Nga Col Mehmeti

Teksa e lexon poezinë «Shumë ndriçimit» të Lukë Bogdanit, mos me tu besue që nji hasjan në vitin 1685 shkruente aq bukur, me nji gegnishte të qiruem, e me nji kulturë humaniste si asnji shqiptar mocanik i tij.

Poezia në fjalë ka veç nji vernik të lehtë fetar, se përndryshe metrika, kompozicioni e gjithçka tjetër endet sipas nji frymëzimi të epërm homerik. Luka, kushëri i Pjetër Bogdanit, e ftillon metafizikisht poezinë me nji zanë që fluturon mbi dheshkronjën shqiptare të kohës. I këndon Prizrenit «gjithë nd’armë mbukuruem», Shkodrës «ndë konfi» e Shkupit «qytet perëndish».

Kurgja tjetër mos pastë, kjo poezi ka nji vokacion parakombëtar, nji ndërgjegjje proto-kombëtare në sensin modern. Pyetja që nuk shmanget në raste të tilla âsht kjo: a prodhuen shqiptarët osmanli, për afro 500 vjet nën Perandorinë Osmane, nji korpus letrar e kulturor kushtue Shqipnis? Dikush mundet me e përmend poezinë e Jahja bej Dukagjinit, kur ai evokon nji histori të dyfishtë individuale-kolektive: «Arnavud asli olub-dur aslim» (raca shqiptare âsht raca ime).

Por ky âsht nji përjashtim që e provon rregullin e zymtë se shqiptarët muslimca e kanë hisen ma të vogël në panteonin kulturor shqiptar. E ashtuquajtuna letërsi e bejtexhive, të cilën e çojnë n’qiell turkomanët, nuk shkërben kurgja nga mjedisi shqiptar i kohës. Me shqipen e përçudtë, të ngarkueme spic me orientalizma, poezia e bejtexhive zëron probleme të përgjithshme osmane, por jo edhe prirjet centrifugale të elitave «laike» të Shqipnis’ së shekujve 16-të e 17-të, pronarëve semi-feudal të tokave, tregtarëve, etj, që po antagonizonin me Perandorinë e po e vinin theksin te “Shqipnia”.

Në këtë «cultural desert» të Shqipnis’ osmane ku mungonte shtypshkrimi shqip, kompleksiviteti e vibranca kulturore, njerëz si Lukë Bogdani ngjajnë jo veç të jashtëkohshëm, por edhe armiq të krisun që me dijen e tyne erudite e qesëndisin injorancën tonë prej muslimcash. PYETJA jem vazhdon me qenë e njejtë: cila anë e peshores randon ma shumë: prodhimi poliedrik i mjediseve arbëreshe e jo-myslimane, apo «prodhimi» i bejtushave si Nezim Frakulla, Muhamet Çami e Hasan Zuko Kamberi?

Ma zi se pushtimi osman âsht fakti që universi jonë mendor, për 500 vjet, sillej e pshtillej rreth xhamisë, hoxhës së katunit e çeshmes ku merrej avdes…?? Ky âsht çelësi shpjegimor pse regicidi francez, (mbretvrasja), idetë e revolucionit francez e fryma progresiste nuk e preku kurrë Shqipnin’ osmane!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here