“…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut” (E. McCurdy)
[1 – Pikat e Dyshimit ]
(…për të hequr këtë dyshim është e nevojshme thirrja e ndonjë mrekullie në ndihmë…)
“Këtu lind dyshimi, i cili është: nëse përmbytja, e cila ndodhi në kohën e Noes, ishte universale apo jo. Dhe duket se nuk ishte, për arsyet si vijon: Në Bibël e kemi që kjo përmbytje zgjati 40 ditë dhe 40 net nga shiu i pandërprerë dhe botëror, dhe se uji u ngrit për dhjetë kubitë* [ rreth 5 metra – shën. im, sg ] mbi malet më të larta të botës. Dhe në qoftë se shiu të ketë qenë botëror, dmth. uji do ta ketë mbuluar globin tonë, i cili është sferik si formë. Dhe kjo sipërfaqe sferike në çdo pjesë të saj ka të njëjtën largësi me qendrën e sferës; kështu që sfera ujore* duke qenë në të njëjtat kushte, është e pamundur që uji [ i përmbytjes – shën. im, sg ] të lëviz mbi të, sepse uji në vetvete nuk lëviz, përveç nëse pëson rënie; pra, si munden ujërat e një përmbytjeje të tillë të lëvizin, nëse e kemi të vërtetuar që nuk ka lëvizje? Dhe në qoftë se uji të jetë nisur disi, si mund të lëvizte përveç nëse të “ngjitej” lart? Këtu, pra, shkaqet natyrore janë mëse të nevojshme; për të hequr këtë dyshim është e nevojshme thirrja e ndonjë mrekullie në ndihmë, ose ndryshe të thuhet se gjithë ky ujë të jetë avulluar nga nxehtësia e diellit.”
* “kubit” – masë antike për gjatësinë, rreth 44 cm (kubit i shkurtër) dhe kubit i gjatë 52 cm
* “sfera ujore” – (siç e kam kuptuar unë – sguraziu) si duket për Da Vinçin ujërat e botës përbënin sferën ujore, sipas tij elementet “ndërfuteshin në njëri-tjetrin pa shkaktuar vakuum” (në këtë rast elementi “ujë” dhe ai “tokë”), pra sfera ujore dhe sfera tokësore ishin dy sfera elementesh të lidhura, të bashkëdyzuara, dy masa sferike ndërfutur njëra në tjetrën…
***
Në “Fletoret e Leonardo Da Vinçit”, edicion i v. 1955, vëllim prej 1250 faqesh, autori Edward McCurdy shkruan:
“…Për këtë njeri, i cili i solli në jetë disa vepra të përkryera të artit si frymëzim hyjnor, mund të thuhet se të gjitha njohuritë i mori si interesim ose si specializime autodidaktive, dhe se me arritjen e tij individuale simbolizon diversitetin e një epoke si askush tjetër ndonjëherë, në cilëndo periudhë të historisë së botës.
Për dikend që i ka studiuar për më shumë se një çerek shekulli pothuajse rregullisht këto manuskripte – produkt i kushedi sa mijëra orëve të aktivitetit intelektual (davinçian) – ato janë të dhënat e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut…
Cili mendimtar ka poseduar ndonjëherë vizionin kozmik në mënyrë kaq këmbëngulëse?…”
– – –
( Shkencat e Da Vinçit dhe Profecitë – Seri e aty-këtushme fragmentesh nga shkrimet e gjeniut Da Vinçi, kuriozitete e copëza interesante nga afro 50 kategori “interesash” gjatë jetës së tij; që nga artbërja, filozofia, shkencat optike, arkitekturale, të armatimit… pastaj nga gjeografia e “oqeanistikat”, nga astronomia e “lunatikat”, nga anatomia e “kirurgjikat”… e deri tek “Profecitë”, si kapitull shpesh i paqartë dhe mjaft mistik i dorëshkrimeve të tij – përgatitur nga S. Guraziu) /voal.ch /InforCulture.info