Numri real i komunistëve shqiptarë, të cilët në Kongresin e III të LKM-së u zgjodhën anëtar të Komitetit Qendror ishte vetëm dy e ndoshta katër (sepse për Reis Shaqirin dhe Abdulla Osmanin nuk posedojmë të dhëna se si janë deklaruar), nga 87 sa numëronte ky organ i lartë partiak, e jo gjashtë siç pretendohej asaj kohe nga udhëheqja komuniste maqedonase, për arsye se dy anëtarët tjerë, edhe pse ata si për nga gjaku po ashtu edhe për nga gjuha ishin shqiptarë, ata me vet faktin se ishin deklaruar, njëri si maqedonas e tjetri si jugosllav – nuk mund të konsideroheshin si të tillë

Nga Qerim LITA

Shqiptarët nën ish RFP të Jugosllavisë në përgjithësi, e të RP të Maqedonisë në veçanti, sipas disa gazetarëve hulumtues perëndimor, deri në vitin 1966 konsideroheshin si populli më i diskriminuar të asaj federate. Në mbështetje të këtij konstatimi janë edhe dokumentet e shumta të kohës, të cilat nxjerrin në pah tërë atë politikë diskriminuese, që udhëheqja komuniste jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase asaj kohe e zbatonte ndaj shqiptarëve, në të gjitha fushat. Në ato dokumente shqiptarët etiketoheshin si “element armiqësor shqiptaromëdhenj”, përkatësisht “irredentistë”, “nacionalistë” dhe si të tillë “jo besnik” ndaj shoqërisë komuniste të Jugosllavisë në përgjithësi, e të Maqedonisë në veçanti. Mosbesimi shprehej veçanërisht ndaj inteligjencës shqiptare, përkatësisht mësuesve, për të cilët shërbimi i atëhershëm sekret jugosllav UDB-ë, në një dokument të hartuar gjatë vitit 1955 shkruante:

“…Është e njohur me kohë puna e arsimtarëve nga Shqipëria, pasojat e të cilëve ishin në shumë drejtime. Dihet mirë gjithashtu se shkolla fillore ‘Liria’ në Shkup ishte fidanishte e shovinistëve dhe irredentistëve, ku edhe sot ndihet fryma nacionaliste që e solli grupi i lartpërmendur i arsimtarëve…”.

Si të tillë ata nuk mund të zgjidheshin nëpër organet e larta partiake e shtetërore, në përjashtim të një numri të vogël, të cilët pushteti komunist maqedonas i emërtonte si “shqiptarë lojal”, përkatësisht të “ndershëm”. Nga puna ime hulumtuese-kërkimore shumëvjeçare, mund të thuhet se në vendbanimet shqiptare, posaçërisht në ato rurale, anëtarë dhe udhëheqës të organizatave bazë të Partisë (Lidhjes) së Komunistëve të Maqedonisë, emëroheshin njerëzit e pashkolluar, pa identitet të qartë kombëtar dhe pa as çfarë ndikimi tek shqiptarët. Kësaj duhet shtuar edhe fakti se numri i tyre ishte shumë i vogël, përkatësisht 2.289 anëtarë partie nga gjithsej 49.595 sa numëronte anëtarësia e përgjithshme e LKM-së në RP të Maqedonisë gjatë vitit 1955. Numri edhe më i vogël i komunistëve shqiptarë ishte në organet udhëheqëse partiake. Kështu nga gjithsej 2.045 sekretarë të organizatave bazë të LKM-së, komunistët shqiptarë përfaqësoheshin vetëm me 184, nga 1.124 anëtarë të komiteteve komunale të LKM-së, vetëm 76 prej tyre ishin shqiptarë dhe, nga 184 anëtarë të komiteteve të rretheve shqiptarë pati jo më shumë se 13 anëtarë. Përfaqësimi, apo thënë më mirë mospërfaqësimi i shqiptarëve ishte shumëfish më i vogël, përkatësisht më i lartë në dy organet e larta udhëheqëse partiake siç ishin: Komiteti Ekzekutiv dhe Komitetit Qendror.

  1. A) KOMITETI EKZEKUTIV DHE TRUPAT NDIHMËSE

Në Kongresin e II i cili u mbajt në vitin 1954, u vendos që në të ardhmen Partia Komuniste e Maqedonisë – PKM-ë të quhet “Lidhja Komuniste e Maqedonisë” – LKM-ë, ndërsa organi më i lartë që udhëhiqte me Komitin Qendror (KQ-ë), përkatësisht “Byroja Politike” u emërtua si “Komiteti Ekzekutiv”. Është e rëndësishme të thuhet se KE i KQ LKM-së, faktikisht ishte bërthama kryesore, nga ku silleshin të gjitha vendimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore etj.. Me të udhëhiqte sekretari i KQ të LKM-së, që njëherit ishte edhe funksioni më i lartë partiak. Krahas tij, në të merrnin pjesë edhe disa anëtarë, numri i të cilëve ishte i kufizuar nga dhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë anëtarë. Në kuadër të KE-së, vepronin edhe disa trupa ndihmëse siç ishin: Komisioni i Revizionit, Sekretariati për çështje politiko-organizative, sekretariati organizativ, komisioni për pakicat nacionale, komisioni i ideologjisë marksiste-leniniste, komisioni për çështje kadrovike, komisioni për politikë të jashtme, etj. Detyrat kryesore të këtyre organeve ndihmëse, ishte hartimi i analizave, programeve, elaborateve, informatave, tezave, projekteve etj., të cilat miratoheshin në mbledhjet e KE të KQ LKM-së, apo në KE të KQ LKJ-së. Duhet të potencohet, se shumica e këtyre materialeve, kishin karakter ideologjik ku më së shumti i kushtohej veprimtarisë politike të inteligjencës shqiptare.

Të shohim në vazhdim se, si ishte përbërja nacionale në kreun e KE të KQ LKM-së, nga viti 1954 -1965, përkatësisht nga Kongresi i II e deri në Kongresin e IV të LKM-së:

Në Kongresin e II të LKM-së, mbajtur në vitin 1954 për anëtar të KE të KQ-së u zgjodhën:

Llazar Kolishevski sekretar, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Vidoe Smilevski, Kërste Cërvenkovski, Nikolla Minçev, Lupço Arsov, Vera Aceva, Borko Temellkovski, Kërste Markovski, Nikolla Naumovski dhe Llazar Mojsov. Në Kongresin e III të LKM-së, përkatësisht në mbledhjen e parë konstituive të KQ LKM-së, mbajtur më 23 maj 1959, u zgjodh Komiteti Ekzekutiv i KQ LKM-së i përbërë prej 16 anëtarëve edhe atë: Llazar Kolishevski sekretar, ndërsa anëtarë: Lupço Arsov, Vera Aceva, Dimçe Bellovski, Strahill Gigov, Aleksandar Gërliçkov, Metodija Mitevski, Mito Micajkov, Naum Naumovski, Vidoe Smilevski, Bllagoja Talevski, Borko Temellkovski, Mito Haxhi Vasilev, Risto Xhunov, Tome Buklevski, Kërste Markovski. Në ndër kohë bëhen disa ndryshime, për shkak se dy nga anëtarët e KE-së do të vdesin /N. Naumovski dhe M. Mitevski/, D. Belloski angazhohet në diplomaci, ndërsa Llazar Kolishevski, Strahill Gigov, Vera Aceva, Borko Temellkovski, Risto Xhunov dhe Kërste Markovski, tërhiqen nga funksioni anëtarë të KE-së, për shkak angazhimit të tyre në organet federative në Beograd. Në plenumin e VIII të KQ LKM-së, mbajtur me tre korrik të vitit 1963, anëtar të ri të në KE-së zgjedhen: Boshko Stankovski dhe Pavle Davkov, ndërsa Kërste Cërvenkovski zgjedhet anëtar i KQ-së por njëkohësisht edhe i KE KQ LKM-së. Po në të njëjtin plenum, Llazar Kolishevski, tërhiqet nga posti sekretar i KQ LKM-së dhe anëtar i KE të KQ LKM-së, për shkak se ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Federativ të LSPPJ-së (Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Jugosllavisë) në Beograd, dhe në vend të ty sekretar zgjedhet Kërste Cërvenkovski. Me këto ndryshime që u bënë në atë plenum, përbërja e KE-së ishte si vijon: Kërste Cërvenkovski sekretar, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Vidoe Smilevski, Lupço Arsov, Aleksandar Gërliçkov, Mito Haxhi Vasilev, Bllagoja Talevski, Mito Micajkov, Tome Buklevski, Boshko Stankovski dhe Pavle Davkov. Siç shihet nga të dhënat e më larta, përfaqësimi i shqiptarëve në KE ishte zero, madje kjo dukuri ishte që nga themelimi i KQ të PKM-së, në vitin 1943. Në kongresin e IV të LKM-së, i cili u mbajt më 29-31 mars 1965 në Shkup, për herë të parë zgjedhet një shqiptar, në këtë organ më të lartë të LKM-së. Deri te ky vendim erdhi pasi paraprakisht, Kërste Cërvenkovski dhe Tome Buklevski, në Beograd ishin konsultuar me Aleksandër Rankoviqin, që ky i fundit dakordohet që Reis Shaqiri, të zgjedhet anëtar i KE KQ LKM-së. Këtë e shohim në procesverbalin e mbledhjes së KE KQ LKM-së, mbajtur me 28 mars të vitit 1965, ku ndër tjerave në të thuhet:

“Komiteti Ekzekutiv u informua për mbledhjen e shokëve K. Cërvenkovski dhe T. Buklevski me shokun A. Rankoviq dhe B. Stojniq në Beograd, lidhur me propozim-përbërjen e ardhshme të KE KQ LKM-së dhe disa çështje tjera rreth kongresit të IV të LKM-së, për çka është dhënë pëlqimi i plotë. Sipas marrëveshjes që e arritëm në Beograd, në KE KQ LKM-ë nga përbërja aktuale ngelin: K. Cërvenkovski, L. Arsov, M. Haxhivasilev, T. Buklevski, B. Talevski, M. Micajkov dhe P Davkov. Anëtarë të rij të KE: Angell Çemerski, Bllagoj Popov, Rejis Shaqiri dhe Spase Çerepnallkovski / të gjithë për këtë u dakorduan/”.

Situata thuajse e njëjtë ishte edhe në trupat ndihmëse, ku nga themelimi i KQ PKM (1943), e deri në kongresin e III, mbajtur në vitin 1959, gjithsej në këto organe ndihmëse, ishin përfshi vetëm dy shqiptarë edhe atë: Reis Shaqiri, në vitin 1949, zgjedhet kryetar i Komisionit për pakicat nacionale, me të cilin komision ai udhëhoqi deri në vitin 1954, që më pas shkarkohet, ndërsa në vend të tij zgjedhet Femi Muça, por vetëm si anëtar, sepse kryetar i atij komisioni nga viti 1954 zgjedhet Mito Haxhi Vasilev, një antishqiptar i përbetuar i cili së bashku me Kërste Cërvenkovskin dhe Llazar Kolishevskin gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar i priu procesit të shpërnguljes së popullsisë shqiptare për në Republikën e Turqisë (sa për njoftimin e opinionit shqiptar dhe jo vetëm, për hirë të “veprimtarisë së tij antishqiptare”, sot në Republikën e Maqedonisë çmimi më i lartë republikan për arritjet në publicistikë mban emrin e tij, përkatësisht “Mito Haxhivasilev – Jasmin”, të cilin çmim me apo padije e kanë marrë edhe disa publicistë shqiptarë). Në kongresin e III të LKM-së, i cili u mbajt më 21-23 maj 1959, krahas komisionit të lartpërmendur, shqiptarët përfshihen edhe në një komision tjetër jo shumë të rëndësishëm siç ishte Komisioni i revizionit, ku nga 27 anëtarë sa numëronte gjithsej, tre ishin shqiptarë: Femi Muça, Xhemail Tairi dhe Sado Hame, ndërsa në Komisionin për pakicat nacionale si anëtar rizgjedhet Femi Muça.

B/KOMITETI QENDROR I LKM-SË

Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (KQ LKM), ishte organi më i lartë mes dy kongreseve, nga radhët e të cilit zgjedhej organi drejtues i partisë, përkatësisht Komiteti Ekzekutiv i KQ LKM-së. Deri në kongresin e III të LKM-së, mbajtur në vitin 1959, numëronte gjithsej 51 anëtarë, ndërsa me vendim të kongresit të lartpërmendur numri i tyre shtohet në 87 anëtarë. Nga themelimi i këtij organi (1943), e deri në vitin 1959, shqiptarët përfaqësoheshin vetëm me një anëtar, edhe atë deri në vitin 1948, anëtar i KQ PKM-së ishte Nexhat Agolli, që me largimin e tij, atë e zëvendësoi Reis Shaqiri.

Në kongresin e III të LKM-së, i cili siç u tha mëlartë u mbajt në vitin 1959, numri i shqiptarëve në këtë organ partiak rritet në 4 (5-6) anëtarë. Krahas Reis Shaqirit, i cili do të rizgjedhet, anëtarë të ri në KQ LKM-së, u zgjodhën edhe këto “shqiptarë”: Hamid Thaçi, Osman Miftari, Jashar Alili, Abdulla Osmani dhe Bajram Gola. Mirëpo, dokumentet partiake të kohës japin të dhëna të ndryshme për përfshirjen e shqiptarëve në KQ të LKM-së. Përderisa në një raport të Komisionit kadrovik të KE LKM-së, thuhet se: “përbërja nacionale e KQ është si vijon: “maqedonas 76, shqiptarë 4, turq 4 dhe çifutë 2”, në anën tjetër, po ky komision, duke i raportuar komisionit kadrovik të KQ LKJ-së, veç tjerash shkruante:

“Nga numri i përgjithshëm /86 anëtarë/ të KQ LKM-së, pakicat nacionale (shqiptarët dhe turqit – Q. L.) janë përfshi me 9 anëtarë, përkatësisht 10,46 %, edhe atë: a/ shqiptarë: 1) Bajram Gola; 2) Jashar Ibrahimi (Halili-QL); 3) Osman Miftari; 4) Abdulla Osmani; 5) Hamid Thaçi; 6) Reis Shaqiri; b/ turq: 1) Nazim Feruz; 2) Qemal Sejfulla; 3) Qamuran Tahir”.

Shikuar sipas të dhënave të fundit që i ofronte komisioni i lartpërmendur, del se informata e parë nuk ishte e saktë, sepse në raportin e fundit jepeshin emrat e anëtarëve “shqiptarë”, ku një pjesë e tyre ishin deklaruar si “jugosllav” apo edhe si “maqedonas”. Mirëpo, i tërë ky konfuzion, nuk ishte i rastësishëm, përkundrazi, udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase, kur ishte në pyetje përfshirja e shqiptarëve nëpër organet partiake apo edhe shtetërore, me çdo kusht kërkonte që të inkuadroheshin individ pa identitet të qartë kombëtarë, përkatësisht të ashtuquajtura “kuadro”, të cilët sipas nevojës herë do të përdorën si “kuadro shqiptarë”, herë si “kuadro turq”, madje edhe si “jugosllav” apo edhe “maqedonas”. Këtë mund ta shohim në dokumentin e hartuar në vitin 1959 nga Komisioni Kandidues i Kongresit të III të LKM-së, i cili ofron të dhëna biografike për anëtarët e ri të KQ LKM-së, që me këtë rast po e shpalosim pjesën ku bën fjalë për anëtarët “shqiptarë”, ku në të shprehimisht thuhet:

HAMID THAÇI – I lindur në vitin 1924 në f. Vaksincë – Kumanovë, shqiptar (në origjinal shqiptar), ka mbaruar shkollim të mesëm dhe është student i çrregullt në Fakultetin Juridik, anëtar i LKJ-së nga viti 1943. Tash është sekretar organizativ i Komitetit të Rrethit të LKM-së në Kumanovë. Funksionet: këshilltar komunal dhe i rrethit, anëtar i Këshillit Drejtues të Ujësjellësit, anëtar i Këshillit të Rrethit të LSPPM-së, kryetar i Këshillit të Rrethit për shëndetësinë popullore, anëtar i Komisionit për dekorim.

JASHAR ALILI – I lindur në vitin 1919, në Dibër, shqiptar (në origjinal shiptar), ka kryer maturën e ulët, anëtar i LKJ-së është nga janari i vitit 1943. Tash është sekretar i Komitetit Komunal të LKM-së në Dibër. Funksionet: anëtar i Komisionit për revizion pranë KQ LKM-së, anëtar i Komitetit të Rrethit të LKM- Dibër, deputet popullor federativ dhe këshilltar komunal dhe i rrethit, anëtar i Këshillit Kryesor të Rrethit dhe Komunës së LSPPM-së, anëtar i Këshillit Komunal të Lidhjes së Luftëtarëve, kryetar i shoqatës “Partizani”.

OSMAN MIFTARI – I lindur në vitin 1915, në f. Vidushë – Mavrovë, maqedonas, ka kryer fakultetin juridik. Simpatizues i LNÇ-së është nga viti 1943, ndërsa nga viti 1944 është internuar. Nga maji i vitit 1946 është anëtar i LKJ-së. Më parë ka qenë në Prokurën pranë Këshillit të Qarkut, gjykatës i Gjyqit Suprem, gjykatës dhe kryetar i Gjyqit të Qarkut të Gostivarit, anëtar i KK LKM- Gostivar. Tash është kryetar i Këshillit Popullor Komunal në Gostivar, anëtar i Sekretariatit të Komitetit të Rrethit të LKM – Tetovë, anëtar i Sekretariatit të KK – Gostivar, deputet popullor federativ, këshilltar komunal dhe i rrethit, anëtar i Këshillit Kryesor të Rrethit dhe të Komunës së LSPPM-së.

BAJRAM GOLA – i lindur në vitin 1926 në f. Sellcë – Tetovë, jugosllav, ka kryer fakultetin filozofik dhe shkollën e mesme partiake. Në LNÇ ka marrë pjesë nga muaji gusht të vitit 1942, anëtar i LKJ-së është nga muaji prill i vitit 1945. Më herët ka qenë oficer në APJ-ë, sekretar i Këshillit Popullor të Rrethit të Tetovës, nënkryetar i Këshillit Popullor Komunal, nënkryetar i Këshillit Popullor të Rrethit, sekretar i OB të LKJ-së, anëtar i Komitetit të Batalionit, anëtar i Byrosë dhe anëtar i Sekretariatit të Komitetit të Rrethit të LKM-së Tetovë. Tash është anëtar i Sekretariatit të Komitetit të Rrethit të LKM-së, kryetar i Këshillit për bujqësi dhe pylltari të Këshillit Popullor të Rrethit, anëtar i Kryesisë së Këshillit të Rrethit të Lidhjes së Luftëtarëve, si dhe kryetar i Këshillit të Rrethit të LSPPM – Tetovë.

Nga kjo del se numri real i komunistëve shqiptarë, të cilët në Kongresin e III të LKM-së u zgjodhën anëtar të Komitetit Qendror ishte vetëm dy e ndoshta katër (sepse për Reis Shaqirin dhe Abdulla Osmanin nuk posedojmë të dhëna se si janë deklaruar), nga 87 sa numëronte ky organ i lartë partiak, e jo gjashtë siç pretendohej asaj kohe nga udhëheqja komuniste maqedonase, për arsye se dy anëtarët tjerë, edhe pse ata si për nga gjaku po ashtu edhe për nga gjuha ishin shqiptarë, ata me vet faktin se ishin deklaruar, njëri si maqedonas e tjetri si jugosllav – nuk mund të konsideroheshin si të tillë. Një politikë e tillë zgjati dere në vitin 1966, kur pas rënies nga skena politike jugosllave të ultranacionalistit serb Aleksandër Rankoviq dhe klikës së tij, numri i shqiptarëve nëpër organet udhëheqëse partiake, edhe pse jo në mënyrën e mjaftueshme, megjithatë do të përmirësohet dukshëm. (koha.mk)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here