Flamuri i Kosovës i punuar me 120.000 fletëpalosje është futur në librin e rekordeve Guinness si Mozaiku më i madh Origami, shkruan InforCulture.info
Këtë e ka njoftuar para disa minutash me anë të një postimi në facebook vetë autorja e këtij mozaiku, Arbnora Fejza Idrizi e cila shprehet se është e emocionuar që ka pranuar konfirmimin nga Guinness World Records.
Flamuri me sipërfaqe plot 1216 metër katrorë, është një vepër që i kushtoi orë pune mësueses e cila e realizoi artin e saj në palestrën e një shkolle në Skënderaj.
Kujtojmë që ky nuk është rekordi i parë që e fut autoren në librin botëror të rekordeve.
Ky është postimi i plotë i Arbnora Fejza-Idrizi:
Të dashur familjar e miq,
Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t’i ndajmë me ju nesër.
Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund ç’do herë.
1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intenzive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror.
Dua të falënderoj përzemërsisht familjen time dhe ekipin e ngushtë që më kanë përkrahur në ç’do hap:Kryetarin e Komunes se Skenderajt Bekim Jasharin, menaxherin Dan Qarkaj, arkitektin Avni Hetemi, profesorët: Gazmend Hamiti, Rema Shabani, Bislim Elshani dhe Rexhep Uka, sponzoret: Komunen e Skenderajt, Ministrine e Kulturës Rinisë dhe Sportit,Meka Hallall Food, Europrinty, Bashkesine Islame te Republikes se Kosoves, KPJ, si dhe të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në këtë punë të jashtëzakonshme.