteve të lindura. Vrimat në zemër kur janë të vogla mbyllen në pjesën më të madhe vetë gjatë vitit të parë dhe të dytë të jetës, por kur janë të mëdha kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për t’u mbyllur. Ka defekte të tjera që shoqërohen me nxirje ose cianozë në lëkurë, gishta, duar, etj. Pjesa më e madhe e defekteve të lindura sot korrigjohen me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë që për defektet që janë shumë të rënda ose shumë komplekse edhe kirurgjia më e përparuar në botë ka arritur të bëjë vetëm operacione ndihmëse, por jo kurim total.

Ekzaminimie defekteve

Të gjitha nënat gjatë shtatzënisë duhet të ndjekin të gjitha këshillat e mjekut obstetër për të patur një jetë dhe dietë sa më të shëndetshme gjatë periudhës së shtatzënisë. Pas lindjes të vlerësojnë dhe ti referojnë mjekut pediatër çdo shenjë që mund të tregojë për një defekt në zemër: mos shtimi i mirë në peshë, djersë të shtuara kryesisht në pjesën e qafës dhe të kokës, nxirja e lëkurës, buzëve edhe jashtë aktit të qarjes, lodhja gjatë pirjes, frymëmarrje e shpeshtë, etj, janë shenja që mund të sugjerojnë për probleme kardiake.

Kur zbulohen defektet e zemrës

Një pjesë e tyre mund të zbulohen që në barkun e nënës, nëpërmjet ekzaminimit ekografik. Kjo varet nga cilësia e aparatit të ekografisë, të specializimit të mjekut që kryen ekzaminimin, konstitucioni i nënës, etj. Sot mjekësia akoma nuk është në gjendje të japë një përgjigje të saktë se përse nuk ekzaminohen të gjitha defektet e zemrës. Mendohet që është një shkak gjenetik dhe faktorë të ndryshëm, të cilët veprojnë gjatë 3 muajve të parë të shtatzënisë që është periudha e krijimit të organeve. Faktorët që akuzohen më shumë janë sëmundjet e nënës, alkooli, duhani, medikamenetet që merr nëna gjatë kësaj kohe, rrezatimet e ndryshme etj.

Eshtë i rëndësishëm ekzaminimi në shtatëzani pasi ka defekte që kërkojnë asistencë që në momentin e lindjes dhe është shumë e rëndësishme të dihet paraprakisht se fëmija do vijë në jetë me vese në zemër. Kështu bëhet e mundur që të transferohet gruaja shtatzënë për të lindur në një qendër terciare dhe jo në spitale të nivelit të dytë.

Specializimi i mjekëve obstetër-gjinekologë në evidentimin sa më të hollësishëm të këtyre poblemeve, si dhe i mjekëve neonatologë, të cilët janë mjekët që kanë kontaktin e parë më fëmijën, është një ndihmë e rëndësishme që veset në evidentohen në kohë dhe fëmija t’i drejtohet mjekëve specialistë.

Sa raste ka në Shqipëri

Janë  rreth 7-8 raste për 1000 lindjetë evidentuara me probleme në zemër. Duke iu referuar numrit të lindjeve, që është rreth 30 mijë ën vit, rezulton që kemi çdo vit 250-300 raste të reja me defekte të lindura të zemrës. Vitet e fundit në QSUT kryhen rreth 90-100 ndërhyrje kirurgjikale të defekteve të lindura në zemër në vit. Është rritur gama e defekteve dhe është ulur mosha e pacientëve që operohen.

Jeta pas ndërhyrjes

Pas ndërhyrjes këta fëmijë bëjnë një jetë normale ose afër normales në varësi të defektit që paraqesin. Kështu fëmijët me vrima në zemër të operuar në kohën e duhur pas operacionit quhen të shëruar dhe bëjnë një jetë normale. Natyrisht si çdo operacion mund të ketë komplikacione si menjëherë ashtu edhe më pas.

Zemra dhe defektet

Vrimat në zemër janë vese të lindura në strukturën e zemrës. Këto defekte ndryshojë rrjedhën normale të gjakut në zemër. Zemra është e ndarë në anën e majtë dhe atë të djathtë, nga një ndarje muskulore e njohur si (septum), që është pjesa në të cilën lokalizohen defektet e lindura. Anën e djathtë e zemrës pompon gjakun në mushkëri për të marr oksigjen. Ndërsa, ana e majtë e zemrës merr gjakun e pasur me oksigjen nga mushkëritë dhe e pompon atë për në trup. Septumi pengon përzierjen e gjakut ndërmjet dy anëve të zemrës. Disa foshnje lindin me vrima në zemër në pjesën e sipërme dhe atë të poshtme të septumit. Vrima në murin ndarës midis parabarkusheve të sipërme të zemrës njihet si defekti septal  atrial  (ASD). Ndërsa, vrima në murin ndarës midis barkusheve të poshtme të zemrës njihet si defekti septal ventrikular (VSD). ASD dhe VSD lejojnë që gjaku të kaloj nga ana e majtë e zemrës në anën e djathtë. Kështu, gjaku i pasur me oksigjen përzihet me gjakun e paoksigjenuar. Si rezultat, gjaku i pasur me oksigjen pompohet në mushkëri në vend që të pompohet në trup.

Pra, sëmundjet e vrimës në zemër janë rrjedhojë e komunikimeve jonormale ndërmjet dhomave të zemrës. Vrimat në zemër lejojnë që një sasi e madhe gjaku të rrjedh në anën e djathtë të zemrës deri në mushkëri.Fëmijët me defekte të këtilla, paraqesin probleme në frymëmarrje, infeksione të shpeshta të sistemit respirator, cianozë (nxirje e buzëve), etj. Në këto raste intervenimi mund të jetë i nevojshëm për tu bërë qysh në fëmijërinë e hershme. Te fëmijët të cilët kanë defekte të vogla në zemër, ndërhyrja kirurgjike mund të shtyhet,  e  në disa raste nëse diagnostikohet me kohë mund edhe të evitohet plotësisht.

*Mjeke kardiopediatre, shefe e Shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here