6.1 C
Pristina
Saturday, July 31, 2021
Home ART ''Do të më vrasë dashuria, do të më verbojë mirëbesimi, do të...

”Do të më vrasë dashuria, do të më verbojë mirëbesimi, do të më mallkojë poezia!”

POPUJ SHIRASH – Poezi nga MOIKOM ZEQO (1949 – 2020)

Ujëra, ujëra, ujëra,
popuj shirash, fëmijë pikash, të palindur prej avujsh,
amfora hyjnish me baltë të pjekur
nga muskujt e njerëzve,
poçe lypësish bërë nga balta e eshtrave të Cezarit,
shpirtin ma rrëmbejnë ujëvarat
dhe ato vrapojnë e lënë pas
formën time të zbrazur. Demonët e lumenjve klithin,
askush nuk i di rrugëtimet e ujërave të nëntokshme,
kafshët e lotëve dalin nga çarqet e qepallave,
dua të zjej zjarrin brenda një ene uji,
rubineti i çezmës në kuzhinë
pikon si bibilushi i një Erosi.
Do të më vrasë dashuria,
do të më verbojë mirëbesimi,
do të më mallkojë poezia!
Oqeani mbulohet me një epidermë njeriu.
Shoh në ëndërr vetveten,
pra, gjumi është pasqyrë e rëndomtë,
fijet e dëborës
janë eshtrat e të vdekurve
para pesë mijë vjetëve,
përjetësia ka rënë në dashuri me vogëlsitë e mia
të vdekshme. Mendimin e padukshëm si ta bëj
pikturë të mrekullueshme?
Ylberi është ombrella e harruar
e Van Gogut te karrigia e një kafeneje
bohemësh në Paris,
engjëjt me reumatizëm lagen e dridhen në shi,
kudo kërcejnë dhe dalin bretkosat e Voltës
nga mëngët prej prestigjiatori të rrufeve,
bretkoca, që kuakin dhe bredhin në kompjutera,
te mumjet e faraonëve të Egjiptit.
Gjithësinë e kap ngërçi,
nga paraliza erërat janë si statuja të copëtuara.
Ku ta kap peshkun,
që ka në bark
shishen e një mesazhi të një
Krishti fëmijë të mbytur?
Mijëvjeçarë,
martohuni te emri im!
O, Talesi i vjetër i Miletit me pikën e ujit
ftillëzonte gjithçka. Uji qe fara dhe plaçenta e botës.
Vetë njeriu është më tepër ujë,
njeriu dhe peshku s’janë raca të ndryshme.
Te pika e ujit
shihni vetë Talesin mikroskopik
me gjymtyrët lëvizëse prej bakteresh,
këtu janë popullsitë e panumërta,
banorët e ardhshëm të Marsit
alienët e Udhës së Qumështit.
Pika e ujit është porta për të gjithë
e të lindurve dhe e të munguarve.
Shkretëtirat vijnë me kocka, devetë e djersës
i hëngrën palmat, zogjtë u mbyllën
te vezët e thara të oazeve,
ajri pa erëra është si skeleti i hierogliftë,
vdis dhe ti oshënar i kokrrizave lakuriq
zhvishu dhe nga trupi.

E mbush një Aristotel prej amfore
me një De Radë prej uji.
Unë nuk mund të eci pa ndrojtje mes ajrit
pa u plagosur
nga shkrepat e mprehtë dhe qelqthyer të vapës,
te oazi i Sivas gjej trupin e balsamosur
të Aleksandrit Dybrirësh,
nën puplat e engjëllit
është një dinosaur,
që nuk i di fetë,
mitet, tabutë.
O Thalasa, Thalasa, Thalasa,
agime të afreskave të Mikenës dhe të Kretës,
piktografi si fabula,
objekte simbolike
më të plotfuqishme se fjalët, labirinti
si balli i Borgesit,
trupi i demit të shenjtë zeusian me kokën time,
Meduza si Mona Liza e paralindur,
monedha e Epidamnit
me lopën dhe viçin,
vera prej mjalti e taulantëve,
tempulli i Melisës,
që lindi Dyrrahun,
anija lembe e shenjtë e hyut Redon,
jam si rrfana e Mjedës,
që lidh dy ishuj qershish,
te kështjella e Port Palermos gjej
kokën fluturuese të prerë
të Ali Tepelenës me mjekër të gjelbër,
te shkëmbejt e Gramatës mes mijëra mbishkrimesh
skalis tekstin e fshehtë të librit
të pasvdekjes,
ndihmoj dhe fantazmën e Budës së madh
të thandrojë
ca proverba të pavdekshme dhe të pakuptueshme
për njerëzit,
por jo për pulëbardhat,
skeletet e piratëve,
kalin Pegas
dhe Herkulin e fshehur si xhind
te një guackë nëndetare.
Ujëra, ujëra, ujëra,
jam Ujori,
që mbështjell dhe mbështillem nga gjithçka.
Ke etje?
S’ke pikë lënd në gotë?
Burimet janë tharë?
Coca Colat kanë shpërthyer si bomba iluzive?
U avulluan oqeanet?
Ujënajat s’janë më?
Vesh një këmishë të frikshme meteorësh,
Hëna është jo e kaluara, po e ardhmja e Tokës – kalendar
kozmik, fatal, klepsidër rëre, jo uji
më kot njëmijë profetër si Moisiu i çmendur
do ta godasin shkëmbin
për të nxjerrë ujin,
vetë Zotin, Zotin,
gjarpërin e artë që mban në gojë kozmosin
dhe helmin e të jetuarit! /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Dosja/ Musine Kokalari! Gruaja e 88 dosjeve, që i rezistoi 20 viteve burgim

Në arkivin e Shtetit ruhen 88 dosje për gruan e fortë që i rezistoi 20 viteve burgim dhe internimit të dhimbshëm në...

Gjëja më e keqe është të qëndrosh me persona që të bëjnë të ndihesh vetëm!

“Gjithmonë kam menduar se gjëja më e keqe në jetë është vetmia. Nuk është! Gjëja më e keqe është të qëndrosh me...

Sipas një studimi pushimet ndikojnë në mirëqenien tonë

Në fakt, studimet shkencore tregojnë se pushimi nga rutina e përditshme është thelbësor për një shëndet të mirë fizik dhe emocional.

Ja se çfarë përmban dokumenti i firmosur nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Bej Sokoli në Shkodër mbi Reformat e kërkuara nga shqiptarët te...

Nga Aurenc Bebja, Francë – 12 Maj 2020 “L’Univers” ka botuar, të dielën e 23 majit 1880, në faqen n°3, një...

Recent Comments