Ditari: Shokëve të qelisë u ngecën bukën në fyt dhe i çuan në pushkatim
Petro Marko, në tre vitet e burgut në Shqipërinë komuniste, provoi torturat fizike, shijen e hidhur të zhgënjimit dhe padrejtësisë, por u bë edhe dëshmitar i orëve të fundit të disa të dënuarve që u vranë pa faj. Asim Abdurrahmani dhe Gjysh Deda, ishin dy prej tyre… Ata erdhën t’i merrnin për t’i pushkatuar ndërsa ishin duke ngrënë dhe u thanë: Ngrihuni, se drekën e mbaroni në atë botë!
Edhe pse ishte “i pastër si kristali”, siç i tha bashkëshortes natën kur e arrestuan, Petro Marko nuk u shpëtoi burgjeve komuniste në Shqipëri. Ai kishte qenë anëtar i partive komuniste të Spanjës, të Francës e Italisë, por nuk u bë kurrë anëtar Partie në Shqipëri, për të cilën, sapo u kthye në atdhe, në tetor 1944, Sejfulla Malëshova e porositi: “Kjo parti nuk është si ato. Kjo parti është krijuar nga dy serbë dhe është parti terroristësh”. E porositi dhe të mos hapte gojë për ca kohë, sepse do ta pësonte, por personaliteti dhe jeta e Petro Markos fliste vetë. Ai ishte idealist. Njerëzor. Ai kishte luftuar, kishte vuajtur burgime dhe internime për idealet në të cilat besonte dhe, për këto arsye, shihej me simpati, madje dhe nga ata që nuk ndanin të njëjtën ideologji me të, por për drejtuesin e ri të vendit, për të cilin këto ideale ishin thjesht platforma ku vendosej karrigia e pushtetit, zëri që i thoshte këto të vërteta kishte fuqi demaskuese, ndaj duhej shuar. Figura e këtij interbrigadisti që njihte nga afër Evropën dhe fitimtarët e saj, bënte hije, ndaj i duhej zënë dielli. Kështu, natën e 15 majit 1947, Petro Markon e arrestuan.
Akuzohej se u kishte dhënë informata anglo-amerikanëve se sa është tirazhi i gazetës, kur, siç ka thënë vetë ai, çdo të huaji që vizitonte gazetën, gazetarë ose funksionarë të legatave dhe misioneve të huaja, kur pyesnin se sa është tirazhi i gazetës, nuk mund t’u thoshte se nuk e dinte. Akuzohej pse pinte cigare amerikane, pse vishej me uniforma ushtarake amerikane, kur “ne kishim marrëveshje me aleatët amerikanë që të na dërgonin armë, veshmbathje e të tjera… Shumica e kuadrove tona kishin po ato veshje”. Pse botonte në faqen e parë të “Bashkimit”, lajme për ndihmat e UNRRA-s. Akuzohej si agjent i angloamerikanëve, ndërkohë që vetë e kishin ngarkuar për të shoqëruar disa misione të huaja në Shqipëri, të cilat si përfundim u larguan të zhgënjyer nga sjellja e qeverisë shqiptare, që i mohoi vendit vazhdimin e ndihmave të UNRRA-s. Petro Marko ishte i pranishëm në këto zhvillime, por koka e tij nuk ishte nga ato që tundej në shenjë miratimi kur mendonte ndryshe. Dhe një kokë e tillë duhej ta pësonte.
Ai vuajti tre vjet izolimin në burgjet e Tiranës, gjatë të cilëve u torturua, u izolua nga bota dhe të afërmit dhe pa nga afër kriminalitetin e sistemit të vendosur në Shqipëri, që çdo ditë dënonte dhe çonte para pushkatimit njerëz, pa të drejtë. Në kujtimet e tij që familja i ka përmbledhur më pas në librin “Retë dhe gurët”, botim i OMSCA-1, përshkruhen disa nga skenat makabre të cilave iu bë dëshmitar gjatë atyre viteve. Njëra prej tyre iu takon dy shokëve të birucës së parë ku e çuan fill pas arrestimit: Asim Abdurrahmanit dhe Gjysh Dedës. Ata ishin aty, prej ditësh, bashkë me Asllan Ypin.
“Më kanë dënuar me vdekje! Nuk e di pse…Unë Babushin (Bedri Pejanin) nuk mund ta mohoja, se e kam vjehërr…Pastaj, pse jam përfaqësues i shoqërisë farmaceutike gjermane “Bajer”, nuk është ndonjë krim”, i kishte thënë Asimi. Asllan Ypi tregonte për Enver Hoxhën që e kishte njohur që në Francë, që kur e kishte parë në Tiranë duke pozuar te dera e dyqanit “Flora” bashkë me disa komunistë, e kishte pyetur në frëngjishte ç’kërkonte ai me të kuqtë dhe Hoxha po frëngjisht i kishte thënë: “Jam këtu, me qëllim që t’u…nënën gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të lë më këmbë”. – “Po ne që nuk jemi komunistë, ishte përgjigjur Gjysh Deda, pse na arrestoi e na dënoi me vdekje”? Ishin në një qeli komunistë e antikomunistë. Kishin të përbashkët dënimin e padrejtë. Asimit dhe Gjyshit, ky dënim do t’u merrte jetën.
Ndërsa ishin ulur këmbëkryq, duke ngrënë ushqimet që u kishin sjellë të afërmit, në birucë u futën oficerët e Sigurimit, Aznedari dhe Stavri, “të zellshëm për ofendime dhe tortura nga më çnjerëzoret”. Petro Marko e përshkruan me detaje atë skenë:
“-Ti, Asim Abudrahmani dhe ti, Gjysh Deda, ngrihuni!
Nuk e di si guxova dhe fola: Dale të mbarojmë drekën… Tani sapo u shtruam!
-Pusho ti, agjent i fëlliqur! Ju ngrihuni, se drekën e mbaroni në atë botë.
Shtangëm. Gjysh Deda, trim, tha:
-Asim, ngrihu! Të shpëtojmë nga kjo pjellë e keqe që ka lindur ky vend fatkeq, i pushtuar nga Titoja, që ka këtu si xhelat Enverin!
Më erdhi të ulërija kur pashë Stavrin ta godiste me këmbë në kokë dhe ta shante.
-Ngrihuni!
Gjysh Deda i tha Asimit:
-Mos u ligështo. Mbaju burrë, se ne bëjmë pjesë te kurbanët, në ata mijëra kurbanë që Enver Hoxha i ther për perëndinë e tij Tito.
Përsëri Stavri e goditi rëndë. E hoqi zvarrë. Me Asimin u përqafuam me lot në sy. Dëgjova:
-Në dalçi gjallë këtej, thoni se vdesim të pafajshëm!
Dera u mbyll. Unë dhe Asllani ndenjëm në këmbë me lot në sy, ndërsa radioja shpërndante me zë të lartë me anë të megafonit të vënë në oborr të burgut “Orën gazmore” dhe i bënte të qeshnin ata që e dëgjonin. Ishte edhe kjo një nga ato mijëra skena makabre që kam parë gjatë gjithë jetës”.
Pas pak kohësh, Petro Markon e çuan në Burgun e Ri, ku për disa muaj e torturuan që të pranonte fakte të paqena. E varnin nga krahët në hekurat e dritares së birucës dhe i vinin rreth 50 kg zinxhirë në supe, ndërsa këmbët i tundeshin në ajër. Derisa vendosën ta hiqnin që aty, për ta çuar sërish në Burgun e Vjetër, nga doli më 15 maj 1950, tre vjet nga dita e arrestimit.
Po linte pas burgun, por jo përndjekjen.