GJENEZA…

Një nga veshjet më karakteristike dhe njëherazi më karizmatike të shqiptarëve, njihet edhe fustanella, apo ajo që të huajt e quajnë “Albanian kilt”, e ngjashme me “fundin” apo kiltin skocez, e mbajtur nga shqiptarët, më vonë edhe nga grekët, e kombe të tjera të Ballkanit.

Në pjesën e parë të videos së sotme është një pasazh nga dokumentari i Kujtim Gjonajt “Enciklopedi që ecën me këmbë”, përmendet momenti historik kur Fan Noli shkruan për Faik Konicën “…E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica”.

Veshja e ceremonialeve greke nga Garda Presidenciale
Në pjesën e dytë një copëz nga një dokumentar grek që flet për arvanitasit (suljotët) dhe veçanërisht në pjesën e fundme për fustanellën shqiptare, që sipas studiuesve greke (me titra shqip) “…shembull karakteristik është adoptimi i fustanellës. Fustanella ishte një veshje që zakonisht vishej nga shqipfolësit në Ballkan. Veshja e Gardës Presidenciale sot, është veshja karakteristike, Fustanella…Një veshje pastër shqiptare, në qoftë se flasim se kujt i përket…”.

Ndërsa në pjesën e fundme, iu prezantojmë disa nga artefaktet apo “thesaret e nëntokës” shqiptare dhe më gjerë, të cilat “flasin” për origjinën e lashtë të fustanellës shqiptare, shoqëruar me një këngë arvanitase, për fustanellën… Në Iliri, veshje të natyrës së fustanellës janë gjetur në Maribor të Sllovenisë, të cilat i përkisnin shekullit të shekullit V-të, para Krishtit. Ndërsa, Sir Arthur Evans, e ka konsideruar përdorimin e fustanellës nga fshataret (e përdorur para dhe pas dyndjeve Sllave) që jetonin ndërmjet kufirit modern mes Bosnjës dhe Malit të Zi, si “një element të ruajtur ilir mes popullsive sllavofonike”.

Gjeneza…

Në sheshin Sintagma të Athinës, ndërrohen rojet përmes një ceremonie elegante, përmes ritmit, lëvizjeve e veshjeve…Turistët nuk lënë pa kapur asnjë çast në aparatet e tyre, e duke kundruar këtë ritual. Ushtarët në detyrë nuk lëvizin, me shikimin lart dhe veshjen ceremoniale. Por, më shumë se çdo gjë tjetër, veshja e tyre për ne, mbetet e njohur… Ajo që na bën përshtypje për ne, si shqiptarë, është fustanella…por me disa ndryshime në kostumin e ushtarëve të gardës, duke qenë më e shkurtër, – qëndron mbi gju dhe me më pak pala se, fustanella shqiptare. Nuk gjendet në popullsinë vendase, por veçse në ceremonialet e ushtrisë greke…

A kemi me të bëjmë me të njëjtën veshje, apo në rastin e fustanellës, ajo është veshje autentike shqiptare? Përgjigjet e para na i japin dorëshkrimet e Princit të Bavarisë, Otto von Wittelsbach (1 Qershor 1815- 26 Korrik 1867), më pas Mbret i Greqisë më 1832, (në Konventën e Londrës dhe nën patronazhin e Ushtrive të Mëdha). Veshja që ushtarët do të mbanin, ishte një moment kulturor dhe etnik. Princi e pa fustanellën e veshur tek shqiptarët që jetonin brenda Greqisë, duke e vlerësuar si më të denjën për ushtrinë e tij. Aq shumë e pëlqeu, sa që ai e vishte edhe vetë herë pas here.

Sipas etnologes Afërdita Onuzi, diskutimet mbi fustanellën kanë përfunduar, e ajo njihet si një veshje shqiptare. Për Gardën Greke, Onuzi thotë se, “Ajo nuk është fustanella e mirëfilltë”, duke përmendur më tej Mbretin Otto të Greqisë, “që e pa këtë veshje tek arvanitasit e Greqisë, autoktonë prej shumë shekujsh në ato troje”. “E përdori në një variant më të shkurtuar”, përmend Onuzi, ndërsa sipas koleksionistes, Linda Spahiu “gardistët e tij (të Otto-s) ishin suljotët, si mercenarë. Pra, garda e vet personale ishin fshatarë me veshjen e tyre tradicionale, nga jugu i Shqipërisë”.

Studiuesi etnograf Dorian Koçi, vërteton se tezat e mësipërme janë të vërtetuara edhe në anën tjetër të kufirit, nga studiuesi dhe historiani skocez i Revolucionit Grek (Volumi i I-rë), George Finlay më 1861, (përmendet edhe nga studiuesi Robert Elsie) në lidhje me fustanellën dhe fatin e suljotëve në kohën e Ali Pashës. “U adoptua, por ndërsa tek shqiptarët ajo qëndron shumë bukur, e gjatë dhe me rreth 300 kinda, tek grekët është imituar në mënyrën më të keqe”.

Sipas Faik Konicës, në botimin e tij publicistik “Shqipëria, si m’u duk – Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, përmendet se, “…në fillim të shekullit të XIX-të, Greqia e pranoi këtë veshje” dhe se vetë ai (Konica) i referohet shënimeve të kolonelit W.M. Leake në “Travels in the Morea” (Londër, 1830) i cili përshkruante se: “Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, ashtu edhe në pjesën tjetër të Greqisë…Në More, ndoshta si pasojë e lulëzimit të Hidrës, që është një koloni shqiptare dhe të ngulimeve të fshatarëve shqiptarë që janë vendosur në disa pjesë të Morisë, në veçanti në Argolis, si dhe në krahinat fqinje të Atikës dhe Beotisë”.

Konica në të njëjtin libër përmend edhe Finley, ku thotë se “…ndonëse turqit osmanë ngaherë kanë pasur një ndjenjë të fortë antipatie kundrejt shqiptarëve myslimanë, ata filluan t’i paguajnë jashtë vullnetit. Një peng nderimi i famës së mercenarëve ushtarakë shqiptarë. Atëherë u bë një gjë e pazakonshme në Greqi e në Maqedoni, që të shihje fëmijët e osmanlinjve të veshur me fustanella ose me fundin e bardhë të toskëve”.

“Kur Veli Pasha, djali i dytë i Aliu të Janinës, kur ishte Veliu i Moresë (1807-1812), madje dhe të rinjtë grekë me pozita, guxuan që ta pranonin këtë veshje, veçanërisht kur bënin rrugëtime, meqë ajo u jepte mundësinë që të mbanin armë”, përmend më tej Konica në librin e tij, duke iu referuar Finley-t.

Fustanella

Një dokument i vitit 1335, e liston fustanellën ndër objektet që iu konfiskuan një marinari në portin e lumit Drin në Liqenin e Shkodrës. Versioni shqiptar i fustanellës ka gjashtëdhjetë palë, ose përgjithësisht një numër të moderuar. Bëhet prej copave të trasha të lirit të endura në kushtet e shtëpisë. Historikisht, ka qenë aq e gjatë sa mjaftonte për të mbuluar gjunjët dhe linte të ekspozuar pjesën e poshtme të këmbëve. Zakonisht vishej nga shqiptarët e pasur, të cilët gjithashtu mbanin në sup edhe një jatagan dhe një palë pisqolla argjendi në brez. Jatagani dhe pisqollat përdoreshin më tepër për arsye dekorative.

Fustanella është një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve që e gjen me një shtrirje gjatë gjithë territoreve, ku ka banuar etnia shqiptare. Në mënyrë të gabuar shpesh herë ajo është referuar si një veshje kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt si mund të identifikohet dhe nga një numër gravurash të fillimit të shekullit të XIX-të, si dhe nga fotografitë e Fototekës “Marubi’, ku fustanella gjen një shtrirje të admirueshme si veshje edhe në veri të territoreve shqiptare, duke marrë pa dyshim atributet e një veshje kombëtare gjithë shqiptare.

Nuk ka dyshim që nga një plejadë udhëtarësh që vizituan territoret shqiptare në këtë kohë, vendin më të rëndësishëm e mban poeti Lord Byron që ishte nga të parët që vizitoi Janinën e Tepelenën, por la pas dhe një monument letrar si poema epike “Shtegtimet e Child Haroldit”, ku portretizon shqiptarët dhe prijësin e tyre karizmatik, Ali Pashë Tepelenën.

Një nga gjërat për të cilat Bajroni kishte folur me admirim të veçantë, ishte veshja shqiptare. Ai u mrekullua nga kostumi me fustanellë, të cilin madje e përshkruan shpeshherë dhe në vargjet e tij në poemën e famshme “Child Harold”.

Në shënimet e tij shprehet: “Arnautët ose Shqiptarët më kanë bërë shumë përshtypje për ngjasimin që kanë me malësorët e Skocisë, në veshjen, pamjen dhe mënyrën e jetesës… Kilti (fustanella) megjithëse e bardhë ,… të folurit e tyre keltik në tingull si dhe zakonet e tyre të ashpra, gjithçka më çonte larg në Morven”. (Byron, G. Notes to Child Harold, London, 1935, faqja 840).

Udhëtarit i bëri përshtypje të veçantë veshja e shqiptarëve, jo vetëm për nga kompozimi i tyre, por edhe për nga shtrenjtësia e materialeve që përdoreshin për të. Në një letër drejtuar nënës së tij ai (Byron) shkruan: “Kam disa petka madhështore shqiptare, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 guinea secila dhe kanë aq flori të qëndisur, sa në Angli mund të kushtojnë 200 guinea”.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit, u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhëtarë të huaj të shekujve XVIII-XIX-të, vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë e të Vllahisë në Bukuresht.

Mbreti Otto me fustanellë
Në Greqi, kostumi me fustanellë u bë i modës në shtresat e larta të shoqërisë greke, veçanërisht në kohën e mbretërimit të Otto-s (apo Othonit) e të Princeshës Amalia. /konica.al /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here