Bekim Fehmiu, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, në vitin 2001 ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Vreme”. Aty ai ka biseduar edhe për besën, virtyt ky që dallon te shqiptarët.

“Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…”, ka thënë ai.

Gjurmët e Bekim Fehmiut në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare janë të mëdha. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në anën tjetër revista njëjavorshe “Vreme” u publikua për herë të parë më 29 tetor në vitin 1990. Shumica e stafit në gazetën me qendër në Beograd, ishin gazetarë nga Politika dhe NIN. Ajo karakterizohet si “një revistë pa gënjeshtra, urrejtje ose paragjykim” dhe ka kundërshtuar mobilizimin nacionalist për luftërat jugosllave. / KultPlus.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here