Në këtë shkrim përvijohet historia e zbulimit të veprës së Buzukut së bashku me përpjekjet e kryera nga  arbëreshët e Sicilisë për të nxjerrë në dritë një botim kritik të tekstit të Mesharit. Ishte imzot Skiroi që “iu vu  studimit të veprës së Buzukut me qëllim që të përgatiste një rishtypje, duke njoftuar për këtë gjetje të rëndësishme  gazeta dhe periodikë të ndryshëm shqiptarë të kohës e duke botuar një artikull me gërma të prera  enkas, të ngjashme me ato të origjinalit” . Lajmi pati jehonë të gjerë e qysh “në vitin 1929 françeskanët e  Shkodrës porositën tri kopje fotografike”, njëra prej të cilave u përdor nga Justin Rrota për botimin e disa  pjesëve biblike që përmbante vepra, së pari, në revistën “Hylli i Dritës” të vitit 1930 e më vonë në një përmbledhje me titull Monumenti mâ i vjetri i Gjuhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555). – Shkruan Profesor Matteo Mandala

“Në këto radhë do të rrekem të përvijoj shkurtazi historinë e zbulimit të veprës së Buzukut së bashku me  përpjekjet e kryera nga arbëreshët e Sicilisë për të nxjerrë në dritë një botim kritik të tekstit të Mesharit:  nuk ka dyshim se të dyja këto aspekte marrin një rëndësi të jashtëzakonshme, qoftë për sa i përket historisë  së marrëdhënieve mes arbëreshëve dhe shqiptarëve gjatë shekullit XVIII, qoftë edhe për sa u përket zhvillimeve  të një disipline që për dhjetëra vjet, më saktë gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, u la thuajse krejt pas dore”, shprehet autori Meshari i Buzukut në Sicili Nga letra e Kazazit drejtuar at Gjergj Guxetës, deri te studimet gjuhësore dhe filologjike të imzot Pal Skiroit

Nga Profesor Matteo Mandala

1.– Falë një vargu rrethanash fatlume, Sicilisë dhe studiuesve më të shquar arbëreshë të kësaj ujdhese, u janë ndeshur udhët me çastet më të rëndësishme të historisë së monumentit më të vjetër gjuhësor të shqipes, “Mesharit” të Gjon Buzukut. Qysh prej zbulimit të kësaj vepre nga Kazazi dhe rizbulimit të mëvonshëm nga imzot Pal Skiroi, “Meshari” i Buzukut ka qenë në qendër të një interesi­mi të jashtëzakonshëm, që jo vetëm ka të bëjë me historinë kulturore të nguli­meve arbëreshe të Sicilisë, por ka frymëzuar dhe nxitur një lëmë të veçantë studimesh, atë ekdotik, që jo rastësisht, siç do ta shohim, zë fill me përpjekjet e para të propozimit të një teksti kritik të “Mesharit” dhe vijon deri në ditët tona me ndihmesën e vyer që po japin tashmë prej vitesh në fushën e filologjisë shqipe dy katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Palermo dhe në Kozencë. Nuk e teprojmë po të themi se rezultatet e arritura kohët e fundit nuk do ta kishin vlerën që kanë sikur të mos mund të përfitonim nga studimet, pjesërisht të botuara, të dy pionierëve të filologjisë shqipe: Pal Skiroit dhe Marko la Pianës.

Në këto radhë do të rrekem të përvijoj shkurtazi historinë e zbulimit të veprës së Buzukut së bashku me përpjekjet e kryera nga arbëreshët e Sicilisë për të nxjerrë në dritë një botim kritik të tekstit të Mesharit: nuk ka dyshim se të dy këto aspekte marrin një rëndësi të jashtëzakonshme qoftë për sa i përket historisë së marrëdhënieve mes arbëreshëve dhe shqiptarëve gjatë shekullit XVIII, qoftë edhe për sa u përket zhvillimeve të një disipline që për dhjetëra vjet, më saktë gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, u la thuajse krejt pas dore.

***

2.– Sikundër dihet, “Meshari” u zbulua për të parën herë aty nga viti 17434, kur imzot Gjon Pagëzues Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, i sapoemëruar arkipeshkëv i Shkupit, teksa po kthehej nga një vizitë apostolike që kish kryer në Bullgari dhe në vende të tjera të Lindjes, e gjeti në Kolegjin e Propagandës Fide dhe vendosi të njoftojë menjëherë përmes një letre at Gjergj Guxetën (1682-1756), rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos dhe nismëtarin e një lëvizjeje të rëndësishme politiko-kulturore që u dha jetë ngulimeve arbëreshe të Italisë.

Letra e Kazazit, që deri para vitit 1967 ruhej në arkivin e seminarit5, ndërsa tani ndodhet në fondin Albansk Samling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, përmbante, me gjasa, edhe një relacion ku informohej at Guxeta mbi kushtet në të cilat dergjej popullsia shqiptare e besimit katolik në viset e Ballkanit, që prej kohësh ishte pushtuar nga osmanët dhe lëngonte nën një shtypje fetare dhe kulturore të pashoqe deri asokohe.

Ky relacion nuk ndodhet më në arkivin e seminarit. Gjithsesi, ekzistenca e tij është dokumentuar qoftë nga Pal Maria Parrino (1710-1765), qoftë edhe nga Nikollë Keta (1742-1803), të cilët e citojnë në veprat e tyre të titulluara përkatësisht: “In septem perpetuae consensionis libros septem Albanensis Ecclesiae cum Romana omnium Mater et Magistra” dhe “Tesoro di notizie su de’ Macedoni6″. Me interes të veçantë është e dhëna që përmban vepra e Ketës Tesoro, të cilën na e vuri në dukje së pari Bardhyl Demiraj, sipas së cilës në seminarin arbëresh të Pelermos në vitin 1775 kur shkruante Keta «ruhet një dorëshkrim ritual në gjuhën tonë, kopjuar nga origjinali i Propagandës prej imzot Zassi-s, e hartuar nga Donich Buzuku»7. Filoteo Zassi, i cili lindi më 1654 në fshatin arbëresh të Mezzoiuso-s në Sicili, vdiq në Romë më 1726, pra shumë vjet më përpara se Kazazi t’i shkruante letrën at Guxetës. Sikur të konfirmohej njoftimi i Ketës, gjithë historia e zbulimit të Mesharit do të duhej rishikuar. Mirëpo për fat të keq, me gjithë kërkimet e shumta që kemi ndërmarrë në fondin e vjetër të arkivit të Seminarit, nuk kemi mundur të gjejmë gjurmë të këtij dokumenti. Gjithsesi s’ka dyshim se ekzistenca e tij e hamendësuar do të ketë ushtruar një ndikim të ndjeshëm gjatë shek. XVIII para se të binte në harresë.

U desh të kalonte pothuaj një shekull që letra e Kazazit, harruar në raftet e arkivit, të shpluhurosej dhe të tërhiqte vëmendjen e imzot Zef Krispit (1781-1859), i cili jo vetëm që e citoi në veprën e tij Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia8, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit që kishte kopjuar Kazazi, transliteruar në alfabetin e shqipes që ai vetë kishte krijuar. Kështu, për herë të parë një pjesëz e Mesharit e pa dritën e botimit përmes një qasjeje, që, paçka se modeste nga pikëpamja metodologjike, përuronte udhën e gjatë të studimeve filologjike mbi veprën e Buzukut.

Ca kohë më pas imzot Pal Skiroi, peshkopi arbëresh i Sicilisë dhe rektor i seminarit që themeloi at Guxeta, pasi mësoi për ekzistencën e “Mesharit” përmes veprave të pararendësve të tij dhe natyrisht, përmes letrës së Kazazit, vendosi t’i jepte udhë një fushate të vërtetë kërkimesh në bibliotekat më të rëndësishme kishtare të Romës. Imzot Skiroit i takon merita e “rizbulimit” të librit të Buzukut, e bashkë me të edhe të një morie dokumentesh të tjera gjuhësore me rëndësi të jashtëzakonshme, mes të cilave përmendim kopjen e shtypur të veprës së Matrangës “E mbsuame e krështerë” që u gjet në Bibliotekën e Vatikanit. Fushata kërkimore filloi aty nga viti 1909 kur imzot Skiroi mundi më në fund, falë edhe përkrahjes së kardinalit F. Ehrle që asokohe ishte prefekt i Bibliotekës së Vatikanit, të shqyrtonte librat e shumtë të pakataloguar që vinin nga biblioteka të tjera. Mes këtyre ishte edhe kopja e Mesharit, që në kohën e Kazazit ruhej në Bibliotekën e Propagandës, por që pas vitit 1900, me unifikimin dhe përqendrimin e fondeve të ndryshme kishtare që ndërmori Selia e Shenjtë, u transferua në Bibliotekën e Vatikanit.

***

3.– Historisë së vendndodhjeve të ndryshme të “Mesharit” në rrjedhë të shekujve nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Ndoshta nga kjo shkujdesje zë fill hipoteza që e sheh përkthimin e Buzukut si viktimë të censurës pastridentine, si edhe futjen e tij në Index librorum prohibitorum. Sipas kësaj hipoteze, fakti që kopja e vetme e Mesharit u gjend në Bibliotekën e Vatikanit, dëshmon se, me gjasa, vepra, pasi i është nënshtruar zyrës së censurës së Vatikanit, do të jetë gjykuar si e papajtueshme me udhëzimet e koncilit e, për këtë arsye, do të jetë ndaluar dhe tërhequr nga qarkullimi.

Kjo hipotezë ka disa të meta. Së pari, fakti se kopja e gjetur ka përanash faqeve shënime të shumta apografe të bën të mendosh për një interpretim kryekëput të kundërt, sepse dëshmon jo vetëm për një përdorim praktik të Mesharit, por edhe për qarkullimin e kësaj vepre në trojet e Ballkanit; së dyti, meqenëse në botimet e shumta të Index-it nuk përmendet asnjë Meshar në gjuhën shqipe, bie hipoteza që përkthimi i Buzukut të ketë qarkulluar jashtë mjediseve ballkanike dhe shtohen gjasat që autoritetet romane të jenë vënë në dijeni të ekzistencës së Mesharit vetëm përmes së vetmes kopje të shtypur që mbërriti në Romë.

Përkundrazi, pikërisht kjo veçanti që do të kishte ndihmuar në vlerësimin kritik të kontekstit kulturor ku vendoset historia e librit të Buzukut, e bën më të gjasshme hipotezën sipas së cilës ekzemplari i “Mesharit”, që zbuloi Kazazi në Bibliotekën e Propaganda Fides ka mbërritur në Romë pas vitit 1622, d.m.th. pas hapjes të Kolegjit Papnor Urban, pra në një periudhë më të hershme se ajo e ndërmarrjeve censurore tridentine.

Sipas Gaetano Petrotës, ai mund të ketë qenë pjesë e koleksionit të librave fetarë lindorë që kardinali Stefan Borxha (1731-1804)9, për shumë vite prefekt i bibliotekës së Propagandës dhe studiues mendjendritur, mori me vete gjatë udhëtimeve që kreu nëpër Evropën Lindore. Hipoteza e Petrotës ngjan mjaft joshëse, ngaqë, e mbështetur mbi profilin intelektual të këtij kardinali ‘të pazakontë’që jo vetëm ruajti me zgjedhjet e tij prej njeriu të mendjehapur e kureshtar një shpirt pa dyshim të lirë, por edhe dëshmoi se kishte një vullnet e dashuri të atillë për kërkimin shkencor e studimin që do ta shpinin, në cilësinë e përgjegjësit të Kongregacionit për Index-in, deri atje sa të lejonte edhe leximin e librave ‘të ndaluar’. Ajo që megjithatë tregon pathemeltësinë e kësaj hipoteze është fakti se në periudhën mes viteve 1743-1744 kur Kazazi zbuloi “Mesharin” Borxha ishte vetëm 12 vjeç. Pra mund të themi me siguri se kopja e “Mesharit” gjendej në bibliotekën e Propagandës shumë kohë përpara se kardinali Borxha të merrte detyrën e sekretarit dhe të prefektit. Hipoteza e Petrotës ka sidoqoftë meritën se propozon një alternativë të vlefshme lidhur me tezën e censurës kishtare, ngaqë, pas të gjitha gjasave, asgjë nuk mund ta pengonte ndonjë prej misionarëve të shumtë katolikë që ktheheshin në Itali nga Ballkani ta sillte “Mesharin” në bibliotekën e Propagandës. Ishte zakon i kohës që shumë prelatë të lartë, kur udhëtonin nëpër botë, përfshirë Ballkanin, që afërmendsh tërhiqte vëmendjen e posaçme të Selisë së Shenjtë, të mblidhnin prova të fryteve që jepte politika e ungjillizimit që zbatonin misionarët katolikë e të gjenin dokumente që dëshmonin qëndresën fetare e kulturore ndaj trysnisë islamizuese, për t’ua paraqitur këto krerëve të Kishës. Vetëm më pas, e më saktë në vitet kur Biblioteka e Vatikanit u drejtua prej kardinalit Franz Ehrle (1845-1934), ajo iu nënshtrua një ristrukturimi të thellë të fondeve, edhe falë mbledhjes së mjaft vlerave librore që vinin prej bibliotekave të tjera kishtare romane, “Meshari” u transferua nga biblioteka e Propaganda Fides, ku e kishte zbuluar Kazazi, në atë të Vatikanit, ku do ta zbulonte për së dyti imzot Skiroi.

Këto kohët e fundit studiuesja dhe mikja Lucia Nadin duke kërkuar në arkivat e Venedikut ka bërë disa zbulime me interes të jashtëzakonshëm që i vënë në diskutim hipotezat e mësipërme. Nuk është vendi këtu të zgjatemi në shtjellimin e hollësishëm të këtyre zbulimeve edhe sepse lexuesi i rregullt i “Milosaos” një pjesë të tyre i ka mësuar pikërisht nga faqet e kësaj reviste. Shkurt mund të themi se, sipas dokumenteve që zbuloi Nadin, libri i Buzukut u shtyp në Venedik, qarkulloi dhe u përdor nga priftërinjtë shqiptarë në kishat shqiptare të Venedikut, u përdor në shkollën shqiptare që ishte hapur ndërkohë atje për emigrantët e shumtë shqiptarë që ishin vendosur në Venedik, të cilët ishin aq aktivë dhe të fuqishëm sa porositnin përkthime dhe botime librash në shqip, ndërtonin, restauronin dhe zbukuronin kishat me afreske ku personazhet biblike shfaqeshin të mbështjellë me flamurin e Skënderbeut10 etj. Pra nuk kishte nevojë që dikush ta sillte librin në Itali nga Ballkani, sepse libri ka qenë gjithmonë në Itali. Madje çështja tani shtrohet e përmbysur: a e ka kapërcyer ndonjëherë Meshari i Buzukut Adriatikun? A është përdorur ndonjëherë në Shqipëri? Në fakt ne nuk kemi dëshmi të drejtpërdrejta që të vërtetojnë se libri ka hyrë dhe është përdorur në Ballkan.

***

4.– Pas gjetjes së Mesharit, imzot Skiroi «iu vu studimit të veprës së Buzuku me qëllim që të përgatiste një rishtypje, duke njoftuar për këtë gjetje të rëndësishme gazeta dhe periodikë të ndryshëm shqiptarë të kohës e duke botuar një artikull me gërma të prera enkas, të ngjashme me ato të origjinalit»11. Lajmi pati jehonë të gjerë e qysh «në vitin 1929 françeskanët e Shkodrës porositën tri kopje fotografike»12, njëra prej të cilave u përdor nga Justin Rrota për botimin e disa pjesëve biblike që përmbante vepra, së pari, në revistën Hylli i Dritës të vitit 1930 e më vonë në një përmbledhje me titull Monumenti mâ i vjetri i Gjuhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555). Ndërkohë mbeti i pabotuar studimi i përgatitur nga imzot Skiroi, i cili nuk mundi t’i kapërcente vështirësitë e ndryshme që hasi për botimin e studimit të plotë filologjik. Nëse lëmë mënjanë botimin kritik të «pjesëve biblike të Buzukut», përgatitur nga bashkëpunëtori i Skiroit, Gaetano Petrota, për periodikun shkencor “Rivista indo-greco-iranica di filologia, lingua e antichità” me titull “Il più antico testo di lingua albanese: Gjon Buzuku (1555)”, studimi filologjik i gjerë dhe i hollësishëm i zbuluesit të Mesharit ka mbetur thuajse krejt i panjohur për botën shkencore albanologjike. Kohët e fundit m’u dha rasti t’i hedh një sy veprës së pabotuar të imzot Skiroit, që ruhet me kujdes e dashuri të veçantë nga trashëgimtarët e studiuesit arbëresh e, veçanërisht, nga stërnipi, Franko Skiroi, të cilin me këtë rast e falënderoj përzemërsisht për ndihmën që më dha në ftillimin e vandakëve të pafundmë me dokumente të Arkivit privat që ai ruan me përkushtim të madh. Nuk është vendi të bëjmë këtu një përshkrim të hollësishëm të studimit të imzot Skiroit, por gjithsesi nuk mund të mos theksojmë se megjithëse shumë aspekte të kritikës tekstore që shfaqen në këtë studim të rëndësishëm janë kapërcyer tashmë nga studimet e mëvonshme të zhvilluara gjatë shekullit të shkuar, kjo vepër përbën sot një ndihmesë të vyer për historinë e kritikës tekstore buzukiane, madje, do të thoshim, për historinë e asaj disipline për të cilën Eqrem Çabej ëndërronte një të ardhme më të ndritur, duke i përkushtuar një nga punët e tij më të mira: botimin kritik të “Mesharit”.

Ekzistenca e dorëshkrimit të pabotuar me studimin e vëllimshëm të imzot Skiroit u bë e ditur së pari prej të nipit, Zef Skiroit, i cili e dha lajmin në një jetëshkrim interesant mbi të ungjin e shquar13. Studimi “i thellë” i imzot Skiroit mban titullin “I testi biblici in lingua albanese di dom. Gjon Buzuku, messi in ordine, con traduzione italiana e note” dhe përfshin qindra fletë dorëshkrim të mbledhura në tre fashikuj të trashë. Kjo vepër është fryt i “një pune dhjetëravjeçare”, që përmbledh përpjekjet për të dhënë një interpretim fonetik të gjuhës së Buzukut përmes një krahasimi të imët me të dhënat gjuhësore të nxjerra nga veprat e Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit. Botimi i pjesshëm që përgatiti Gaetano Petrota jep vetëm një ide të përciptë të punës së madhe që kreu mësuesi i tij. Pjesët biblike që u botuan në riprodhim diplomatik dhe në transkriptim fonetik, megjithëse dëshmonin një metodë pune që më vonë do të imitohej edhe nga Çabej, në fakt përbënin vetëm një paraqitje të pjesshme të praktikës ekdotike të ndërlikuar që përmban studimi i pabotuar. Nisur nga hamendja se grafia e Mesharit paraqiste tipare johomogjene dhe zgjedhje alfabetike që nuk kishin lidhje me traditën tipografike perëndimore, Skiroi vendosi të vinte përkrah transkriptimit normal të tekstit, edhe një riprodhim në kufijtë e besnikërisë mekanike që sot sigurohet vetëm nga makinat, përmes një rishkrimi diplomatik të tekstit.

Përpjekja për të riprodhuar besnikërisht tiparet grafike bazohej në bindjen se disa nga zgjedhjet e ndryshme alfabetike të Buzukut përbënin vështirësi që e ndërlikonin interpretimin kritik. Në fakt, disa raste, si fjala vjen, e ashtuquajtura “h irracionale”14, ishin asokohe të pazgjidhshme, sikundër janë edhe sot e gjithë ditën. Ndoshta pikërisht ky impostim ekdotik përbënte pengesën kryesore për botimin e veprës. Asokohe ishte e pamundur të gjendeshin shtypshkronja të afta të riprodhonin besnikërisht tekstin e Buzukut dhe të përballonin një punë të përmasave të tilla që përfshinte përveç riprodhimit diplomatik, transkriptimit fonetik dhe riprodhimit të origjinalit latinisht, edhe një aparat kritik që përmblidhte rezultatet më të mira të studimit. Nuk e teprojmë po të themi se metoda që ndoqi Skiroi në aparatin kritik edhe sot pas afro një shekulli përbën një model të vlefshëm që mund të përdoret krahas atyre që përdoren në filologjinë shqipe. Pa dyshim botimi i tij do të ishte një kontribut i rendësishëm për historinë e albanologjisë, jo vetëm për vlerat metodologjike që ruan në vetvete, por edhe sepse është vepra që përuron fillimet e filologjisë moderne shqiptare. /milosao

At Guxeta

Filoteo Zassi

Pal Skiroi

Vula e Kazazit te letra e tij drejtuar at Gjergj Guxetës

Botimi kritik i pabotuar i Pal Skiroit

Nikolla Kete (Shënime)

1 Po aty.

2 Po aty.

3 Shih Lucia Nadin, “Proposta di rilettura delle pitture di Paolo Veronese in San Sebastiano a Venezia:

Scanderbeg Miles Christi, e la Chiesa di Albania” në Ateneo Veneto, Rivista di Scienze, Lettere ed Arti, anno

CXCVIII, teza serie, 10/II (2011).

4 Mbi datën e zbulimit të Mesharit prej Kazazit shih Bardhyl Demiraj, “Viti i zbulimit të ‘Mesharit’ të Buzukut dhe ndonjë çështje që lidhet me të”, në Biblos, Servizio di informazione culturale e bibliografico della biblioteca comunale “G. Schirò” di Piana degli Albanesi, anno X, nn. 23-24, Palermo, 2003, f. 47-51 dhe sidomos: Bardhyl Demiraj, “Jeta dhe veprimtaria e Gjon Pagëzues Nikollë Kazazit (në materialet e Arkivit Historikc të Kongregatës së Shenjtë)”, në Studime 11, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2004, Prishtinë

2005, f. 359-361.

5 Mateo Shambra pati rastin ta shohë letrën e Kazazit, që sot ruhet në fondin Albansk Samling. Sipas përshkrimeve

të Shambrës, dokumenti që ruhej në seminarin arbëresh s’ishte veçse një kopje e origjinalit, së cilës i mungonte fleta e dytë që përmbante dy fragmente të kopjuara nga Meshari. Kjo rrethanë e bën të besueshme hipotezën se dokumenti origjinal, autograf i arkipeshkvit të Shkupit, i është dhënë Gangales para vitit 1967. Shih Matteo Sciambra, Paolo Maria Parrino, scrittore siculo-albanese, nxjerrë nga Shejzat, nr. 5-6-7-8 (1967), Romë, 1967, f. 296 shënimi nr. 74.

6 Paolo Maria Parrino, In septem perpetuae consensionis libros septem Albanensis Ecclesiae cum Romana omnium Mater et Magistra, dorëshkrim që ruhet pranë Arkivit të Seminarit Arbëresh të Piana degli Albanesi; në f. 87, duke përshkruar krahinat e “Serbisë, Vllahisë dhe Bullgarisë”, Parrino thotë: «Testatus haec nobis est Jo(ann)es Baptista Nicolovich Archiep(iscopu)s Scopiate, et totius Serviae Primas Synagrapha sua, quam penes me habeo». Pas të gjitha gjasave teksti i këtij relacioni iu dorëzua at Gjergj Guxetës në Romë, gjatë takimit që ky pati me Kazazin me rastin e shugurimit në vitin Këtë na e konfirmon edhe Nikollë Keta, prej të cilit emi një të dhënë me interes për Kazazin: «In Seminario abbiam un ritratto con quest’elogio: Joannes Battista Nicolovich Casasi Scuporum, seu Scopiensis, et totius regni Serviæ administartor, nec non visitator apostolicus in regno Bulgariæ, genere Albanensis, natus Jacovæ in Servia, consacratus Romæ 29 settembre Ætatis suo ann. 42 prë sciùmë vièt. In Roma egli divenne amico del p. Giorgio Guzzetta, che fe fare il sudetto ritratto»: Nicolò Chetta, Tesoro di notizie su de’ Macedoni, Introduzione di Matteo Mandalà, Trascrizione di Giuseppa Fucarino, Helix Media Editore, Palermo- Contessa Entellina, 2002, f. 508-509. Relacioni i Kazazit përmendet në § 175 (f. 377-378) të Tesoro: «Monsignor Nicolovich Casasi da Scopia, arcivescovo di Servia, in Roma notò al p. Giorgio Guzzetta, qualmente si eran resi benemeriti presso la congregazione di propaganda Pietro Mazarech, arcivescovo di Antivari, uno de’ primati, oriundo dalla famiglia de’ Masarechi de Hassi, uom di grand’autorità, e dottrina, che visse fin al 1620: che in servigio della medesima congregazione venne morto fra gl’altri il sacerdote don Pietro Masarech, vicario di Pulati: i seguenti poi furon parochi cioè il sacerdote di don Gregorio Masarech, vicario nel 1670, don Marco Masarech, missionario e parroco di Trepscia in Servia; e don Matteo Mazarech, diacono in Iagnevo di Servia».

7 Shih Nicolò Chetta, Tesoro di notizie, cit., f. 506. Imzot Filoteo Zassi, prej fshatit arbëresh Mezzojuso, shërbeu si misionar në Himarë dhe krysisht në Dhërmi. Pas tij në këto vise shkoi si misionar edhe imzot Nilo Catalano. Prej këtij të fundit kemi disa relacione mbi misionet, që i ka botuar pjesërisht Nilo Borgia, Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri. Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII, me një parathënie nga Matteo Mandalà, “Naimi” – shtëpi botuese dhe studio letrare, Tiranë, 2014.

8 Shih Giuseppe Crispi, “Memorie storiche di talunecostumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di  Sicilia”, në Studi Albanesi: storici,folklorici, linguistici, a cura di Matteo Mandalà, Studi e Testi Albanesi 3, C. Mirror, Palermo, 2003, f. 128-129.

9 Gaetano Petrotta, Prefazione a Gaetano Petrotta e Paolo Schirò, “Il più antico testo di lingua albanese: Gjon Buzuku (1555)”, në Rivista indo-greco-italica di filologia, lingua e antichità, 1935, f. I. 10 Shih Lucia Nadin, “Proposta di rilettura delle pitture di Paolo Veronese in San Sebastiano a Venezia: Scanderbeg Miles Christi, e la Chiesa di Albania” në Ateneo Veneto, Rivista di Scienze, Lettere ed Arti, anno CXCVIII, teza serie, 10/II (2011).

11 Po aty.

12 Po aty.

13 Giuseppe Schirò, “Mons. Paolo Schirò” në Bibilos, Servizio di informazione culturale e bibliografico della biblioteca comunale “G. Schirò” di Piana degli Albanesi, anno X, nr. 23-24, Palermo, 2003, f. 45-50.

14 «Merita di essere particolarmente indagata la ragione dell’uso quasi costante dell’h dopo vocale finale e talora davanti a vocali iniziali di parola. Se non si tratta sempre di pura grafia, bisognerebbe determinare in quali casi l’uso di quest’h stia ad indicare una particolare sensibilità fonetica del Buzuku per fenomeni di  natura dialettale»: Gaetano Petrotta, Prefazione, cit., f.IV

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here