Ekzekutimi i Romanovëve, car Nikollës të Dytë dhe familjes së tij, edhe pas shumë e shumë vjetësh nga shuarja e dinastisë, është akoma një gurrë e pashterrëshme kundërthëniesh.

Por ai që shkrepi realisht armën i pari mbi carin quhej Mihail Medvedjev. Kujtimet e tij mbi shfarosjen e familjes mbretërore, i ka shkruar pak kohë para se të vdiste, dhe nëpërmjet djalit të vet, ia ka dërguar kreut të atëhershëm të Kremlinit, Nikita Hrushovit.

Këto kujtime qenë depozituar në një vend të veçantë në Institutin e Marksizëm-Leninizmit në Moskë, ku u ruajtën të mbyllura nga 1964 kur iu dërguan Hrushovit, deri në 1993 kur panë dritën e botimit në një revistë moskovite e më pas në një gazetë gjermane.

DITA i ka botuar në 14 gusht 2016 të përkthyera me mjeshtëri nga Pëllumb Kulla.

Që koloneli çekist Medvedjev pat qënë në grupin e vrasësve, e bënte të ditur që më 1934 një “stenogram sekret” i mbajtur në një mbledhje të veteranëve bolshevikë të pellgut të Uralit. Pyetjes të stërpërsëritur në vite nëse e pat dhënë personalisht Lenini urdhërin për vrasjen e carit dhe të familjes së tij, Medvedjevi i përgjigjet negativisht.

Siç rrëfen ai këtu, ky vendim historik është marrë i nxitur nga një celulë e Sovjetit të Jekaterinburgut.

Tok me një letër shoqëruese, djali i Medvedjevit ia nisi kujtimet e natës së përgjakshme, udhëheqësit të partisë, duke futur në pakon për Hrushovin dhe një pistoletë Brouning, pra armën me të cilën babai pat qëlluar mbi carin. Ai shpreson se kjo do t’i pëlqejë kreut të Kremlinit, si dhuratë për ditëlindjen e tij…

Cari Nikolla trashëgoi nga i ati, Aleksandri, një Rusi të zemëruar me Romanovët për shkak të reformave ekstreme. Vetë Nikolla e nisi keq, 1400 rusë gjetën vdekjen që në kurorëzimin e tij, ndërsa prisnin jashtë në fushë zbatimin e traditës së dhuratës. Në 1905 me urdhër të tij u vranë rreth 100 protestues paqësorë. Nikolla që njihej edhe si Nikolla Gjakatari në fakt nuk ishte i përgatitur politikisht për të qenë një car, po kjo është një tjetër histori e gjatë.

Në foton sipër është autori i vrasjes, shkruesi i kujtimeve të mëposhtme, Medvedjev Mihail i njohur edhe si Kudrini. Pamja majtas, Kudrini në moshën kur vrau carin, djathtas në vitet e mëvonshme, me uniformë ushtarake.

Më poshtë rrëfimi:

Kudrini, autori i dëshmisë në kohën kur mori pjesë në ekzekutimin e Romanovëve

Letra e djalit të Kudrinit për Hrushovin (pas saj është dëshmia e babait për vrasjet):

Shumë i nderuari Nikita Sergejeviç:

Pas fatkeqësisë që goditi familjen tonë, unë tani jam qetësuar disi, sa për të qënë në gjendje që t’Ju shpreh mirënjohjen e sinqertë për vëmendjen që Ju i kushtuat kujtimit të babait tim. Falë kujdesit Tuaj, më 15 janar 1964 ai u varros me të gjitha nderet ushtarake në Varrezat e Virgjëreshave.

Para se të vdiste, babai m’u lut që më 17 prill 1964, t’Ju uroja për shtatëdhjetëvjetorin e lindjes Suaj, shëndet të plotë dhe me porosi të tij, t’Ju përcillja Juve personalisht, një dhuratë, siç është kjo relike historike e familjes sonë, pistoleta e markës Brouning Nr. 389965, të cilën babai në Jekaterinburg, natën duke u gdhirë 17 korrik 1918 e ka shkrehur përmbi carin e fundit  të Rusisë, Nikollain e Dytë dhe familjen e tij.

Veç kësaj, babai deshte që t’Ju linte Juve, këto faqe me kujtimet e tij mbi asgjësimin përfundimtar të dinastisë së Romanovëve që sunduan Rusinë mbi 300 vjet.

Të gjithë dokumentet që vërtetojnë pjesëmarrjen e babait tim në shfarosjen e Romanovëve, gjenden në dosjen e pensionit të tij në Ministrinë e Kujdesit Social të Federatës Ruse në Moskë, nga ku ai gëzon edhe një pension të veçantë.

Unë Ju drejtohem Juve me shpresën se shokët nga Sekretariati i KQ të PKBS, do të më ndihmojnë në përgatitjen e një kutie druri, të një forme të përshtatëshme, në të cilën të ruhet pistoleta historike, dy gjerdanë për 70 fishekë dhe teksti i kujtimeve.

Përjetësisht i Juaji

Mihail Mihajloviç Medvedjev

14 mars 1964

Kudrini, autor i dëshmisë, vite pas pjesëmarrjes në ekzekutimin e Romanovëve, ushtarak i moshuar

Kujtimet e babait, Kudrinit, të cilat shoqërohen me shënimin “për historinë dhe jo për gazetat”:

Në mbrëmjen e 16 korrikut 1918, bëri një mbledhje të veçantë me njerëz të zgjedhur, Sovjeti i Pellgut të Uralit. Më ftuan dhe mua si çekist i Jekaterinburgut.

Sapo hyra në dhomë, vura re fytyrat e njohura të shokëve: Aty ishin, kryetari i Sovjetit të Deputetëve, Aleksandër Bjelloborodov, kryetari i Komitetit të Partisë së Pellgut, Georgij Safarov, komisari ushtarak i Jekaterinburgut, Filip Golloshçokin, anëtari i sovjetit, Pjotër Vojkov, kryetari i ÇEKA-s së Pellgut, Fjodor Llukojanov si dhe miq e bashkëpuntorë të ÇEKA-s vendase, Vladimir Gorin dhe Isai Rodinskij. Ishte aty dhe komandanti i Shtëpisë për Raste të Veçanta, (Shtëpia Ipatjov), Jakov Jurovskij.

Kur hyra unë, ata që ishin aty po pleqëronin se si t’i a bënin me ish carin, Nikollën e Dytë dhe me familjen e tij. Filip Golloshçokini njoftoi se Svjerdllovi ishte nisur për në Moskë. Golloshçokini nuk kishte marrë dot një lejë për pushkatimin e familjes Romanov nga Komiteti Qendror Ekzekutiv Panrus.

Svjerdllovi pat qënë këshilluar me Leninin, i cili deshte që Romanovët t’i shpinin në Moskë e aty të organizonin një proces gjyqësor kundër tyre. Por të bardhët e kërcënonin Jekaterinburgun dhe vërtet me transferimin e Romanovëve në Moskë, qyteti do të lehtësohej. Veç kësaj, strehimi në kushte relativisht të mira, i familjes mbretërore, kish ca kohë që i tërbonte punëtorët e atyre anëve. Ata kërkonin që Romanovëve t’u bëhej një proces i shkurtër e aq.

Me nxitjen e grupit bolshevik në sovjetin e Jekaterinburgut, të cilit i duhej të mobilizonte punëtorët kundër të bardhëve që po përparonin, u vendos që familja mbretërore e Romanovëve të asgjësohej. Jakov Jurovskij propozoi që ta kursenin djalin.

“Cilin?! Trashëgimtarin e fronit?! Jam kundër!” protestova unë.

“Jo, Mihail, jo. Djalin që shërben në kuzhinë, Lonja Sednjovin, duhet ta heqim mënjanë… Ç’ka bërë ai? Ka lozur me Aleksejin e vogël! Phë!”

“Po njerëzit e tjerë të shërbimit?”

“Ne atyre që në fillim u kemi propozuar që t’i braktisin Romanovët. Një pjesë është larguar, kurse ata që kanë mbetur thonë, se duan ta bashkojnë fatin e tyre me të Romanovëve. Le ta bashkojnë pra, me që duan!”

Mbledhja mbaroi. Jurovskij, Jermakovi dhe unë shkuam në Shtëpinë për Raste të Veçanta. Në dhomën e komandantit, në katin e parë, po na priste çekisti Grigorij Nikulin. E mbyllëm derën dhe ndenjëm gjatë atje sepse nuk dinim se nga duhet t’i a fillonim. Veç kësaj, Romanovët nuk duhej të pikasnin se i priste pushkatimi. Po ku duheshin pushkatuar?  Ishte hall i madh, që ne ishim vetëm katër vetë, kurse Romanovët tok me mjekun personal, kuzhinjerin, shërbëtorin dhe kopilen e careshës, bëheshin njëmbëdhjetë.

Ishte vapë dhe asgjë të mençur nuk po gjenim dot. Mbase duhet të prisnim sa t’i zinte gjumi e t’u hidhnim dy tri granata në dhomë? Buçimën do ta dëgjonte i gjithë qyteti e njerëzit do të kujtonin, se armiku po sulmonte Jekaterinburgun.

Jurovskij propozoi që t’u shkonim nëpër krevate e t’u ngulnim kamat. Bile ndamë dhe cili duhet t’i jepte fund njërit e cili tjetrit.

Duhet të prisnim derisa Romanovët të shtriheshin për të fjetur. Jurovskij u fut disa herë nëpër dhomat e carit e të careshës, të grandukeshave dhe të atyre që u shërbenin, por që të gjithë rrinin zgjuar. Kish të ngjarë që heqja e djalit që shërbente në kuzhinë i kishte shqetësuar. Po afrohej mesnata dhe ajri u bë më i freskët. Më në fund dritat, në të gjitha dhomat e familjes, u shuan. Ranë të flenë, me sa dukej.

Jurovskij u kthye në dhomën e komandantit dhe propozoi, që në mes të natës, me pretekstin se ishte rreziku që anarkistët të sulmonin shtëpinë, t’i zgjonim Romanovët e t’u luteshim të zbrisnim në katin e parë. Në të vërtetë rreziku i anarkistëve atë natë nuk pritej hiç, pasi unë dhe Isai Rodinskij nuk kish shumë që shtabin e anarkistëve e kishim shpartalluar dhe grupet e tyre i patëm çarmatosur.

Ne zgjodhëm një dhomë në katin më të poshtëm, afër depos. Ajo kish vetëm një dritare me shufra hekuri që shihte mbi rrugicën Voznesenskij, (e dyta, po të numëroje nga fundi). Në të binin në sy rruginat e qilimave dhe tavani i hepur, që nga varej një llampë, që lëshonte dritë të turbullt.

Ne vendosëm të sillnim në oborr një kamion dhe para se të hapnim zjarr, do t’i ndiznim motorin, në mënyrë që zhurma e tij të mbulonte krismat. Jurovskij i pat porositur rojat, që të mos shqetësoheshin nëse do të dëgjonin të shtëna në shtëpi. Sepse edhe letonëve, që bënin roje brënda, u dhamë revolverë. Kjo na u duk punë me mend, pasi po t’i futnim dhe ata në valle, do të mbaronim shpejt. Nuk deshim që nga familja e Romanovëve, ca të vriteshin e ca të shqyenin sytë.

Tre nga letonët nuk pranuan të merrnin pjesë në vrasjet. Përgjegjësi i rojave, Pavël Medvedjevi, i shpuri revolverët e tyre përsëri në dhomën e komandantit. Me ne mbetën vetëm shtatë letonë.

Mesnata pat kaluar me kohë, kur Jakov Mihajloviçi u fut në dhomën ku flinte doktor Botkini me carin. Iu lut atyre të visheshin, të laheshin e të përgatiteshin për të zbritur në një të ndarë më të sigurtë, në bodrum. Pritëm kohë të gjatë dhe në orën tre, Romanovët ishin gati.

Jurovskij tha që të merrnim edhe pesë pistoletat e mbetura. Pjotër Jermakovi mori dy prej tyre dhe i ngjeshi në brez. Grigorij Nikulini dhe Pavël Medvedjevi morën dhe ata nga një. Unë nuk mora, se i kisha dy, një Colt amerikan në këllëf dhe Brouningun të ngulur në brez. Revolverin e pestë e rrëmbeu menjëherë Jurovskij dhe me që në këllëf e kish një mauzer dhjetëfishekësh, ia zgjati atë Jermakovit, të cilit në rrip tani iu bënë tre revolverë, të ngjeshur rradhë. Me pamjen e tij luftarake, pa dashur, vumë të gjithë buzën në gaz.

Ashtu, grumbull, ne dolëm në pushimin e shkallëve të katit të parë. Jurovskij u ngjit në dhomën e carit dhe sakaq u kthye. Si një varg patash ecnin pas tij: Nikolla i Dytë, që mbante për krahë Aleksejin – djali vuante nga një sëmundje gjaku, diku kishte shëmbur këmbën dhe nuk çapitej dot vetë, – pas carit, vinte caresha me një korse gjithë rripa e një fund që fëshfërinte; pas saj vinin katër çupat – për fytyrë, unë njihja vetëm me të voglën, Anastasinë topolake dhe atë pak më të madhen, Tatjanën, që sipas planit “të kamave”, të Jurovskijt, duhet të më kish takuar mua, po të mos e kisha ujdisur me Jermakovin, i cili ma pat lënë vetë carin; pastaj vinin me radhë doktor Botkini, kuzhinjeri, shërbëtori dhe mëndesha shtatgjatë, që kujdesej për careshën.

Ajo mbante në krahë ca jastëkë të bardhë. Bishtin e vargut e përbënin Pavël Medvedjevi, Grisha Nikulini, shtatë letonët, (dy prej të cilëve mbanin në sup pushkë me bajoneta të hapura), Jermakovi dhe unë.

Shtëpia ku u krye ekzekutimi i Romanovëve

Dhoma ku u krye ekzekutimi i Romanovëve

Cari, caresha, 5 fëmijët dhe 4 shërbyesit u ekzekutuan bashkë

Kur u gjendëm në dhomën poshtë, vumë re se ajo na dolli tepër e vogël. Jurovskij dhe Nikulini sollën tri karrige, – fronat e fundit të dinastisë, me fat tashmë të vendosur. Mbi njërin prej tyre, pasi shtroi më parë një jastëk, u ul caresha dhe tri çupat qëndruan prapa saj. Më e vogla, Anastasia, nuk di se përse iu afrua mëndeshës, e cila qe mbështetur tek dera që të shpinte në dhomën më tej.

Në mes u vendos karriga ku u ul trashëgimtari i fronit dhe më të djathtë të tij, u ul Nikolla i Dytë. Prapa karriges së Aleksejt, zuri vend doktor Botkini. Kuzhinjeri me shërbëtorin, pasi u përkulën me nderim, u hoqën mënjanë, në qoshen e majtë.

Drita e llampës është aqë e dobët sa figurat e femrave në murin përballë ngjajnë si vetë hijet e tyre. Vetëm bardhësia e dy jastëkëve të mëndeshës bie qartë në sy. Romanovët janë krejt të qetë dhe pa kurrfarë parandjenje. Nikollaj i Dytë, caresha dhe doktor Botkini nuk na i ndajnë sytë mua dhe Jermakovit, që jemi të rinj në atë shtëpi.

Jurovskij thërret Pavël Medvedjevin dhe që të dy zhduken në dhomën pranë. Majtas meje tani qëndron Grisha. Nikulini përballë Aleksejt; karshi kam carin; djathtas Pjotër Jermakovin dhe prapa tij, një të ndarë boshe ku vijnë e zenë vend letonët.

Jurovskij hyn përsëri me ngut dhe ngulet bri meje. Cari e sheh sikur don që ta pyesë. Unë dëgjoj zërin kumbues të Jakov Mihajloviçit:

“Ju lutem të ngriheni në këmbë që të gjithë!”

Me lehtësinë e një ushtaraku, cari u ngrit në këmbë. Pa qejf e me sy që i vetëtinin nga zemërimi, Aleksandra Fjodorovna u ngrit nga karriga e saj. Skuadra e letonëve u fut në dhomë dhe u rreshtua para saj dhe të bijave: pesë në radhën e parë e ata dy me bajoneta pas tyre. Caresha bëri kryqin. U bë një qetësi aq e madhe sa që dëgjohej qartë si vinte që nga dritarja kërkëllima e motorit të kamionit të sapondezur.

Jurovskij bëri një çap përpara dhe iu drejtua carit:

“Përpjekjet e miqve tuaj nuk nxorën gjë në dritë! Prandaj, në këto orë të vështira të Republikës së Sovjetëve…”

Jakov Mihalloviçi e ngre zërin dhe bën me dorë në ajër një lëvizje të prerë.

“… na takon neve detyra, që shtëpisë së Romanovëve t’i japim fund!”

Gratë klithin. “Oh, Zot! Ah!”

Nikolla murmurit: “O Zot, o Zoti im! Çfarë do të thotë kjo?!”

“Kjo do të thotë kështu!” ia bën Jurovski dhe nxjerr mauzerin nga këllëfi.

“Do të na shpini gjëkundi?” pyet doktor Botkini me zë të mbytur.

Jurovskij po kërkonte një përgjigje, por unë shkela këmbëzën dhe e qëllova carin me plumbin e parë. Në një kohë me të shtënën time të dytë, buçiti breshëria e letonëve dhe e shokëve të tjerë, në të majtë e në të djathtë. Jurovski dhe Jermakovi hapën një zjarr sikur t’u binin trumbetave. Me krismën time të pestë, cari ra praptazi, si një vandak me sanë.

Klithmat e grave të shurdhonin. Unë shoh se si përmbyset Botkini, si përthyhet shërbëtori aty tek muri dhe si këputet në gjunjë kuzhinieri. Një jastëk i bardhë lëviz që nga dera drejt këndit të dhomës. Mes tymit dhe barotit nga togu i grave që çirren, shkëputet një trajtë njerëzore, që nxiton drejt derës së mbyllur dhe sakaq bie e prerë nën breshërinë e Jermakovit.

Dëgjohet se si bëjnë rikoshetë plumbat mbi brezat e gurtë të murit dhe si suvaja bie përdhe. Asgjë nuk dallohet në tymnajën e barotit. Tani andej nga qoshja, po qëllojnë kuturu.

Ne dëgjojmë zërin e Jurovskijt: “Zjarr ndalo!” Qetësi. Zhuzhullima na vazhdon akoma në veshë. Mua dhe Jermakovit, me që jemi të dërguarit e ÇEKA-s, Jakov Mihajlloviçi na propozon që të shkojmë e ta bëjmë fakt, vdekjen e sejcilit pjesëtar të familjes mbretërore. Bash në atë çast, në qoshen e djathtë, lëviz një jastëk dhe befas na shqyen veshin klithma e lumtur e një femre:

“Ah, o Zot të qofsha falë! Më shpëtoi Zoti, më shpëtoi!”

Si e dehur, ngrihet në këmbë mëndesha. E pa prekur fare nga plumbat. Letonët i kishin zbrazur tërë fishekët. Ata të dy me pushkë i turren mëndeshës dhe e grijnë me bajoneta. Nga ulërimat e saj përmendet Aleksej, i plagosur, Jurovski i zbraz tre fishekët e fundit të mauzerit të tij.

Jermakovi dhe unë i prekim carit pulsin. Ai është pa jetë, shoshë nga plumbat. I kontrollojmë me radhë një e nga një dhe me Coltin tim i japim fund Tatjanës dhe Anastasisë, që ende shfaqin shenja jete. Tani kanë mbetur të gjithë top!

Jakov Mihailloviçi më ngarkon mua të kujdesem për heqjen e kufomave. Të parin ngremë nga pellgu i gjakut, Nikollën e Dytë. E shtrijmë përmbi një kapak. Ushtarët e kuq tërheqin zvarrë careshën e përgjakur në oborr. Unë i ndjek. Në korridor gjej Pavël Medvedjevin. Ai është dyllë i verdhë dhe mezi mbahet. E pyes se mos është plagosur, por Pavli bën vetëm një jo, me dorë.

Te kamjoni takoj dhe Filip Golloshçokinin.

“Po ti ku ishe?!” e pyes.

“Vërtitesha andej nga sheshi. I dëgjova krismat. Hajde zjarr, hajde!”

Ai u përkul përmbi carin.

“A thua ishte ky fundi i dinastisë së Romanovëve?… Po, po…!”

Një ushtar mbante të ngulur mbi bajonetë qenin e Anastasisë. E hodhëm kufomën e qenit pranë asaj të carit.

“Për qentë, një vdekje qensh!” tha Golloshçokini me përbuzje.

Unë iu luta Filipit dhe shoferit, të qëndronin tek makina derisa të ngarkonim kufomat. Dikush pruri një çarçaf ushtarësh të mbështjellë tub. E kanxhuam atë në buzë të karrocerisë dhe e hapëm në të gjithë sipërfaqen. Kufomat i vendosëm përmbi të. Kjo do të na shërbente për transport, për varrosje apo për ndonjë zhvendosje të mëpasme.

Një gropë moçali u bë banesa e fundme e pjestarëve të pasmë të dinastisë së Romanovëve, që për treqind vjet pat tiranizuar Rusinë. Pushteti i ri revolucionar nuk bëri përjashtim për këta kusarë me kurorë, por i varrosi ashtu siç ka qenë zakoni rus, që na kanë lënë të parët, atë që kusarët e rrugës i varroste pa kryqe e pa gurë te koka, për të mos tërhequr vështrimin e asnjërit prej tyre që do të marshonin në rrugën e jetës së re.

Për raportimin që do t’u bëhej Leninit dhe Sverdllovit, si rrugëdalje për shfarrosjen e paautorizuar, Bjelloborodovi, Safarovi dhe Golloshçokini, vendosën që të bënin të ditur vetëm pushkatimin e car Nikollës dhe të linin të nënkuptohej sikur familja qe zhvendosur në një vend të sigurtë.

Dhe të këtij lloji ishin lajmet që u panë pas nja dy ditësh në gazetat e Jekaterinburgut. Këto farë zërash nëpërmjet faqeve të shtypit, tejembanë, nisën të ngopnin fantazinë e gjallë deri në ditët e sotme, sikur gjoja fëmijët e carit shpëtuan, vajza e carit, Anastasia, arriti të ikte jashtë shtetit e plot e plot legjenda të ngjashme.

Medvedjev (Kudrin) Mihail Aleksandroviç Anëtar i PK(b) të BS që nga shtatori 1911

Moskë, 21 dhjetor 1963

Përktheu nga gjermanishtja për DITA: Pëllumb Kulla/InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here