Në Athinë janë mbi 190 pasuri (godina, apartamente, dyqane, troje, e të tjera); në Selanik mbi 115 pasuri të tilla; në Janinë rreth 70 mjaft të tjera në Kavallë, Korfuz, Patras, Follorinë, Artë, Ksanthi, Kretë, Filat, Katerinë, e të tjera.
Një raport i shtetit shqiptar për pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi, flet për 200 milionë dollarë pasuri e sekuestruar nga shteti grek, e cila i përket shtetasve shqiptarë. Një dokument i vitit 1988, flet për përpjekjet e shteti shqiptar për të kërkuar pasuritë e disa shtetasve të tij, të lëna në Greqi qysh në vitin 1945. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi ishin vënë në sekuestro konservative, si pasojë e Ligjit të Luftës që ekzistonte mes dy vendeve. Në vitin 1988, shteti shqiptar krijoi një komision që do të merrej me zgjidhjen e këtij problemi mes dy vendeve. Dokumenti që publikojmë më poshtë jep statistika të qartë të pasurive shqiptare që ndodhen nën sekuestron e shtetit grek si pasojë e ligjit të luftës. Në këto statistika nuk përfshihen të detajuara pasuritë që la popullsia e Çamërisë, ku u përzu me dhunë nga trojet e veta, si pasojë e genocidit grek. Dokumenti jep detaje për pasuritë e shqiptarëve mnë Athinë, Selanik, Korfuz e vende të tjera në Greqi.Advertisementrecommended byHERBEAUTYInstall These Measures To Keep Your Household Safe From Covid19LEARN MORE→
Raport mbi gjendjen e pasurive të shtetasve shqiptarë në Greqi
Siç dihet, për shkak të ekzistencës së ligjit të gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundëshme që kanë qytetarët tanë në këtë vënd janë vënë nën sekuestër konservative të shtetit grek dhe administrohen nga 27 drejtori të finacave të krahinave dhe qyteteve të ndryshme.
Në bazë të ligjit NR.4506/66, duke i konsideruar disa nënshtetas shqiptarë me “origjinë greke”, pak pasuri u hoqën nga sekuestro konservative pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe iu dhanë për administrim të kufizuar (pa të drejtë shitje) personave të autorizuar nga pronarët, të cilët mund të dërgonin në Shqipëri deri 50 dollarë në muaj. Vitet e fundit me pretekste të ndryshme dhe kjo e drejtë u kufizua shumë nga organet greke.
Duke marrë parasysh numrin e madh dhe vlerën që kanë pasuritë tona që ndodhen në Greqi, Shoqëria Komisionare është përpjekur për evidentimin dhe trajtimin e tyre. Ekzistenca e ligjit së gjendjes së luftës, jo vetëm ka penguar realizmin e tyre, por ka pakësuar shumë dhe interesin e personave që disponojnë pasuri në Greqi për të bërë deklarimin e tyre ose për të mbledhur e dhënë hollësira mbi këto pasuri. Megjithatë, në bazë të pretendimeve të shtetasve tanë, si dhe të punës përgatitore dhe të dhënave të grumbulluara deri tani nga shoqëria komisionare, një pjesë e mirë e pasurive tona të paluajtshme në këtë vend paraqitet si vijon:
– Shtëpi, godina, apartamente 309
– Troje ndërtimi 62
– Dyqane, magazina e objekte sociale 66
– Toka bujqësore, ara, vreshta 330 (30.000 ha)
– Pyje 16 (65.000”)
– Kullota 109 (108000”)
Kryesisht këto pasuri ndodhen në qytetet: Athinë ku janë mbi 190 pasuri (godina, apartamente, dyqane, troje, e të tjera); në Selanik mbi 115 pasuri të tilla; në Janinë rreth 70 mjaft të tjera në Kavallë, Korfuz, Patras, Follorinë, Artë, Ksanthi, Kretë, Filat, Katerinë, e gjetkë.
Për të gjitha pasuritë e sipërme ndodhen të depozituara në bankat e qyteteve përkatëse të ardhurat nga qiratë e tyre të realizuara nga viti 1945 e këndej.
Aktualisht shoqëria komisionare ka identifikuar dhe përcaktuar pronarët e trashëgimtarët e tyre në Shqipëri të rreth 200 praktikave. Po kështu, mbi 200 praktika të tjera ndodhen në procesin e hetimit dhe të sqarimit të gjendjes së tyre. Për mjaft praktikave me vlerë, nëpërmjet avokatëve përfaqësues janë bërë ndërhyrje pranë organeve greke, por për shkak të ekzistencës së ligjit të gjendjes së luftës këto ndërhyrje kanë qenë pa rezultat.
Për pasuritë që kanë qytetarët tanë në Greqi e shohim të nevojshme të japim dhe këto shpjegime:
1. Me vlerë paraqiten pasuritë që kanë pasur në disa fshatra të Greqisë, si toka buqësore, pyje, vreshta, ullishta e të tjera, personat që rrjedhin nga shtresat e pasura dhe të deklasuara. Këto pasuri janë relativisht të vjetra dhe janë vënë nën sekuestër konservative që në fillimin e luftës italo-greke.
2. Me interes të veçantë paraqiten pasuritë me vlerë të teqes Turballi-Sulltan në Farsallë dhe trashëgimia e lënë nga Hasan Prishtina, tërë vilat i takojnë shtetit shqiptar.
3. Mjaft persona disponojnë ndërtesa, dyqane dhe troje në vende të mira të qyteteve kryesore të Greqisë, ku shitja dhe dhënia e tyre për ndërtime të reja është mjaft me interes. Pjesa më e madhe e këtyre pasurive është vënë nën sekuestër konservative pas luftës dhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë.
Ekzistojnë dhe mjaft pasuri relativisht të vogla, sidomos ato që janë të përbashkëta me pjestarët që kanë në Greqi, të cilat nuk janë vënë nën sekuestër konservative të shtetit grek dhe administrohen nga të afërmit e tyre që banojnë në Greqi.
Me vlerë janë dhe pasuritë e çamëve, të cilat përbëhen sidmos nga toka bujqësore e kullota, të cilat janë vënë gjithashtu nën sekuestro konservative të shtetit grek. Nga shoqëria komisionare për këto pasuri shumë pak të dhëna janë grumbulluar.
Megjithëse nuk disponojmë të dhëna të plota, përsa i përket numrit të pasurive dhe sidomos të përbërjes së tyre, mund të themi se këto vlerësohen mbi 200 milionë dollarë. Në bazë të të dhënave të një avokati të Selanikut, i cili në vitin 1977 ka plotësuar dokumentet e pasurive, del që vlefta e tyre arrin në 35 milionë dollarë.
Po kështu, nga një vlerësim i përafërt i një avokati të Athinës për pasuritë e 10 pronarëve të mëdhenj del se vlera e tyre mund të arrijë në rreth 50 milionë dollarë, e të tjera.
Nga takimi që patën shokët e shoqërisë komisionare me Mustafa Gabranin, i cili mban nënshtetësisnë shqiptare, por ka lindur dhe banon në Greqi, rezulton se organet greke po përgatiten për problemin e pasurive tani që hiqet ligja e gjendjes së luftës. Ai na dorëzoi fotokopjen e një udhëzimi që Ministria e Financave greke i ka drejtuar gjithë drejtorive të financave që administrojnë pasuritë tona, e cila kërkon saktësimin e llogarive të këtyre pasurive deri më 31.12.1987. Kështu që organet greke disponojnë të dhëna të sakta dhe të hollësishme mbi gjendjen e pasurive dhe të ardhurave të tyre. Prandaj mendojmë që në bisedimet me organet greke duhet të kërkohet lista e pasurive dhe të ardhurave për sejcilën pronë që ata kanë administrim.
Deri tani shoqërisë komisionare nuk i është paraqitur ndonjë kërkesë nga qytetarët grekë, të cilët pretendojnë të kenë ndonjë pasuri në Shqipëri. Gjithashtu, nuk kemi dijeni që në dokumentacionin e zyrave të tapive të figurojnë pasuri ose depozita të bllokuara në emër të qytetarëve grekë. Prandaj mendojmë që çdo pretendim eventual që mund të lindë në këtë drejtim do të trajtohet e të zgjidhet siç e parashikojnë dhe ligjet tona, njëlloj si për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Meqenëse nuk jemi në dijeni se si do ta zgjidhin problemin e pasurive tona organet greke, nuk jemi në gjendje që të shfaqim mendimet tona. Sidoqoftë, mendojmë që mënyra më e leverdisshme dhe më e arsyeshme do të jetë që sejcili vend t’u njohë të njëjtat të drejta qytetarëve të tjerë, ashtu siç u njeh qytetarëve të vet. Kështu kemi vepruar në marrëdhënie të tilla dhe me shtetet e tjera.
Tiranë, më 12 maj 1988 Zija Kazai