RRJETI INFORMATIV I SKËNDERBEUT (II)

Prof. Irakli Koçollari

Dhe vërtet, informacionet që kishte marrë Skënderbeu u vërtetuan. Më datë 14, të muajin Gusht të vitit 1448Turqit të cilët ishin marrë vesh me venecianët nisën ofensivën. Vrana Konti i rreshtuar në rrugëkalimet e asaj krahine thirri për mbështetje edhe vetë Skënderbeun, i cili shkoi me vrap në Dibër…

Ushtria turke, nën komandën e Mustafa Pashës, e përbërë nga 15 000 trupa kishte hyrë nga ana e Ohrit në Oranik të Dibrës së Sipërme, kur Skënderbeu, të cilin ai e kujtonte në Danjë, i doli përpara me një ushtri prej 6 000 trupash.  Nisi një duel homerik, në të cilin Pal Maneshi shtriu përdhe një kabadai Anadollak dhe krejt beteja mbaroi me disfatën e plotë të ushtrisë turke. Mustafa Pasha la afërsisht 5 000 të vrarë, 15 flamurë dhe tërë kampin. Vetë Pashai turk me 12 oficerë të lartë u zu rob nga Moisiu i Dibrës, të nesërmen, në fushën e Rethës, dy milje larg Oranikut.

Nga kontrolli që iu bë tërë materialeve që kishin me vehte oficerët robër dhe në tërësi nga dokumentet që iu kapën Shtabit turk, u gjet korespondenca që konfirmonte faktin që Venediku i kishte ftuar turqit ta goditnin Skënderbeun, mbas shpine, ndërkohë që ai i kishte duart e zëna me Danjën. … (26)

Duket qartë se Skënderbeu ka njohur mirë praktikën, që ndiqnin shtabet ushtarake osmane kur niseshin në operacione luftarake, dinte faktin se çfarë materiali dhe dokumentacioni mbanin me vehte ata. Vlerësimi dhe kqyrja e dokumentave që ushtarakëet e lartë osmanë mbanin me vehte ka shërbyer si një burim informacioni për të, òka do ta haset edhe në operacionet e tjera ushtarake që ai kreu.

…. Në shenjë hakmarrje, me tu kthyer, Skënderbeu iu drejtua Danjës dhe vetë Durrësit që mbaheshin nga venecianët dhe filloi ti rrahë e godasë ato me artileri. Por, për çudi, sikundër mësojmë nga arkivat venedikase, të dyja këto fortesa ishin në të rënë (dorëzuar) e sipër, kur Senati i Republikës veneciane i trëmbur keq, me urgjencë i kërkoi paqe Skënderbeut. Nëse nuk do të nënshkruhej Paqa, Venediku do të humbte Durrësin, Danjën dhe pas atyre edhe kështjkellat e tjera që kishin në Shqipëri.

Megjithatë, siç dihej edhe pas nënshkrimit të Traktatit të Paqes mes Skënderbeut dhe Venedikut, nuk pati një paqe të sinqertë. Një luftë e padeklaruar vazhdoi midis tyre  dhe në disa raste, në vitet 1450, 1452, 1457 dhe 1462  kjo luftë gati gati u bë zyrtare.

Çudia ishte se ne të ëgjitha rastet Venediku i binte në ngjunjë Skënderbeut, porsa ky i ckërrmitej dhe i tregonte që nuk ja kishte frikën… (27).

INFORMACION,  DIZINFORMACION,  MASKIM

DHE BEFASIA E GODITJES – BETEJA E ALBULENËS

Në dokumentacionin arkivor, por edhe në shkrimet e tjera historike për jetën dhe bëmat e heroit, bëhet evident edhe një tjetër aftësi, cilësi apo mjeshtëri e rallë e tij, është fjala për përdorimin e dizinformacionit, maskimin dhe befasinë e goditjes. Ngjarja kur këto mjeshtri të Skënderbeut u shfaqën në mënyrën me mbresëlënëse ishin operacionet e gjata dhe cfilitëse që shpunë në Betejën e Albulenës. Për këto skenarë ushtarake maskimi që zgjatën përreth tre – katër muaj, do të thoshim se është shkruar shumë në kronikat e kohës dhe beteja apo disfata e tmershme që pësuan osmanët është përmëndur pothuaj nga të gjithë kronistët osmanë të kohës dhe më pas, sikundër Oruçi, Idrisi Bitlisi, Ashik Pashazade, Hoxha Sadedin, pr edhe ata perëndimore, Biemmi, Xhiovi, Frangu, Barleti, etj. (28)

Është fjala operacionet e mëdha ushtarake të ndërmara nga turqit në verën e vitit 1457, kur Hamza Kastrioti, nën komandën e Isak Evrenoz Pashës, me një forcë prej 50 000 osmanësh, iu drejtua territoreve të Arbërisë.

Pikërisht, në këtë kohë, Venediku mendoi se ky ishte një rast i mirë për ta vënë Skënderbeun midis dy zjarreve edhe nisi të krijonte provokime në kufijtë e territoreve të Skënderbeut. Në këto situata kritike ai i dërgonte një notë të rreptë Senatit Venedikut ku i thosh: “Unë nuk dua luftë, por po të doni ju, urdhëroni, se unë jam gati.” Përgjigja e Senatit, e cila mban datën 8 Korrik 1457 ishte e butë dhe pajtuese. Të gjitha kërkesat që kishte parashtruar Skënderbeu në notën e tij u pranuan dhe pensionet e vonuara dhe të papaguara u lëvruan menjëherë. (29)

Pasi u sigurua nga krahët (venedikasit) Skënderbeu u drejtua me forcat e rregullta të ushtrisë së tij, menjëherë në kufijve lindorë të Arbërisë, nga ku kishte informacione për afrimin e shpejtë të një ushtrie osmane.

Duke ditur se në krye të kësaj ushtrie ishte Isak Evrenoz Pasha dhe Hamzai Kastrioti, i cili i njihte të gjitha mënyrat e luftimit dhe të maskimit të Skënderbeut, ky i fundit u shtrëngua të përdorte një taktikë dhe strategji të re kamuflimi dhe dizinformacioni ushtarak. Kështu, mbas përplasjes së parë ushtarake me formacionet e ushtrisë turke, Skënderbeu bëri sikundër u trëmb dhe u tërhoq me të shpejtë me të gjithë trupat e tij, gjer pranë territoreve nën zotërimin venecian, afër Lezhës. Gjurmët që la dhe lëvizjet demonstrative krijuan përshtypjen se ai u fut i trembur në ato zotërimet, por ky ishte vetëm një dizinformacion ushtarak, “pasi ikja e Skënderbeut në Lisos nuk u bë me të vertet ashtu sikundër e kujtoi armiku.” – thotë Barleti dhe shton,  “ai ishte vetëm një mashtrim, sepse pasi ai ishte larguar disa mijë hapa larg nga syte e turqve, në fakt ai dhe trupat e tij u fshehën në territoret kufitare të mbretërisë së tij.” (30).

Sigurisht, Hamzai mendoi se kjo tërheqje ishte një manovër e njohur e Skënderbeut, dhe u tregua i kujdesshëm në tërë lëvizjet e tij për të ndjekur, identifikuar dhe zbuluar se ku fshihej dhe nga ç’anë do të shfaqej paritur kundërshtari, sikundër e kishte ai zakon, që pastaj të godiste në befasi. Por, për çudi, forcat turke, të cilat ishin vënë në kontroll të plotë të territoreve nuk panë dhe nuk hasën më asgjëkund praninë e reparteve apo të luftëtarëve të Skënderbeut. Për më shumë se dy muaj repartet turke që ishin në ndjekje dhe kontroll të pyjeve dhe maleve të thepisur, nuk kishin lanë vend dhe terren pa shkelur, por për çudi ata nuk hasën asnjë lëvizje, aq më pak rrezistencë partizane. Jo vetëm kaq por nga bisedat dhe informacionet e grumbulluara me banorët e dëshpëruar krijuan bindjen tek Isak Evrenoz Pasha dhe Hamza Kastrioti se vërtet Skënderbeu ishte larguar nga frika në Lezhë, apo ndoshta diku gjetkë më larg, përtej Adriatikut. (31).

Madje informacionet që kishin grumbulluar ushtarakët venecianë në zotërimet e tyre në territoret e Arbërisë, sikundër ata në Shkodrës, Danjë dhe Baili, Marko Diego në Durrës, bënin me dije Senatin Venedikas se “Skënderbeu ishte shpartalluar keq”, se “Kastrioti ishte trembur, larguar dhe fshehur nga frika e ndëshkimit”, madje njëoftime të tjerë që mbrinin në Papat me dije se “Skënderbeu me të afërmit e tij kishte kaluar me barka Adriatikun dhe ishte strehuar në brigjet Puljese…”, se “.. ushtria e tij ishte shpërndarë…”(Relacioni i Diegos dërguar Senatit ato kohë, thotë: “ …. notificato a la perfeta Serenita V-ra, come la mazor parte del paese e andato cum al turcho. Et Magnifico Segnor Scanderbego va per le montagne fuzendo la sua testa…. ) (32).

Në opracine ndëshkimore dhe në kërkim të gjurmëve të ushtrisë së Skënderbeut, forcat osmane nën komandën e Isak Evrenozit dhe Hamzait, vazhduan edhe gjatë tërë muajit Gusht i vitit 1457, por askund nuk hasën në forca apo reparte qoftë edhe të shkëputur të ushtrisë së Skënderbeut

Në fillim të muajit Shtator, ushtria turke e cfilitur fizikisht dhe e dërmuar psikologjikisht nga një kalvar i pafund kërkimesh dhe udhëtimesh pa rezultat, e bindur se Skënderbeu kishte marë arratinë së bashku me familjen e tij, kish zbritur dhe ishte vendosur në Albulenë, pranë Lumit Mat, në perëndim të Malit të Tumenishtit. (33).

Të shkujdesur, me disiplinën tanimë të shthurur, formacionet turke që e kishin humbur durimin, u lëshuan në të katër anët e territorit për të plaçkitur dhe marrë pasuri fshatrave dhe popullsisë vendase. Duket qartë se informacionet që kishin marrë si turqit por edhe venecianët për “arratinë e Skënderbeut” kishin qenë dizinformacione të përhapura nga vetë njerëzit e Heroit.

Ndërkohë, Skënderbeu ishte shfaqur papritur me formacionet e rregullta të ushtrisë së tij dhe nën një konspiracion perfekt kishte marrë dominimin e Tumenishtit. Me kujdes e pa zhurmë, në errësirën e natës kishte ndarë ushtrinë e tij më tre formacione, në të parin qëndroi vetë, ndërsa dy formacionet e tjera i la nën komandën e Moisiut të Dibrës dhe të tretin Gjergj Stres Balsha me Pjetër Emanuelin.. (34)

Në heshtje dhe në një maskim që nuk kishte lënë askund gjurmë, trupat shqiptare, më datën 7 Shtator 1457, në mesin e një dite më vapë përvëluese, kur ushtria osmane ishte shthurur plotësisht, pasi kishte kapur rojtet periferike turke, nën oshëtimin e trumpetave dhe kërcëllimat e armëve luftëtarët shqiptarë të organizuar në formacione dhe nën komandën e vetë Skënderbeut u lëshuan mbi trupat osmane duke bërë kërdinë …. Ishte një betejë e tmerrshme – thotë Barleti. Nje befasi e llahtarshme. Reth 20 000 u vranë, 1 500 u kapën rob, nga radhët e ushtrisë turke, ndërsa pjesa e mbetyr e trupave mori aratinë. Midis robërve ishte edhe Sanxhak bej Mesidi dhe vetë Hamza Kastrioti… . (35).

– E parë me kujdes, beteja e Albulenës apo e Ujbardhës, në afërsi të Mamurrasit të sotëm, është një shembull i rallë i operacioneve perfekte të Skënderbeut, ku aplikoi me sukses;

  • skenarë bindës të disfatës imagjinare ushtarake,
  • tërheqje mashtruese i të mundurve në betejë,
  • maskimin e një ushtrie të tërë për gati tre muaj si taktikë luftarake (që është pothuaj e pa mundur për një ushtri në çdo rrethanë),
  • përhapjen e dizinformacionit perfekt dhe bindës se komandanti i shqiptarëve kishte marë arratinë –
  • lodhjen psikologjike të kundërshtarit, –
  • dhe dhe së fundmi –  goditjen e paritur në kohë dhe momente befasie të kundërshtarit.

KURTH PËR VRASJEN E SKËNDERBEUT

Rezistenca e njohur anti osmane e shqiptarëve në shekullin e xv, ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin dhe rolin determinant të Skënderbeut, prandaj nga fillimet dhe gjer në fund të jetës së tij, Heroi kombëtar i shqiptarëve mbeti në fokusin dhe objektin kryesor të goditjeve të synuara të Perandorisë Osmane. Për turqit ishte e qartë se eliminimi fizik i tij, do të thosh goditje mortale për vetë rezistencën shqiptare. Është kjo arsyeja që Perandoria Osmane dhe fuqi të tjera, sikundër Venecianët, por edhe Princa shqiptarë të lidhur me fije të padukshme më Sulltanin, kundërshtarë të Heroit, të interesuar për të eliminuar këtë kalorës të krishtërimit, jo vetëm projektuan por edhe ngritën dhe vunë në zbatim një numër kurthesh për ta eliminuar fizikisht atë.

Në rast i tillë ishte një kurth i përgatitur me shumë kujdes dhe në fshehtësi të plotë, në vitin 1451. Në veprën e tij Fan Nolin na bën me dije se    … Një ditë (është fjala për vitinn 1451,) ndërsa Skënderbeu dilte nga porta e Krujës, një njeri i panjohur iu afrua dhe e këshilloi të ruhet, se në pyllin e Krabës, ku ai ishte nisur të shkonte, i kishin zënë pusi dhe do ta vrisnin. Menjëherë dërgoi kapedan Balshën e Gardës Pretoriane me një koshadhe, i cili i ra pyllit anembanë dhe gjeti tetë vetë të armatosur të fshehur brenda në një shpellë. U përpoq me të gjitha mundësitë që ti zinte të gjallë, por meqenëse ata kundërshtuan dhe u sulën kundër repartit të Balshës për të çarë rrethimin dhe për të ikur, burrat e Balshës arritën të vrasin pesë prej tyre dhe të zënë robër tre vetë. Robërit i solli në Krujë dhe pasi u vunë në torturë, ata rrëfyen që ishin turq, të dërguar apostafat nga Sulltani për të vrarë Skënderbeun. Ata shpjeguan gjithashtu se në atë pyll kishin shkuar të udhëhequr nga dy shqiptarë, të cilët u vranë (gjatë rrethimit) tok me tre shokët e tyre. Robërit turq spjeguan gjithashtu se këta udhërrëfyes i kishin dërguar tek Sulltanit disa kapedanë shqiptarë, por emrat e tyre ata nuk i dinin, sepse edhe ata vetë nuk ua kishin treguar. Këto ishin të vetmet çkoqitje – sqarime-, që muntnë tu çkëputin robërve turq…

Armiqësia e Dukagjinëve e cila ndizej keq e më keq dita ditës kundër Skënderbeut, si dhe emri i keq i Lek Dukagjinit, i cili prej të gjithëve njihej dhe gjykohej se ishte njëri i pabesë dhe për vrasje të tilla prapa shpine, ishte shkaku që në këtë kohë u gjykua nga të gjithë se ai ishte  autori i këtij komploti të dështuar.

Pas kësaj Skënderbeu u bë gati të nisej në një betejë të ashpër kundër Dukagjinit, por vetëm ndërhyrja e Peshkopit të Tivarit, e Peshkopit të Drishtit dhe e vjehrrit të tij Gjergj Arianiti e qetësuan për të mos hyrë në një luftë civile…. (36).

PËRPUNIMI PSIKOLOGJIK –

MJET I PËRDORUR ME EFEKTIVITET

Në vitet 1450-1452, afrimi i Arianitëve me venedikas; tradhtia e Beratit që pruri humbje të dhimbshme në radhët e Skënderbeut; pasiguria e vetë heroit në marrëdhënie me venedikasit; kërcënimi Osman permanent, –  e kishin vënë në pozita tejet të vështira Skënderbeun, por edhe popullsinë vendase drejt një besimi të lëkundur dhe vetë radhët e ushtrisë përpara një dileme dhe gati krize vendosmërie dhe kuraje.

Për të rikuperuar klimën e besimit të lëkundur rëndë, për të kuruar moralin e plagosur, për të penguar emigrimet dhe arratinë e banorëve të frikësuar nga tmerret e luftës dhe situata e krijuar, si dhe për të rikuperuar gjendjen e rënduar, Skënderbeut i duhej të gjente rrugët dhe mjetet efikase për të rikthyer besimin tek ai dhe tek forca e qëndresës luftarake të shqiptarëve. Nga pohimet dokumentare, si dhe nga një sërë veprimesh që ai pati ndërmarrë ato kohë, duket qartë se Skënderbeu dinte mirë se cilat do të ishin instrumentet që do të duhej të përdorte për të ringritur moralin e tronditur, dhe kë autoritet të besueshëm duhet të shfrytëzonte për të kthyer besimin e luftëtarëve të tij tek fitorja.

Sikundër na bën të njohur Biemmit –  (1452) Skënderbeu vuri në lëvizje Peshkopët, të cilët nëpër tubime përpiqeshin të bindnin fshatarët dhe besimtarët me anë të historizave tipike mesjetare (mbushur me misticizëm dhe besëtytni, haluçinacioneve, shenjave hyjnore), sipas të cilave ato të gjitha paralajmëronin disfatën e rëndë të Sulltanit. (37)

Përherë sipas Biemmit, në këto kohë vetë Skënderbeu përhapi lajmin se Shën Gjergji, i cili në mesjetë adhurohej si shenjtori mbrojtës i Shqipërisë, i ishte shfaqur natën në gjumë dhe i kishte dhënë atij një shpatë, një shenjë! Kjo sipas peshkopit të Drishtit, ishte një garanci për fitoren që do të korrte heroi kundër ushtrisë osmane.

Një peshkop tjetër u kishte thënë besimtarëve në meshat e mëdha publike se kishte parë në ëndërr Sulltanin të rënë në gjunjë përpara Skënderbeut – çka shpjegonte sipas tij një fitore të lavdishme dhe të paparë gjer atëherë të Skënderbeut dhe shqiptarëve.

Është e kuptueshme se këto ishin mjetet e propagandës dhe të moralit të kohës të cilat Heroi ynë diti ti shfrytëzojë dhe përdorë me efikasitet, duke njohur mjaft mirë moralin, mentalitetin, kulturën dhe bindjet religjioze të popullsisë shqiptare të kohës; atë gjë që përdorin edhe sot makineritë e sofistikuara të propagandës në rast lufte por edhe paqeje në botën moderne.

Sigurisht, një studim i vëmendshëm dhe qëmtues nën këtë këndvështrim, i materialit dokumentar dhe atij arkivor dedikuar veprës dhe jetës së Skënderbeut do të zbulonte dhe bënte evidente këtë anë të panjohur por shumë të rëndësishme të veprës dhe dimensionet e strategut, do të dilnin në dritë mjaft raste me interes të veçantë për punën mjeshtërore të Heroit me informacionin dhe rrjetin informativ, aplikimin e metodave dhe mjeteve unike dhe befasuese, që lanë gjurmë dhe ndikuan në fatin e betejave të këtij mjeshtri të luftës frontale dhe asaj partizane, që e kthyen kështu në një prej gjeneralëve më të njohur në historinë luftërave mesjetare dhe objekt studimi në shumë akademive ushtarake, të botës perëndimore dhe lindore, gjer në kohët moderne. /zanimalsise.com /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here