“Tek Zoti pash vëndin tim”, pat shkruar dikur Dhimitër Kamarda. Besimi dhe Atdheu, atme-ja dhe feja, qenë një fill i përhershëm lidhës i gjithë mendimit shqiptar, që prej humanistëve arbërorë, pastaj tek humanisët dhe iluministët shqiptarë, e deri tek romantizmi arbëresh. Pavarësisht, se ndoqi po të njejtën strukturë e proces, si lëvizjet e simotrave evropiane,lëvizja kulturore në fillim, dhe çlirimtare më vonë, tek shqiptaro-arbërit kishte shumë dallime prej saj, si për shkaqet e lindjes, ashtu edhe për rrugën e ndjekur dhe autorët kryesorë.
Një prej këtyre dallimeve ka qenë fakti, se ajo zuri fill në shekulin XVII në “shtëpinë e Zotit”, në gjirin e eruditëve kishtarë. Siç dihet mbas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman, së bashku me familjet shqiptare, u larguan drejt Gadishullit italik edhe përfaqësuesit e besimit të krishterë lindor (bizantin) të shqiptarëve. Përveç vështirsive që gjetën në tokën e Papatit katolik për pranimin dhe ushtrimin e riteve të besimit ortodoks bizantin, një problem i madh shpirtëror ishte trajtimi i tyre si etni dhe si besimtarë të kishës Greke.
U pa e domosdoshme të dëshmoheshin në “atdheun e dytë” karakteristikat etnike dhe historia e vërtetë e kombit shqiptar. Një mision të tillë madje e konsideronin si pjesë të një provanie, përderisa At Nikoll Keta ju mësonte nxënësve të tij se “studimi i historisë së paraardhësve, buronte nga një kureshtje e ligjshme vetjake, si kërkesë e vetë natyrës njerëzore, meqenëse ky veprim ishte shprehje e vullnetit dhe dashurisë Hyjnore”.
At Gjergj Guxeta dhe veçanërisht bashkëpuntori i tij, At Pal M. Parrino e kuptuan se për të treguar dallimin midis besimeve të etnisë greke dhe asaj arbërore (shqiptare), do të ishte më e frytshme të rindërtohej identiteti historik, kulturor dhe besimtar i shqiptarëve, se sa ajo e debateve shterpe teologjike. Kësisoj, prijësi ideologjik i të gjithë asaj lëvizjeje mendore që ata ideuan, në kuadër të Albanizmës, duhej të ishte një parim i tillë: të dëshmohej origjina, dmth se shqiptarët formojnë një etni autoktone që zë një trevë të caktuar ballkanike, duke zhvilluar një qytetërim dhe kulturë të vetën, si besimtare dhe shoqërore, që flisnin një gjuhë të ndryshme nga ajo e popujve fqinj, me të cilët nuk i bashkonte asnjë tipar i përbashkët. Për këtë qëllim, përveç filozofisë dhe teologjisë duhej të përfshihej edhe historia. Vetëm në këtë mënyrë bëhej e mundur të hidheshin poshtë shpifjet dhe të korrigjohej gabimi i madh popullor që i njësonte shqiptarët me grekët. Kjo ishte edhe arsyeja, shkruante At V. Dorsa, “që më detyroi t’i rikthehem të famshmes lashtësi, (…) për ta ndarë historinë e grekëve nga historia e këtyre popujve, (….) që nga autorët e lashtë përcaktohen pellazgë, epirotë, maqedonë e nganjëherë ilirë dhe nga autorët modernë, kombi shqiptar”.
Duke u përqendruar në shkrimet e përfaqësuesve të ritit ortodoks bizantin, (pa mohuar kontributin edhe të etërve të besimeve të tjera), mund të arrijmë në pohimin domethënës se puna e tyre shkencore formoi shkollën e parë të studimeve Albanologjike. Është ky një fakt i pakundërshtueshëm, që tregon pse “kozmopolitizmi intelektual” evropian në Shqipëri, jo vetëm pati më pak ndikim se në çdo vend tjetër fqinj, por gjeti edhe bashkëpunëtorë të denjë dhe elitarë të dalë nga kultura vendase. Përpjekjet e Guxetës, Parrinit, Dorsës dhe Krispit, në krahasimin e gjuhës shqipe me greqishten, latinishten dhe gjuhët e tjera të lashta, ishin disa dhjetvjeçarë më të hershme së ato të gjermanit Franz Bopp (1855), themeluesit të gjuhësisë krahasuese nga lindi edhe shkenca e gjuhësisë. Duhet theksuar se studiuesit e huaj për t’u njohur me gjuhën shqipe, rruga e parë që shkelën ishte ajo drejt “burimit” arbëresh në Itali, ku u njohën me shkrimet mbi folklorin dhe traditat zakonore, të mbledhura nga etërit fetarë dhe intelektualë. Kështu, psh, monografia e parë për gjuhën shqipe e Konrad Malte-Brun-it tek Gjeografia Universale (Libri 119), ka të përfshirë studimin e priftit Ëngjëll Mashi, Mbi origjinën dhe zakonet e Shqiptarëve, shtypur në Napoli më 1807. Por nga ana tjetër, edhe vetë mendimtarët arbëreshë qenë të vetëdijshëm për karakteristikat e veçanta të etnicitetit tonë. De Rada, në një punim të tij pat paraqitur edhe dy shkaqet pse gjuha shqipe brenda një kohe të shkurtër do të tërheqë vëmendjen e të huajve për ta studiuar. Shkaku i parë, ishte se në shumicën e fjalëve të trashëguara prej lashtësisë, gjenden jo vetëm burimet dhe domethëniet e politeizmit, por edhe një sasi fjalësh të lashta identike me fjalë që hasen në poemat helene të Homerit. Gjithashtu, struktura e foljeve, e emrave përemërorë, etj. është shumë e ngjashme në mjaft aspekte me trajta të gjuhës latine, së cilës i ka dhënë dhe shumë fjalë. Kurse shkaku i dytë dëshmon se përveç karakterit historik dhe monumental, gjuha shqipe në zhvillimin e saj ka edhe dy karakteristika të veçanta. “Në këtë gjuhë fuqia dhe larmia e kuptimit qëndrojnë, në pjesën më të madhe, në variacionin e masave dhe të toneve, ç’ka tregon që në themele të saj shqipja ka harmoninë, në të cilën duket sikur janë shkrirë në një të vetme si bota, ashtu dhe shpirti njerëzor.”
Studiuesit e huaj si Niebhur, Gioberti, gjuhëtarët e njohur Max-Müller, Schleicher, Curtins, Benlou, etj, pohon At Dhimitër Kamarda, kishin shkruar për origjinën e popullit dhe gjuhës së shqipëtarëve, “por, asnjëri prej tyre nuk e trajtoi me shembuj konkretë, punë që në të vërtetë ishte bërë më përpara, sidomos për sa i përket emrave nga Krispi dhe Dorsa”. Të huajt që merreshin me temën shqiptare, e kuptonin rëndësinë e madhe të njohurive që studiuesit arbëreshë kishin mbi gjuhën, historinë dhe traditat e tyre. Kjo i shtynte t’iu bënin thirrje që në ndihmë të shkencës, ata duhet të afroheshin për të zhvilluar një bashkëbisedim të hapur mbi natyrën e gjuhës së tyre. Mirëpo, derisa gjuha shqipe të arrinte të merrte denjësisht, në shekullin XIX, kurorën e “gjuhës së parë”, “Shkollës albanologjike arbëreshe” iu desh një rrugë e gjatë kërkimesh, sa gjuhësore aq edhe historike, folklorike dhe fetare.
Pothuaj një shekull para se Kamarda t’i futej kësaj pune, ishin rrahur mendime të ndryshme për zbulimin e lashtësisë dhe origjinës së gjuhës shqipe. Nisur nga pohimi i autorit të parë të Historisë së Skënderbeut, Marin Barletit (…) se gjuha shqipe rridhte nga latinishtja, Gjergj Guxeta mendonte se ajo duhet të ishte një përzierje e latinishtes dhe gjuhës së vjetër maqedonase. Ndërkohë bashkëpuntori i tij P. Parrino, mbronte idenë se gjuha shqipe, sidomos ajo e arbëreshve të Italisë, ishte e njëjtë me gjuhën maqedone të lashtë. Por që të gjithë mohonin ndonjë afërsi apo lidhje me gjuhën greke. Në vijim të bindjes së këtyre albanologëve nismëtarë si Guxeta e Parrino, edhe Dorsa pohon se Shqiptarët shfaqen qartësisht me një origjinë, përkatësi dhe lidhje shpirtërore të përbashkët, duke formuar kështu një familje, ku gjuha e zakonet, i dallojnë qartësisht nga grekët. Pra, rruga e vetme për të dëshmuar lashtësinë e gjuhës shqipe e rrjedhimisht edhe të kombit që e fliste atë, mbetej të vërtetohej lidhja apo trashëgimia e saj nga gjuha e maqedonëve të lashtë. Por siç dihet, nga kjo gjuhë nuk ka mbetur ndonjë dokument i shkruar me maqedonishten e Aleksandrit të Madh. Lindi kështu nevoja të krahasohej gjuha shqipe me një gjuhë tjetër të lashtë, nga e cila kishin mbritur vepra të shkruara. Meqenëse në rrethet filologjike evropiane të shekullit XVIII-XIX, greqishtja mbahej më e lashtë se latinishtja, priftërinjtë eruditë arbëreshë, si zotërues të saj dhe profesorë të kësaj gjuhe në shkollat fetare dhe Universitetet e kohës, ju futën punës për krahasimin leksikor dhe gramatikor të shqipes me të. Sipas Dh. Kamardës, gjatë krahasimit u vërejt se “shqipja përmban shumë elemente nga më të lashtat e të folurës greke, të cilave ne as nuk ua dimë shqiptimin e vërtetë (…) dhe kjo më shtyn të pranoj, lidhjen e shqipes me sanskritishten, të pohuar nga Franz Bopp”. Pothuaj 30 vjet para Kamardës, këtë gjë e kish pohuar edhe Zef Krispi. Kjo tezë do të trajtohet në fund të shekullit XIX edhe nga Sami Frashëri: “Ka shumë fjalë që vërtetojnë se format e tyre shqipe janë bazë, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër”. Ndërkohë që Kamarda, pas gjithë studimit të tij, pohon se “shumë fjalë shqipe, përputhen me ato të gjuhës së lashtë të grekëve… çka dëshmon se ato janë unaza të ndërmjetme lidhëse midis gjuhës së lashtë aziatike (sanskritishtes) me gjuhën e re hellene, asaj gjuhe të humbur, nga buroi gjuha e klasikëve grekë e mbritur tek ne, përmes librave të tyre të pavdekshëm”.
Duket sikur këto përfundime hedhin poshtë studimet e gjuhëtarëve nismëtarë, që u shprehën për dallimin rrënjësor midis këtyrë dy popujve kufitarë ballkanikë. Por duhet të kemi parasysh, se si lëndë studimi, nga gjuhëtarët u mor fjalori i greqishtes së lashtë e shkruesve të parë dhe, siç është sot mëse e qartë, po të mos kishin qenë shkronjat e njëjta (të “greqishtes së lashtë” dhe asaj të shek. XIX) pashmangërisht do të ishte deklaruar se gjendemi para dy gjuhëve të ndryshme. Mjafton të shkruajmë një listë të vogël fjalësh shqipe, greke dhe hellene të lashta dhe nga krahasimi i tyre i drejtpërdrejtë, vërtetohet se shqipja është krejtësisht e njëjtë me greqishten homerike, gjë që nuk ndodh me greqishten e re.
Merita e Kamardës në studimin e gjuhës shqipe ishte edhe fakti se ai shfrytëzoi arritjet e shkencës së porsalindur në Evropë, Fonologjisë (Studimi i tingujve të gjuhës). Duke përdorur metodën krahasuese me gjuhët evropiane, ai arriti të argumentonte tezën se gjuha shqipe është shumë e pasur në tinguj dhe përmban jo vetëm të gjithë tingujt e greqishtes dhe latinishtes, siç shqiptohen sot në Greqi dhe Itali, por edhe të frëngjishtes e gjermanishtes. Në shekullin XVIII etërit arbëreshë si P. Parrino e sidomos Nikoll Keta duke shfrytëzuar të dhënat historike mbi fiset e lashta shqiptare dhe maqedonase të shumë autorëve, të lashtë dhe modernë, hebrej, egjiptianë, grekë, latinë, italianë, francezë, metodë që Eqerem Çabej do ta quante moderne dhe globale, e cila konsiderohet edhe sot si thellësisht e drejtë, arritën në përfundimin se gjuha maqedone e lashtë dhe ajo shqipe, i përkisnin trungut gjuhësor “feniko-pellazg”. Duke ndjekur gjurmët e At V. Dorsës, i cili pohonte se gjuha shqipe ishte “e thjeshtë, shprehëse, imituese dhe poetike, cilësi që nevojiten për të vërtetuar origjinën e saj të lashtë”, (241) dhe të At Z. Krispit se tingujt, në gjuhën shqipe, duke qenë të shumtë dhe të papërcaktuar, na qartësojnë natyrën origjinale të saj, (siç u citua më sipër), Dh. Kamarda i kushtoi një rëndësi të veçantë vetëformimit të fjalëve të saj. Gjuha shqipe, në këtë kuptim, është e varfër me fjalë të përbëra (nga bashkimi i dy fjalëve me kuptim të plotë si dhe më parashtesa e mbrapashtesa) me të cilat është e pasur greqishtja dhe gjermanishtja. Në gjuhën shqipe, si emrat edhe foljet ndodhen me shumicë në gjendjen e rrënjëve të pastra. Këto fjalë/rrënja janë trashëguar nga gjuha-mëmë.
Kamarda e përcaktonte si një formë zanafillore të krijimit të fjalëve si tek çdo gjuhë tjetër, por e mbetur deri më sot tek shqip-folësit nga “mungesa e kulturës”, ku nënkuptonte mungesën e arsimimit dhe shkrimit të librave. Studiuesi arbëresh do të mbetej i habitur, sikur të shikonte se edhe pas tre shekujve, në kohën e internetit, në fjalorin e shqiptarëve fjalët/rrënja para-historike janë në përdorim të pa ndryshuara, dhe padyshim ky fakt ka shpjegimin e vet. Intuita prej shkencëtari, e shtynte të parashikonte se në formën një rrokëshe të fjalëve “fshihet” kyçi i lashtësisë së gjuhës shqipe dhe “studimi i tyre kërkon një vëmëndje të veçantë”. Koha tregoi se ai kishte të drejtë. Njohësi i veprës së Dh. Kamardës, francezi Eduard Shnaider, te Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, mbasi bëri një përllogaritje të fjalëve-rrënja, pohon se gjuha shqipe ka 785 të tilla, që e tejkalon tepër shumën e fjalëve rrënja të të gjithë gjuhëve të tjera, të vdekura dhe të gjalla. Dhe ky numër nuk është përfundimtar (…) Me 75 tinguj zanore, dhe 31 bashkëtingllore të forta dhe 785 fjalë-rrënja, një gjuhë mund të arrijë në një shkallë përsosmërie të paparë. Përfaqësuesi i madh i “Shkollës Albanologjike arbëreshe” Jeronim De Rada do të shprehej: “Gjuha shqipe, në analizë të fundit është ajo Gjuhë e Parë (Lingua Primeva) ose Mëmë (Muttersprache) ose së paku e afërmja e saj e ngushtë e më përfaqësuese, nga copëzimi i së cilës, si Ai (Zoti) në Sakrificën e Madhe Kozmogonike të një Qenieje Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën e u ndërtuan mënjanë”. (242) Ky argumentim i shumëanshëm i prejardhjes dhe cilësive të gjuhës shqipe, mund të konsiderohet edhe arritja më e vlertë dhe e qëndrueshme në kohë e “shkollës albanologjike” që arbëreshët krijuan në gjysmën e parë të viteve ‘800.
Mund të themi, gjithashtu se teza e studimit të emërtimit” Hellenë “ asnjëherë nuk ishte trajtuar kaq gjërësisht se sa në kënvështrimin e kësaj shkolle. Është fakt se edhe në kohën tonë, për origjinën e emrit “grek” dhe atij të lashtë hellenë dhe arsyes se, përse emri “hellen” barazohet me emrin “grek”, studiuesit nuk na kanë dhënë dëshmi historike, gjuhësore apo besimtare. Kjo mangësi ka sjellë, që në historiografinë evropiane dhe botërore, bashkësitë fisnore iliro-iperiote dhe maqedone, të trajtohen etnikisht të ndryshme nga ato të hellenëve të lashtë dhe në përgjithësi me të gjithë fiset e jugut ballkanik. Kamarda dëshmon se gjuha në çdo kohë ka shprehur afërsinë e ngushtë të tribuve Iliro-Maqedone-Iperiote me ato Hellene dmth të Eolo-Doro-Jonëve. Ky trajtim i gabuar i historisë së lashtë është rrjedhojë edhe nga moskuptimi i emërtimit “barbar” (që përbën një tezë më vete), në kohën kur Herodoti e ka përdorur për gjuhën e këtyre fiseve dhe rënien e studiuesve në “kurthin” politik të fjalimeve të Demostenit kundër mbretërve maqedonas”. (243) Kamarda na jep një lashtësi tjetër nga ajo që paraqitet sot, gjë që e bën në veprat e tij Sprovë për një gramatologji të krahasuar në gjuhën shqipe dhe Shtojcë, një punim ky shumë i rëndësishme për një debat të hapur shkencor. Historia e lashtë e Greqisë, siç emërtohet sot, ka dy kulme të lavdishme që kanë mrekulluar të gjithë brezat pasardhës të shoqërisë njerëzore: Luftën e Trojës dhe luftrat afro-aziatike të Aleksandrit të Madh. Që të dyja trajtohen si shembuj të triumfit të gjenisë luftarake “hellenë” dhe të pushtimit ndërkombëtar të qytetërimit dhe gjuhës së tyre, me emrin përgjithësues “hellenizëm”.
Duke ndjekur faktet e sjella nga shkruesit e lashtë (Strabon, Herodot,Stef.Biz , Scimeo etj.) se Hellenët e kishin origjinën nga Epiri dhe Hellada e parë shtrihej përreth Dodonës dhe se Pellazgët dodonas ishin Iperiotët, atëhere arrijmë në përfundimin se Hellenët e lashtë, nuk ishin ndonjë fis tjetër veçse vetë Iperiotët, mbi të cilët mbretëroi Deukalioni që ngriti tempullin e Dodonës. Kjo logjikë e fakteve tregon se emri Hellenë (Sellenë), të cilit edhe sot nuk i shpjegohet kuptimi nga historianët, e ka origjinën nga besimi hënor dodonas, siç u theksua edhe më lart. Studiuesi arbëresh Dh. Kamarda pohon se: “Qytetrimi i vërtetë i Greqisë (…) fillon kur Thesalët dhe Iperiotët (epiriotet), nën emrin e Dorëve, shtrinë pushtetin e tyre në Peloponez dhe mbi të gjithe Helladën (…) Pushtimi i Azisë, një ide e trashëguar prej kohrave pellazgjike të Luftës së Trojës, ishte në të vërtetë luftë e pellazgëve (bashkësive fisnore të ilirëve-maqedonëve-iperiotëve), siç vëren edhe Hahn-i. Në rast se do të kishin qëndruar të lidhur me njëri-tjetrin dhe do të udhëhiqeshin nga një politikë e mençur, nuk do të ishin mundur nga Romakët dhe aq më pak nga Turqit”. (244)
Këtë tezë të “Shkollës arbëreshe të Albanologjisë” e trajtoi gjërësisht më vonë Aristidh Kola në librin e tij Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve ku sjell edhe një dëshmi të rëndësishme historike. Në Peticionin e “Lidhjes Arvanitase” më 1897, shqiptarët i kujtojnë mbretit gjerman origjinën e banorëve të shtetit të tij Hellen : Greku para se të bëhej grek, ishte shqiptar, dmth pellazg. Duke mbërritur në këtë pikë, mbi origjinën e përbashkët të fiseve ballkanike të lashtësisë, na lind pyetja se përse sot gjuha greke dhe shqipe kanë dallime kaq të mëdha? Kamarda e trajton gjërësisht këtë dukuri.Tek mendimi besimtar gjendet historia më e lashtë e gjuhës. Këtë na e tregon Bibla (Gen. 11, 1-9) në mitin e ndërtimit të Kullës së Babelit. Si çdo mit edhe ky, fsheh në vetvete ide dhe histori të vërteta të shoqërisë njerëzore. Një prej të cilave është edhe sot në qendër të kundërthënieve gjuhësore e historike: A është folur në zanafillë vetëm një gjuhë (teoria e monogjenezës), nga e cila më vonë kanë lindur gjuhët e tjera? Studiuesit arbëreshë të “Shkollës Albanologjike” ishin mbështetës të tezës së një gjuhe mëmë, të cilën e shihnin tek gjuha e Pellazgëve hyjnorë. Arsyen e qenies së shumë gjuhëve në kohët e reja Kamarda, e shikon tek dukuria e rëndësishme e gjuhëve e zbuluar për herë të parë në vitin 1806 nga Friedrich von Schlegel-i, i cili nënkupton ndryshimin tek fjalët, i vendeve të tingujve, zëvendësimin me tinguj të tjerë apo edhe rënien e tyre, të shkaktuar nga shqiptimi i ndryshëm në të folurin e njerëzve. Në vitin 1822, kjo tezë u përpunua nga Jacob Grimm (në Deutsche Grammatik) dhe sot njhet me emrin “Ligji i Grimm-it” që u bë baza kryesore në metodën e shkencës së Gjuhësisë krahasuese. Në “Shkollën e Albanologjisë”, siç pohon vetë studiuesi arbëresh, ai ishte i pari që shkeli mbi tapetin e kësaj shkence.
Tek kjo dukuri e shqipes, por edhe tek gjuhët e tjera, që buron nga shqiptimi jo i saktë i tingujve nga ana e njeriut, Kamarda shikon origjinën e formimit të dialekteve. Me kalimin e shekujve duke u larguar për herë e më shumë nga gjuha mëmë, kanë lindur gjuhët e reja. Kështu ka ndodhur edhe në Helladë (Greqi), ku tek dialekti i Atikës, që gradualisht u bë mbisundues mbi dialektet e tjera, ndryshimi i tingujve tek fjalët u bë shkas i krijimit të greqishtes atike dhe me kalimin e shekujve, të gjuhës së re Hellene. Kamarda i cili “ka bërë studimin më të plotë të shqipes“, siç u shpreh Gustav Mayer, thekson se nga krahasimi i gjuhës shqipe dhe gjuhës romaike apo greqishtes së re, vihen re ngjashmëri, jo vetëm në strukturën gramatikore, por edhe në rrënjët dhe fjalët e përbashkëta. Si përfundim, “tezat e shtruara në veprën e Kamardës, drejtesinë e të cilave i ripohuan studiuesit e tjerë shqiptaro-arbër dhe të huaj, bashkohës të tij dhe të ditëve të sotme, dëshmojnë se në shkencën e sotme shqiptare dhe atë evropiane të lashtësisë dhe gjuhësisë historike që trajton Gadishullin Ballkanik, ka pasaktësi të mëdha. Sot, padrejtësisht emërtimi “grek” i panjohur në kohën e Homerit, ka shtrëmbëruar të vërtetën historike, në radhë të parë të vetë Hellenëve Pellazgë, e thënë më saktë, të etërve të tyre Iliro-Maqedonë dhe Trako-Iperiot./