Bimë barishtore e vendeve të ngrohta, me zhardhok si të qepës, me gjethe të ngushta e të gjata rreth dy pëllëmbë dhe me lule ngjyrëvjollcë e si hinkë, nga krezat e të cilave nxirret një lëndë e verdhë me erë të mirë e me shije të hidhur; lënda që nxirret nga lulet e kësaj bime dhe që përdoret në gjellëtari e në industrinë ushqimore, në parfumeri, në mjekësi, për ngjyrosje etj. Lule shafrani. Ngjyrë shafrani. Vaj shafrani. Erë shafrani. I verdhë si shafran. Sikur ka ngrënë shafran.

E quajnë shafran, është “mbreti i ilaçeve”, “mbreti i erëzave”, “ari i kuq” dhe “bima e parajsës”. Gjithë këto epitete dhe përcaktime duket sikur e mbajnë këtë bimë në krye të listës së bimëve, të cilat gëzojnë një autoritet suprem për vlerat dhe vetitë e tyre të gjithanshme. Nuk ka asgjë të ekzagjeruar në gjithë këtë manifestim vlerash dhe atributesh, ajo është një bimë e tillë dhe një bujari e natyrës që gëzon gjithë këto vlera të pamohueshme.

Shafrani është nga erëzat më të shtrenjta në botë dhe shekuj të tërë çmimi i tij dyfishon çmimin e arit. Pjesa shëruese e shafranit janë stigmat që përmbajnë fitokimikate të shumta si krocina, pikrokrocina, likopena, karotenoidet dhe alkaloidet.

Vaji esencial përmban safranal i cili ka efekt qetësues, heq dhimbjen dhe ngërçet. Librat e vjetër përmendin se shafrani i përzier në qumësht mund të përdoret si një kompresë për sytë e lodhur dhe se preparate të ndryshme ndihmojnë në trajtimin e inflamacioneve, dhimbjeve, ngërçeve tek foshnjat dhe të tjerët. Ai gjithashtu mund të përdoret për astmën dhe kollitjen, stimulimin e qarkullimit të gjakut dhe menstruacionet e dhimbshme.

Shafrani është ilaç natyral për depresion dhe ndihmon edhe në zbutjen e sëmundjes si Alzheimeri.

Shafrani merret nga bima e familjes Iridaceae, e cila ka një sezon të shkurtër lulëzimi, vetëm tre javë në vit. Erëza e shafranit njihet që nga kohërat e lashta. Ajo është përdorur qysh në Mesopotami, 5.000 vjet më parë, përmendet edhe në Bibël. Shafrani është simbol i urtësisë dhe pasurisë, si materiale ashtu edhe shpirtërore. Emri rrjedh nga fjala persiane za’faran, që në përkthim të drejtpërdrejtë do të thotë “bëhu i verdhë”.

Shafrani është një erëz e vlerësuar e cila përdoret në pothuajse gjithë botën, ndërsa shpesh e quajnë “mbreti i erëzave”. Edhe pse është më i njohur si një erëz, për shkak të ngjyrës specifike të verdhë, përdoret edhe si një ngjyrosës natyror në industrinë ushqimore dhe për qëllime mjekësore. Shijen e ka shumë të butë, dhe përdoret kryesisht për shkak të ngjyrës së bukur të verdhë të cilën ua jep gjellëve me oriz (paella, rizhoto) dhe supë franceze të peshkut bouillabaisse.

Vlera e energjisë e 100 g të shafranit është 310 kcal/1.298 kJ. Për 0.5 kg të erëzës është e nevojshme të merren rreth 75.000 lule dhe me dore të hiqen stigmat me shtypës, ndërsa për shkak të mënyrës së shtrenjtë të prodhimit, përdoret më rrallë për qëllime mjekësore.

Nga vitaminat, shafrani në sasi të konsiderueshme përmban vitaminë C, tiaminë, riboflavinë, niacinë, acid folik dhe vitaminë B6.

Shafrani mund të përdoret edhe për qëllime kozmetike. Falë përmbajtjes së tij të pasur me antioksidantë, ai e mbron lëkurën nga efektet e dëmshme të radikaleve të lira. Maska nga shafrani dhe papaja e freskët ndihmojnë në largimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe kontribuon në ngadalësimin e shfaqjes së rrudhave dhe njollave.

Shafrani i thatë është në dispozicion gjatë gjithë vitit në shirita dhe pluhur, ndërsa paketimet mund të jenë nga 0.1 gram deri në disa gram.

Shafrani për shkak të shijes dhe ngjyrës së pasur u shtohet ushqimeve të veçanta në shumë kuzhina të botës.

Shafrani është erëza më e shtrenjtë në gjithë botën. Kjo bimë e çmuar ka shumë përmbajtje mjekësore, gjithashtu përdoret edhe në shumë fusha të tjera. Bën pjesë në grupin e bimëve shumëvjeçare, që shkon prej gjashtë deri në dhjetë vjet. Kultivimi i saj më shumë vlen për fermerët të cilët nuk kanë shumë tokë.

Kjo bimë paraqet një ndryshim në raport me bimët e tjera, sepse kjo bimë lulëzon në vjeshtë. Rritja e gjetheve ose rritja vegjetative zgjat prej muajit tetor deri në fund të prillit apo majit të viti tjetër, varësisht nga mjedisi, pastaj hyn në fazën e “gjumit” gjatë muajve të verës. Nevojat e saj për ujë janë relativisht mesatare (400 deri 600 mm/në vit). Ndikimi ekonomik i shafranit është i rëndësishëm për shkak të çmimit të lartë të shitjes, që sa vjen e rritet. Kjo kulturë prodhohet në dy faza; vetë shafranit, që prodhohet nga lulja, dhe materiali fidanor që prodhohet nga shumëzimi i bulbeve në tokë. Riprodhimi i tij është vegjetativ dhe nëntokësor, duke ndarë bulëzat “amë” në bulëza “bijë”.

Shafrani është një bulëz që vjen nga familja Iridaceae. Është e pajisur me një bulëz barishtore shumëvjeçare të rrumbullakët e mbështjell nga një shtresë fijore. Lulet e saja ngjyrë vjollcë lulëzojnë prej muajit tetor deri në muajin nëntor. Nga një bulb i vetëm shumëzohen në shumë të tillë. Ato lindin prej një tubi të hollë e të gjatë, që fillon nga bulbi. Në brendësi të këtyre luleve gjenden tre mashkullor me ngjyrë të verdhë të çelët dhe tri stigmat që janë me një stile më të gjatë, të gjerë, të futur thellë dhe të kapura anash.

Gjethet janë të shumta (përafërsisht nga 6 deri ne 12 për një bulëz), shfaqen pas luleve, gjatë lulëzimit ose pas. Qëndrojnë të mbledhura në tufa, të ngritura deri në pranverë – periudhë në të cilën ato përfundojnë zhvillimin dhe shtrirjen. Vilen vetëm stigmat e lules, të cilat janë aromatike dhe me ngjyrë. Gjatë verës bima humb gjethet dhe mbetet vetëm bulbi.

Cikli i shafranit zhvillohet në dy faza gjatë vitit; faza aktive dhe faza e dytë e fjetjes. Faza aktive fillon në vjeshtë, përkatësisht nga muaji gusht deri në shtator. Bima ri-merr aktivitetin e saj metabolik, fillon nga nxjerrja e gjetheve dhe boshti i lules, që duket nga gjysma e muaji tetor. Rritja e gjetheve zgjat nga muaji tetor dhe shkon deri në fund të muajit prill ose maj, varësisht nga kushtet klimatike. Do të shohim edhe fazën e lulëzimit. Zhvillimi i rrënjëve ndodh gjatë periudhës së vjeshtës ose të pranverës. Faza e dytë, që është ajo e fjetjes fillon prej muajit prill ose maj. Gjatë këtij zhvillimi shohim zhdukjen e bulbit “amë” dhe formimin e bulëzës “bijë” (shumimi vegjetativ). Gjatë periudhës së fjetjes, bulbet qëndrojnë të pandryshuar pasi të kenë arritur pjekurinë e tyre. Secili mbart një ose dy sytha prej ku dalin gjethet e reja dhe boshti i lules (rritja e lules është e kushtëzuar nga madhësia e bulbit dhe nga temperatura). Shafrani lulëzon në pranverë, deri në gjysmë të verës, varësisht nga kushtet. Temperaturat që rriten janë të nevojshme për lulëzim; temperaturat optimale janë 23 dhe 27 gradë Celsius, megjithatë lulëzimi rivjen në vjeshtë, në temperatura të ulëta.

Praktikat bujqësoretëshafranit,tëparaqitura nëformëteknike

I. Zgjedhja e parcelës ku mund të mbillet shafrani

1. Toka

Shafrani preferon tokat me përbërje të lehtë me pak argjilë dhe me drenazh shumë të mirë, e pasur me materie organike. Kushti kryesor që duhet të ketë toka është drenazhi (kullimi). Tokat më të favorshme janë tokat pjellore të shkrifëta, argjile-gëlqerore, argjilë – rëre. “Shafrani kultivohet edhe në toka gëlqerore dhe adaptohet në lloje të ndryshme të tokave, megjithatë preferohen tokat neutrale ose bazike të lehta me nivel të pH (7-8)”.

2. Klima

Në lulëzimin e shafranit ka ndikim shumë të madh temperatura. Shafranit i pëlqen shumë klima mesdhetare kontinentale, ku dimrat janë jo shumë të ftohtë, kurse verat e nxehta e të thata dhe lagështi të pakët. Kjo bimë reziston në temperaturë ekstreme, si në verë, ashtu edhe në dimër, që mund të jenë nga + 45 gradë deri në -18 gradë.

3. Lartësia

Shafrani është i njohur si bimë e lartësive. Në shumicën e rasteve mbillet në lartësi që kalojnë 800 m.

4. Uji

Nevojat e shafronit për ujë janë të vogla, përafërsisht 300-400mm.

Për mbjelljen e shafranit është e preferueshme të zgjidhen parcela afër burimeve të ujit që të mundësohet ujitja, sidomos në zona të ndjeshme (pa të reshura) ose në rastet ku të reshurat janë të vonshme, gjatë kohës së lulëzimit.

II. Paraqitja e shafranit

1. Përgatitja e tokës

Punimet e nevojshme që duhet të bëhen për mbjelljen e shafranit janë po ato punë që bëjmë për të gjitha bimët shumëvjeçare ose disavjeçare. Fillojmë me një lëvrim të tokës në thellësi prej 30 deri në 35 cm, që fillon në verë, përkatësisht prej muajit maj deri në muajin korrik; pastaj para mbjelljes së shafranit fillojmë punimin me mjetet bujqësore: trinim, frezim shumë i hershëm deri sa tokën ta bëjmë të butë dhe të shkrifët.

Toka duhet të jetë e niveluar mirë, para mbjelljes të hiqen të gjitha pengesat që mund ta bllokojnë ujin e të mos mundet të kullojë. Në rast që një tokë është me zhavorr, duhet të thyejmë zhavorrin.

2. Mbjellja e shafranit

a) Paketimi dhe transporti

Blerja e mjeteve për transportin e shafranit nga mbjellësit e ri duhet të bëhet me kujdes. Një paketim i mirë varet nga madhësia e bulbeve të blera dhe mënyra e transportit. Sipas normave evropiane madhësia e kutive (arkave) për bartje është prej 15-17kg (80cm x 50cm).

b) Përgatitja e bulbeve para mbjelljes

Ky aktivitet zhvillohet gjatë muajve qershor-korrik. Bulbet nxirren me plug e pastaj mblidhen me dorë.

– Bulbet duhet të nxirren nga toka që është mbjellë para katër vjetësh. Duhet të pastrohen nga balta dhe mbetjet e bimëve, duhet të jenë të shëndosha dhe të rrumbullakëta.

– Pastrimi i bulbeve; të hiqen nga 2-3 mbështjellës të jashtëm, mbetjet e rrënjëve dhe mbetjet e bulbeve të mëparshëm, të kapura në bulbet e rinj. Gjatë pastrimit i ndajmë gjithashtu bulbet e shëndoshë (të hidhen bulbet e lënduar ose të prekur nga sëmundjet), të mbeten bulbet që kanë forma të mira, që shërbejnë për riprodhim.

– Mbjellja të bëhet menjëherë pas nxjerrjes së bulbeve.

– Në rast se nuk mbillen menjëherë, bulbet duhet të ruhen në një vend të freskët, të thatë dhe në temperaturë

(3-deri 5 gradë).

– Diametri i bulbeve duhet të ketë madhësi nga 2.5 cm dhe peshë që kalon 8 gr (bulbet e vegjël duhet të hiqen ose të mbillen në fidanishte ose si si ushqim për bagëti)

-Transporti i bulbeve deri në parcelën

ku do të mbillen duhet të bëhet duke i vendosur në shporta ose shporta të thurura dhe të jenë të pastra.

c) Mënyrat e mbjelljes

Mbjellja me dorë

Mbjellja me vija në formë të shtretërve në rastet kur toka është e shkrifët (ujitja me gypa përtokë);

Lartësia e këtyre shtretërve duhet të jetë 30 cm me një ndarje prej 50 cm në mes të shtretërve, nëse punohet me dorë, dhe 70 – 80 cm, nëse puna bëhet me mjete bujqësore.

Largësia mes bulbeve duhet të jetë 10 cm me dendësi të mbjelljes prej 10 deri 11 bulbe për një rend linear dhe në thellësi prej 20-25cm në përputhje me lartësinë e shtretërve.

Mbjellja klasike me rende në tipa të tjerë të tokës, ku nuk ka probleme me drenazhim dhe mbushje të tokës (ujitja me ndarje të leheve është e mirë).

Largësia midis bulbeve është 10 cm dhe largësia mes rendeve është 20 cm; është e nevojshme të lihet një hapësirë më e madhe për çdo 4 ose 5 rreshta (për ta lehtësuar vjeljen).

Thellësia duhet të jetë 15 cm, sepse bulbet në vitin e dytë dhe të tretë do të kenë tendenca të dalinn në sipërfaqe (diku nga 2 cm në vit), kështu që rrezikohen nga ngrirja dhe sulmi i zogjve ose nga rreziqe të tjera.

Mbjellja tradicionale bëhet me dorë. Bulbet duhet të vendosen në tokë nga ana e sheshtë, për të lehtësuar shpejtësinë e daljes se lules dhe të gjetheve. Mbulimi duhet të bëhet me ndihmën e një shati. Një makinë mbjellëse e adaptuar veçanërisht për bulbet mund të përdoret për sipërfaqe të mëdha.

Mbjellja me makineri

Në shumicën e shteteve evropiane përdorin mbjellëse mekanike kur është fjala për sipërfaqe të mëdha prodhuese.

d) Sasia e mbjelljes

Sasia e rekomanduar është 50 bulbe për metër katror. Për një hektar duhet përafërsisht prej 4 deri në 7 tonë ( ose diku rreth 500 000 bulbe). Bulbi që jep lule peshon 8 gr dhe ka një diametër prej 25mm e më shumë.

Pas katër vjet kultivimi, bulbet duhet të shkulen dhe tërhiqen në muajt qershor-korrik, gjatë pushimit vegjetativ (asnjë gjethe). Bulbëzat vendosen në fidanishte (për rritje) për t’u rritur (nuk kanë lule, vetëm lëvore “spathes” vegjetative). Bulbet e mëdha do të mbillen për prodhimin e ardhshëm. Magazina e bulbeve duhet të jetë një vend i thatë, i ventiluar mirë, i mbrojtur prej brejtësve të ndryshëm ose, në mungesë të një magazine adekuate, të rifuten në tokë.

e) Periudha e mbjelljes

Mbjellja bëhet prej muajit maj deri në muajin shtator. Megjithatë mbjellja më e zakonshme bëhet në pjesën e dytë të muajit qershor dhe në pjesën e parë të muajit shtator. Por kërkimet më të reja shkencore nuk kanë dhënë efektin e datës së mbjelljes për zhvillimin e kulturës. Mbjellja e shafranit varet nga ekzistimi i burimeve të nevojshme.

3. Plehërimi

Shafrani është bimë që nuk kërkon shumë plehra; plehërimi gjatë mbjelljes mjafton për të pasur një rendiment të mirë. Plehërimi i tokës bëhet gjatë muajit maj deri në korrik (gjatë mbjelljes së parë të shafranit), gjithashtu para lëvrimit. Sasia që përdoret është prej 30-50 t/ha. Duhet të plehërohet çdo vit, por me një sasi prej 20 t/ha. Mund të vendosim edhe byk sharre, i cili përmban kalium dhe fosfor.

Për ata që duan të prodhojnë në mënyrë konvencionale, ku toka është shumë e varfër me minerale ose nuk ka pleh të mjaftueshëm (probleme me sigurimin e plehut), është e domosdoshme të bëhen analizat e tokës, për të parë nevojat për plehra kimikë, ose të hidhen 40-50 kg N/ha , 60-80 kg P2O5/ha, 80-100 kg K2O/ha në fillim të çdo sezoni të kulturës.

4. Ujitja

Nevoja për ujë është shumë më e vogël në krahasim me kulturat e tjera. Shafrani është shumë i qëndrueshëm ndaj thatësirës, megjithatë ndikon mirë edhe ujitja. Dy fazat kritike për shafranin, apo të themi nevojat e tij për ujë, janë më të mëdha gjatë lulëzimit (tetor) dhe kur dalin sythat (mars). Periudha vegjetative ndodh në sezonin e dimrit. Për këtë arsye furnizimi me ujë gjatë kësaj faze duhet të jetë i kufizuar. Llojet e ndryshme të ujitjes së shafranit varen nga sipërfaqja e mbjellë; parcela duhet të jetë pranë një burimi dhe të ketë instalimet e nevojshme për ujitje. Shafrani mund të ujitet edhe me gypa të shtrirë përtokë, ndërmjet rendeve në rastin kur mbillet në shtretër, kur toka është shkrifët ose argjilore e rëndë dhe me drenazh jo të mirë, ose ujitje përtokë nëpër lehe të ndara, pra në rende të drejtë mbi një tokë te rrafshët; kjo është një mënyrë e mbjelljes klasike. Është gjithashtu edhe mënyra tjetër e ujitjes lokale, ose bimë për bimë, në rast të mbjelljes në shtretër ose në terren të rrafshët, për prodhuesit që e kanë ruajtur këtë mënyrë të ujitjes, ose edhe ujitje me spërkatës.

Ujitja e parë duhet të bëhet në fillim të muajit tetor, diku prej 20-50 mm në javë. Në rast se ka të reshura, atëherë nuk ka nevojë për ujitje. Duhet ta mbani në mend se, në rast të mungesave të të reshurave, shafrani ujitet deri në muajin mars. Prej muajit prill deri në muajin shtator nuk ka nevojë më për ujitje.

Uji për ujitje duhet të jetë cilësor ( mos të ketë mbeturina dhe produkte kimike), jo i kripur.

5. Luftimi i barojave

Shafrani mund të dëmtohet nga barojat. Duhet të bëhet një mihje-prashitje mes rendeve një muaj pas mbjelljes; në rastet kur ka baroja, është e rekomanduar një mihje prej 10-12 cm në thellësi. Kjo bëhet deri sa zgjat perioda e lulëzimit, duke bërë kujdes që mos të shkelet toka dhe mos të dëmtohen bulbet. Kjo mihje ka efektin e zbutjes së tokës dhe të ajrosjes, sepse shafrani nuk e pëlqen një tokë të ngjeshur.

Në muajin shtator, një muaj para lulëzimit bëjmë një mihje sipërfaqësore mes rreshtave për të thyer korën e tokës, gjithashtu një herrje që e shkrif dhe e ajros tokën, duke hequr të gjitha barojat. Kjo mihje duhet të bëhet sa herë që toka bëhet e ngjeshur (forcohet). Nuk duhet të ecni në rreshtat e mbjellur për të mos e ngjeshur tokën. Mund të shkrifet toka me grabujë ose me një frezë. Nëse është e nevojshme duhet të bëhen rreshta më të gjerë, midis rreshtave të mbjellë që të mund të kalojnë traktorët ose mjetet më të vogla.

6. Sëmundjet dhe dëmtuesit

Periudha e dimrit është kritike për shafranin, sepse në këtë kohë përhapen dhe rriten bulbet që është kusht për prodhimin e viteve të ardhshëm. Prandaj është e domosdoshme mbrojta e gjetheve të shafranit kundër (kërmijve, lepujve, lepujve të egër). Duhet të parashihet një mbrojtje efikase, që varet nga vendi.

Sëmundja më e keqe që mund ta dëmtojë shafranin është le rhizoctone violet (Rhizoctonia violacea). Për të parandaluar këtë, duhet që bulbet e nxjerrë nga toka të lihen në diell. Të zgjidhet një tokë e drenazhuar dhe pa lagështi si dhe të punohet toka e mbjell duke e kthyer përmbys. Sëmundjet e tjera që hasen tek shafrani janë: Rhizoctonia croccorum, Fusarium oxysporum, Phomacrocophyla, Penicillium cyclopiumainsi, Rhizoglyphus.

7. Mbrojtja e bimëve

a. Sëmundjet e kërpudhave dhe sëmundje të tjera

Për të parandaluar sëmundjet që mund ta sulmojnë shafranin, ai duhet të mbillet në toka të lehta, me drenazhim të mirë, pa problem për përmbytje, duke zhdukur sëmundjet e mëparshme për të shmangur problemet që e dëmtojnë. Duhet të praktikohet rrotullimi (përmbysja) i tokës çdo 4-5 vjet, nëse toka është e lirë. Bulbet që nxirren prej tokës, para mbjelljes duhet të lihen në diell për t’u tharë.

Bulbet që mbillen duhet të jenë të shëndoshë dhe pa asnjë sëmundje. Mund t’i mjekojmë bulbet para se t’i mbjellim, në raste se nuk kemi një certifikatë fito-sanitare, për të parë gjendjen e tyre shëndetësore, i fusim në një vend me përmbajte kërpudhë vrasëse, pastaj i vendosim për t’i tharë me ventilim të detyruar, ose me mjete të tjera kërpudhë vrasëse, si: sulfat bakri, brasikol ose produkte të tjera me bazë bakri. Mund të përdorim Vivatex ose Ciseran

b. Brejtësit dhe dëmtuesit tjerë

Shafrani mund të dëmtohet nga këta brejtës: minjtë, minjtë e fushës, lepujt e egër, ketrat, insektet, kërmijtë dhe zogjtë që ushqehen me zhardhokë. Kontrolli mund të bëhet në mënyra të ndryshme duke përfshirë vendosjen e kurtheve, ose duke vendosur ndonjë kurth ku si karrem vendosim ushqim .

Metodat e propozuara për t’i luftuar brejtësit:

– Brejtësit: Luftë mekanike është vendosja e kurtheve, luftë fizike është vendosja e enëve të ndryshme me ujë, ndërsa duhet të shmanget lufta kimike.

– Lepujt e egër dhe ketrat: Lufta mekanike me kurthe ose duke rrethuar parcelat me rrjetë e gjëra të tjera.

– Insektet: Të kontrollohen çdo herë gjendja e bimës, lufta kimike ose biologjike (në rast të kulturës biologjike, nëse rreziku është i madh. Krimbat e bardhë që jetojnë në tokë gjithashtu mund të sulmojnë bulbet. Shenjat vërehen nga ndryshimi i ngjyrës se gjetheve ose zverdhja e gjetheve ku mund të ndodhë edhe kalbja. Duhet të gërmoni dhe të hiqni bimën e sëmur dhe ta digjni.

– Zogjtë: Vjelin bulbet që dalin në sipërfaqe.

– Kërmijtë: Të hiqen me dorë ose në mënyrë biologjike duke lëshuar pulat ose rosat

III. Vjelja

Planifikimi i vjeljes se luleve është një moment i rëndësishëm dhe kritik, sepse periudha e lulëzimit është e përkohshme dhe lulja humb cilësinë nëse qëndron e ekspozuar për një kohë të gjatë. Lulëzimi zgjat diku 2-3 javë në varësi të disa faktorëve, prej muajit tetor deri në fund të muajit nëntor varet nga mjedisi. Vjelja e shafranit bëhet çdo ditë dhe vilet me dorë.

Vjelja bëhet në mëngjes, mundësisht pa lagështi. Lulet ruhen një ose dy ditë, gjë që varet nga koha. I këpusim me dorë të gjitha lulet, i mbajmë të mbyllura dhe i këpusim sa më poshtë tubit duke i vendosur në shportë, me ç’rast duhet bërë kujdes që lulet mos të shtypen nga pesha e shumë luleve të vendosura në një shportë. Vjelja është një punë e lodhshme, për arsye të kushteve jo të mira atmosferike dhe mënyra e ndjeshme e vjeljes.

Efikasiteti i vjeljes është i ndryshueshëm dhe varet nga shumë faktorë, si nga njeriu, nga kushtet e kulturës ose kushtet meteorologjike. Sipas disa vlerësimeve në kushte normale njeriu mund të vjelë midis 6 dhe 16 kg lule në ditë. Prania e luleve nuk është e përshtatshme për vjeljen me dorë, e pastaj identifikimi i lules në mes të gjetheve zvogëlon dukshëm prodhimin-fitimin.

 1. Prodhimi i stigmave

Prodhimi i shafranit rritet nga një vit ne tjetrin për të arritur maksimumin në vitin e katër ose të pestë. Ky prodhim vlerësohet nga numri i luleve për m2, duke e ditur se 1gr shafran i tharë nxirret nga 140-160 lule të freskëta për m2. Një bimë e shafranit në vitin e tretë mund të japë deri në 10 lule. Për 50 bulbe të mbjella në 1 m2, prodhimi është prej 1 -1,5 gr shafran i tharë për m2.

2. Nxjerrja e bulbeve

Nxjerrja bëhet në stinën e verës , para mbjelljes (në maj dhe korrik). Përdoren mjete mekanike ose me shati; është e këshillueshme që para nxjerrjes të bëhet një ujitje për të mos i lënduar bulbet. Në rast të dyshimeve për sëmundje të kërpudhave, është e këshillueshme të bëhet dezinfektimi i mjeteve që përdoren për nxjerrje, me ndihmën e ndonjë zgjidhjeje kundër kërpudhave për të mos e rrezikuar infektimin me këtë sëmundje. Bulbet pastaj ruhen në një vend te freskët, të thatë dhe në temperaturë 3-5 gradë Celsius. Bulbet mund të mjekohen në rast se rreziku i sëmundjes së kërpudhës rritet. Prodhimi i bulbeve mund të rritet përafërsisht 10 herë në një tokë që ka pesë vjet që është mbjellë me shafran.

3. Vjelja e gjetheve

Për prodhuesit e mëdhenj të shafranit, një fitim tjetër i rëndësishëm që del prej shafranit, që thahet në muajin prill ose maj, që vlerësohet si pleh organik i cili përmban materie organike dhe elemente minerale, ose që shërben edhe për ushqim të bagëtive, janë gjethet e shafranit.

IV. Pas Vjeljes

1. Vjelja e luleve

Në fund të vjeljes duhet të bëhet shpejt ndarja e stigmave prej lules. Ky operacion, pra ndarja e stigmave prej lules, është shumë delikat, prandaj duhet të kryhet në një dhomë jo me gjate se 24 orë pas vjeljes. Lulet kontrollohen një nga një me dorë. Tri stigmat që janë të bashkuara i kapim me gishtin e madh dhe me gishtin tregues të njërës dorë, kurse me dorën tjetër i kapim me majë të gishtave ose me pinceta të vogla, duke shmangur humbjen e stigmave ose dëmtimin e rrjetës së verdhë, që është e dëmshme për cilësinë e aromës.

Një person brenda një ore mund të qërojë ose të pastrojë 100 -125 gr.

2. Tharja e shafranit

Tharja është faza kryesore e nxjerrjes së shafranit, sepse vetëm atëherë mund ta ndijim aromën karakteristike të këtij aromatizuesi, që e ruan shafranin nga dehidrimi, nga mykja dhe ia jep aromën karakteristike. Nga faza e tharjes varet cilësia e mirë e këtij aromatizuesi. Ekzistojnë metoda të shumta për tharjen e shafranit, elementet kryesore të të cilit janë: koha, temperatura e tharjes dhe aparatet e përdorura.

Këto metoda ndryshojnë prej rajoneve dhe shteteve prodhuese, prandaj ndryshon edhe cilësia e shafranit. Tharja mund të bëhet në një furrë elektrike në temperaturë prej 35-50 gradë Celsius dhe zgjat 20-30 min. Shafrani humb 4/5 të peshës së tij, kurse lagështia e mbetur duhet të jetë më së shumti 12%, sipas standardeve ndërkombëtare ISO/TS, (ISO/TS, 2003).

Është e nevojshme të bëhet një matje gjatë tharjes. P.sh. fillojmë me 500 gr shafran të freskët, që në fund të tharjes mbetet 100 gr shafran i thatë. Metodat e tjera, si tharja në hije, bëhet duke e vendosur një shtresë të hollë shafran në një pëlhurë të pambuktë dhe të pastër, të cilën e vendosim në një dhomë me ajrosje për 5- 10 ditë, varet nga temperaturat e ajrit, ose në një sitë, ose ndezim një zjarr të madh me dru, por lartësia e vendosjes së sitës nga zjarri duhet të jetë 30-35cm. Tharja vazhdon për 40-45min, ose të vendoset në sitë dhe të futet për 20 – 30 minuta në një furrë elektrike në 60o. Metoda tjetër: mund të vendoset në një sitë 15 cm lart zjarrit ose vendosim një shtresë shumë të hollë të stigmave mbi korniza prej druri në një dhomë të errët me një zjarr deri 20o, pastaj e rrisim temperaturën në 30-35o për 12 orë. Mënyra tjetër është shtrirja e stigmave në shtresa të holla në sitë në formë katrore, ku ruhen 12-24 orë në një dhomë me një temperaturë 25-30o. Sipas shumë kompetenteve, temperatura optimale për tharjen e shafranit sillet prej 35 – 45o, për një kohë tharje prej 5-6 orësh. Sasia e kroksinesë është e madhe, gjë që i jep shafranit cilësinë e lules, butësinë, aromën me një nuancë pak djegëse.

Pas tharjes, shafrani, kur ta prekim duhet të jetë i butë, jo shumë i thatë, jo shumë i dobët dhe ngjyra duhet të jetë e kuqe, jo e gështenjtë. Shafrani është thithës i lagështisë, prandaj për të ruajtur cilësitë e tij pas tharjes, duhet të ruhet në një vend të thatë, larg nga ajri.

Cilësia e shafranit mund të përcaktohet nga pamja e jashtme, me nuhatje dhe duke e shijuar. Ngjyra duhet të jetë e kuqe e mbylltë, e njëjtë me ngjyrën e gjakut të viçit, me aromë të fortë dhe djegëse të lehtë; stigmat e gjata, të gjera dhe të buta, kurse pastërtia dallohet kur nuk ka ngjyrë të verdhë, polen ose mbeturina të petaleve. Analizat e shafranit bëhen në laborator.

Shumë faktorë ndikojnë në cilësinë e shafronit, si mjedisi, teknikat e kultivimit, mënyra e vjeljes, kushtet e përpunimit pas vjeljes siç është tharja dhe ruajtja. Periudha më e përshtatshme për vjelje është kur lulja është e zgjeruar, dhe me përmbajte maksimale të kroksinës dhe pikokroksinës.

3. Ruajtja e shafranit

Ruajtja dhe paketimi i shafranit janë të rëndësishme për ruajtjen e cilësisë së aromës dhe të arrijë te konsumatori në kushte sa më të mirë. Temperatura e ruajtjes së shafranit sillet rreth 5 – 10o dhe lagështia relative mes 30 dhe 50%. Mund ta ruajmë deri në pesë vjet. Lagështia e bimës duhet të jetë 10%, për ndryshim nga lagështia e ambientit, që shkon prej 40 deri në 60%. Temperatura e vendit të ruajtjes është 4o.

Shafrani mund të ruhet në qese plastike, enë polietilen ose në karton, në enë qelqi të errët për të shmangur ekspozimin në dritë dhe në ajër, pra në enë që e pengojnë depërtimin e erërave brenda produktit. Për të kontrolluar kushtet e mjedisit (lagështinë, temperaturën) përdorim termo-hydrometër. Ruajtja e produktit duhet të bëhet në vend të thatë, larg nga drita. Shumë njerëz përdorin dhoma të ftohta.

Lartësia e lagështisë duhet të kontrollohet dhe duhet të jetë sipas normave fikse të vendosura nga secili shtet. Në të vërtetë, nëse lartësia e lagështisë rritet mbi kushtet normale, kjo mund të sjellë rrezikun e rritjes së kërpudhave dhe baktereve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here