Jahja Drancolli

Si sot, në vitin 1526, vdiq Viktor Karpaçi, një nga personalitet më të mëdhenj të Shkollës së Arbërore në Venedik (Scuola degli Albanesi). Sipas talentit të tij të rrallë, u ngrit në piramidën e piktorëve më të njohur të Rilindjes Europiane. Ai lindi midis viteve 1455-1465 dhe vdiq më 25 qershor 1526!


Me të dhënat që disponoj, nuk mund të jepet asnjë mendim i caktuar në lidhje me vendin e lindjes së piktorit. Duke pasur parasysh faktin se Viktor Kapaçi kishte nënshkruar pikturën e parë me “Veneto” (venedikas), disa studiues mendojnë se vendlindja e tij është Venediku. Ne mendojmë se kjo e dhënë, e vetme e këtij lloji, nuk mund të merret për ndonjë argument të fortë, që sipas tij prerazi të konstatohet se vendlindja e Karpaçit qe Venediku. Themi kështu, meqenëse tokat e Republikës së Venedikut gjatë periudhës kur ka jetuar Karpaçi u shtrinë në tokat bregdetare të Ballkanit, pra edhe në bregdetin e Arbërisë. Prandaj, banorët e këtyre tokave janë regjistruar përgjithësisht si Venedikas. Mund të ngrihen mendime të tjera për këtë çështje. Një pjesëtar të familjës Karpaçi e ndeshim gjatë viteve 1339-1341 në Raguzë. Bëhet fjalë për Francesco Carpaço, të cilit pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi iu dha një shtëpi në “in castello” të Raguzës.
Viktor Karpaçi qe bashkëkohës dhe bashkëpuntor i afërt me artistët e mëdhenjë të Rilindjes Italiane, si, Gentile Bellini (1429-1507) dhe Giovanni Bellini (1430-1516). I pari mendohet se ka punuar drejtpërdrejt skicat e portretit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur Heroi ynë e kishe vizituar Italinë. Karpaçi gjithashtu e konsideroi Gentile Bellini-n si mësuesin e tij të nderuar.
Studiues të ndryshëm e konsideronin Karpaçin për njërin ndër gjenitë e pikturës venedikase të Rilindjes, mirëpo gjithnjë duke e lënë në haresë origjinën e tij arbërore dhe punën e tij si arbër. Kritikët dhe historianët e artit në Itali dhe gjetiu gjithnjë kanë shkruar rreth veprave të tij dhe kanë dhënë vlerësime, natyrisht shumë pozitive, por asgjë për origjinën arbërore të tij në një kohë kur për bashkëkohës të tij dhe piktorë më pak të vlefshëm kanë dhënë hollësi. Mirëpo, nuk duhet harruar se, që në shekullin e kaluar janë arritur edhe rezultate të lakmueshme në historiografinë botërore që provojnë origjinën arbërore të V. Karpaçit. Në këte kuptim, studiuesi gjerman G. Ludwig, në një tudim me pretendime të mëdha shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Karpaçit, të botuar në vitin 1897 në Roma shkruante: “Është e denjë të kujtohen datat kryesore të historisë së arbërve të vyeshëm e tu bashkohen njohurive të regjistruara në Amzën e Shkollës (është fjala për Shkollën e Arbërve) në rendin kronologjik, meqë nga ajo rezultojnë sqarimet mbi relacionet e Karpaçit me patriotët, bashkatdhetarë të tij, si dhe për karrierën e tij artistike, për ndërtimin e shkollës dhe për motivin për në fjalë.”
Opusi i Viktor Karpaçit është shumë i pasur, ai përfshinte më se 100 tablo. Nga ky opus janë ruajtur vetëm gjashtë tablo, të cilat i punoi gjatë viteve 1502-1504 për Shkollën e Arbërve. I punoi këto në kohën kur ishte në kulmin e pjekurisë së tij si artist. Dy piktura, nga “Cikli i Arbërve”, me rastin e pushtimit të Republikës së Venedikut nga austriakët, u dërguan sipas urdhrit të princit austriak Meternikut më 1838 në Vjenë. Është fjala këtu për tablon “Vdekja e Mërisë” dhe tablon “Festa e Mërisë”. Ndërkaq tablo të tjera nga “Cikli i Arbërve” mbetën në Itali, por jo përherë, meqë dy prej tyre ruhen në Karlsruhe dhe Lizbonë.
Të dhënat e ruajtura dëshmojnë se Karpaçi qe piktor shumë i angazhuar. Përveç “Ciklit të Arbërve”, opus të cilin e punoi për bashkëvëllezërit e tij arbërorë, punoi edhe cikle të tjera, si, “Cikli i Shën Orseolit” (gjatë viteve 1490-1520), “Cikli i Shën Gjergjit të dalmatëve” (1502), e ndonjë tjetër. Është për të vënë re se, të gjitha kuadrot e cikleve të përmendura i punoi në teknikën vaj me pelhurë. Për “Ciklin e Arbërve” Karapaçi nuk zotëronte ndonjë burim vizual të drejtpërdrejtë. Dihet mirë se për arsye të njohura ai ishte larg atdheut të tij të robëruar nga osmanët. Përkundrazi, gjeniu i tij dinte të krijonte vepra origjinale dhe të pavarura nga çdo shkollë. Padyshim që natyra ishte kryemjeshtri i tij. Të shumta janë pikturat, tablot me përmasa të mëdha ku temat ishin ndërthurur midis arkitektit antik të atdheut të tij madhështor dhe Atdheut të dytë, Venedikun, me arkitekturën e saj fantastike, me procesionet e saj pompoze dhe me kostumet e pasura të senatorësh. Në zjarrin që kishte përfshirë pallatin dukal në Venrdik, janë asgjësuar pothuaj shumë pjesë që paraqisnin festa ceremoniale dhe piktura nga mjeshtra të ndryshëm, të cilat mund të na jepnin shpjegime se cilët mjeshtra të tjerë ndikuan në të dhe zhvillimin e artit të Karpaçit. Për fat të mirë, disa kampionë kryesorë janë ruajtur në shkollën e Shën Gjon Ungjilltarit, të tilla si Gentile Bellini, të cilët, nëse kanë ndonjë ngjashmëri në trajtimin e lëndëve, janë larg të tregojnë talentin e gjallë të tregimtarit Karpaçi. Prandaj, pyetja mund të shtrohet me plot gojën se përveç ciklit të jetës së Virgjëreshës Mari të Arbërve, a kishte cikle të tjerë kushtuar jetës së Virgjëreshës Mari nga artistë të tjerë që punonin në Venedik? Pikërisht kjo temë u realizua në errësirë në ciklin e arbërve, përkatësisht i gjithë ky cikël paraqitet në pjesën e majtë të ambienteve të Shkollës së Arbërve. Aty janë pikturuar këto piktura: l) “Nascita della Vergine” (“Lindja e Virgjëreshës”), 2) “La Dedicazione della Virgine al Tempio” (“Paraqitja e Mërisë në tempull”), 3) “Madona con il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo” (“Zoja Mëri me fëmijën midis Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi”) 4) “Sposalizio di Maria Virgine” (“Kurorizimi i Mërisë Virgjër”), 5) “L’ Annunciazione” (“Festa e Mërisë së Virgjër”), 6) “La Visitazione” (“Vizita e Zojës Maria Elezabeta”) dhe 7) “La morte della Virgine” (“Vdekja e Mërisë së Virgjër”).
Kaptinë të veçantë në veprimtarinë e Viktor Karpaçit paraqesin temat mbi luftërat e arbërve dhe venedikasëve kundër pushtuesit osman. Vlera të mëdha në këte kuptim zotëron vepra Ushtarët dhe orientalët. Vepra në fjalë është punuar me pendë e brushë me ngjyrë braon, letër e bardhë në një madhësi prej 264 X 194 mm. Sot ruhet në Paris (Luvrë). Siç vëren kritiku i artit Lauts (në 1962), ai është një vizatim “instrumental”, që synon të japë një shembull unik të figurave sipas të cilave pasurohet sfondi. Përdorimi i tyre është karakteristikë e Viktor Karpaçit në ciklin Arbërve.
Nga gjithë sa u tha më lart, mund të konkludojmë se në krijimtarinë e pasur artistike të Karpaçit ka tema fetare dhe laike, gjë që ishte karakteristike për piktorët e tjerë të kohës. Por arti i piktorit Karpaçi, pavarësisht nga tema, është njerëzor dhe i mrekullueshëm. Ai është i fillimeve të shekullit të artë në pikturë. Në këtë kuptim, emri i tij përmendet me nderim të veçantë në të gjitha botimet e historisë së artit të Rilindjes, në enciklopedi arti dhe enciklopedi të përgjithshme. Pikturat e tij, ndërkohë, janë riprodhuar si modele të artit të përparuar realist të Rilindjes.


Burimi: Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjës gjatë Mesjetës, Zagreb: 2008, 427-443.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here