Janë me qindra historitë e grave që, në mos kanë vuajtur vetë në burgje a internime, janë dënuar për pasojë të një familjari. Nëse nuk do të kishin kaluar kaq shumë vite, do të ishin ende gjallë shumë prej tyre, por autorja e disa librave kushtuar krimeve të komunizmit, Fatbardha Saraçi, ka arritur të takojë disa prej tyre. Historitë e tjera i ka rrëfyer e ndihmuar nga dëshmi të familjarëve a të tjerëve të mbijetuar.

Fatbardha-260x300

“Ishin nëna që iu pushkatuan burrat apo djemtë, shpesh pa e ditur se ku e kanë varrin; ishin gra e vajza që e kishin vënë jetën në rrezik për të shpëtuar atë të burrave, vëllezërve, miqve të shtëpisë, duke i fshehur; ishin gra e vajza që vuajtjen e mbajtën për vete, që njohën vetëm punën e rëndë edhe për burrat që arritën të mbijetojnë”, thotë autorja e këtij studimi.

Libri i botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është dëshmi e një kohe, përmes mënyrës se si janë trajtuar femrat.

MARIA RAFAEL, PIANISTJA ME BURRIN E BURGOSUR

Maria ishte një grua e bukur hungareze, një artiste, mjeshtre e lojës në pianoforte, e cila për tridhjetë vjet jetoi në rrugën shqiptare të mundimeve. Ajo erdhi në Shqipëri nga dashuria për të shoqin, të cilin e kishte njohur në Konservatorin e Budapestit. Vitet e bukura të punës e të dashurisë nuk zgjatën shumë, pasi një ditë burri i saj arrestohet e dënohet me burgim të gjatë…

Nusja e re, Maria, dhe i biri, Adi, i sapo ngritur në këmbë, mbeten në mes të katër rrugëve. Ajo nuk zgjodhi rrugën e shkurtër të largimit nga Shqipëria, ashtu siç bënë shumë gra të huaja, as nuk e ndau të shoqin, por vendosi ta presë atë aty ku ai e la në shtëpi…

fatbardha-saraci

Ajo nuk u thye nga arrestimi i të shoqit, as nga goditjet e mëvonshme të mënjanimit nga kolegët, e mbetjes pa punë dhe të internimit në Fier. Ecte gjithmonë me hap të shpejtë, me dinjitet drejt punës, dyqanit apo agjencisë së udhëtimit që i mundësonte vizitat e shpeshta tek i shoqi, prapa telave nëpër kampet e ndryshme të të burgosurve politikë, anë e kënd Shqipërisë…

Në vitin 1990, Maria Rafael u largua bashkë me të shoqin e të birin, duke marrë me vete gjithë kalvarin e një jete jo të lehtë në Shqipëri. U vendos në Hungari dhe u nda nga jeta, në nëntor të vitit 2006.

ZEHNIJE GJYLBEGU, SI THEU GURË PËR TË MBAJTUR FAMILJEN

E lindur në Berat në familjen e Resulve, në 1936, u martua në Shkodër me Musa Gjylbegun. Ai ishte anëtar i Partisë së Legalitetit. Kishte mbaruar Universitetin e Mynihut dhe e dinte çdo të thoshte diktaturë. Që në dhjetor të 1944, ai u fsheh në shtëpinë e tij, pastaj të një miku, pasi kërkohej nga komunistët. Zemra e Zehnijes e dinte se çfarë ndjeu, e provoi gjatë kontrolleve të shumta, apo kur e thërrisnin në zyrat e Sigurimit për të mësuar prej saj se ku ishte i shoqi. Në 1946 ai dorëzohet, sepse përfiton nga amnistia.

Albanian-Jewis-women_Burrel
Gra shqiptare dhe hebreje gjatë viteve të komunizmit

Por kjo ishte një lojë e sistemit, pasi ai dhe të tjerë u dënuan me afate të ndryshme burgimi. Një vit më vonë i konfiskohet pasuria, e siç ishte zakoni i asaj kohe, mobiliet, sendet e tjera shërbyen për mobilimin e vilave të pushtetarëve të rinj. Për strehim asaj dhe vajzës së vogël iu lejua vetëm bodrumi i shtëpisë. Kështu nisin ditët e varfërisë për Zehnijen. U lejua të punonte për thyerjen e gurëve, për përgatitjen e çakllit që do të shërbente për shtrimin e rrugëve. Kjo grua e urtë u kujdes për të shoqin duke i dërguar ushqim në të gjitha burgjet.

U mundua ta mbante gjallë, duke i çuar ushqime e duke i dhënë kurajë të përballonte punën sfilitëse. Sa të vështirë e kishte ajo që të ecte në këmbë që të flinte edhe jashtë, se nuk donte t’i vinte në pozitë të vështirë banorët e Burrelit, që survejoheshin nga Sigurimi se mos strehonin kënd nga “armiqtë e klasës”. Në 1950 i shoqi i vdes në Maliq. Nusja 34 vjeçe mbetet e ve.

ZOJË GJELOSHI E DRANDE STAKJA, TË DËNUARAT E KUFIRIT

Zojë Gjeloshi është një grua trupvogël, me një fytyrë ovale, me faqet e kuqe, me bishtalecat rreth fytyrës dhe shami të zezë rreth kokës. Ja si e tregon ajo jetën e saj: “Jam vajza e Gjelosh Dedës prej Vuksani, datëlindja 1930. Më martuan 16 vjeçe (siç ishte tradita në Malësi) me Gjon Marashin (që në atë kohë ishte ushtar), ishte djali i vetëm i Marash Sokolit. Në ushtri burrin tim e bënë kandidat partie. Kur u kthye nga ushtria e caktuan kryetar Këshilli të Rinisë.

E ndanë fshatin përgjysmë. Aty djali i ri pati një grindje me kryetarin Mark Ndoc Buçaj, pasi pa shumë padrejtësi që po u bëheshin fshatarëve. Atëherë ai doli në mal, u nisën për në Guci, fshat ku ndodheshin kushërinjtë e tij. Ai hynte e dilte kufirit me shpresën që të merrte me vete nënën dhe nusen e tij, por ndodhi e papritura… Unë po qëndroja në një shkëmb me shpresë që të takoja burrin tim, por roja nga larg më drejtoi armën. Nënë Drande, vjehrra ime, ia largon dorën ushtarit, ia mori armën e i tha: ‘Po më vret nusen!’”.

Zojën e internuat në Berat, provoi kampin e tmerrshëm të internimit në Tepelenë, pastaj në Vlorë, Kuçovë, Lushnjë, Peqin, Memaliaj. Fatin më të dhembshëm e pati vjehrra e saj. Ajo u dënua me 8 vjet heqje lirie. Gjyqin ia bënë në Tiranë dhe dënimin e mbaroi në burgun e grave në Tiranë. Por një ditë me tradhti e vranë djalin Marash Sokoli, vetë i dytë me shokun e tij, Lekë Marashi.

“I vranë djemtë se gjoja kishin tradhtuar atdheun pa gjyq. Kishin thirrur gjithë popullin e Dukagjinit, të gjithë nxënësit e shkollave. Unë,- tregon Zoja,- isha kthyer nga internimi, u ndodha mes turmës, mbulova kokën me shami dhe më dalloheshin vetëm sytë. Qëndroja e shtangur dhe shihja ata dy djem me trupa të drejtë e të bukur, ishin si drita e diellit…

I vranë më 18 maj 1956. Qëndrova me turmën deri në mbrëmje dhe e ngulita mirë në kujtesë vendin ku i varrosën, në një përrua. Zemra ime e re u copëtua, nuk mund ta mendoja atë pamje të tmerrshme dhe shpirti im vuante për njeriun e zemrës, për fatin tim… Mbas 5 vitesh që më ishte vrarë burri, babai më martoi me Ndue Binakun, nga familje Sadria, ku gjeta dy vajza të vogla të mbetura jetime. I rrita ato plot dashuri dhe e shtova numrin e fëmijëve në tetë.

Një natë trokiti dera dhe hyri vjehrra ime (i kishte bërë tetë vitet e burgut). Erdhi të më takonte. Burri im e priti plot respekt e dashuri. Ajo i ledhatonte vocërrakët e mi, dora e saj i prekte lehtë e plot ëmbëlsi ato zemrat e vogla, lulet e mia që duhet të kishin qenë të familjes së saj. Iu lut bashkëshorti im të qëndronte të jetonte me ne.

‘Do të dua njësoj si nënën time’, i tha. Por nënë Drande nuk pranoi. E falënderoi të zotin e shtëpisë. Përpara se të largohej më pyeti: ‘A di të më tregosh varrin e djalit tim të dashur?’. Ditën e Shënkollit shkoi natën e hapi varrin e të birit, i ka marrë kafkën. E gjora grua, në një çantë të vogël kishte futur kafkën e të birit dhe një varëse medaljon me fotografinë e të birit, i qëndronte mbi gjoks.

Ecte e ecte nëna e shkretë, e ku e zinte nata i hapej ndonjë derë mikpritëse e njerëzve me zemër të madhe, të dukagjinasve të saj, ata që e deshën aq shumë deri sa u fik në moshën 80-vjeçare”. Zoja e vazhdon tregimin: “E kujtoj gjithmonë me mall atë gruan me trup të vogël, e bukur, punëtore, shumë e urtë, që dinte të thoshte vetëm fjalë të arta. E varrosën bashkë me kafkën e të birit, ia vendosën te zemra e saj, atë që kishte qenë jeta e asaj nëne”. Zoja e mbyll tregimin duke thënë: “Kur mora lekët e pushkatimit të burrit të parë, ndërtova varret e të dy burrave të mi…”. Zojë Gjeloshja banon në Hot të Ri, Shkodër.

NAXHIJE CURRI, GRUAJA E NIPIT TË BAJRAM CURRIT

Naxhija, vajza e Dan Hasanit, u martua me Shaqir Currin, nipin e Bajram Currit. Nëntori i vitit 1944 ia prishi jetën kësaj familjeje. Shaqiri ishte person “non grata” për komunistët, pasi ishte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mbasi e arrestojnë, ua dorëzojnë serbëve, të cilët e dënojnë me 21 vjet. E dërgojnë në burgun e Nishit.

E vetme Naxhija u kujdes për fëmijët, duke shitur gjithë pajën e saj… dhe vazhdonte t’i shkruante të shoqit… Ata u takuan me njëri-tjetrin vetëm në vitin 1965, kur ishte në prag të pensionit. 20 vjet pa u parë. U duheshin dhe 20 vjet të tjera për t’i treguar njëri-tjetrit hallet e kaluara.

Nëna që e ndoqi pas burgjeve përkthyesin Gjon Shllaku

Z. Gjon ishte në dhomën e punës, i ulur në tryezë duke punuar. Gjatë bisedës i tregova që zonja Pina Shllaku ishte një nënë e moshuar, që shoqëronte nuset dhe vajzat shkodrane në drejtim të burgut të Burrelit… Gjatë intervistave me këto zonja të nderuara ato tregonin: “Zonja Pinë ishte një grua shumë e shoqërueshme dhe ne udhëtonim së bashku në drejtim të burgut. Ajo ishte një mbështetje e madhe për ne, sidomos nga ana morale, na jepte kurajë…”. Z. Gjon ndaloi një moment punën dhe ra në mendime, mendoi e më tha… “Nana ime Pinë, më ka ndjekur për shtatë vjet, ka ardhur me më parë në burgun e Burrelit, më sillte ushqime e veshmbathje dhe zemrën e saj të artë prej nane… Nana më ka ardhur në Burrel 71 herë dhe kthehej në Shkodër e lodhur, kur hiqte çorapet, bashkë me to, i hiqej dhe lëkura e këmbës prej lodhjes e stërmundimit…

ANI JAUPAJ

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here