Studimi i publikuar së fundmi nga historiani Auron Tare për dy shkrimtarët e shquar shqiptarë, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, ka nxitur një debat të madh mes studiuesve të letërsisë shqipe e jo vetëm. Në një studim prej 37 faqesh, Tare ngre pretendimet se dy figurat më të njohura të kulturës së vendit kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja të inteligjencës dhe për këtë shërbim janë financuar nga organizatat e huaja antishqiptare.

Në studimin me titull “Dritëhije në histori (Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, të pazbuluar)”, Tare mbështetet në disa dokumente të bëra publike nga CIA për të demonstruar përfshirjen e dy shkrimtarëve në agjenturat e huaja. Pas këtij publikimi reagimet e studiueseve të letërsisë shqipe kanë qenë të shumta, madje disa të mbushura me nota revolte, që e cilësojnë këtë studim (në fakt studim jo i mirëfilltë sipas tyre) si një mënyrë për të zhvlerësuar kontributin e vërtetë të dy shkrimtarëve.

Studiuesit Agron Tufa, Ardian Ndreca dhe Lisandri Kola e quajnë këtë studim thjesht si një punë hulumtuese që nuk ngrihet mbi fakte të vërteta, shkresa autentike, por vetëm mbi disa supozime tendencioze. Sipas tyre Auron Tare nuk është i duhuri për të publikuar të tilla punime, duke qenë se që në krye të herës ai shprehet se nuk është kompetent në fushën e letërsisë dhe nxjerr detaje që në fund të fundit nuk shërbejnë sot, që dy shkrimtarët nuk janë gjallë dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë në këtë kohë është të vlerësojmë kontributin e tyre në kulturën shqiptare.

Agron Tufa shprehet se nuk mund të quhen kurrsesi Camaj dhe Koliqi tradhtarë të atdheut, për sa kohë Tare ka koncept tjetër për dashurinë ndaj atdheut në periudhën e komunizmit.

Reagimi i Agron Tufës (marrë me shkurtime)

Labirinti kontekstual dhe akontekstual i dokumentave mbi nje antikomunist si Camaj, i shtrënguar të ndjekë rrugën e mbijetesës, pa i mbetur vetja peng, nuk të çon aspak në klishenë derdimene “tradheti ndaj atdheut”, siç sugjerohet nga montazhi dedektiv i Tares. Unë besoj këtë tjetrën, që Camaj, e shumta, mund të ketë krijuar alibi fiktive, kinse pranoi “Ura bashkëpunimi” sa ishte në Jugosllavi, pastaj këto “Ura” fiktive i hodhi ne erë, bashkë me gruan e tij serbe. Por nuk mendoj se ka qenë e nevojshme as kjo. Sepse dedektivi i Tares nuk thotë asgjë, nuk jep asnjë fakt, asnjë shkresë, përpos ca hamendësimeve e supozimeve. Deri tani nuk kemi ndonjë rast flagrant të ndonje vepre konkrete me pasoja negative të Camajt. Pra, asgjë. Këtë asgjë, Tare e interpreton nga informacione të Sigurimit të CIAS në internet, krejt sipas qejfit dhe oreksit, duke na sugjeruar se aty pra, duhet të fshihet “bashkëpunimi me UDB”. Po ku pra, ku? Ke dokument o qirje studiues? Jo!?

Interesante është, se kjo kategori studiuesish si Tare, kurrë, po kurrë ama, nuk u morën njëherë me demontimin e miteve të rreme për personalitete ende të gjalla të kulturës e politikës në dy epokat: komuniste e postkomuniste, të cilat i kanë sjellë dëme e krime të përbindshme, të hapura dhe ende të fshehta shoqërisë dhe atdheut. Tares nuk i duken të rëndësishme dokumentat mbi “Cingaren” dhe dëmin e pandreqshëm të demokracisë së shndërruar në një stan qensh. Apo nuk duhen prekur “tanët”?

(…)

Sa për Camajn, jashtë yllit të tij letrar e gjuhësor, mbetet triumfi i inteligjencës së tij, që i tregoi gishtin e Mesit Sigurimit të shtetit. Ai natyrisht ishte kundër pushtetit satanik të Enver Hoxhës dhe rrëzimi i tij, ka qenë gjëja më e mirë, më e domosdoshme, që fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse kishte njerëz të zellshëm që e mbronin diktaturën atëherë dhe që kanë nostalgji e përpiqen ta ringjallin sot.

Epo atëherë gërmo Tare, gërmo!

(…)

Nga ana tjetër çdokush që ka qenë dikushi gjatë diktaturës, po ta shohë sot dosjen e vet, do të gjejë qindra gjurmë në ish Sigurim (kallzime, raporte, vërejtje, udhëzime, vijë sjelljeje, etj,etj), po kjo nuk do te thotë aspak, se meqë survejoheshe ke qenë në shërbim të Sigurimit, UDB, CIA etj!

Pra me Camajn, me survejimin e tij nga Sigurimi shqiptar dhe UDB në Shqipëri dhe Jugosllavi, dhe më vonë në Romë e Mynih, nuk do të thotë asesi se ai u “rekrutua” prej tyre, që “shërbeu”, ashtu siç na e sugjeron përvëlimthi e me rixha Auroni. Në këtë drejtim ai ende nuk na ka thënë asnjë gjëzë, prandaj them, se në këtë drejtim, Tarja duhet të vazhdojë të gërmojë…

A ka qenë Bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit Martin Camaj?

Sqarimi më i thjeshtë është ky:

Kategoria e “bashkëpunëtorëve me material shtrëngues” të quajtur “bashkëpunëtorë tradhtarë”, me zero raporte, NUK janë e nuk quhen bashkëpunëtorë!

Po shqiptarët gënjehen kollaj për punë agjenturash, sepse asnjëherë nuk shohin se çfarë “spiunoi” Martini. P.sh: pse e quante “tradhëtar” Sigurimi, kur Camaj i paska “shërbyer”!?

Reagimi i Ardan Ndrecës (marrë me shkurtime)

Nga ana tjetër studiuesi Ardian Ndreca e krahason Taren me figurën e Shvjekut dhe vijon më tej duke e cilësuar studimin e Tares si një gërmim virtual në arkiva e që përpiqet t’i shesë si fakte të vërteta. Ndreca hedh poshtë kredencialet e Tares duke thënë se, nuk ka arritur të shmangë as pasaktësi historike si për shembull faktin e pretenduar prej tij se Koliqi ka qenë Ambasador në Vatikan në vitin ’43, duke e quajtur ‘megalloman nostalgjik’.

Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi. (…) Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!

(…)

Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!

Reagimi i Lisandër Kolës (marrë me shkurtime)

Gjithashtu studiuesi e poeti Lisandri Kola ka reaguar në lidhje me këtë studim duke e cilësuar si tendencioz që në titull dhe sipas tij dokumentet e nxjerra Tare i ka kontekstualizuar vetëm në një kah interpretimi për të provokuar. Ai shprehet se Tare e mbështet studimin e tij mbi gjykime krahinore dhe fetare, sepse historiani është ndalur pikërisht tek këta dy autorë, sepse ata janë veriorë, katolikë dhe antikomunistë.

Ju keni nxjerrë dokumente, dhe i keni kontekstualizue në nji kahe interpretimi që në dukje përban nji provokacion, që lidhet kryekëput me emnin e dy figurave të randësishme si Camaj e Koliqi, po nuk jua asht ndalë ‘penda’ pa cekë edhe Oroshin, Gjeçajn e Sheldinë, e madje ju vjen habi se pse kanë ndêjtë bashkë. Për tri arsye të thjeshta, zotnia juej. Nji se janë veriorë, dy se janë katolikë dhe e treta antikomunistë. E jo për arsye ‘rekrutimi’ si mëtoni ju me e ua paraqitë lexuesve. Se cilat janë qëllimet ‘e ndershme’ tueja me mprehë lapsin ndaj trinisë së masipërme, këtë ka me e vërtetue koha. Nuk asht e para herë që asht përfolë për Camajn dhe ‘agjenturën’ e tij. Në mënyrë periodike del kjo. Se sa ka qenë Camaj bashkëpunëtor i Sigurimit e tregon arratisja e tij. Nënshkrimi i nji copë letre, nuk tregon gjithçka. Po, do të ishte ma e hijshme, ma burrnore (nëse e keni këtë fjalë në kodin tuej civil) që me e përpunue ma ndryshe artikulimin ndaj nji letre dhe finalitetit të saj në kushte mbase të pavullnetshme, a me forma operative të asaj kohe që ju duhet t’i njihni mjaft mirë.

(…)

Nuk asht e thanë, që të gjithë emigrantët me i shërbue ‘me besë e nder’, si ndokush ma nalt, qeverisë së Hoxhës e as me lobue te ndërkombtarët për drapnin e kuq. Aktualisht Katedra shqipe në Myhih po funksionon falë punës së Camajt, e nëse do të ishte informator, do të ishte mbyllë me vdekjen e tij; dhe ndërkohë në Romë, reflektohet trashëgimia e Koliqit, i cili ka pasë në qendër kulturën e dijen, jo rekrutimin zotnia juej. Nëse emigracioni shqiptar, do të vijojë në rrugën e çelun prej tyne (sikurse edhe prej Stavro Skendit, Arshi Pipës, Isuf Luzajt, Peter Priftit, Mhill Markut etc.), të jeni të sigurt se nuk do të kishim pasë këtë Ministri Diaspore, sikurse asht sot në Shqipni. Por, mungesa gravidacionale e nji formacioni intelektual, jashtë vendit, asht fati i sotëm politik në Shqipni, ku ‘kërpudhat e kuqe’ mbijnë herë mbas here, siç asht edhe shembulli i këtij artikulli tuej, z. Tare.

Reagimi i Primo Shllakut drejtuar Ardian Ndrecës

Shkrimtari Primo Shllaku ka reaguar gjithashtu në lidhje me këtë çështje. Ai shprehet se kjo nuk mund të shterohet përmes statuseve anatemuese mes studiuesve në rrjete sociale, por duhet të ketë një reagim nga Akademia e Shkencave, për sa kohë aty ka të punësuar që mbulojnë këtë sektor.

Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX. Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çështjes dhe, në vijim, të dale para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues. Çështja ka dalë në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kuturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.

Reagimi i Kastriot Dervishit

Martini nuk ka asnjë aktivitet për Sigurimin. Zero raporte. Ka vetëm dy faqe hetuesi si i arrestuar, të cilat nuk janë raporte agjenturore. U “rekrutua” për kapjen e Gjon Destanishtës dhe nipit të tij, por sapo u lirua, u tregoi atyre gjithçka dhe bashkë me ta u arratis. Deklarata e bashkëpunimit është përdorur edhe gjatë kohës që Martini ishte jashtë vendit, në mënyrë që të përçante antikomunistët e diasporës. Kjo deklaratë po përdoret sërish. Mos prisni nga enveristët që i shqetësonte performaca e prapanicës së Enverit, të vlerësojnë Martinin. Regjimi që ata adhurojnë, i sjellë nga miladini e dushani, ka qenë regjimi më terrorist dhe më i mbrapshtë që ka parë vendi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here