Robert Elsie
Më datën 26 prill 1933, gazeta Neue Freie Presse e Vjenës botoi artikullin e mëposhtëm:
“Drama e përgjakshme në rrugën Singer. Studiuesi si vrasës dhe vetëvrasës. Siç u njoftua, Privatdocent (Baron) Dr. Franc Nopça, pesëdhjetepesë-vjeçar, vrau dje paradite sekretarin e tij afatgjatë, shqiptarin dyzetepesëvjeçar Bajazid Elmas Doda, në banesën e tij në katin e tretë të shtëpisë së parë në rrugën Singer, numër 12, dhe pastaj vrau vetën para tavolinës së dhomës së punës me një të shtënë në gojë. Nga hulumtimi mjekësor zyrtar doli që sekretari kishte pësuar dy të shtëna gati në të njëjtin vend në tëmblën e majtë, të cilët shpuan kafkën krejtësisht, kështu që fisheku, pas daljes nga koka, ngeli në jastëkun e karrigës.
Duket se Nopça e kishte përgatitur veprimin paraprakisht. U gjetën shumë letra lajmtumire të mbyllura për farefisin dhe për miqtë e tij, si dhe një testament të mbyllur për një avokat vjenez dhe shënime të tjera. Mendohet që një arsye e veprimit të ketë qenë gjendja e vështirë financiare e tij, me qenë se shërbëtorja tha që ajo nuk e kishtë marrë rrogën që prej katër muajsh. Dihet gjithashtu që Franc Nopça, i cili donte më shumë se çdo gjë tjetër librat dhe kolekcionet e tij, kishte menduar për të shitur bibliotekën e tij të madhe me shumë vepra unikale.
Një shkresë policisë: “Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flente gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë duke qenë se ai do të kishtë vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet.”
Kështu mbaroi jeta e vrullshme e Baronit Franc Nopça nga Felshësilvashi (Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, 1877-1933), një ndër studiuesve më të spikatur të kohës. Ai ka lindur në një familje aristokratike hungareze më 3 maj 1877 në çifligun familjar të Saçal-it, afër Haceg-it të Transilvanisë. Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, Franc von Nopça, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, Nopça ka mbaruar maturën në liceun vjenez Maria-Theresianum. Ngjarja vendimtare nga rinia e tij ndodhi në vitin 1895 gjatë një ekskursioni në Sentpeterfalva (Szentpéterfalva). Aty ai dhe motra e tij zbuluan mbeturinat e kockave fosile të një dinosauri, të cilat ai ia dërgoi Profesorit Eduard Sys (Edward Suess), një gjeologu dhe paleontologu vjenez. Nga viti i maturës 1897, deri në vitin 1903, Nopça studioi pranë Sys-it në Universitetin e Vjenës, i cili në atë kohë u shqua për studimet paleontologjike.
Nopça shumë shpejt u bë vetë një studiues me nam në fushën e paleontologjisë. Më datën 21 qershor 1899, që në moshën njëzetedy vjeç, ai mbajti ligjeratën e parë pranë Akademisë së Shkencave në Vjenë me titullin “Dinosaurierreste in Siebenbürgen” (Mbeturina të dinosaurëve në Transylvani), e cila kishte një jehonë të madhe. Nopça shquhet si themeluesi i paleofiziologjisë, para se gjithash, me studimet e tij të njohura edhe jashtë Austrisë për zvarranik fosilikë. Veçanërisht të njohura ishin hipotezat të tij për “running proavis”, për gjakngrohtësinë e pterosaurëve dhe për rëndësinë e disa proceseve endokrine të cilat, sipas tij, kishin një ndikim të veçantë mbi evolucionin dhe mbi vdekjen e dinosaurëve. Nuk u pranuan të gjitha teoritë e tij pa kundërshtim, por ato frymëzuan shumë diskutimin në fushën e paleontologjisë. Po kaq e rëndësishme ishte ndihmesa e Nopçës në fushën e gjeologjisë, për shembull mbi strukturat tektonike të malësive të Ballkanit perëndimor, ku ai mbrojti disa teori guximtare.
Monografia pesëvëllimëshe “Udhëtime në Ballkan”, e cila shpesh herë gabimisht është quajtur ditari i Nopçës, ka 456 faqe të shkruara me makinë, duke përfshirë edhe disa të shkruara me dorë. Mendohet që Nopça kishte filluar të shkruante kujtimet e tij para mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Si burim kryesor ai përdorte defterët e tij të cilët ai i mbante gjithmonë me vete gjatë udhëtimeve në Ballkan dhe të cilët mendohej që ishin të zhdukur. Shtatë defterë me shënime, skica, llogari dhe fatura të ndryshme, nga të cilët gjashtë për Shqipërinë dhe një për Maqedoninë, gjinden në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës (DR2/3F deri 8F). I përkasin periudhave të mëposhtme: Vëll. 1 (1905), 430 f.; Vëll. 2 (1906), 580 f.; Vëll. 3 (1907), 474 f.; Vëll. 4 (1908), 316 f.; Vëll. 5 (1909), 686 f.; dhe Vëll. 6 (1913), 213 f. Këto vëllime në format oktav, si dhe vepra të tjera nga biblioteka personale e Nopçës, u shitën pas vdekjes së autorit nga antikuarianti vjenez Kunst-Antiquariat Heinrich Hinterberger, në Hegelge 17, për 150 franga cvicerane dhe përfunduan në koleksionin e Mid’hat bej Frashërit (1880-1949), të njohur edhe si Lumo Skëndo, i cili kishte bibliotekën më të madhe private në Shqipëri, me afërsisht 20,000 vëllime. Duke qenë se Frashëri ishte një udhëheqës i lartë i lëvizjes antikomuniste Balli Kombëtar dhe u dëtyrua të braktiste Shqipërinë me ardhjen në pushtet të komunistëve, koleksioni i tij u konfiskua dhe përfundoi në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Kujtimet e Nopçës përfshijnë një periudhë njëzetvjeçare nga 1897 deri në vitin 1917 kur Nopça kishte dyzet vjet. Në një letër Joklit me datën 8 tetor 1928, Nopça vuri re që kishte humbur defterin në vitin 1918, gjë që shpjegon ndërprerjen e kujtimeve në vitin 1917. Dorëshkrimi i kujtimeve përfundoi afërsisht në vitin 1929 dhe kishte ndërmend ta botonte. Shtëpia botuese Stadium e Budapestit u tregua e gatshme të botonte një përkthim hungarisht të kujtimeve duke ngarkuar Kalman Lambreht-in (Kálmán Lambrecht), bibliotekarin e Institutit Mbretëror të Gjeologjisë në Budapest, me punën e përkthimit dhe me përfshirjen e ndryshimeve të shumta që donte Nopça. Në fund, as përkthimi hungarisht, as origjinali gjermanisht nuk u botuan kurrë.
Në pjesën e parë të kujtimeve, Studien und erste Reisen 1897-1905 (Studime dhe udhëtime të para 1897-1905) e gjejmë baronin i ri për herë të parë në malësinë e Shqipërisë së Veriut, në një rajon të shkelur rrallë nga të huajt. Pas mbarimit të doktoraturës në Universitetin e Vjenës në verë të vitit 1903, Nopça ishte orvatur, pas një udhëtimi në Greqi, të udhëtonte nga Shkupi dhe Prizreni për në Shkodër për të takuar konsullin austriak, Baron Bornemisa Gjula (Bornemisza Gyula). Përvoja e parë e tij me Shqipërinë filloi në një mënyrë tepër shqiptare:
“Nga Shkupi vazhdova, siç thashë, për në Prizren. Aty më dhanë tre zaptije për të më shoqëruar gjatë udhëtimit për në Shkodër. Natën e parë e kalova në Hanin e Brutit dhe, kur u nisa gjatë agimit të ditës tjetër, dikush nga një pyll ma kapi me plumb në një kthesë të rrugës nga ana e djathtë. Fisheku shpuri kapelën time shumë afër kokës, por nuk u plagosa. Unë zbrita menjëherë nga kali, kërkova të mbulohem dhe doja të qëlloja edhe unë, por nuk pashë njeri… Pjesa tjetër e udhëtimit nga Ura e Vezirit deri në Shkodër kaloi pa incident.”
Me gjithë fillimin e vështirë, Nopça filloi gjatë udhëtimeve të mëvonshme të donte Shqipërinë dhe banorët e malësisë së saj. Ai jep përshkrimin e mëposhtëm nga ekpedita e parë e madhe në verë të vitit 1905:
“Më bëri shumë përshtypje një ngjarje në luginën e Cemit afër urës së Tamarës në tokën e Kelmendasve. Unë kërkova në një shtëpi pak ujë për të pirë, por në vend të ujit, zoti i shtëpise, që nuk e njihja fare, më dha një tas me dhallë, të cilën e piva deri në fund. Pas pirjes, erdhi në shtëpi vëllau i zotit të shtëpisë, edhe ky i panjohur nga unë, dhe, duke qenë se ishte vonë dhe ai ishte i lodhur nga udhëtimi, ai donte të pinte dhallën. Natyrisht gjeti tasin e zbrazur, dhe kur zoti i shtëpisë i shpjegoi atij kush e kishte pirë dhallën, ai nuk u mërziti fare, siç mund të mendohet. Përkundrazi, ai tha që ishte fat që kisha ardhur unë në shtëpi para tij, sepse përndryshe familja e tij nuk do të kishte patur çfarë të ofronte mikut dhe miku do të ishte i detyruar të vazhdonte rrugën i pangrënë.”
Nopça ndodhej në Shqipërinë e Veriut në fillim të shekullit jo vetëm për arsye personale apo shkencore. Ai ishte gjithashtu aktiv në fushën e politikës, shpeshherë në kundërshtim të hapur me punonjësit e ministrisë së punëve të jashtme në Vjenë. Gjatë krizës së Anekcionit 1908-1909, Nopça mori pjesë në përgatitjen e të ashtuquajturit Albanienaktion kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Para dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912, ai ndërhyri shpeshherë në politikën e jashtme të Austrisë dhe mori pjesë si vullnetar në Luftën e Parë Botërore në Shqipëri. Në vitin 1916, Nopça ishte komandanti i një njësie ushtarake të vullnetarëve shqiptarë. Interesant në kujtimet e tij është përshkrimi i gjatë i Kongresit të Triestit të vitit 1913 dhe i zgjedhjes së një princi evropian për Shqipërinë, për të cilën edhe ai u bë kandidat.
“Nga 27 shkurt deri në 6 mars unë mora pjesë në kongresin e shqiptarëve në Trieste. Ky kongres ishte gjë e çuditshme. Në pranverë të vitit 1913 froni shqiptar ishte bosh dhe punët shqiptare u drejtuan nga Ismail Qemali, i cili kishte takuar Berhtold-in (Berchtold), ministrin austriak të punëve të jashtme, në Budapesht dhe pastaj me kërkesë të Berhtold-it udhëtoi për në Vlorë ku themeloi qeverinë e përkohshme të Shqipërisë së sapokrijuar. Por si mik shumëvjeçar i Greqisë, bile edhe si agjent i paguar nga grekët, ai kishte premtuar që të lehtësonte pushtimin e Janinës, në rast se ngelej në pushtet në Shqipëri. Ishte edhe e qartë që Ismail Qemali donte të rrinte shefi i qeverisë se përkohshme, sepse një gjë e tillë, kuptohet, ishte me fitim financiar…
Pas pritjes së përshëndetjes u zgjodhën ditën tjetër Markezi Kastriota si kryetar nderi dhe Faik bej Konica si kryetar kongresi. Në kryesinë u pranuan gjithashtu Hilë Mosi, Fazil Toptani dhe Dervish Hima. Unë u përshëndeta gjatë hapjes solemne nga Faiku si mik i madh i shqiptarëve. Mendova gjatë disa minutave për një përgjigje, u ngrita në podium dhe atëherë mbajta një fjalim në gjuhën shqipe. Me përjashtim të konsullit të përgjithshëm Kral dhe të disa konsujve të tjerë austriakë dhe italianë, besoj se asnjë evropian tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë. Përveç konflikti me vllehët dhe një shkëmbimi fjalësh midis kryetarit Faik bej Konica, dhe mashtruesit Nikollë Ivanaj, vetëm për të tërhequr vëmendje mbi këtë të fundit, kishte vetëm fjalë kot në kongres, kështu që në darkë të ditës së fundit, thirra Faik bej Konicën dhe i thashë atij që kongresi nuk kishte bërë asnjë punë. Gjëja minimale që mund të pritej nga një kongres politik ishte një rezolutë. Faiku ishte dakord me mua dhe unë ia diktova resolutën. Pas një gjysmë ore ishim gati dhe ditën tjetër Faiku ia paraqiti resolutën kongresit. Pas një debati, prapë për gjendjen e vllehërve dhe për të ardhmen e Shqipërisë, rezoluta u pranua, dhe fjalët e mia iu transmetuan Fuqive të Mëdha.”
Më vonë, Nopça u propozua kandidat për postin e mbretit të Shqipërisë duke qenë se kishte njohuri të thella dhe mjaft mbështetje në Veri. Por pastaj ai tërhoqi kandidaturën, siç thotë, nga inati për copëtimin e Shqipërisë. Sipas Nopçës, krijimi i shtetit shqiptar siç doli nga Konferenca e Londrës, ishte lindja e një foshnjeje pa jetë. Kështu përfundoi angazhimi politik i tij për Shqipërinë.
Pesë nga dorëshkrimet më të rëndësishme të Franz Baron von Nopca (1877-1933)
1. Albanien: die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht (Shqipëria, fiset e malësisë ë Veriut dhe e drejta e tyre zakonore), Ser. nov. 9392, një vepër prej 510 faqesh, një pjesë e madhe e së cilës u botua koha e fundit nga Fatos Baxhaku dhe Karl Kaser në librin: “Die Stammesgesellschaften Nordalbaniens, Berichte und Forschungen österreichischer Konsuln und Gelehrter”, 1861-1917 (Shoqëria fisnore e Shqipërisë së Veriut, raporte dhe puna shkencore e konsujve dhe shkencëtarëve austriakë, 1861-1917, Vjenë-Këln-Vajmar 1996);
2. Religiöse Anschauungen, Sitten und Gebräuche (Besimi, doke dhe zakone), Ser. nov. 9393, një vepër prej 242 faqesh për etnologjine shqiptare, nga e cila i mungojnë 58 faqet e para;
3. Gedichte des Colez Marku, 1895-1932 (Poezia e Kolez Markut, 1895-1932), Ser. nov. 11912, një përmbledhje poetike gjermanisht në 110 faqe me 160 poezi jo shumë të mira;
4. Dialektstudie, Fragment (Fragmenti i një studimi dialektologjik), Ser. nov. 11918, shënime për dialektin geg veriperëndimor në veri të Shkodrës në 36 faqe të formateve të ndryshme; dhe kryesorja:
5. Kujtimet e Franc Nopçës me titullin “Reisen in den Balkan” (Udhëtime në Ballkan), Ser. nov. 9368, të cilat dr.Robert Elsie i ka mbledhur dhe janë botuar në gjermanisht nga shtëpia botuese e Prishtinës, “Dukagjini”.
Kujtimet e Baron Nopçës, të cilat janë “zbuluar” dhe mbledhur nga dr.Robert Elsie dhe botuar në gjermanisht në Prishtinë, presin që një ditë të përkthehen në shqip.“Udhëtime në Ballkan” hedhin dritë mbi jetën e Baronit, kandidatit për mbretin e Shqipërisë, por edhe mbi Shqipërine e Veriut në fillim të shekullit njëzet