Brizida Gjikondi
Është llogaritur që fuqia e Skënderbeut ishte rreth 15,000 deri 30,000 luftëtarë, nga shumë burime të asaj kohe mendohej se ushtria turke që mësynte në trojet tona arrinte edhe në 150,000 deri 400,000 ushtarë, çka do të thotë që çdo ushtari shqiptar i korrespondonin 10 ose më shumë ushtarë turq.
Kur e mendon kështu, në plan të parë, sidomos duke mos njohur psikologjinë dhe filozofinë e Skënderbeut në luftë, të duket si dicka mbinjerëzore, e pamundur.
Por jo, shpjegimi gjehet tek fuqia e pa’anë mendore e Skënderbeut, tek bindja tek ajo që ai e quante Lufta e drejtë të cilën ai jo vetëm e pati zbatuar përgjatë gjithë karrierës së tij luftarake por edhe dinte ta përkufizonte qartë dhe bukur. Në dorëshkrimet e Marin Barletit dhe historianit sllovak, Gabriel Kolinoviq për Gjergj Kastriotin, zbardhet ligjërimi me vetë gojën e Skënderbeut, i cili thotë: “Unë nuk flas me njerëz që i mohojnë luftërat e drejta. Është turp të pranoni ndonjë fat, që s’është në dorën dhe në shpatën tuaj, sepse edhe perënditë ndodhen zakonisht atje ku është e drejta…, ne luftojmë me të drejtë për të sprapsur dhunën e për të jetuar në paqe… AI (armiku) s’vjen kundër nesh i shtyrë nga urrejtja e drejtë e luftës, as si një armik I vërtetë…, respekto para së gjithash drejtësinë… ata nuk e mohojnë këtë luftë (fqinjët)… E kush tjetër veçse I urryeri nga perënditë dhe nga njerëzit mund të mohonte një luftë kaq të drejtë.“
Vërtetësinë e pikëpamjeve të Skënderbeut e rishpall qartë edhe “ministri i tij i financave”, njëkohësisht dhe historian, Dhimitër Frëngu, i cili ka transmetuar këto gjykime të prijësit kombëtar Gjergj Kastriot Skëndebeu “ fitoret s’varen prej numurit të njerëzve por,… prej të paturit të së drejtës nga ana e vet…., meqë kemi të drejtën nga ana jonë, ne, duke luftuar…, s’ka dyshim që s’kemi përse të mos shpresojmë se fitorja do të jetë nga ana jonë.“ fitorja ka për të qënë nga ana e së drejtës.
Si nga Marin Barleti, Frëngu, Kolinoviq etj., kuptohet dhe perceptohet fuqia e mendjes tek Skënderbeu, atdhedashuria e tij sublime, autosugjestioni ndaj trimërisë dhe luftës së drejtë ndaj dhe rrjedhimisht fitorja e tij mbi sulmet e ushtrisë turke. Përçmimi i Skënderbeut ndaj ushtrive pushtuese përbën dhe superioritetin dhe madhështinë e tij, ku bazohej trimëria dhe shembulli që ju jepte ushtarëve të tij.
“Armiqtë nuk janë aq të fortë sa e kanë namin, shkruante Barleti, ne do të kemi mundësi t’i shpartallojmë sikur të ishte një tufë dhensh. Mos u trembni nga poterja e tyre, nga ulërimat e tyre, duhet parë më shumë cilësia, trimëria se sa numri i madh.”
Të rrethuarve të Skënderbeut me gjylet e topave nuk u bënin më asnjë përshtypje: “Mos kujtoni se turqit janë të pathyeshëm, ata mund të thyhen fare mirë prej jush, si i keni thyer sa e sa herë… prandaj sulmet e kota dhe boshe të barbarit t’i prisni me plot zemër e ngazëllim, të talleni me të, sepse ai veç po i bie me kokë murit.” Një dëshmitarë i huaj (i dokumentuar nga kronikanët e kohës) i cili pat parë me sytë e tij Skënderbeun në luftë tregonte se gjatë shumë sulmeve, Gjergji tallej me armikun!
Skënderbeu e mposhte armikun për së pari psikologjikisht, pastaj me trimëri dhe me armë, këtu qëndron dhe sekreti i betejave dhe fitoreve të tij, që atë shekull të XV e quajtën Moti i madh i Arbrit. /TemA/