Në Venezuelë, aty ku lumi Catatumbo takohet me liqenin Marakaibo, bien 40 000 vetëtima brenda një nate.

Kjo ndodh çdo natë në 160 netë të vitit, nga 10 orë rresht.

Loja natyrore e dritës krijon në qiell një pamje spektakolare.

Në këtë vend brenda vetëm një ore, rrufeja godet deri në 280 herë.

Kjo stuhi është përmendur qysh në vitin 1597 në poemën “Dragontea”, të poetit Lope de Vega, ku autori shkruan për ushtarët që ishin përpjekur për të marrë nën konroll qytetin Maracaibo në vitin 1595 dhe për rrufetë e fuqishme të cilat vazhdimisht e kishin ndriçuar qiellin, duke bërë që pozicionet e ushtrisë të zbuloheshin nga mbrojtësit e qytetit.

Një skenar i ngjashëm thuhet të ketë ndodhur edhe më 24 korrik 1823, kur gjatë Luftës Civile të Venezuelës rrufetë i kishin ndriçuar dhe zbuluar pozicionet e luftanijeve të ushtrisë spanjolle.

Rrufetë e kësaj stuhie duken nga një distancë prej rreth 400 kilometra dhe janë aq të besueshme sa që ato shpesh shfrytëzohen nga anijet si pikë orientuese, e që në mesin e detarëve njihet si “Fenerkulla Maracaibo”. Veçanërisht interesant është fakti se kjo stuhi pothuajse nuk dëgjohet fare.

Ende nuk dihet se pse pikërisht në këtë vend ndodh pandërprerë ky fenomen natyror. Sipas një teorie thuhet se bashkimi i metanit të jonizuar që lirohet nga lumi Catatumbo me retë e stuhisë të cilat vijnë nga Andet krijojnë kushte ideale për stuhi.

Me gjithsej rreth 1.2 milion rrufe në vit, Relampago del Catatumbo konsiderohet të jetë prodhuesi më i madh i ozonit në botë. Kur rrufetë përshkojnë ajrin, ato prodhojnë oksid nitrik, të cilin dielli e zbërthen dhe e shndërron në ozon.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse këto molekula ndonjëherë përfundojnë në shtresën mbrojtëse të ozonit lartë mbi planetin tonë të bukur.
/NOA.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here