Nuk âsht njeti em të gjykoj këtu “gabimin e madh” simbas anmiqve, as “heroizmin e pashoq” simbas simpatizuesëve, që e shtynë Harapin të merrte mbi vedi pa mendue gjatë një barrë kaq të randë më një kohë kaq të turbullt dhe të pasigurtë jo veç për të ardhmen e kombit, por edhe për sigurinë e kresë. Koha që do të vijë dhe historia e paanëshme, atëherë kur simpatia e antipatia, mënia e fanatizmi kanë për t’u zhdukë, ka për ta thanë fjalën e vet. Kush ka para syshë arsyetë për të cilat vetë Harapi thotë se e pranoi Regjencën, mund të apë një gjykim objektiv mbi sá jemi tue çekë këtu./Konica.al

E di vetëm se në shpirtin e Harapit, edhe në kje se një farë ambicioni të natyrshëm i troklloi në derë si çdo njeriu të gjallë, nuk kje ambicion ky që e shtyni të bânte një hap të tillë. Na të rijtë, që pedagogun e vjetër e dojshim dhe e çmojshim edhe në këto rrethana, dishrojshim ta shifshim mâ të madh si frat se sa si regjent. Atë Antoni na thonte: me i hikë përgjegjësisë për me pështue jetën s’âsht nderë as trimní. Aq mâ pak âsht nderë për një françeskan shqiptar i cilli gjithmonë jetoi për popull dhe për popull derdhi gjakun.

Duhet të bie në ketë rasë dy takime, mâ fort private se sa publike, me regjentin kambëzdathë, takime të cillat, mbas mendimit tem, karakterizojnë gjendjen shpirtënore të tij, atëherë kur bota e shihte të madh.

Unë isha në atë kohë nëndrejtuer i kolegjës të kandidatëve për françeskanë. Banojshim në rrugë të Karl Topisë, aty ku tesh për tesh na âsht ilegalisht dega e punëve të brëndëshme. Dikur në ketë ndërtesë, pasuni e argjipeshkvisë së Shkodrës, pat kenë spitali i qytetit, shi spital ku në vjetin 1926 kje i shtruem Atë Antoni, aso kohe i burgosun prej Zogut. Ketë shtëpi bashkë me kopësht e me oborre që e rrethojshin, Harapi e pat blé në vjetën 1928 prej Imzot Lazër Mjedës e e pat shndërrue në një lokal ideal për né të rijtë. E prejsè ndërtesa vetë e kolegja françeskane Atë Antonin e kishte pothuej themelues të dytë, merret vesht se emnimi i tij në mâ të naltat shkallë të Shtetit ishte nderë e lumní edhe për né. Dáme, prandej, na, mâ të parët në Shkodër, me ia shprehë gëzimin tonë me një festë familjare. E kishim detyrë dhe Harapi pranoi me ande. Më kujtohet se në atë rasë i pregatita një fjalim të shkurtë për t’u vû në gojë të njanit prej nxanësave të vogjël tonë. Natyrisht çka mund t’i thojshin kolegjarët fratit, tashmâ të madh, ishte gëzimi që kanë fëmija kur baba i tyne bâhet i përmendun. Njëherit ishte premtimi se në rrethana të vështira të kohës, të cillat s’i hikshin as të vogjëlve, e në frigë të turbullimeve që i kërcënoheshin vendit e popullit, xhakojtë e kolegjës do të formojshin rreth trupit të Harapit, rojen personale të veshun me divizën e dashtënisë dhe të shterngueme me armët e lutjeve. S’mujshin me i dhanë tjetër ndihmë atij që për shumë vjet ishte kenë “Pater” i kolegjës e që tash ishte “Pater” i Atdheut. Regjentit frat i pelqyen jashtzakonisht këto fjalë dhe në përgjegje pohoi – me një parandjenjë të zymtë trishtimi – se vetëm dora e Zotit mund të na pështonte prej një katastrofe, që i kercënohej kristianizmit e kombit, Kishës e françeskanizmit në Shqipní. Ishim në grykën e humnerës prej kah pritej të dalë kulshedra e kuqe e cilla kërkonte gjak e mish njerëzish pa kursye as klyshë e vet. – Lutnju, – përfundonte frati – që Zoti të na ndihmojë tue na prî me shtyllën e rêsë së përflakun për të kalue Detin e Kuq para ushtrive të faraonit me hyll pesë cepash në ballë e helm të zi ne zemër./Konica.al

Mbajshem predkun e Zojës së Shkodrës në katedrale të qytetit. Ishin të pranishëm, posë argjipeshkvit metropolit, Imzot Thaçit, ndër të tjerë edhe regjenti i ri Harapi, famullitari i atëhershëm, e kardinali i soçëm Koliqi, Dom Ndré Zadeja dhe të tjerë e të tjerë prej autoriteteve civile e fetare. Kje kremtimi i fundit në liri të plotë të fesë e të fjalës. Më kujtohet se paraqita Zojën posi Mbrojsen e qytetit dhe iu luta asajë të na mësonte si Nanë e Këshillit të Mirë dhe të na ndihmonte të ndiqshim porosinë e sajë në të parën mrekulli të Birit të vet hyjnuer në Kanë të Galilesë: “Bâni çka t’ju thotë ky”. E ky, – shtojshem, – na thotë të ndalojmë vëllavrasën, të paqtojmë zemrat, të koordinojmë fuqitë, të shuejmë mënitë e hakmarrjet, të punojmë për një ideal që na bashkon e nuk na dánë, që na vëllaznon e nuk na anmiqëson. Me kalue prej gjendjes anomale, e cila e randon frymën e lirisë më një gjendja anarkie apo, çka âsht mâ zí, në diktaturë që ta merr frymën, nuk âsht përmirësim as pështim.

Sigurisht gjendja shpirtënore e né të gjithve në ato rrethana pasigurije e frige, mâ fort se fjalët e mija, bânë që analiza e çekun prej mejet të pranohej e të pëlqehej prej shumicës së ndigjuesave. E dij se Harapi më thirri më anesh e jo veç se u përgëzue, por edhe më zemroi të vazhdojshem në ketë drejtim, për të dhanë kontributin tim për atë qellim për të cilin ai si regjent po vênte jetën në rrezik. Ky ishte këshilli i fundit, të cilin unë e merrshem prej edukatorit të rinisë./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here