Categories: RETROSPEKTIVË

Këneta e Maliqit, atje ku humbën jetën mizorisht 135 të burgosur

Rrëfim nga Reshat Agaj: “Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen, në rrugën që të çonte në kanal, atje në baltën e tmerrshme të Maliqit.”

Nga Dalip Greca

Në burg, Reshat Agaj përcolli shokët e qelisë që u dënuan me vdekje dhe në ditarin e tij ai jep hollësi se si Reshat Stërmasi, para se të pushkatohej, pa në ëndërr fundin e vet tragjik; të njëjtën gjë përjetoi edhe Vasil Llazari. Ata, para pushkatimit, ia treguan ëndrrat priftit Irine Banushit, i cili përpiqej që t’ua largonte parandjenjën. Ditari i Agajt sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite. Një tjetër tablo dhune vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës. Ai tregon se më 14 maj 1948 i njoftuan se do t’i dërgonin në atë që quhej këneta e vdekjes në Maliq të Korçës. Jo pak, por 400 të burgosur i nisën që në mëngjes herët drejt kënetës së vdekjes. Në çdo kamion ishin vendosur 15-20 të burgosur, bashkë me plaçkat e tyre dhe të gjithë ishin të lidhur në një zinxhir të gjatë që lidhte duart e tyre rreth e qark. Reshati shkruan se ka qenë një udhëtim skllevërish, me vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme, se në çdo lëkundje të makinës, lëkundeshin dhe ata, për pasojë duart u shtrëngoheshin dhe u bëheshin plagë nga zinxhirët e trashë. Kur arritën atje pasdite vonë, gjetën dhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Durrësit dhe Elbasanit, plot 2000 të burgosur, të strehuar në gjashtë baraka të gjata druri, mbuluar me llamarina dhe mushama të vjetra dhe brenda ishin dy radhë vende për fjetje, shtruar me dërrasa. Pikërisht aty kaloi plot gjashtë muaj të tmerrshëm, që nuk mundi t’i harronte derisa mbylli sytë në Kenosha e u varros në Detroit.

Reshati dëshmon se gjatë kohës që punoi atje pa vdekjen me sy. Aty vdiqën nga torturat, sëmundjet dhe mundimet supernjerëzore 135 shqiptarë të burgosur dhe u varrosën të gjithë në bregun para xhamisë së katundit Vloçisht, aty afër. Tetë vetë u vranë nga policët në mënyrë barbare, qoftë pse guxuan të bënin ndonjë kundërshtim të vogël, qoftë pse deshën policët për qejf, t’u shtinin tmerrin të tjerëve me akte çnjerëzore dhe të frikshme.
Reshati dëshmon: “Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas që kish dhe djalin e tij të burgosur, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen i ndotur, në rrugën që të çonte në kanal, atje në vendin e punës, në baltën e tmerrshme të Maliqit.”
Jeta në kampin-burg ishte llahtar. Zgjimi bëhej në orën katër të mëngjesit dhe brenda një ore, duhej të bëheshin gati dhe të viheshin në rresht, pasi të kishin marrë atë lugë çaj dhe bukën që iu jepej qysh në mëngjes e niseshin për t’u përballur me baltën dhe shkopinjtë e policëve. Në fillim të kanalit ishte balta e tmerrshme e Maliqit plot me shushunja, që ngjiteshin nëpër këmbët e zbathura dhe ua pinin atë pikë gjak, që u kishte mbetur. Çdo i burgosur duhej të mbushte normën e përditshme, që ishte tre metra kub dhe’ të gërmuar, për ta transportuar në anën e kanalit me karroca dore. Kjo ishte një normë me të vërtetë çnjerëzore, po të merrej parasysh dobësia trupore, rezistenca e ulët e trupave të tyre, ushqimi mizerabël, balta e ngjeshur prej shekujsh nën ujë, gjatësia e ditës së punës, që i kalonte 12 orët etj.
Ai kujton se kishte të burgosur që e hanin racionin e bukës 700 gramësh, menjëherë në mëngjes, sapo e merrnin në dorë dhe e kalonin ditën me gjellën e drekës dhe të darkës pa bukë. Kishte njerëz që, për një paketë duhan, e shisnin gjysmën e bukës dhe mbanin barkun zbrazur për ato të shkreta cigare dhe mbeteshin në rrugë, duke i shtyrë policët me dru prapa kurrizit, në mos më keq.

Le ta shfletojmë ditarin: “Këtu kam parë me sytë e mi se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u enjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin. Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të. Polici më i tmerrshëm i këtij kampi ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnjë. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj. Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe, po të kisha lëshuar një zë sado të vogël apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi.

Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës, atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën. Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë:

– A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?

Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar.

Një tjetër polic i thirri:

– Ik përpjetë, ik përpjetë!

Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa të zë kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.

Ai shkruan në ditar se aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij. I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi.

Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri. Në ditar gjen raste ekstreme dhune, gjen të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të kuzhinës, të cilat i hanin si të babëzitur.

Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave.

Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme. Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë Viktor Dosti. Edhe pse i tha policit se libri vërtet ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishte Englesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht. Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të rraskapitur.

In For Culture

Recent Posts

Pamje interesante: ‘’Dyluftimet’’ e kuajve të egër (Video)

Përleshjet e kafshëve në botën e egër janë pothuajse shumë të zakonshme dhe jo pak…

5 hours ago

Konvertimi i Shqiptarëve në sllavë: serbë, malazezë e bullgarë

Nga: Adil Fetahu Në katër librat e Gent Ulqinit: “SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT, hulumtime nëpër burime…

7 hours ago

SHKENCAT E DA VINÇIT DHE PROFECITË (2 – NJERIU VITRUVIAN) – Nga S. Guraziu

“…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore…

8 hours ago

SHKENCAT E DA VINÇIT DHE PROFECITË (1) – Nga S. Guraziu

“…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore…

8 hours ago

Ja si dukej pulla e parë postare shqiptare në vitin 1913(Foto)

Pulla e parë shqiptare u emëtua më 1 maj 1913. Ajo është një vulë e…

8 hours ago

Trungu i ullirit nga i cili besohet se janë mbledhur ullinj që nga koha ilire

Është e mundur që duart ilire dikur kanë mbledhur ullinj nga pema në Gjorm të…

9 hours ago