Daut Dauti

Deri në fillim të viteve të 70-ta, të shekullit të kaluar, në fshatrat tona buka ka pasur ngjyrë të zezë. Kjo ka qenë për shkak se fshatarët e kultivonin vetë grurin, të cilin pastaj e bluanin në mullinjtë me ujë. Këta mullinj nuk kishin filtera dhe e tërë kokrra e grurit, pra me tërë përmbajtjen, shndërrohej në miell. Prandaj, kishte ngjyrën e zezë.


Në qytet furrat gatuanin bukë të bardhë, e cila ishte më e shtrenjtë se e zeza. Buka e zezë ka qenë simbol i fshatit dhe i varfërisë. Në qytet njerëzit kishin para dhe hanin bukë të bardhë. Ata që hanin bukë të zezë konsideroheshin me gjendje jo të mirë ekonomike.


Nuk ka pasur asgjë më të shijshme se buka e zezë. Kur dilte e pjekur nga furra ose nga saçi i oxhakut, lëshonte një aromë të këndshme që e mbushte dhomën. Aroma rritej dhe i kaplonte shqisat kur buka, valë e nxehtë, ndahej në copa. Në këtë moment, duke e çuar copën e bukës te goja, ndjehej aroma e tokës, kallirit, gjelbërimit … Kur hahej me djath, bylmete tjera ose me perime, kishte një lezet të papërshkruar.


Pastaj erdhën mullinjtë modern dhe e zhdukën bukën e zezë. Të gjithë u bënë të pasur dhe hanin bukë të bardhë. Sot buka e zezë është kthyer sërish, por është më e shtrenjtë dhe e hanë ata që kanë para dhe njohuri për ushqimin e shëndetshëm. Megjithatë, i mungon aroma e kënaqësisë, aroma e natyrës. Aroma e bukës dhe e kujtimeve që më nuk kthehen. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here