Kjo shëtitje historike-arkeologjike vite më parë u realizua me ndihmën e kolegëve të mi, MA. sc Ermal Gashi, Prof. Afrim Azemi, dhe studenti Xheladin Azemi. Në ato ditë, mbikëqyrja jonë e qytetit dhe fortifikimit, Belas – Belasica, nxori në dritë vetëm një donzhon (kullë të madhe), dhe shumë rrënoja që nuk flasin, por lehtë mund të shihen edhe strukturat e ish-ndërtesave. Donzhoni, i cili qëndron i lodhur, shoqërohet nga disa shtëpi të braktisura të ndërtuara me gurë të fortifikimit të Belasicës. Aktualisht, Belasica (35 km në veriperëndim të Podujevës) konsiderohet një lagje e fshatit Murgull.
Gjurmët e rrënojave dhe strukturave të mbetura të qytetit dhe fortifikimit çojnë në një vertikale të thellë historike, të paktën në shekullin VI, kur u ndërtua nga Justiniani I (527-565), perandor bizantin me gjak dhe origjinë dardane, siç raportoi Procopius, një historian i madh i kohës. Sipas tij, dihet që, gjatë dyndjeve dhe pushtimeve avare dhe sllave, në provincën e Llapit, u ndërtuan dhe rindërtuan disa qytete të fortifikuara, por shumë pak të njohura nga shkenca jonë. Nga pikëpamja onomastike mund të dyshohet se Belas (Belasica e sotme) dhe Laberion janë dy prej tyre, të cilat janë ndërtuar në atë kohë. Ndërsa, Besiana dhe Labutza u rindërtuan në të njëjtën kohë, gjë që gjithashtu mund të dyshohet se i përkasin zonës së Llapit të sotëm. Sipas hartave të kohës, mund të vërehet se në epokën në fjalë funksiononte edhe stacioni Vindenae (Glamnik), një qytet i njohur i periudhës antike në rajonin e Llapit. Këto të dhëna të mësipërme konsiderohen gjithashtu si lajmet e para, të cilat kishin të bënin me rrënojat e sotme të Belasicës, të cilat gjatë viteve 1423-1448, në burimet e Raguzës njihen si Bilassiza, Bilassiça, Bielasiza, Bilassica, Bilasiza, Ballasiza, Bilaziza.
Një tipar karakteristik i zonës ku ndodhen rrënojat e Belasicës sot, ishte ekzistenca e një rrjeti të pasur rrugësh antike, të cilat lidheshin shumë lehtë me rrugët kryesore ballkanike. Kjo pasuri kishte mundësuar që rajoni në fjalë të pushtohej shpesh edhe gjatë periudhës mesjetare, megjithëse kjo periudhë historike karakterizohej nga mungesa e burimeve historike. Duhet të theksohet se disa nga rrugët ishin të lidhura mirë me qytetet minerare të provincës së Llapit, Shalës së Bajgorës dhe Kopaonikut.
Studimet tona deri më tani kanë identifikuar të paktën rreth 1200 gropa minierash me shtresa në zonën e Belasicës, shumica e të cilave mund të shihen edhe sot.
Informacione më interesante, por edhe më sasiore për Belasicën mund të gjenden në regjistrat e pasurive të Republikës së Raguzës, dhe pikërisht në ato regjistra ku bëhet fjalë për emërimin e konsujve të Raguzës në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjet e tyre të pronës në këtë qytet. Në periudhën 1423-1448, Qeveria Raguzane kishte caktuar 11 konsuj të cilët shoqëroheshin nga 22 gjykatës nga radhët e ragzanëve, të cilët jetonin në Belasicë ose vendet përreth. Konsujt dhe gjykatësit zakonisht zgjidheshin nga bujaria ose nga qytetarë të shquar të Raguzës. Nga gjithsej 11 konsuj, gjashtë herë u emëruan nga radhët e bujarisë, anëtarë të familjes arbërore Krosi dhe katër herë nga familja arbërore, Gjurkaj, të cilin e takojmë edhe në qytetin e Trepçës. Nga 20 gjykatës të zgjedhur, shumica e tyre ishin qytetarë të shquar të Belasicës, ndërsa pjesa tjetër ishin qytetarë të Raguzës të vendosur këtu dhe në vende të tjera, të tilla si Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës. Përveç jetës konsullore-diplomatike, vëllezërit Krosi dhe Gjurkaj tregtonin edhe me argjend glam (argenti cum auro) dhe argjend të bardhë (argenti albi), llojet e argjendit me të cilat mbizotëronin Belasica dhe rrethet saj.
Qyteti antik i Belasicës, ndryshe nga disa qytete të tjerë, të cilët vuajtën rëndë nga sulmet osmane (1455), ai zotëronte një pozicion të mirë gjeo-strategjik të vazhduar jetën edhe në dy shekujt e parë të sundimit osman. E hasim, edhe më tej në shënimet e Sanxhakut të Vuçiternës dhe Sanxhakut të Prizrenit. Në këtë kontekst, minierat e qytetit në fjalë u shfrytëzuan maksimalisht, aq sa sipas një njoftimi nga koha e mbretërimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (1530/31), nga prodhimi i minierave të qytetit, lartësia e të ardhurave arriti deri në 73,000 akçe, pasuri kjo për t’u patur zili për kohën.
Nga shëtitja jonë historike-arkeologjike kemi konstatuar se, një nga qytetet më të famshëm të Kosovës mesjetare, aktualisht është në një gjendje të mjerueshme dhe nevojitet një ndërhyrje urgjente e karakterit kërkimor dhe konservues. Atje, sot kemi parë vetëm një donzhon (kullë të madhe) dhe shumë gjurmë në një sipërfaqe prej 250-300 m, gjurmë këto nga rrënojat e objekteve të ndryshme. Si i tillë, ish-qyteti sot ruan vetëm vlera të mëdha historike-arkeologjike.
Donzhoni shihet gjithashtu nga një distancë, dhe ka një lartësi prej 7-8 m, dhe për sa i përket planimetrisë vizuale, mund të identifikohet kati i parë, dhe dy kate të tjera. Kulla është shembur vertikalisht më shumë se tre të katërtat. Është e ndërtuar me gurë sipërfaqe të lidhur me llaç. Qoshet e kullës kanë formë estetike. Trashësia e tyre lëkundet nga poshtë lart nga 1. 55. në rreth 1 m. Nga përshtypja jonë, e cila del si rezultat i mbikëqyrjes, hyrja në donzhon, për arsye sigurie, duhet të kishte qenë në katin e dytë, pasi në katin përdhes, përveç dëmtimeve të mëdha, hyrja nuk shihet fare. Gjithashtu, në kullë mund të vërehen gjurmë vrimash, të cilat kanë mbetur si rezultat i prishjes së trarëve të etazheve të ndërtesës.

Marrë nga Jahja Drancolli, profili në Facebook. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here