Hamdi Beqiri mund të konsiderohet si drejtuesi më i vjetër në Shqipëri. Një patentë, e cila në kohën kur është lëshuar quhej “leje shoferi”, e datës 7 qershor 1929, është një prej dokumenteve më të vjetër në këtë fushë të ruajtur deri më sot në Durrës. Ajo i përkiste qytetarit Hamdi Beqiri dhe për shumë vite me radhë ruhet me fanatizëm nga e bija, Shpresa Beqiri, piktore e mirënjohur. Fotot e para të kësaj patente i ka publikuar Gazeta e Durrësit. Imazhet e kësaj lejeje drejtimi dhe një pjesë të intervistës që Shpresa Beqiri ka dhënë për gazetën e Durrësit. Leja e Shoferit

Në formën e një libërthi, apo më mirë të thuhet, e ngjashme me letërnjoftimet e mëvonshme, në faqen e parë të saj, leja e shoferit paraqet gjeneralitetet e zotëruesit, datën e lëshimit dhe numrin e regjistrimit. Në fletët e brendshme lexohet ky tekst: “Zoti Hamdi Beqiri, ka leje me përdorë një qerre me fuqi motori (motosikletë) në bazë të provimeve që ka dhanë përpara këtij Autoriteti në Durrës, me datë 7/06/1929 .” Më tej vijojnë vulat përkatëse të kompetentëve që kanë lëshuar lejen e shoferit dhe në faqen përbri saj, janë të vendosura dy pullat e pagesave të taksave dhe fotografia e qytetarit Hamdi Beqiri. Leja e shoferit e vitit 1929 është në gjendje të përsosur dhe kjo falë ruajtjes brenda këllëfit origjinal, por edhe kujdesit të familjarëve të Beqirit.

Shpresa: Në 1933-in kishim tri makina

E bija pohon se duke nisur prej lejes së parë, në shtëpi ajo ruan edhe të gjitha ripërtëritjet e dokumentit, deri kur Hamdi Beqiri doli në pension. Hamdi Beqiri ishte një ndër shoferët e parë në qytetin e Durrësit dhe deri në vitin 1933, zotëronte tri makina, ndër të cilat edhe një tip Benz, me shtatë vende, sikurse kujton e bija. Të gjitha këto, u shtetëzuan me ardhjen në pushtet të regjimit komunist. “Im atë ishte 20 vjeç kur e mori lejen e shoferit dhe me shaka kujtonte, vite më vonë, që ishte brezi që i kishte dhënë makinave me rrota druri. Që prej vitit 1929 e deri sa doli në pension në 1969, ai punoi si shofer. Madje, tregonte se për një periudhë kohe kishte qenë edhe shofer i Harry Fultz-it, kur ky i fundit ka ardhur në Shqipëri”, tregon piktorja Beqiri.

Lejet e qarkullimit

Dy dokumentet bazë ishin: Leja e Veprimit, që është e barasvlershme me lejen e sotme të qarkullimit të çdo automjeti, dhe Leja e Shoferit, që sot quhet leja e drejtimit. Në atë kohë, ligja përcaktonte se mosha minimale për t’u pajisur me leje drejtimi ishte 20 vjeç. Në atë kohë, ai dekret-ligj shoqërohej edhe me një rregullore zbatimi, e cila, mes të tjerave, parashikonte edhe kushtet për t’u pajisur me leje drejtimi, që janë thuajse të njëjta edhe sot e kësaj dite: certifikatë lindje, vërtetimi i vendbanimit, raporti mjekësor, dy fotografi, provimi teorik dhe provimi praktik.

Garat e para

Që në atë kohë, janë regjistruar edhe aktivitetet e para sportive automobilistike. Në vitin 1927, në Korçë, u organizua gara e parë autobilistike. Por, bashkë me automjetet u shfaqën edhe aksidentet. Në gazetën “Zëri i Korçës”, të datës 15 mars 1927, në shkrimin “Automobilistët dhe marrëzitë e tyre” thuhet: “Javën e parë, një automobilist, nga nxitimi i tij, e vrau një djalë … Është vënë re se automobilistët i ngasin automobilat e tyre nëpër qytet me një tërbim sikur kanë për të marrë rekordin e shpejtësisë…”

Ligji për “qerret me fuqi motori”

Menjëherë pas konsolidimit të integritetit të vendit, veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës, që u mbajt më 23 janar 1920, nisi edhe rimëkëmbja ekonomike dhe, vetvetiu, erdhi edhe rritja e numrit të automjeteve. Në vitin 1921, në vend numëroheshin mbi 10 automjete të llojeve të ndryshme, një pjesë të përqendruar në Tiranë dhe pjesa tjetër e shpërndarë në qytetet e tjera. Shtimi i numrit të automjeteve solli, në atë kohë, edhe nevojën e një kuadri ligjor për të rregulluar veprimtarinë e tyre, ligj i cili u miratua në vitin 1924, ligji për qerret me fuqi motori. Kështu njiheshin në atë kohë… qerre me fuqi motori. Më 10 prill 1924, Këshilli i Lartë miratoi dekret-ligjin “Mbi shërbimin e automobilave dhe të çdo qerreje me fuqi motori”.

Në vitin 1926 bëhet edhe inventari i parë i të ashtuquajturave “qerre me motor” në të gjithë vendit, i ndarë sipas prefekturave. Në atë vit, në të gjithë vendin ishin 483 automjete të ndryshme. Në Durrës ishin të regjistruara 70 automjete. Në vitet e mëvonshme, krahas numrit të përgjithshëm është regjistruar edhe tipi i tyre. Nga kjo rezulton se, fillimisht, numri më i madh i automjeteve ishte i prodhimit amerikan. Kështu, në vitin 1927, në vend ishin të regjistruara 426 automjete amerikane, 99 gjermane dhe 5 automjete franceze.

Në vitin 1929, numri i automjeteve amerikane arriti në 701. Por, me kalimin e kohës, gjatë viteve ’30, pjesa më e madhe e automjeteve kishin prejardhje nga vendet evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Franca Për herë të parë, prania e automjeteve në vendin tonë është dokumentuar më 18 tetor 1919, në Durrës. Në atë kohë, vendi sapo kishte dalë i rrënuar nga Lufta e Parë Botërore dhe në qytetin bregdetar, nga data 25 deri më 27 dhjetor 1918, ishte mbajtur Kongresi i Durrësit, prej nga ku doli edhe një qeveri e përkohshme, e njohur si Qeveria Provizore e Durrësit. Pikërisht në dokumentet e kësaj qeverie, në një komunikim të sajin me Ministrinë e Jashtme të Italisë më 18 tetor 1919, rezulton se në Durrës kishte automjete. Madje, kishte edhe një lloj shërbimi për regjistrimin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here