Në vitet ’20, ka pasur debate të shumta për krijimin e bankës kombëtare që do të emetonte monedhën e do t’i jepte një hov të ri zhvillimit ekonomik.

Diskutimet kanë qenë të shumta ku nuk kanë munguar zërat që mbështesnin nevojën që banka të ngrihej me kapital terësisht shqiptar, e as zërat që argumentonin se kjo ishet e pamundur dhe se zgjidhja mund dhe duhej të vinte nga kapitali jashtë vendit. Debatet nuk munguan as në vitet 1925-’26 kur u krijua banka.

Diskutimet do të vijonin për shkak se përqindja shumë e ulët e aksioneve nga ana e shqiptarëve në këtë bankë  prodhoi jo pak analiza publike si ajo Mehdi Frashërit, Luigj Gurakuqit apo Mark Kakarriqit që vinin në pikëpyetje faktin nëse në mënyrën sesi ishte krijuar banka, ishte apo jo realisht ajo një bankë kombëtare e Shqipërisë.

Analiza e Mehdi Frashërit

Ajo që bie në sy është analiza që bën Mehdi Frashëri, kryeministër i vendit në vitin 1935. Në këtë periudhë, ai hartoi 16 projekte për përmirësimin e ekonomisë dhe të financave të vendit, së bashku me arsyet dhe analizat përkatëse të cilat u publikuan në një vëllim të posaçëm.

Këto projekte formonin kategorinë e parë të reformave dhe pasi të viheshin në praktikë parashikohej të fillonte edhe një seri e dytë e projekteve rreth reformave më të domosdoshme në Shqipëri. “Për fat të keq, klika e hajdutëve e të pashkollëve që duke përfituar nga vobekësia e popullit kishte marrë frenat e qeverisë në dorë, bëri ç’qe e mundur për të më rrezuar nga fuqia që të kishte fushë të lirë në vazhdimin e kusarisë së tyre.

Rrafshi intelektual i kombit shqiptar përsa u përket shkencave shtetnore ishte kaq i ulët sa nuk u gjet një njeri që t’i studionte metodikisht këto projekte dhe të çfaqte mendimin e vet. Organet e cubave, që diçka botuan rreth këtyre projekteve, formojnë objekt për të qeshur e për të qarë”  shkruante Mehdi Frashëri te ‘Probleme Shqiptare’.

Se si duhej të ishte sistemi bankar shqiptar në funksion të rritjes së ekonomisë së vendit, Frashëri ka një analizë që ndahet në 2 periudha; në periudhën para kapitullimit të Italisë dhe në periudhën pas saj, ndaj edhe projekti i tij merr parasysh dy skenare që ndryshojnë rrugës pas kapitullimit të italisë.

Skenari i “shembjes” së Bankës Kombëtare të Shqipnis’

Në projektin me titull “Ngrehinat bankare” Frashëri shkruan se “një vend për t’u zhvilluar normalisht në fushën e ekonomisë ka nevojë për ngrehina krediti me një skonto ose me një kamate tepër të ulët dhe me lehtësina të mëdha”.

Sipas Frashërit, organi kryesor i të gjitha bankave duhet të jetë një bankë shteti, që të ketë vetëm ajo të drejtën e emetimit të monedhave dhe kartëmonedhave. “Një shtet që nuk e ruan për personin moral të vet të qitunit e bankënotave, nuk mund të ketë pavarësisë ekonomike” shkruante ai.

Më tej, në analizën e tij, Frashëri evidenton se koncesioni i bankës e robëronte Shqipërinë nga pikëpamja ekonomike dhe monetare. Ndaj, ai propozonte si zgjidhje anulimin e koncesionit dhe riorganizimin e sistemit bankar shqiptar. Sipas tij, nëse Italia e humbiste luftën në të cilën ishte përfshirë, atëhere kjo lëvizje do të ishte me e lehtë për Shqipërinë.

Për mendimin tim, në qoftë se Italija e humbet luftën, shlyemja e bankës lehtësohet tepër sepse banka ka vepruar fort dhe në mënyra të ndryshme kundër interesave shqiptare dhe në mirë të shtetit pushtonjës. Këto shkaqe krijojnë arsye ligjore për prishjen e kontratës së lidhur mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë SVEA që ka krijuar bankën” vijon analiza e Frashërit.

Më tej,në analizën e tij Frashëri merr parasysh skenarin që në një rast të tillë kur anulohet koncesioni i bankës, atëhere edhe kartëmonedhat e emetuara nga ajo mund të zerohen në vlrë. Në këto kushte, ai përmend premtimin e dhënë nga Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt për t’u dhënë hua shteteve të përfshira në luftë.

E në këtë rast, me huanë që Shqipëria do të merrte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të krijonte një bankë tjetër kombetare “të frymëzuar me një kombësi të fortë shqiptare”

“Një bankë kombëtare e formuar me parime të shëndosha shkencore dhe me frymë nacionaliste do të ketë vetëm ajo të drejtën të qitë kartëmonedhë dhe nga rezerva përkatëse një pjesa ta mbajë në Shqipni dhe pjesën tjetër ta depozitojë në një bankë amerikane kompensimi me ngjyrë ndërkombëtare, nën protekcionin e Amerikës. Të këtilla banka kompensimi ndërkombëtare ndodhen në Zvicër, në Londër e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në qoftë se qeveria kombëtare e ardhme nuk ia arrin qëllimit të marrë një hua në ar të mjaftueshme ose qeveria italiane nuk detyrohet definitivisht të çdëmtojë kombin shqiptar atëhere duhet të veprohet në mënyrën e poshtëshënuar.

Qeveria të vërë dorë pa vonesë në puset e vajgurit të Kuçovës në piplime që zgjatet nga Kuçova në sqelën e Vlorës dhe në gjithë depozitat e saj. Menjëherë ta verë në punim çfrytëzimin e vajgurit edhe shitjen e produktit kundrejt monedhave të sakta ar, stërling, dollar edhe franga zvicre.  

Këto të holla ose vlefta duke u shitur produkti i vajgurit t’i verë si rezervë dhe shkallë-shkallë banka kombëtare e re të vërë në qarkullim kartëmonedhë shqiptare me legjenda dhe me stemë krejt shqiptare, në mbështetje të rezervës që thamë” shkruante më tej Frashëri ndërsa shpaloste planin për rikrijimin e bankës kombëtare.

Projekti i 7 bankave  

Pavarësisht “aktualitetit” për çështjen e riorganizimit të sistemit bankar, Frashëri kishte një pikëpamje parimore, përtej kohëve, për mënyrën sesi duhej organizuar sistemi bankar i vendit në mënyrë që ekonomia shqiptare të mund të shënonte progres.

Sipas tij, Banka Kombëtare e Emisionit do të ishte “kupola” e 7 bankave të tjera kredituese; Banka Tregtare, Banka Bujqësore, Banka Industriale, Banka Zejtare, Banka e Kreditit Urban, Banka e Kursimit dhe Banka e Punimit.

Këto të 7 ngrehina do të jenë si skeleti i trupit ekonomik të shqipnisë. Ngrehja e këtyre bankave do të bëhet pjesërisht me akcione qeveritare dhe pjesërisht me aksione joqeveritare. Qeveria për t’i paguar akcionet siç thamë mësipër do të shesë karburantat e Kuçovës, kromin e Shkumbinit të lartë, ashtu si edhe hekurin po të kësaj zone. Këto janë ca produkte xeherore që shiten jashtë me monedha ose me vlefta të huaja të sakta” projektonte Frashëri.

Më tej, ai propozonte krijimin e një Shoqërie të Përgjithshme Shqiptare e cila pak nga pak do të blinte aksionet e këtyre bankave dhe nga ana tjetër, edhe vetë qytetarët do të mund të blinin aksione individuale.

Në fakt, kjo ide e Frashëri avancoi pasi ai organizoi një konferencë që bashkoi tregtarët, kapitalistët dhe pronarët shqiptare të kohës që formuan “Shoqërinë e Përgjithshme për Zhvillimin Ekonomik të Shqipnisë”.

Një rol të rëndësishme në këtë projekt, sipas Frashërit, kishte qeveria, e cila duhej të ishte vetë në gjendje e para që të blinte një pjesë të aksioneve të bankave. Nga ana tjetër, ai evidenton nevojën e ndalimit të fajdës me qëllim që paratë të kanalizoheshin në sistemin bankar.

Roli i zyrave postare

Sa i përket përfshirjes së qytetarëve në sistemin bankar, përmes krijimit të rrjetit të kursimeve, Frashëri propozonte që në të gjitha zyrat postare në vend të hapeshin seksione kursimi në mënyrë që qoftë edhe 1 frangë të mund të pranohej.

Për këtë, Frashëri kishte ndërmarrë edhe hapa konkrete, duke porositur drejtorët e Postë-Telegrafëve që të hartonin një projektligj rreth kursimeve postare sipas modelit zviceran. Ky projekt iu paraqit Këshillit të Shtetit dhe pritej të vihej në zbatim.

“Atëhere do të shihet se edhe shërbëtori, punëtori dhe nëpunësi i vogël privat e zyrtar, gratë e vajzat, që diçka punojnë e fitojnë do të kenë nga një librezë në poste për kursimet e depozituara. Në gjithë vendet e qytetëruara sistemi i kursimeve postare eshtë vënë në veprim dhe ka dhënë pemë më tepër nga ç’shpresohej.

Këto kursime të vogla por të vazhdueshme janë arritur në miliarda.Kursimet postare duhet t’u dorëzohen bankave me qëllim që t’i punojnë të hollat në sipërmarrje të ndryshme dhe nga fitimet e tyre t’u paguhet kamata kursimtarëve.

Ky veprim lipset të rrjedhë nën garancinë efektive të shtetit. Qeveria lipset të japë çdo garanci për të vënë në dorë një hua në monedhë të saktë për të ngjallur bankat sepse po nuk u ngrehën këto banka, zhvillimi ekonomik i Shqipnisë është i pamundur që të realizohet” shkruante më tej Frashëri në analizën e tij.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që solli humbjen e gjermanëve, do të sillte ardhjen në pushtet të forcave komuniste.

Projekti për ringritjen e sistemit bankar do të zbatohej nga komunistët të cilët do të anulonin koncesionet bankare duke i shtetëzuar ato e duke ngritur një sistem bankar që shkonte plotësisht në favor të modelit të ri ekonomik që po aplikonin; ekonominë e centralizuar.

*Material i përgatitur nga portali SCAN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here