Flasin toskërishten e vjetër, ruajnë kostumet popullore qindravjeçare, festojnë Shën Gjergjin në kujtim të Gjergj Kastriotit.. Si kanë mbijetuar në tre shekujt e fundit 5.000 shqiptarët e Ukrainës? Ja një histori që nuk duhet harruar

Ngjarjet e fundit në Ukrainë janë prej ditësh në faqet e para të medias botërore. Konflikti i hapur me Rusinë për shkak të Krimesë (gadishullit ukrainas më shumicë ruse) duket se po i drejtohet pikës së moskthimit me aksionet e dyanshme ushtarake, ku nuk përjashtohet mundësia e një lufte. Dhe në fakt luftërat dhe pushtimet kanë qenë historikisht shkaku që ka detyruar popullata të tëra të zhvendosen në krahina të tjera, e në rastin më të keq në shtete të largëta për t’i shpëtuar persekutimit dhe shfarosjeve. I tillë është rasti i minoritetit shqiptar që jeton në Ukrainë prej 300 vjetësh.

Të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci 500 vjet më parë si pasojë e përndjekjes osmane u nisën në një rrugëtim të gjatë 2 shekullor duke kaluar nëpër Maqedoni, Bullgari e Rumani, derisa nga shek XVIII u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt, Devneskoje, Gjeorgjevka, dhe Gamovra. Studiuesi kosovar, Baki Ymeri, ai rus Aleksandër Novik, por edhe të tjerë shqiptarë që kanë hulumtuar mbi historinë e këtij komuniteti, pohojnë se rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes toske me rusishten, ndërsa zakonet, folklori dhe veshjet janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre.

Pak histori

Disa burime thonë se në fillim të shek XVIII, në anën e majtë të liqenit Jallpug, të shpërngulurit shqiptarë nga viset bullgare, themeluan koloninë Karakurt në stepat e Buxhakut të Ukrainës dhe në kufi me Rumaninë. Në dekadat që pasuan, një pjesë e fshatit u shpërngul në rajonin e detit Azov, rreth 10 km larg brigjeve të tij, ku u themeluan 3 fshatra, Devnenskoje, GJeorgjevka, Gamovra, në të cilat jetojnë ende shqiptarë.

Sot, Karakurti ka rreth 2.700 banorë dhe 80 për qind e tyre janë me origjinë shqiptare, të tjerët janë rumunë dhe bullgarë. Me 8 mijë hektarë tokë ai është një nga fshatrat më të varfër në Ukrainë, ku banorët mund të nxjerrin jetesën kryesisht nëpërmjet blegtorisë dhe më pak bujqësisë.

Në vitin 1911, Fan Noli vizitoi Odesan dhe u takua aty me anëtarë të këtij minoriteti, ndërsa mbajti në kishën lokale një meshë. Po kështu, në vitin 1979, At Artur Liolini, kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Bostoni, meshoi në të njëjtën kishë për ta.

Përpos këtyre dy ngjarjeve të pazakonta për një komunitet të lënë në harresë, shumë pak është shkruar dhe shumë pak është bërë për këta shqiptarë që prej më shumë se 300 vjetësh jetojnë larg vendlindjes, mes 48 milionë ukrainasve.

Është koha për vëmendje

Vetëm në vitin 2006 një shoqatë, “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”, mori nismën e dokumentimit për herë të parë të realitetit dhe mbijetesës së komunitetit shqiptar të Ukrainës.

Agim Xhemali, i dërguari i saj gjatë vizitës së parë në Odesë, mbeti i befasuar nga fanatizmi me të cilin shqiptarët kishin konservuar gjuhën dhe zakonet e vjetra të paraardhësve. “Duke studiuar mbi spostimin e popullsisë shqiptare të hershme arritëm në përfundimin se kishte shqiptarë si në Bullgari dhe në Ukrainë. Kjo më shtyu mua dhe ‘Lidhjen e shqiptarëve në Botë’ të shkonim në Ukrainë për t’i parë ata dhe për t’i afruar. Shqiptarët e Ukrainës flasin në masën 70% shqip dhe pjesën tjetër e plotësojnë me fjalët ruse”, shprehet ai.

Në dokumentar nënvizohet domosdoshmëria e ndërhyrjes së qeverisë shqiptare në mënyrë që identiteti i shqiptarëve të Ukrainës të mos shuhet, por të vazhdojë të trashëgohet me gjuhën dhe kulturën kombëtare siç ka ndodhur ndër breza: “E drejta e mësimit të gjuhës amtare buron nga Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut, janë pushtetarët ata që duhet të venë pikat mbi për këtë problem”.

Për këtë arsye banorët e komunitetit shqiptar në Ukrainë i dërguan një peticion ministrit të asokohe të Arsimit, Genc Pollo dhe atij të Kulturës, Ylli Pango, në të cilin kërkohej veprimi i shtetit për shkëmbimin e kulturave. Tri ishin pikat kryesore në kërkesën e tyre:

1.Mësimi i gjuhës shqipe, dërgimi i librave, i fjalorëve dhe i një mësuesi.

2.Ndihma për meremetimin e Shtëpisë së Kulturës dhe

3.Rindërtimi i kishës së fshatit.

Trashëgimi e së shkuarës

Shqiptarët e Odesës i kanë ruajtur zakonet e të parëve, një fakt i tillë verifikohet kur hyn në familjet që banojnë këtu, në dasmat, në punimet dekorative me dru etj. Ishte kjo arsyeja që kur për herë të parë hyri në oborrin e familjes një vizitor si Agim Xhemali, e zonja e shtëpisë e priti me bukë të bërë vetë, çka nënkupton traditën e vjetër shqiptare të mikpritjes.

Shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pas u përdor guri i gdhendur. Hyrja në to bëhet nëpërmjet dhomës së zjarrit. Në njërën anë dhoma e vogël e ndenjës dhe në tjetrën oda e madhe e miqve. Në këto shtëpi gatuhet me oxhak. Si dikur, në oborret e shtëpive gjenden ende furra drush për pjekjen e bukës.

Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruan traditat e veta, ka folklorin gojor dhe koreografik, ndërsa gratë tjerrin qilima me motive shqiptare. Në arkivin e shtëpisë së kulturës ruhen një numër i madh fotografish të vjetra dhe kostume që jetojnë prej 195 vjetësh.

Në një familje ruhet si një relike e çmuar albumi i “Artit popullor në Shqipëri”. Kryefamiljari tregon një shishe konjak dhe thotë : “Ne pimë vetëm konjak Korça, sepse lidhja jonë me Shqipërinë është shumë e fortë”. Eventi më i madh që shënohet çdo vit këtu është festa e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pjesë nga dokumentari

Fshatrat me origjinë shqiptare në Ukrainë kanë mbijetuar përmes një lufte të ashpër klasore nga regjimi stalinist. Pas formimit të BRSS dhe vendosjes së sistemit komunist, anëtarëve të minoritetit shqiptar që ishin të kamur, iu morën gjithë pasurinë dhe i internuan në veri, në zona të largëta si Siberia. Asnjë prej tyre nuk u kthye i gjallë.

Nëpërkëmbja e atyre që qëndruan në Ukrainë u bë në mënyrë graduale. Gjithçka në ato katër fshatra me etni shqiptare: që nga infrastruktura, shtëpitë, objektet publike, bujqësia, blegtoria, mënyra e jetesës, flasin për gjendjen e prapambetur të banorëve. Pamjet e këndshme që ofrohen nga gjelbërimi i fushave dhe punët në bujqësi të veniten para syve kur mendon se atyre u është mohuar origjina. Në pasaportat e dikurshme të banorëve shkruhej origjina “albanski” (shqiptare), ndërsa gjatë viteve të fundit ajo u fshi.

Një masë ekstreme që ndikoi në humbjen e qëllimshme të identitetit të kombit ishte edhe shpërndarja e popullsisë në zona të ndryshme të Rusisë. Gjithsesi banorët me origjinë shqiptare në Ukrainë janë gjallë, ata e pohojnë me gojën e tyre: “Jemi me origjinë nga Allbania… Pimë raki allbanie… Kemi heroin tonë Gjergj Kastriot Skënderbeun”. Vitet kanë zbehur përdorimin e përditshëm të gjuhës amë, por nuk e kanë asimiluar plotësisht atë. Në tekstin e këngës popullore që këndojnë vajzat e veshura me kostum popullor dallohen disa fjalë të gjuhës shqipe si: lule, oj nëne, kuptova, oborri, dashuri, dielli, dritare, Shqipëria etj.

Shqiptarët e Ukrainës janë të varfër ekonomikisht, në dokumentar shihet gjendja e banesave të tyre. Delegacioni mirëpritet në një shtëpi të zakonshme fshati. Në oborr ndodhet furra primitive pjekjes së bukës. Hyrja në shtëpi bëhet nëpërmjet dhomës së zjarrit. Shtëpi përdhese me pak orendi brenda, dyer e dritare, perde e mobilie të vjetra. “Komuniteti shqiptar në Ukrainë është në gjendje shumë të varfër, prandaj ata kërkojnë ndihmën tonë si për kulturën, arsimin edhe për kuzhinën, që ne t’u çojmë kulturën tonë dhe kuzhinën shqiptare të kohëve të sotme”, shprehet i dërguari i shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”.

Përgatiti: Dorina Gjuzi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here