nga Akademik Vasil S. TOLE

Krijimi i së parës orkestër simfonike në Shqipëri si model Perëndimor, 6 prill 1924

(Deri mё sot, si kohё e krijimit tё sё parёs orkestёr simfonike nё Shqipёri mbahet viti 1950, kohё kur u krijua me vendim shtetёror Filarmonia Shqiptare e cila kishte nё pёrbёrje tё saj edhe orkestrёn simfonike. Pёrmes kёtij shkrimi, synojmё tё provojmё se koha e krijimit tё orkestrёs sё parё simfonike nё Shqipёri ёshtё akoma mё pёrpara dhe si rezultat i nismave tё individёve dhe shoqёrisё sё njerёzve tё lirё.)

Themelimi në Shqipëri i së parës orkestër simfonike ishte një nga qëllimet kryesore të dirigjentit dhe kompozitorit Thoma Nasi (1892-1964) në rrugën e orientimit perëndimor të shoqërisë shqiptare përmes muzikës, të cilin ai e bëri pjesë të veprimtarisë së shoqërisë së “Arteve të Bukura”, tё themeluar në Korçë nё dhjetor tё vitit 1920. Siç dihet, Thoma Nassi dhe trupa muzikore e Bandёs Kombёtare VATRA erdhёn nga Amerika nё Shqipёri nё prill tё vitit 1920, pёr tё mbёshtetur sipas mёnyrёs sё tyre zhvillimin e artit dhe muzikёs nё Shqipёri.

Foto: Banda kombёtare VATRA nё Shqipёri nё fillim tё viteve 1920. Nё qendёr Thoma Nassi. Botohet pёr herё tё parё.

Në këndvështrimin personal i ishte dashur të përshkruante një rrugë të gjatë për të formuar veten si muziktar, që të ishte i aftë të ideonte dhe të drejtonte një orkestër simfonike. E kishte filluar muzikën qysh fëmijë për t’u bërë violinist në Shqipëri e Greqi, vijoi me shkollimin për flaut në Konservatorin e Bostonit dhe në përfundim të studimeve si flautist u ushtrua pranë orkestrës simfonike të Bostonit, pas saj filloi aktivitetin si dirigjent bandash muzikore pranë formacioneve të ushtrisë amerikane gjatë shërbimit ushtarak, e vijoi këtë veprimtari me aftësimin si kompozitor, më pas duke drejtuar ansamblin e mandolinatës Dodona-1915 dhe bandën “Vatra”, për të mbërritur deri te propozimi që një orkestër simfonike të themelohej në Shqipërinë e fillimit të viteve 1920.

Para nismës së Nasit për të themeluar të parën orkestër simfonike në Shqipëri, duket se e vetmja traditë pararendëse, nëse mund ta quajmë të tillë, lidhet me qytetin e Shkodrës e me formacionet e ushtrisë austriake që ishin të dislokuara aty. Bëhet fjalë për vitin e largët 1913, i konsideruar si një “vit i mbrapshtë”[1], kjo për shkak të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, vendime[2] të cilat bënë padrejtësi të mëdha në dëm të kombit shqiptar, duke i shkëputur Shqipërisë më shumë se gjysmën e territorit të banuar nga shqiptarët. Deri në këtë vit, me përjashtim të muzikës së interpretuar nga formacionet e muzikës popullore qytetare ose nga bandat muzikore, veshi i shqiptarit të zakonshëm nuk kishte mundur të shijonte tingujt e kultivuar, harmoninë sublime, si dhe kryeveprat muzikore të interpretuara nga orkestrat simfonike, aq më pak të njihte në masë të gjerë kompozitorët, krijuesit e kësaj muzike.

Krijimi i orkestrave simfonike nuk ka qenë i lehtë për Austrinë e Vjenën perandorake, e jo më për Shqipërinë e 500 viteve nën pushtimin otoman. Deri në vitin 1842, vit në të cilin themelohet Vienna Philharmonic (që ne e njohim si Orkestra Filarmonike e Vjenës), monopoli i orkestrave simfonike u përkiste teatrove të operave, pranë të cilëve orkestrat ishin atashuar në përbërje të tyre. Në fillim të shekullit XIX, vetë fjala “filarmoni” ishte një fjalë e re në përdorimin e përditshëm. Etimologjia e saj lidhet me greqishten e vjetër (philos – shok, mik dhe harmonia – harmoni), në kuptimin e njerëzve dhe bashkësisë që e do harmoninë. Prandaj shoqëritë filarmonike që u krijuan e huazuan këtë emër kuptimplotë dhe përmes orkestrave simfonike, simbolit të ekzistencës së tyre e përhapën këtë fjalë paqeje në mbarë botën. Kujtojmë se fjalët filarmoni dhe simfoni janë gati-gati sinonime të njëra-tjetrës. Në anglisht si term u përdor për herë të parë në vitin 1813, pikërisht kur në Londër u krijua Shoqata Filarmonike Mbretërore  The Royal Philharmonic Society. Ndërkohë, fjala filarmoni ruan të njëjtin kuptim edhe kur përdoret në gjuhë të tjera si në italisht (filarmonico), në frëngjisht (philarmonique) në gjermanisht (philharmonie) etj.

Deri sa të mbërrijmë në vitin e artë 1842, kohë kur orkestrat simfonike dolën si struktura të mëvetësishme në Europë e më gjerë, kompozitorët që krijonin muzikë instrumentale e simfonike “hiqnin picirin”, siç thotë populli, për të organizuar koncertet me veprat e tyre. Bëhet fjalë për mjeshtër të kalibrit botëror si Mozarti, Hajdeni, Bethoveni etj. Historia e muzikës na dëshmon se ndër të parët ishte kompozitori gjenial dhe pianisti i jashtëzakonshëm Wolfgang Amadeus Mozart i cili në vitin 1785 angazhoi orkestrën simfonike të Teatrit Mbretëror Vjenez për të interpretuar ciklin me 6 koncerte të tij; më 2 prill të vitit 1800 të njëjtën gjë u detyrua të bënte Ludwig van Beethoven për interpretimin e premierës së simfonisë së tij të parë; kurse më 24 maj të vitit 1824, u nevojit bashkimi i dy orkestrave, i asaj të “Shoqërisë së Miqve të Muzikës” – Gesellschaft der Musikfreunde dhe i orkestrës simfonike të Teatrit Mbretëror Vjenez për të realizuar premierën e Simfonisë së 9-të të Bethovenit etj. Kjo praktikë solli nevojën që më pas, orkestrat simfonike të organizoheshin si struktura të mëvetësishme pranë shoqërive filarmonike që i përmendëm më sipër.

Kthehemi në Shkodër.

***

Prej tetorit të vitit 1912, Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malazeze dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 29 nëntor 1912 e gjeti kalanë dhe qytetin nën bombardimet e topave. Gjendja e qytetit dhe e rrethinave për shkak të luftës[3] ishte katastrofike. Në përshkrimin e dhënë nga Edith Durhami[4] thuhet se pranë Shkodrës kishte vizituar 1022 shtëpi të djegura dhe kishte parë e takuar gra e fëmijë që po vdisnin urie. Përfundimi i luftës në muajin prill 1913 me dorëzimin e Esat Pashë Toptanit te malazezët, e më pas edhe me tërheqjen e trupave malazeze, bëri që qyteti të administrohej prej fuqive të mëdha, ndër to trupat austriake, angleze, franceze dhe italiane. 1913 ishte viti kur shkodrani Lec Palok Kurti[5] (1884-1948), kompozitori i parë shqiptar i shkolluar në Itali kompozonte “Marshin Wied”, kushtuar Princ Vidit dhe këngën himn “Porsi fleta e engjëllit të Zotit” me poezi të At Gjergj Fishtës.

Pjesë organike e trupave ushtarake të huaja të dislokuara në Shqipëri, e në këtë rast në Shkodër, ishin edhe formacionet muzikore, kryesisht të llojit të bandave muzikore frymore, siç i kemi dëshmuar edhe në kapitullin e parë të librit. Në një tjetër foto të panjohur të Marubit, foto e muajve maj-qershor 1913, bërë në lulishten qendrore të Shkodrës e njohur ndryshe edhe si “Milet bahçe”, kemi provën e vetme të ekzistencës së një orkestre simfonike austriake[6], e cila shoqëronte vënien në skenë të shfaqjeve teatrore për ushtarakët dhe për publikun e qytetit të Shkodrës. Në ato vite ishte normale në Europë e më gjerë që si filmat, ashtu edhe shfaqjet teatrore të shoqëroheshin me muzikë të luajtur nga ansamble muzikore ose nga pllakat e gramafonit.

Foto: Flamujt e Fuqive të Mëdha në kalanë e Shkodrës, maj 1913

Foto: Trupa e teatrit dhe orkestra simfonike e trupave ushtarake austriake, Shkodër, 1913

Në foto dallohen qartë aktorët në skenë dhe poshtë tyre tri formacionet kryesore përbërëse të një orkestre simfonike: sektori i harqeve, sektori i të drunjtave dhe ai i tunxhit. Me gjithë përbërjen e reduktuar që ka kjo orkestër (24 vetë gjithsej me gjithë dirigjentin), ajo mund të konsiderohet “orkestër simfonike e vogël” ose “orkestër e natyrës simfonike”, që gjithsesi nënkupton një numër të reduktuar të pjesëtarëve në përbërje të saj. Nisur nga fotoja, në lidhje me repertorin e saj mund të hamendësojmë e të themi vetëm kaq, se ajo interpretonte muzikë në funksion të lojës së aktorëve dhe të shfaqjeve me natyrë argëtuese. Na vjen mirë të themi që në këtë foto dallojmë edhe një muziktar shkodran, siç është rasti i instrumentistit në kontrabas i cili më vonë konstatohet e shihet në përbërje të shoqërisë muzikore “Rozafat” po në Shkodër. Deri më tani nuk kemi të dhëna të tjera për aktivitetin e këtij formacioni ushtarak gjatë kohës së qëndrimit në Shkodër, që gjithsesi na detyron ta dokumentojmë atë si një fakt historik, e para në radhën e përpjekjeve të bëra, që një ditë, orkestrat simfonike të bëheshin realitet i prekshëm edhe në Shqipëri.

Orkestra simfonike e trupave ushtarake austriake, Shkodër, 1913

Viti 1913 ishte një “vit i mbrapshtë” edhe për muzikën austriake e për atë ruse. Bëhet fjalë për ato që njihen si “skandalkonzert”-“scandal concert” ose “koncert skandaloz”. Në vitin 1913, kur një orkestër amatore e modeste austriake interpretonte muzikë në Shkodër, orkestra më e mirë simfonike austriake Konzertverein Orchestra, më 31 mars 1913, në Vjenë, në koncertin e titulluar “Portreti i kompozitorit”, e drejtuar nga Arnold Shënbergu (1874-1951) kompozitori dhe drejtuesi shpirtëror i “Shkollës së Dytë Vjeneze” në muzikë, “dështoi” të përcjellë për publikun muzikën[7] e re të frymëzuar nga “sistemi i kompozimit 12-tonësh”. Dy muaj më pas, më 29 maj 1913, të njëjtin fat pati premiera e baletit “The rite of spring” e Igor Stravinskit (1882-1971) në Paris, i dyti “koncert skandal”. Vite më pas, u provua se “skandali” në vetvete ishte te pritja e publikut dhe jo te veprat muzikore që u interpretuan atë vit, të cilat ishin vepra që ndryshuan rrjedhat e historisë së muzikës botërore për të cilat nuk po zgjatemi më këtu.

Programi i “skandal koncertit”, 31 mars 1913 në Vjenë

***

Përsëri në Korçën e Nasit të vitit 1924…

I formuar profesionalisht dhe me vizion, të qartë, Nasi tashmë 32-vjeçar i parapriu ngritjes së orkestrës simfonike me disa veprime energjike, ndër to ajo e konceptimit të saj. Këtë vizion ai e përshfaqi në formën e një artikulli me titull “Përmi organizimin e një orkestre simfonike”[8], të cilin e botoi në dy numra të gazetës Shqiptari i Amerikës, në vitin 1923. Ai mund ta botonte në cilëndo gazetë qëndrimin e tij, por qëllimisht zgjodhi gazetën Shqiptari i Amerikës, e krijuar në Korçë nga federata shqiptare e Amerikës “Vatra”.

Artikulli i Nasit erdhi si përgjigje e një artikulli pararendës të shkruar nga Sotir Papahristo[9] (1887-1979), në atë kohë drejtor i arsimit në Korçë, i cili e kishte botuar atë në gazetën Zër’i Popullit. Artikulli i Papahristos hapte çështjen e organizimit të një orkestre simfonike dhe të mungesës së saj, gjë e cila ndihej si nga populli, intelektualët dhe artdashësit. Duket se qëndrimi i Nasit ishte i dakordësuar më parë me atë të z. Papahristo, pasi në hyrje të artikullit të tij, Thoma Nasi e çmon Papahriston si një njeri “që qëndron në vijën e parë të muzikëdashësvet të qytetit tonë” dhe për më tepër shprehte gëzimin që kjo çështje u hap për diskutim, gjë e cila i takonte jo vetëm lulëzimit artistik të Korçës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Artikulli “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” hodhi realisht hapin e parë publik drejt qëllimit final, ngritjes së të parës orkestër simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here