PLANETI YNË…
Toka ofron peizazhe me bukuri që të lënë pa frymë. Mes tyre, disa duken sikur dalin fill nga filmat fantastiko-shkencor. Tokat, shkëmbinjtë, malet, vullkanet, hera-herës të lidhura me oqeanin, mund të formojnë panorama befasuese, ekzistenca e të cilave nuk vihet në dyshim. Peisazhet ndodhen në të katër anët e globit, në Azi, në Afrikë, në Australi, apo edhe në Amerikën e Jugut dhe zgjojnë kureshtjen e shumë udhëtarëve./Konica.al
1- Llixhat e Sol de Manana, Bolivi
Lixhat e pabesueshme gjenden në lartësinë mbi 4850m, ushqehen nga aktiviteti i rëndësishëm vullkanik, i cili është rezultati i fërkimit të pllakës amerikane me pllakën e Paqësorit Jugor. Aty gjejmë kratere balte që gurgullojnë dhe shpërthime gazi që ngrihen në qiell. Kujdes, duhet të jeni shumë të kujdesshëm, sepse uji që gufon mund të arrijë 200 gradë! Spektakli që ofrohet është i jashtëzakonshëm, veçanërisht në ditët me diell, po ashtu gjejmë një faun të ambientuar me kushtet klimatike, përfshirë flamingot.
2- Lugina e Vdekjes, Amerikë
Dikush mund të thotë se është klishe, mirëpo Lugina e Vdekjes në Amerikë është diçka e domosdoshme për këdo që dëshiron të shijojë pamje pothuajse surreale. Shkretëtira shtrihet në pafundësi, pyje të harlisura dhe shkëmbinj të shkretë. Kemi të bëjmë me një kontrast të mrekullueshëm: seri dunash rëre, po njëherazi mund të soditim majat e mbuluara me dëborë. Parku Kombëtar i Luginës së Vdekjes nuk resht së befasuari dhe josh adhuruesit e peizazheve nga e gjithë bota.
3- Tarracat me orizore të Yuanyang-ut, Kinë
Orizoret në Kinë janë kaq të bukura, sa të lënë pa frymë, madje prej vitit 2013 janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Padyshim, mrekullinë mund ta shijoni kur arrini majën dhe mund ta sodisni peizazhin si në pëllëmbë të dorës. Nga aty mund të soditim tri zonat: Bada, Duoyishu dhe Laohuzui, nga ku dallohen qartë format e tarracave. Për një moment të krijohet përshtypja sikur je në një botë tjetër.
4- Fusha e llavës në Parkun Kombëtar të vullkaneve të Hauait
Arkipelagu Hauai ofron spektakël madhështor. Në fakt, vullkanet gëzojnë fuqinë të krijojnë peizazhe që japin ndjesinë e të qenit larg, shumë larg. Në ishullin e madh të Hauait, Parku Kombëtar i Vullkaneve është shtëpia e dy prej vullkaneve më aktivë në botë: Mauna Loa dhe Kilauea. Peizazhet vullkanike zbulojnë formacione gjeologjike befasuese dhe, teksa vëren rrjedhat e llavës të derdhen në Oqeanin Paqësor, të duket sikur je në një planet tjetër. Në këtë peizazh kaotik, ekzistojne ende specie endemike dhe zogj të rrallë.
5- Salar d’Uyuni, Bolivi
Në ekstremin jugor të Bolivisë, jo shumë larg kufirit kilian, ndodhet provinca e Sud Lipezit, ku gjejmë Salar d’Uyunin, shkretëtirën e kripës, një nga peisazhet më magjepsëse në botë. Në lartësinë 3658 m, shkretëtira e kripës, më e madhja në botë, mbulon një sipërfaqe prej më shumë se 10500 km². Midis ngjyrës së bardhemë të shkretëtirës, imazhit të plasaritur dhe blusë së qiellit, atmosfera është spektakolare, kurse kontrasti i ngjyrave mahnitës. Nga Salari mund të shohim në largësi ishuj të populluar me kaktus, për të mos përmendur ditët me shi, kur Salar d’Uyuni shëmbëllen me një pasqyrë gjigante kur mbulohet nga uji./Konica.al
6- Kapadosi, Turqi
Në zemër të Turqisë, Kapadosi ofron peisazhe të mrekullueshme hënore. Prej aty mund të vërejmë shkëmbinjtë e perforuar, grykat, mbështetëset, kolonat në formë oxhaku dhe formacione shkëmbore gati surreale, të formuara miliona vjet më parë nga erozioni dhe shpërthimet vullkanike. Po aty, mund të përmendim Göreme, një nga vendet emblematike të Kapadokisë.
7- Lugina e Vetmisë, Dominikë
Nëse vizitoni Antilet, më saktë ishullin e Dominikës, nuk duhet të largoheni pa e parë këtë luginë, emri i së cilës fillimisht mund të na stepë. Në të vërtetë, ajo ofron një kontrast të mrekullueshëm me pyllin e harlisur përreth. Na paraqet një lumë që avullon, shpërthime gazi, llixha dhe burime të nxehta shumëngjyrëshe. S’ka dyshim që aktiviteti vullkanik është shumë real! Ekskursioni në Luginën e Vetmisë duhet të përfshijë medoemos edhe kuriozitetin tjetër natyror: Liqenin e Vlimit, liqeni i dytë më i madh në botë.
8- Ishulli Socotra, Jemen
Ishulli Socotra ndodhet 350 km nga Jemeni në detin Arabik. Bukurinë ishullit ia jep prania e pemëve, që duket sikur vijnë nga një botë tjetër. Përse? Pemët kanë formën e çadrave të diellit, me gjethe halorë të gjelbëruar. Po ashtu, kanë edhe një lëng të kuq. Duket sikur i kanë lënë për të krijuar një sallon në kopsht, mirëpo ndodhen në zemër të një peisazhi të shkretë. E tëra formon një panoramë vërtet të pabesueshme.
9- Plazhi Legzira, Marok
Mes formacionit shkëmbor dhe detit, plazhi Legzira është i mirënjohur në Marok, por askush nuk mund të dyshojë për karakterin e tij surreal. Në rajonin e Souss, afër Sidi-Ifni, shfaqen shkëmbinj magjepsës në ngjyrë okër, çka kontraston me blunë e oqeanit Atlantik. Plazhi shtrihet sa të të rrokë syri, madje ofron edhe mundësinë të kalojmë nën një hark mbresëlënës. Deti dhe zhaurimat, shkëmbinjtë, vendi është i përsosur dhe i popullarizuar. Sidoqoftë, noti nuk rekomandohet.
10- Shkretëtira e Pinaklës, Australi
Në Australi, nëse kërkoni peisazhe shpërqendruese, e keni një zgjedhje: Shkretëtira e Pinaklës. E vendosur në Australinë Perëndimore, mbuluar me rërë të verdhë sa të rrokë syri dhe, mbi të gjitha, një mori majash dhe shkëmbinjsh gëlqerorë të formave të ndryshme dhe të larmishme. Formacionet shkëmbore datojnë prej 30 000 vjetësh! Madje, disa prej tyre janë masivë me lartësi deri në 4 m. Për të arritur këtë peizazh hënor, duhet të hyni përmes Parkut Kombëtar Nambung, i vendosur në veri të qytetit Perth./Konica.al