“…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut”
(E. McCurdy)

“në një skicë të vetme, si një mjeshtër i papërsëritshëm i buzëqeshjeve, Da Vinçi ia doli atëherë t’i kombinonte ose lidhte: filozofinë, matematikën, religjionin, arkitekturën, dhe + aftësitë e veta prej vizatuesi, dmth. dhe artin!”
(S. Guraziu)

[2 – Njeriu Vitruvian ]

– – –
Vitruviusi, arkitekti, thotë se në punën e tij lidhur me arkitekturën, masat e trupit të njeriut janë të ndara nga Natyra si vijon, dhe kjo është se 4 gishta bëjnë 1 pëllëmbë, dhe 4 pëllëmbë bëjnë 1 këmbë, se 6 pëllëmbë bëjnë 1 kubit*; 4 kubitë përbëjnë lartësinë e një njeriu. Dhe 4 kubitë bëjnë një hap, dhe 24 pëllëmbë bëjnë një njeri; dhe këto masa ai i ka përdorur për ndërtesat e tij.
Nëse i hapni këmbët aq shumë sa të “ulet” (zvogëlohet) lartësia juaj për 1/14, dhe nëse i hapni krahët duke i ngritur derisa gishtat e mesëm ta “prekin” nivelin e majës së kokës, duhet të dini se qendra e gjymtyrëve të shpalosura do t’jetë kërthiza juaj, dhe hapësira mes këmbëve do t’jetë një trekëndësh barabrinjës.

Gjatësia e krahëve të shpalosur të njeriut është e barabartë me gjatësinë e tij.

Nga rrënjët e flokëve e deri në fund të mjekrës është një e dhjeta e lartësisë së njeriut; nga fundi i mjekrës deri në majë të kokës është pjesa e tetë e lartësisë së tij, nga maja e gjoksit deri në majë të kokës do t’jetë një e gjashta e një njeriu. Nga maja e gjoksit deri tek rrënjët e flokëve do t’jetë pjesa e shtatë e njeriut të plotë. Nga thimthat e gjoksit deri në majën e kokës do t’jetë pjesa e katërt e një njeriu. Gjerësia më e madhe e supeve të tij përmban në vete pjesën e katërt të njeriut. Nga bërryli deri në majë të dorës do t’jetë pjesa e pestë e një njeriu; dhe nga bërryli deri në këndin e sqetullës do t’jetë pjesa e tetë e njeriut. Dora e tërë do t’jetë një e dhjeta e njeriut; fillimi i organeve gjenitale shënon mesin e njeriut. Këmba është pjesa e shtatë e njeriut. Nga tabani i këmbës deri nën gju do t’jetë pjesa e katërt e njeriut. Nga poshtë gjurit deri tek fillimi i organeve gjenitale do t’jetë pjesa e katërt e njeriut. Distanca nga fundi i mjekrës deri tek hunda, dhe nga rrënjët e flokëve deri tek vetullat është, në çdo rast e njëjtë, dhe sikur dhe veshi, përbën një të tretën e fytyrës.
– – –

(shih dhe grafikat e bashkengjitura)

* “kubit” – masë antike për gjatësinë, rreth 44 cm (kubit i shkurtër) dhe kubit i gjatë 52 cm

[ Burimi: Fletoret e Leonardo Da Vinçit, Vëllimi 1 (edicioni “paperback”, v. 1970), f. 182-3 (Dover, Artet e Bukura, Historia e Artit), Editor: Jean P. Richter – ISBN 0-486-22572-0 ]

[ përshkrimi i librit, edicion i v. 1970, nga Dover Publication – paskopertina ]
“Leonardo Da Vinçi, si artist, si shpikës, si njeri prototip i Renesansës, mbetet burim i vazhdueshëm i magjepsjes për shkak të intelektit të tij të habitshëm dhe kureshtjes së pakufishme për botën e natyrshme, dhe për atë krijuar nga njeriu. Gjatë jetës së tij krijoi vepra të shumta të artit dhe mbajti shënime nëpër fletore voluminoze që flisnin për hollësitë e kërkimeve të tij artistike dhe intelektuale. Libri sjell një organizim nga gama e gjerë e interesave të tij në temat si, figura e njeriut, drita dhe hijet, perspektiva dhe perceptimi vizual, anatomia, botanika dhe peizazhet, gjeografia, shkencat fizike dhe astronomia, arkitektura, skulptura dhe shpikjet…”
***


Nga: “Miriadë yjesh e buzëqeshjesh”, 2015

“…giroskop që vërtitet sa andej sa këndej në 3-D nyjen aksiologjike dhe sikur ma mundëson të mrekullohem me një miriadë të paskajshme yjesh e buzëqeshjesh ideatike. Tre rrathë si aso “olimpikë”, ose akoma më mirë… jo olimpikë por aso “vitruvian” (vizatime 2-dimensionale të Da Vinçit), ujdisur tashmë me precizitetin giroskopik 3-dimensional brenda kupolës transparente…
Pse hoqa dorë nga rrathët e olimpikave dhe pëlqeva ata të Da Vinçit?
Jo për ndonjë arsye të kushediçfarëshme, por thjesht sa për ta përshëndetur këtë buzëqeshje tepër të veçantë. Buzëqeshje që u kthye në simbolin më të njohur të Renesansës, buzëqeshje që i ngërthen disa dimensione prej buzëqeshjesh… në një të vetme.
Në një skicë të vetme, si një mjeshtër i papërsëritshëm i buzëqeshjeve, Da Vinçi ia doli atëherë t’i kombinonte ose lidhte: filozofinë, matematikën, religjionin, arkitekturën, dhe + aftësitë e veta prej vizatuesi, dmth. dhe artin!”
[ S. Guraziu – Miriadë yjesh e buzëqeshjesh! – Ars Poetica, Janar 2015 ]
***
Autori Edward McCurdy, në “Fletoret e Leonardo Da Vinçit”, edicion i v. 1955, vëllim prej 1250 faqesh, shkruan:

“…se si Da Vinçi ta ketë shpenzuar kohën e vet, kjo do jetë një enigmë, por ekzistenca e grumbullit të madh të vizatimeve, dhe sidomos të fletoreve, na flet mjaft. Të gjitha së bashku do kërkonin një vëllim prej rreth pesë mijë faqesh… Da Vinçi kërkoi për të vendosur unitetin thelbësor të strukturës së të gjitha qenieve të gjalla, tokën dhe organizmat me venët dhe arteriet, trupin e njeriut si tipologji e botës. Perceptimet e trurit të tij vështirë të frenoheshin nga prangat e kohës apo të hapësires (vendndodhjes)…”

“…për këtë njeri, i cili i solli në jetë disa vepra të përkryera të artit si frymëzim hyjnor, mund të thuhet se të gjitha njohuritë i mori si interesim ose si specializime autodidaktive, dhe se me arritjen e tij individuale simbolizon diversitetin e një epoke si askush tjetër ndonjëherë, në cilëndo periudhë të historisë së botës.
Për dikend që i ka studiuar për më shumë se një çerek shekulli pothuajse rregullisht këto manuskripte – produkt i kushedi sa mijëra orëve të aktivitetit intelektual (davinçian) – ato janë të dhënat e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut…
Cili mendimtar ka poseduar ndonjëherë vizionin kozmik në mënyrë kaq këmbëngulëse?…”

– – –

( Shkencat e Da Vinçit dhe Profecitë – Seri e aty-këtushme fragmentesh nga shkrimet e gjeniut Da Vinçi, kuriozitete e copëza interesante nga afro 50 kategori “interesash” gjatë jetës së tij; që nga artbërja, filozofia, shkencat optike, arkitekturale, të armatimit… pastaj nga gjeografia e “oqeanistikat”, nga astronomia e “lunatikat”, nga anatomia e “kirurgjikat”… e deri tek “Profecitë”, si kapitull shpesh i paqartë dhe mjaft mistik i dorëshkrimeve të tij – përgatitur nga S. Guraziu) /voal.ch /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here