Në vitin 1988, Ismail Kadare botonte në Tiranë romanin e tij “Një dosje për Homerin”, apo “Dossier H”, e publikuar më pas në Francë. Ishte historia e udhëtimit të ethshëm të dy studiuesve amerikanë me origjinë irlandeze të universitetit “Harward”, nëpër malet shqiptare në vitet 30′, të Milman Parry dhe Albert Lord, (1933-1938), të cilët vinin të kërkonin përqasjet e botës homerike me atë të jetës së atyre maleve, ku këngët dhe ritet, pesha e gjakut, tragjikja në kulmin e saj, mbartnin ende një ngarkesë të përngjashme me atë të tregimeve të Homerit të verbër në Iliadën dhe Odisean e tij. Romani i Kadaresë nisej në fakt, nga një ngjarje që kishte ndodhur vërtet në Shqipërinë veriore të atyre viteve. Por gati një shekull më parë se këta irlandezë të bridhnin nëpër malet shqiptare, në fakt kishte qenë një francez, i cili kishte përshkuar vargmalet shqiptare në kërkim të gjurmëve homerike të këtij prushi, të cilin ai e preku realisht. Ky ishte Albert Dumont, një nga studiuesit më me emër të Francës mbi antikitetin dhe Ballkanin në shekullin XIX. Ç’kishte ndodhur atëherë?
Në mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit 1871, Albert Dumont, (Charles-Albert-Auguste-Eugène Dumont), linte portin e Kotorrit. Qëllimi i tij ishte të prekte nga afër tokën shqiptare, këtë vend imagjinar e të pashkelur nga udhëtarët evropianë, në mënyrë që të pikëtakonte këtë popull pak të njohur e më pas të zbriste drejt Greqisë. Në bllokun e tij të shënimeve ai nuk harronte të shënonte për natyrën e brigjeve të Kotorrit ku, siç shkruan ai, “Në breg, orkestra e regjimentit austriak luan muzikë”. Anija “Miramar”, e shoqërisë “Lloyd”, e cila kishte vite që rrihte brigjet e Adriatikut, ndaloi në Tivar, nga ku tashmë i duhet të shkojë me kuaj nga Tivari për në Shkodër. Koha është e ftohtë dhe qielli larg gjëmon. “Rruga gjer në Shkodër shkon shtatë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë orë, sipas stinës, shirave ose ujit nëpër shtigje” – shënon ai. Rruga në fakt është plot ngjitje e zbritje, mes shkëmbinjve, ku padyshim, pamjet madhështore e habisin çdo udhëtar të huaj që zbret në këto anë, siç do ta mrekullonin disa vite më pas, Pierre Lotin, oficerin e marinës franceze, autorin e romanit “Azyadé”. Shoqëruesi i tij në këtë udhëtim nuk ishte tjetër veçse miku i tij Jules Clement Chaplain, piktor, me të cilin një miqësi e vjetër do ta lidhte që në vitet e “Shkollës Franceze” në ‘Villa Medicis’ të Romës. Nga Leqet e Hotit, Dumont dhe Chaplain zbresin drejt Shkodrës, por sapo hyjnë në rrugën që zgjatet drejt qytetit, atje rrëzë kështjellës, ata pikasin dyqanet e shumta të pazarit të njohur të Shkodrës, ku siç shkruan Dumont, “Në pazarin e Shkodrës, një nga më të rëndësishmit e Turqisë, njerëzit vijnë nga të gjitha malet e pashallëkut si dhe nga Mali i Zi. Por çdo vit, uji përmbyt dyqanet e tij.”
Tri muaj më parë, për Shkodrën, atij i kishte folur miku i tij, etnografi dhe kartografi i njohur francez Guillaume Lejean, i cili e kishte vizituar Shqipërinë për herë të dytë. Ata ishin takuar në Maqedoni, gjatë një udhëtimi. “E takova në Filipopolis, ku ishte sëmurë nga ethet, pas gjithë atyre lodhjeve të mëdha…” – shkruante ai për kartografin Lejean. Biseda për Shqipërinë ishte e nevojshme për të, pasi Dumont përgatiste udhëtimin e tij drejt atyre viseve që fare pak njerëz i kishin shkelur. Dhe ja tani, ai vëzhgonte me një kureshtje të pazakontë tokën shqiptare, njerëzit, sjelljet e tyre. Në Shkodër ata u takuan me konsullin francez, përmes të cilit filluan të njihnin nga afër jetën e këtij qyteti, lagjet e ndryshme, ritet e zakonet. Bashkë me të ata arritën jo vetëm t’i ngjiteshin kështjellës e të takoheshin me pashain, por dhe të vizitonin mirë qytetin, të njihnin personazhet më me emër e madje të hynin dhe në oborret shkodrane, të mbushura gjithnjë me lule, duke admiruar odat e famshme dhe mikpritjen shkodrane.
Greqia homerike në
malet shqiptare
Albert Dumont, i cili prej disa vitesh ishte marrë me mbishkrimet e vjetra, ishte nisur me një qëllim të caktuar: të gjente përafërsitë e antikitetit grek me shqiptarët e maleve veriore. Kur shkruan për tributë shqiptare, ai thekson se “ata jetojnë të izoluar, por kanë një kryeplak, i cili vendos për kohën e kullotave, ndarjen e tyre, kohën e shtegtimit, kur ka ankesa të një fqinji për tjetrin, etj. Në Greqinë antike, qeveritarët e çdo tribuje quheshin “pleq”. Ishin ata që bënin drejtësi, ashtu të ulur mbi gurë, në formë rrethi, siç tregohet dhe në mburojën e Akilit. Kur prijësit shqiptarë mblidhen po kështu për të vendosur, ata formojnë atë që quhet “rrethi i gjakut” (la ronde du sang), çka sagat e vjetra e quajnë “gerichtsring”. Menjëherë Dumont e ndjeu se ky lloj zakoni, riti, kjo mënyrë e administrimit të jetës, të së Drejtës, etj, kishte një ngjashmëri të habitshme me ritin e vjetër homerik, aq sa të dukej sikur koha kishte mbetur në vend.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, nga veriu në jug, ideja e Dumont merr një formë solide: ai është i bindur se prushi i dikurshëm homerik është ende i ndezur në malet shqiptare. Një shekull më pas, po të ishte gjallë, ai do të gëzohej, nëse do të merrte vesh se një udhëtim të tillë kishin bërë edhe studiues të tjerë, kësaj radhe nga një botë më e qytetëruar, të cilët do të ecnin në gjurmët e tij, në atë kërkim të pandërprerë që bashkonte çuditërisht dy mijëvjeçarë. Milman Parry, ishte një nga ata irlandezë të Amerikës që kishte studiuar traditën gojore të Jugosllavisë në vitet 1933 dhe 1934. Në një nga udhëtimet e tij në Novi Pazar, ai kishte regjistruar disa rapsodë shqiptarë, të cilët këndonin në dy gjuhët, serbisht dhe shqip, të njëjtat këngë të “Eposit shqiptar të Veriut”, ose “Ciklit të Kreshnikëve”, siç do ta quajmë atë, ne shqiptarët. Atëherë në Evropë ishte koha e vlerësimit të Homerit apo e “Kultit të epopesë homerike”, meqë letrarët e kontinentit të vjetër po u riktheheshin legjendave dhe bëmave homerike. Pasi kishte mësuar shqipen në Dubrovnik, Parry udhëtoi nëpër fshatrat e Malësisë së Madhe e në Dukagjin, duke rrahur shtigjet e Bogës, duke iu ngjitur Thethit, Tropojës e Kukësit. Në vitin 1938, ai mblodhi pothuaj njëqind këngë rapsodike, mes të cilave këngët e Gjeto Basho Mujës, Ago Ymerit apo Gjergj Elez Alisë. Në udhëtimet e mëpasshme Parry u shoqërua edhe nga Albert Lord, profesor i gjuhëve sllave në universitetin e “Harvardit”. Vallë a e dinin ata se një studiues i njohur francez, kishte qenë një pararendës i udhëtimeve të tyre dhe se ata ecnin tani në gjurmët e tij? Ndoshta!… E sigurisht, këto udhëtime ishin gjithnjë të mbarsura me emocione të mëdha…
Djaloshi
Gjatë këtij udhëtimi, Albert Dumont, (21 janar 1842 – 11 gusht 1884), ishte një djalosh 29-vjeçar nga Scey-sur-Saône, një i ri i fuqishëm e me kurajë të madhe. Ai di t’i përballojë rrebeshet dhe stuhitë e atyre maleve. Kërshëria për të njohur këtë popull, e shtyn gjithnjë drejt së panjohurës, drejt asaj që fshihet brenda atyre kullave të rënda e të ftohta, por me një shpirt mikpritës, ku miku ishte i barabartë me hyjnitë. Ashtu si në kohë antike, edhe këtu ai gjen “taksën e gjakut”. Ai pikas, siç shkruan në shënimet e tij, se gjatë shekujve, pagesa e gjakut që bëhej me bagëti kaloi në pagesën me para. “Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines”, (frankët e shekujve V-VIII, L.R.), nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët. Në “skenën e gjykimit” që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa pena, peine, tregon një pagesë, nga fjala latine pendere, poenam. Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë ky lloj kompensimi. “Duhet ndarë urrejtja ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja paguhet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. Atëherë gjithë familja është e kënaqur”. Kjo frazë zbatohet te shqiptarët dhe gjermanët”.
Gjurmët…
Në çdo vend që ndalonte, Dumont gjente gjurmë të një jete të lashtë, si të thuash gjurmë homerike, atë çka prej shekujsh ishte shuar në tokat parahelene e Greqinë helenike dhe që këtu ishin ende të gjalla. – “Habitesh ndonjëherë të shohësh ligjet e vjetra në Itali dhe në Greqi, ku gruaja përjashtohej nga trashëgimia… Në Shqipëri, vejusha nuk ka asnjë lloj trashëgimie në pronat e burrit të vdekur. Janë të bijtë që marrin tokën dhe bagëtitë. Nëse nëna nuk martohet, ajo konsiderohet si pasuri e lënë nga burri i vdekur, ose më shpesh ato i mbajnë pranë tyre. Shumë herë gruaja kthehet në familjen e prindërve të saj vetëm me gjërat e përdorimit që i japin gjatë fejesës. Zakonet antike tregojnë se në shumë vende, vejusha mund të martohej edhe pa dëshirën e saj me burrat e familjes së burrit të vdekur. Ky zakon është te shqiptarët dhe ne s’kemi asnjë vështirësi për ta konstatuar atë. Gruaja është më shumë një plaçkë, një objekt, sesa një njeri”. Dumont konstatoi me habi se në disa qytete, kur vajzat kalonin moshën e adoleshencës, ato i mbanin të mbyllura në shtëpi derisa martoheshin, siç ndodhte dhe në Shkodër. – “Ato që janë kristiane dalin një herë në vit për të shkuar në meshën që bëhet posaçërisht për to, gjatë natës së Krishtlindjeve. Me përjashtim të kësaj feste, ato shohin veçse njerëzit e familjes dhe priftin që u vjen t’u mësojë katekizmin… Udhëtarët e kanë thënë shpesh se një burrë mund të udhëtonte në të gjithë Shqipërinë nën mbrojtjen e një gruaje. Në këto vende, prekja e nderit të gruas është diçka shumë e rrallë”.
E qara ose gjama
Por ajo që do t’i bënte akoma më shumë përshtypje ishte mënyra sesi e qanin të vdekurin shqiptarët e veriut, përmes gjamës, veçanërisht atë që vritej nga gjakmarrja apo atë që vritej në luftë. Edhe kjo mënyrë vajtimi kishte lidhje me antikitetin, pasi ajo dëshmohej që nga shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të banorëve të këtyre trevave, ashtu si dhe më pas, Mihail Apostoli, i shekullit XV, i cili na kujton se “taulantët vajtonin si kretasit”. Le të kujtojmë këtu gjithashtu, vajtimin e Lek Dukagjinit për vdekjen e Skënderbeut, përshkruar nga Barleti, apo shkrimet e Pjetër Budit mbi gjamën e malësorëve katolikë në ritualin e mortit. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur më pas nga Shtjefën Gjeçovi, shkruhet qartë se: “Më kanu asht me britë në të dekmin tri herësh, tuj i përsëritun fjalët ‘mjeri unë…’ nandë herësh e tuj hudhë kambën kah i dekmi”. Përgjithësisht, thirrjet dhe ofshamat e burrave kombinohen çdo herë me gjeste të reja, të cilat e rrisin sërish dramacitetin e ngjarjes nëpërmjet vetgjymtimit: ‘grushtimit ritmik … mbi gjoksat e perleshun të zbluem’, ‘grisjes së lëkurës së tamthave’ me ‘thonj të premë … tue hjedhë gjak nga i vdekuni’, dhe së fundmi përuljes më gjunjë para të vdekurit, duke përkëdhelur tokën që do të strehojë dhe konsumojë kufomën e tij…”
Lashtësia
Pikëtakimet e Albert Dumont me shqiptarët janë të shumta dhe tipi i tyre tepër i veçantë ndër popujt që e rrethojnë, atij i pëlqen. – “Shqiptari dallohet në mënyrë shumë të qartë: një kokë e vogël, një hundë e hollë, këmbë të gjata dhe nervoze, çka të kujton grekët e hershëm, ashtu siç është paraqitur në një statujë arkaike mbi mermerin e Eginës. Ecja e tij është elegante dhe ai kënaqet me qëndrimin e tij, me gjithë padurimin që të tregojë se ka ndjenjën e së bukurës dhe të harmonisë”. Madje, më pas, duke studiuar për racën shqiptare, ai do të shkruante në librin e tij “Ballkani dhe Adriatiku” se, “Nuk ka në Evropë popull më të vjetër se ai i shqiptarëve”, edhe pse ai e di se asnjë dëshmi nuk flet për kohën se kur ata u shfaqën në Ballkan. “Padyshim që shumë e shumë shekuj më parë, ata ishin vendosur aty… – përgjigjet ai. – Ndër shqiptarët e sotëm, të cilët dikur zotëronin sipërfaqe shumë të mëdha, gjenden emra qytetesh që i përkasin gjuhës së tyre në zona ku shihen veçse serbë e bullgarë. Ata me siguri që kanë qenë të fundit që i përkisnin asaj popullsie primitive të lashtë. Ata flasin një gjuhë, karakteristikat themelore të së cilës kanë filluar të njihen mirë në sajë të studimeve të Xylander, Johan von Hahn, Reinhold dhe së fundi nga Franz Bopp”. Ai shkruan për Ksilander, (Xylander), që kishte qenë një mjek i flotës greke dhe që studioi shqipen e banorëve të Hidrës e Specaj, të marinarëve, me të cilët jetoi shumë vite me radhë. Madje dhe librin e tij, ai ua kushtoi këtyre marinarëve. Po kështu ai pohonte se për historinë e letërsisë shqipe dhe alfabetin e saj kanë bërë studime Louis Bonaparte, vëllai i Napoléones, peshkopi Grégoire i Eubea-s, Kavalioti e të tjerë. Dhe Dumont mbështeste tezën e tij: “Shqipja është një gjuhë indoevropiane që i afrohet më shumë gjuhës latine, sesa greke, (shiko veprën ‘Nuits pelasgiques’ ose ‘Noctes Pelasgica’, vepra kushtuar atyre “marinarëve pellazgë”, (nautae pelasgici).” Madje për lidhjen e ngushtë të jetës dhe historisë moderne shqiptare me antikitetin, ai i drejtohet dhe kostumit të shqiptarëve, veshjeve të tyre, të cilat bien në sy menjëherë. “Fustanella e bardhë, – shkruante ai, – duhet të jetë si ‘tunika’ palë-palë që mblidhej dikur në brez. Këmbëzat e mëdha që mbështjellin këmbët deri në gju, janë si ato të kohës antike… Stela e luftëtarit të Maratonës dhe disa stela të Italisë qendrore, tregojnë burrin me veshjet e shtrënguara pas trupit. I njëjti tip kostumi gjendet dhe në vazot antike me pikturat e zeza. Pikërisht në Shqipëri duhet kërkuar shpjegimi mbi kostumet e vjetra helenike.” A nuk shkruante dhe rilindësi shqiptar i kësaj kohe, Pashko Vasa, në botimin e tij mbi shqiptarët se, “Shqiptarët, veçanërisht ata të maleve veriore, edhe sot në ditët tona janë ende po ata që kanë qenë këtu e tridhjetë shekuj më parë: barinj e luftëtarë, të cilët ndjejnë, mendojnë, jetojnë e vdesin si heronjtë e Homerit”.
“Ballkani dhe Adriatiku”
Në librin e tij “Ballkani dhe Adriatiku”, Dumont do të tregojë dhe vazhdimin e udhëtimit të tij në jug të Shqipërisë, duke kapërcyer së pari lumin e Vjosës. “Ne e ndoqëm atë udhë gjatë pesë ditëve, nga Vlora gjer në Janinë, një nga zonat më të bukura të kësaj krahine. Lumi rrjedh midis dy vargmalesh: herë rrjedh i qetë e i pastër, e herë duke gjëmuar, i mbushur me shkumë, duke u hedhur si një përrua. Shtegu i sapohapur shkon anash shkëmbinjve, kalon nën këmbët e atyre masivëve gri, që ngrihen thikë buzë ujërave, duke iu ngjitur grykave dhe duke humbur nëpër pyje. Në muajin janar, ngjyrat, pothuaj të zbehta, edhe pse gjithnjë të pastra, dhe linjat e sakta të pamjeve që pasonin nën shikimin tonë, i jepnin atij ansambli një veçanti dhe një bukuri po aq të gjallë sa ajo çka na priste në viset fqinje të Greqisë. Gjithë Epiri është veçse një luginë mes së cilës shumë lumenj krijojnë pellgje pothuaj paralele. Në lindje ngrihen vargmalet e Pindit, në buzë të detit janë malet Akrokeraune dhe njëzet maja pa emër, ku secila nga këto murale binte thikë. Kur këto maja janë afër njëra tjetrës, shihen veç shkëmbinj në ngjyrë gri, maja me dëborë e thepisje, ku gjithë mundim rrjedhin vijëza uji mbi një shtrat të gurtë… Është e vërtetë që Epiri ka lëndina të bukura si ato të Paramithisë. Ndonjëherë qytetet ngrihen mes ullishtave si Vlora në veri, si Preveza në jug, duke fshehur në kopshte minaretë e tyre dhe muranat e vjetra të shkatërruara…”
Dhe Janina është një qytet që e tërheq, edhe pse nuk është më në shkëlqimin që i kishte dhënë Ali Pasha, i cili e kishte kthyer atë në një qytet kozmopolit, ku zotëronte toleranca fetare, ku shkollat shtoheshin dhe po kështu dhe manastiret ortodokse në gjithë pashallëkun, pra në një metropol të jetës shqiptare. Ai shënon se vilajeti këtu është i ndarë nga administrata osmane në pesë sanxhakë, si Janina, Gjirokastra, Berati dhe Trikalla. Pikërisht në Janinë, Dumont kishte takuar një tregtar i cili zotëronte katër kodikë të vjetër në “parshemen”, pra të shkruar në lëkurë viçi, siç shkruheshin dorëshkrimet e vyera kishtare. Ky fakt tërhoqi menjëherë vëmendjen e shkencëtarit, i cili hyri në tratativa me të. Dumont nuk na e jep emrin dhe nuk na e thotë kombësinë e tij, nëse ishte ai shqiptar apo grek, pasi në këtë periudhë në Janinë kishte një ardhje të madhe grekësh, të cilët synonin që një ditë, Janina të hynte brenda kufijve të shtetit të ri grek. Në dyqanin e tregtarit, Dumont i kishte parë me kujdes dorëshkrimet e shenjta, të gjitha të shkruajtura në greqisht, në “parshemen” dhe sigurisht jo aq të vjetër sa thoshte tregtari, veçanërisht për njërin prej tyre, se ishte i shekullit I apo II të erës sonë.
Në Shqipërinë e jugut, në Epir dhe në Greqi, Dumont vuri re se jeta homerike kishte vdekur me kohë. Ajo gjendej veçse në mermerët e monumenteve antike, shumica ende nën dhé, mbuluar nga tërmetet dhe stuhitë. Atje, gjithçka kishte ngrirë shumë e shumë shekuj më parë. Ndërsa larg, në veriun shqiptar, në ato male të vështira për t’i ngjitur, rrethuar nga bora dhe me kokën nëpër re, prushi homerik ishte ende i ngrohtë, digjte, jetonte në këngët e gjata të rapsodëve, por dhe në ritet njerëzore, tragjeditë e dhimbshme të dashurisë dhe të gjakut, të rrëmbimit të grave dhe të kalimit të të gjallëve në botën e përtejme… Populli këndonte ende këngët e heronjve të Jutbinës, të Mujit e Halilit, vajtimin e Ajkunës, një nga perlat e kësaj epike legjendare.
Studimi
Dumont ishte bërë tashmë një referencë e njohur shkencore. Duke iu referuar udhëtimit të tij në Shqipëri e në Greqi, revista franceze “Viti Gjeografik 1872”, shkruante se “Zoti Dumont, në çdo çast të këtij udhëtimi u habit nga zakonet, ritet e kostumet shqiptare, analogji këto që të kujtojnë grekët e kohërave homerike. Por dihet që shqiptarët banojnë në trojet e pellazgëve të dikurshëm. Si francez, ai gjeti atje një pritje për të cilën ai ishte i lumtur e krenar”. Dhe më pas, revista shkëpuste një kujtim të Dumont, ku tregonte se “bashkë me Chaplain, ne mundëm të shikonim në Shqipëri e Epir sesa ka ndryshuar ideja për Francën me ngjarjet e fundit, ngjarje që ky popull i ndjek me një kureshtje të habitshme…” Në kurset e tij për arkeologjinë në Shkollën Franceze të Romës, (Ecole Française de Rome), lidhur me arkeologjinë, në vitin 1875, ai u thoshte studentëve: “Arkeologjia nuk është thjesht një studim kureshtar, ku objektet sa më të vjetra janë, aq më shumë vlerë kanë. Ajo që kërkohet më shumë nga ne është të bëjmë të rijetojnë epokat e zhdukura, të rigjejmë fizionominë e atyre vendeve, të cilat shpesh nuk na kanë lënë për veten e tyre asnjë detaj të saktë. Aty është dhe bukuria e kësaj shkence, disi të ashpër.” Sigurisht, kërkimet e tij në Greqi, Thrakë dhe puna disavjeçare në Shkollën Franceze të Romës, e bënë atë një nga figurat e njohura të historisë dhe të arkeologjisë franceze të asaj kohe. Librat e tij të botuar si, “Vazot e pikturuara të Greqisë”, “Piktura në qeramikën greke”, “Ese mbi efebët e Atikës”, “Mbishkrimet dhe monumentet me figura të Thrakës”, “Terrakotat orientale dhe greko-orientale” (Chaldée, Assyrie, Phènicie, Chypre et Rhodes), etj., e kthyen atë në një referencë të vërtetë të botës shkencore evropiane. Për librin e tij “Ballkani dhe Adriatiku”, akademiku Pierre Amandry shkruante se “çdo kapitull i këtij libri është i kthjellët për nga analiza, i zymtë për nga paraqitja dhe një shembull i vështrimit diplomatik…” Në vitin 1882 ai u zgjodh në Akademinë Franceze të Mbishkrimeve dhe të Letrave të Bukura, (L’Académie des Inscriptions et des Belles Lettres). Por ndërkohë, nga udhëtimet e shpeshta dhe lodhja e madhe, papritmas, jeta e tij do të ndërpritej nga një vdekje e parakohshme dhe pa zhurmë, kur një mëngjes, gruaja e tij e gjeti të vdekur në krevat, në 12 gusht të vitit 1884. Ai ishte veçse 42-vjeçar dhe shumë projekte e studime të ndërmarra mbi Ballkanin mbetën të papërfunduara…
*Studiues

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here