Shkruan: Akademik Rexhep QOSJA

1.
Megjithëse numri i tyre është i madh, po dëgjohen rrallë ata që dëshirojnë e që duhet të na bashkojnë.
Megjithëse numri i tyre sot për sot është ende i vogël, po dëgjohen më shpesh ata që po na ndajnë.
Do të them pak fjalë për ata që po na ndajnë, qoftë pse nuk janë, qoftë pse janë të vetëdijshëm se po na ndajnë.
Do të them pak fjalë për ta sepse e di se pas tyre qëndrojnë disa që vërtet dëshirojnë të na ndajnë.
2.
Është fjala për dukuri e ngjarje sidomos të kohëve të fundit në fushën e kulturës, dukuri e ngjarje që në të shumtën e herës përjashtojnë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore. Dhe kjo ndodh më së dukshmi në fushën e letërsisë, kur flitet për letërsinë!
Për të mos u zgjeruar dhe pa qëllimin që kjo temë të trajtohet në gjithë problematikat e saj do të marr në pikëvështrim vetëm një çështje nga ato që bien në sy haptas kur shkruhet, flitet, bisedohet për letërsinë shqipe në mediet në Shqipëri: çështjen si trajtohet letërsia shqipe? A trajtohet në tërësinë e saj, ashtu si do të duhej – e bashkuar, e njësuar, e tërësishme, apo e ndarë, e veçuar, për të mos thënë e pjesëzuar? Mjerisht, shpesh po ndodh kjo e dyta! Le të jepen disa shembuj këtu.
3.
Flitej për risitë më pak tematike e më shumë formale e stilistike në letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit njëzet, të krijuar në Shqipëri, vetëm në Shqipëri, e jo edhe në letërsinë shqipe të krijuar në Kosovë. Dhe, në letërsinë shqipe të krijuar në Shqipëri në atë kohë e emërtuar letërsia e realizmit socialist, njëri prej studiuesve të saj gjen një varg veçorish të letërsisë moderne. Nuk do të dijë ky studiues i letërsisë së asaj kohe se moderniteti me të gjitha veçoritë e tij përmbajtjesore e formale ishte zyrtarisht i ndaluar në realizmin socialist ashtu siç ishte i ndaluar edhe në veprat e shkrimtarëve të asaj kohe, që shkruanin duke iu përmbajtur asaj doktrine.
Përmbajtje, vargje, rrëfime, veçori gjuhësore e stilistike, gjedhe moderne letërsisë shqipe të asaj kohe do t’i sjellin vetëm letërsia shqipe e krijuar në Kosovë dhe letërsia e arbëreshëve të Italisë. Cila është arsyeja pse duhet me patjetër të kërkohen elemente moderniste në letërsinë e realizmit socialist, pse duhet dhe kujt i shërben heshtja për letërsinë e Kosovës gjatë asaj kohe? Nuk e di pse s’i donte shkrimtarët e Kosovës ky, ky orator: a pse s’e donte Kosovën apo pse i kishin hyrë në hak shkrimtarët modernë! Pse, X studiuesi i letërsisë shqipe, dhe jo vetëm ai, sa herë flet në emisionet për kulturën e për letërsinë në televizion, i bie anash së vërtetës? Pse emërtimin Letërsi shqipe e rrëgjon në letërsinë shqipe që krijohej ose krijohet në Shqipëri dhe medashje a padashje shpërfill letërsinë shqipe të krijuar në Kosovë?
4.

Në televizionet e Tiranës u tregua kujdesshëm manifestimi në të cilin u dhanë çmimet e përvitshme kombëtare të letërsisë shqipe – për roman, për poezi, për tregime, për letërsinë për fëmijë, për përkthime. As për njërën gjini, as për njërin lloj letrar nuk iu dha çmim asnjë shkrimtari që jeton e krijon në Kosovë. Asnjëri prej tyre as nuk ishte i propozuar! E pabesueshme! E pabesueshme sepse çmimet u dhanë, si u tha, për letërsinë shqipe – për roman, poezi, tregime, për letërsinë për fëmijë dhe për përkthime, ndërsa me emërtimin letërsi shqipe nuk mund të quhet vetëm letërsia e krijuar në Shqipëri, por e gjithë letërsia shqipe e krijuar prej atyre që shkruajnë shqip pavarësisht ku krejt jetojnë sot.
Në Kosovë vitin e fundit janë botuar edhe romane, edhe përmbledhje me poezi, edhe përmbledhje me tregime, që e meritojnë çmimin kombëtar, që u dha në Tiranë për letërsinë shqipe të Shqipërisë, por jo për Letërsinë shqipe mbarëkombëtare të pandarë siç ndahej dikur për arsye ideologjike e politike. E ata që jepnin çmimin do të duhej të theksonin se ai çmim po jepej për letërsinë shqipe të Shqipërisë.
5.
Një shkrimtare, njëkohësisht zyrtare e një institucioni të kulturës dhe disa gazetarë në disa televizione të Tiranës flasin për njëqind veprat e letërsisë shqipe të përkthyera në gjuhën italiane. Dhe, me këtë rasti përmendën disa autorë që jetojnë në Shqipëri dhe disa vepra të tyre të përkthyera italisht. Mes tyre nuk ishte asnjë autor që jeton e krijon në Kosovë! E, siç dihet, në gjuhën italiane janë përkthyer qoftë në vitet e shtatëdhjeta e të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, qoftë në këta njëzet vjetët e shekullit njëzet e një, përmbledhje me poezi, përmbledhje me tregime, drama, dhe disa romane të shkrimtarëve shqiptarë që jetojnë e krijojnë në Kosovë.
Kjo shpërfillje e letërsisë shqipe që është krijuar e po krijohet në Kosovë është pasojë e moskujdesit të atyre që s’e dinë se Letërsi shqipe emërohet vetëm letërsia shqipe (gjithëkombëtare), kurse letërsia shqipe që krijohet vetëm në Shqipëri, vetëm në Kosovë, vetëm në Maqedoni, në Mal të Zi a te arbëreshët e Italisë mund të quhet vetëm letërsia shqipe e Shqipërisë, letërsia shqipe e Kosovës, letërsia shqipe e Arbëreshëve të Italisë e kështu me radhë.
6.
Një studiues i letërsisë dhe disa bashkëbisedues të tij në një televizion të Tiranës biseduan për venomet e trajtuara në letërsinë shqipe. Ndër veprat në të cilat ishin trajtuar ato venome që nga fillimet e gjysmës së dytë të shekullit njëzet e deri sot dhe ndër emrat e shkrimtarëve që i kishin shkruar ato vepra e që i përmendën studiuesi dhe bashkëbiseduesit e tij nuk ishte asnjë vepër dhe asnjë shkrimtar shqiptar që kishte jetuar e jeton dhe që kishte krijuar e krijon në Kosovë. Emërtimi Letërsi shqipe edhe prej këtij studiuesi e prej këtyre bashkëbiseduesve të tij, rrëgjohej në letërsinë shqipe që ishte krijuar dhe krijohet në Shqipërinë shtetërore.
U çudita që nuk dëgjova edhe çka do të duhej të dëgjoja: që nuk dëgjova mbrojtjen e domethënies shkencore të emërtimit shkencor Letërsi shqipe (mbarëkombëtare), që s’mund të ndahet në letërsitë e Shqipërisë shtetërore, të Kosovës, të arbëreshëve, por është: Letërsi shqipe.
7.
Lexuesit mund të çuditen dhe të dëshpërohen pse po na ndajnë disa nga ata që nuk duhet kurrë, nën kurrfarë kushtesh, të na ndajnë: krijuesit e letërsisë dhe studiuesit e tyre e të veprave të tyre. Do të çuditen e do të dëshpërohen, por edhe të ngushëllohen: po na ndajnë disa krijues të letërsisë e disa studiues të tyre, e sidomos disa zyrtarë e organizues të manifestimeve letrare, por po na bashkojnë shumë televizione, po na bashkojnë shumë e shumë këngëtarë, muziktarë, artistë e futbollistë. Po na ndajnë disa krijues të letërsisë, disa studiues të tyre, sidomos disa zyrtarë e organizues të manifestimeve letrare që Letërsinë shqipe (mbarëkombëtare) e ndajnë, e copëtojnë, si ç’ u pa se e ndajnë, e copëtojnë, por po na bashkojnë: shumë e shumë shkrimtarë, rëgjisorë, shumë e shumë studiues shkencorë, publicistë, gazetarë. E të tjerë. E të tjerë.
Siç dihet, popujt më parë bashkohen me letërsi dhe me kulture dhe në letërsinë e në kulturën në përgjithësi e, pastaj, me politikë e në politikë.
Duke na bashkuar me letërsi e me kulturë e me manifestimet letrare, dhe duke e kuptuar e trajtuar emërtimin Letërsi shqipe si një të tërë, si të pandarë, si Mbarëkombëtare, shkrimtarët, studiuesit e veprave të tyre letrare artistike dhe zyrtarët e institucioneve letrare e kulturore, që na ndanin në veprimtaritë e manifestimet letrare të përshkruara shkurt më lart, do të mbesin pa duartrokitjet e atyre që duan të na ndajnë edhe me shumë çka tjetër: duan të na ndajnë duke bërë prej shqiptarëve edhe një komb – edhe kombin kosovar, duke bërë edhe gjuhën e tij standarde sepse kjo që kemi prej vitit historik 1972, thonë ata, “nuk është gjuhë standard për të gjithë shqiptarët…”! / Shkeputur nga GSH

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here