Deri më 12 maj, besimtarët myslimanë agjërojnë nga lindja e diellit e deri në perëndim. Agjërimi praktikohet për arsye fetare dhe shpirtërore dhe ndonëse e përhapur më së shumti te besimtarët muslimanë, në fakt është praktikë edhe e feve të tjera, si krishtërimi, budizmi dhe judizmi.

Disa këshilla praktike që mjekët rekomandojnë për ta lehtësuar sadopak agjërimin e këtij muaji përfshijnë:

– Mos e shmangni vaktin e mëngjesit

Ka vetëm dy mundësi për të ngrënë gjatë Ramazanit: në mëngjes herët para lindjes së diellit (Syfyr) dhe pas perëndimit të diellit në mbrëmje (Iftar). Vakti i mëngjesit mund të jetë i lehtë për t’u kapërcyer, pasi vështirë të kesh oreks aq herët në mëngjes. Sidoqoftë, mjekët thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos e kaloni këtë vakt. Zgjedhjet e ushqimit që bëni do të ndikojnë në energjinë tuaj gjatë gjithë ditës.

Shumë njerëz shkojnë te karbohidratet e thjeshta për vaktin e mëngjesit, por ato nuk japin energji afatgjatë. Në vend të kësaj konsumoni më shumë drithëra të plota, proteina të shëndetshme, fruta, perime etj.

– Hidratimi

Konsumi i ujit është jetësor dhe ka shumë përfitime shëndetësore. Dehidratimi, krahas shumë problemeve të tjera, mund të rezultojë edhe në luhatje humori dhe shtim të lodhjes. Atëherë, si të hidratoheni nëse nuk mund të pini ujë midis lindjes dhe perëndimit të diellit?

– Përdorni kohën kur mund të konsumoni ushqim, për të marrë gjithë hidratimin e nevojshëm.

– Mbani një shishe uji afër gjatë gjithë natës dhe pini sa herë që të jetë e mundur.

– Përpiquni të përfshini në dietë sa më shumë ushqime që përmbajnë ujë (domate, kastravec, luleshtrydhe, shalqi etj).

– Moti i nxehtë

Gjatë ditëve që temperaturat janë të larta, përpiquni të visheni lirshëm dhe të qëndroni në vende të freskëta.

– Kini kujdes me ushqimin dhe porcionet

Ushqimet tradicionale mund të jenë të yndyrshme dhe të rënda, dhe ndonëse kanë shije të mrekullueshme, dita e nesërme mund t’ju gjejë të fryrë dhe të lodhur. Përpiquni të hani shëndetshëm ose të krijoni një ekuilibër me “pak nga të gjitha”. Mos harroni se kjo nuk është ngjarje një-ditore, por një-mujore.

Në ditët e sotme, agjërimi i ndërprerë është një ndër trendet më të njohura të shëndetit dhe fitnesit. Kjo praktikë njihet si Intermittent Fasting (IF) dhe është një model i ushqyerjes,që realizohet në cikle midis të ngrënit dhe agjërimit. IF nuk përcakton se çfarë duhet të hash, por kur duhet t’i hash.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here