Figura e Idriz Seferit radhitet në mesin e luftëtarëve, që u bë i njohur qysh në Lidhjen  Shqiptare të Prizrenit, ndërsa prania e tij në frontet e luftës kundër pushtuesit shekullor turk, po ashtu edhe në Kuvende e Besëlidhje të kohës ka zgjatur deri në vdekjen e tij. Sipas të dhënave jo edhe aq të plota në tekstet e historisë së popullit shqiptar, mësojmë se Idriz Seferi duhet të ketë lindur  në vitin 1847 në fshatin Sefer të Karadakut. Ishte pjesëtar i një familjeje të madhe malësore, e njohur për besë, trimëri e atdhetari. Qysh i ri shquhet për qëndrimin e tij kundër sundimit turk, sundim ky i cili i kishte katandisur në skamje mjerim e varfëri të gjitha trojet shqiptare.  Më 1875 u burgos nga autoritetet osmane. Tri vjet më vonë, me një grup malësorësh nga Karadaku dhe krahina e Gjilanit mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, e cila në krye me Avdyl Frashrin, Ymer Prizrenin Sylejman Vokshin e shumë atdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet e Shqipërisë së katër Vilajeteve, mori vendim për t’i ruajtur dhe për t i pavarësuar trojet shqiptare, me të cilat Porta e Lartë në Stamboll bënte tregti, pas çdo humbje e disfate  në frontet e Lindjes me Rusinë.

Ashtu sikur të gjithë shqiptarët liridashës, edhe Idriz Seferi me trimat e tij ishte nisur në rrugë për ta ndihmuar kombin, njerëzit e gjuhës dhe të gjakut.

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në likuidimin e bandave kaçake serbe, të cilat futeshin tinëz në trojet shqiptare dhe vrisnin gra e fëmijë, për të krijuar huti në mesin e shqiptarëve  Flitet se në në Pasjan, fshat serb në lindje të Gjilanit u zbulua një çetë prej 30 vrastarësh e plaçkitësish serbë,  të cilët ishin strehuar në kishën e fshatit. Një kalimtar rasti i kishte hetuar dhe e kishte lajmëruar Idriz Seferin. Me urdhër të Idrizit ata ishin rrethuar nga çeta shqiptare, me gjithë atë ata e kishin hetuar dhe kishin ikur dhe strehuar në Gjylekreshtë të Vitisë. Përsëri ishin rrethuar dhe pas një lufte të ashpër ajo çetë komitësh ishte asgjësuar, e bashkë me ta edhe komandanti i tyre, Dragolub Nikoliq,  nga Beogradi. Pas shpartallimit të kësaj njësie të armatosur, njësi të organizuara nuk janë hetuar më deri më 1912 kur Serbia e pushtoi Kosovën.

Idriz  Seferi i takon Epokës së kryetrimave  të shqiptarisë, në luftë për çlirim nga robëria shekullore turke

Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat dhe tatimet e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për çarmatimin me dhunë të popullsisë, ndjekjet policore kundër klubeve e atdhetarëve shqiptarë, si edhe reaksioni xhonturk kundër shkollës e shkrimit shqip, i acaruan më tej marrëdhëniet e shqiptarëve me qeveritarët xhonturq.

Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet atdhetare shqiptare bënë përpjekje për bashkërendimin e lëvizjes në shkallë kombëtare. Në fundin e vitit 1909 u themelua në Stamboll Komiteti i fshehtë shqiptar “Ja Vdekje, ja Liri!”, i cili bëri thirrje për formimin e një qendre të vetme drejtuese dhe për nxjerrjen e një organi qendror shtypi për të gjitha organizatat e shoqëritë atdhetare brenda e jashtë vendit. Komiteti u përpoq ta shtrinte veprimtarinë e tij edhe në Shqipëri.

Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve e të rekrutëve ishte më e fuqishme në Kosovë, ku shpërtheu hapur pakënaqësia e shqiptarëve. Qysh në pranverën e vitit 1910 qëndresa e shqiptarëve të Kosovës merr gjithnjë e më shumë trajtën e një lufte të armatosur. Të rinjtë, për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal dhe formonin çeta të armatosura. Ndërkohë nisën përgatitjet për aksione të armatosura në përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura e të përgatitura për luftë kundër regjimit xhonturk.

Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars në Gjakovë, por qendra e tyre u bë në fillim Juniku, ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil Mehmeti.

Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin e Idriz Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje e shqiptarëve të këtij rrethi ku u diskutua rreth masave për organizimin e kryengritjes së re.

Në fund të muajit mars grupe të armatosura fshatarësh e malësorësh të anës së Mitrovicës, të Vuçiternës dhe të Llapit marshuan në drejtim të Prishtinës për të protestuar kundër caktimit arbitrar të taksave. Ata ndërprenë rrugën Prishtinë-Prepalac. Repartet e garnizonit të Prishtinës më 5 prill u ndeshën me kryengritësit në Babin Most. Pas përpjekjeve që u zhvilluan këtu dhe që zgjatën dy ditë, kryengritësit rrethuan një batalion të ushtrisë osmane dhe i detyruan forcat qeveritare të tërhiqeshin në Prishtinë me humbje të ndjeshme në njerëz dhe në armatime.

Fitorja e kryengritësve në Babin Most i vuri në një gjendje të vështirë trupat qeveritare që mbronin Prishtinën. Garnizoni i saj përbëhej prej një regjimenti kavalerie dhe një batalioni këmbësorie, të cilët nuk ishin në gjendje të mbanin qytetin dhe as të ndërmerrnin veprime jashtë tij. Më 7 prill u dërgua nga Ferizaj në Prishtinë një kolonë e përbërë prej 6-7 batalionesh. Me gjithë përforcimet që i erdhën, garnizoni i Prishtinës qe i detyruar të qëndronte në pozita mbrojtëse.

Pas fitoreve të para të forcave kryengritëse, gjendja në vilajetin e Kosovës u bë e vështirë për autoritetet xhonturke. Garnizonet ushtarake të vilajetit ishin të pamjaftueshme për ta shtypur menjëherë kryengritjen.

Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vrasja e komandantit të ushtrisë në Pejë, e majorit Rushit Beu, dhe plagosja e mytesarifit të atjeshëm, Haki Beu, u pasua nga veprimet që çetat e Shalës dhe të Berishës ndërmorën kundër një batalioni ushtarësh.

Në të njëjtën kohë kryengritësit e rrethinave të Prizrenit i detyruan repartet ushtarake osmane të mbylleshin në qytet, ndërsa pjesën tjetër të tërhiqej në drejtim të Fushë-Kosovës. Në fillim të prillit kryengritësit kishin zënë të gjitha pikat strategjike në afërsi të qyteteve të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.

E shqetësuar nga këto ngjarje, qeveria xhonturke, në mbledhjen që mbajti më 7 prill, vendosi që të merreshin masa të rrepta ushtarake kundër kryengritësve. Në mesin e muajit prill në trevën verilindore të Shqipërisë qenë përqendruar rreth 36-40 batalione këmbësorie, që bënin pjesë në korpuset I, II dhe III të ushtrisë osmane të vendosur në pjesën evropiane të Perandorisë, si dhe gjashtë bateri të artilerisë malore e gjashtë bateri të artilerisë fushore me 50 gryka zjarri.

Përballë zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve në rrethet e Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit, qeveria xhonturke mori masa për të penguar zgjerimin e kryengritjes. Me dekretin perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V u shpall në zonën e kryengritjes gjendja e jashtëzakonshme; urdhërohej të shpërndaheshin sa më shpejt forcat kryengritëse; të arrestoheshin dhe të nxirreshin para gjykatës ushtarake organizatorët e kryengritjes; të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë së patundshme; të zbatohej shërbimi i detyrueshëm ushtarak; të mblidheshin me forcë taksat etj. Porta e Lartë urdhëroi Ministrinë e Luftës që të përgatiste sa më shpejt ekspeditën ndëshkimore, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët më të zotë të ushtrisë osmane aso kohe.

Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake që Porta po përgatiste kundër Kosovës, u pa e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake, të cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në mesin e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës, në afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke, me gjithë përpjekjet që bënë, nuk arritën ta pengonin mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura e tyre, e kryesuar nga disa bejlerë të Pejës, nuk arriti gjithashtu të qetësonte dhe të shpërndante turmat e armatosura. Tubimi u zhvillua nën drejtimin e Shaban Binakut, të Isa Boletinit, të Sulejman Batushës dhe të krerëve të tjerë.

Në Kuvend u vendos pajtimi i të gjitha gjaqeve deri në Shën Mitër. Më pas pjesëmarrësit lidhën besën e vendosën që të gjitha viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin me kryengritjen. U përcaktuan gjithashtu me hollësi masat organizative dhe ushtarake për përballimin e ekspeditës së Shefqet Turgut pashës. Kuvendi parashikonte edhe masa ndëshkuese për ata që do t’i kundërviheshin besës së lidhur.

Kuvendi i Verrave të Llukës nuk mori vendime me karakter politik, nuk doli me kërkesa në rrafsh kombëtar. Me sa duket, organizatorët e tij mendonin se këto do të ishin objekt i një mbledhjeje shumë më të gjerë dhe me përfaqësues në shkallë kombëtare. Megjithatë, tubimi pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes, për organizimin dhe për bashkërendimin e veprimeve të saj të armatosura. Aty u hodhën themelet e bashkimit luftarak të shumicës së krahinave të vilajetit të Kosovës, kryesisht të pjesës perëndimore e qendrore.

Sapo filloi kryengritja, grupi i deputetëve shqiptarë në parlament u vu në mbrojtje të saj. Më 9 prill 1910, 13 prej tyre (nga gjithsej 26 që përfaqësonin popullsinë shqiptare në atë organ) i paraqitën parlamentit një relacion për gjendjen e vështirë të krijuar në Shqipëri si rrjedhim i politikës nacionaliste të Komitetit “Bashkim e Përparim”.

Në deklaratën që deputeti i Kosovës, Nexhip Draga, bëri më 10 prill në emër të grupit të deputetëve shqiptarë e quajti të padrejtë dhe e dënoi vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali, Myfid Libohova dhe deputetë të tjerë shqiptarë sollën prova që dëshmonin se ngjarjet e Prishtinës ishin pasojë e administrimit të keq të vendit, e sjelljeve arbitrare të nëpunësve vendorë, si dhe e karakterit anakronik të mënyrës së qeverisjes që zbatonin xhonturqit.

Deputetët shqiptarë folën posaçërisht për arbitraritetin në vjeljen e detyrimeve shtetërore nga autoritetet vendore. Në këtë ndikonte mungesa e legjislacionit përkatës, si edhe formulimet e errëta e të papërcaktuara mirë të ligjeve ekzistuese. Në Shqipëri filluan të vileshin edhe tatime të tilla, siç ishte ajo e oktrovës, një taksë doganore, e cila nuk vilej ende as në rajonet më të zhvilluara të Perandorisë, si në Stamboll, në Izmir, në Selanik.

Deputetët shqiptarë deklaruan se do të ishte më e udhës dhe më dobiprurëse që në Shqipëri në vend të ekspeditave ushtarake të dërgohej një komision parlamentar. Ata kërkuan që në Shqipëri të sendërtoheshin hap pas hapi reforma rrënjësore, të caktoheshin nëpunës të aftë e të ndershëm, të cilët të njihnin ligjet dhe drejtësinë. Hasan Prishtina nguli këmbë që ky komision të hetonte në vend shkaqet e kryengritjes.

Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve shqiptarë në parlament, kryeministri turk u përpoq t’i përligjte e t’i motivonte masat ushtarake të qeverisë në Kosovë me pozitën e veçantë strategjike të kësaj treve dhe të mbulonte shkaqet e vërteta të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri, të cilën e quante vepër të disa “ngatërrestarëve”.

Ismail Qemali, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria që të nxirreshin në shesh shkaktarët e vërtetë të gjendjes së krijuar në Shqipëri. Në një takim të veçantë me ministrin e Luftës të Perandorisë ai kërkoi që të ndërpriteshin veprimet ushtarake kundër shqiptarëve. Por këto kërkesa ranë në vesh të shurdhër. Qeveria pranoi se ishin bërë disa gabime nga administrimi i keq prej disa nëpunësve vendorë dhe premtoi se do të merrte masa për riparimin e tyre. Në të njëjtën kohë ajo siguroi miratimin nga parlamenti të kërkesës së saj për dërgimin e trupave ushtarake plotësuese në Kosovë.

Orvatjet e deputetëve shqiptarë për të penguar dërgimin e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Shefqet Turgut pasha në Kosovë nuk dhanë fryt. Edhe propozimet e tyre për të dërguar në Shqipëri një komision parlamentar për hetimin e gjendjes në terren dhe në mënyrë të veçantë të shkaqeve të kryengritjes u hodhën poshtë. Qeveria xhonturke ishte tashmë e vetëdijshme se ngjarjet në Shqipëri ishin shenjë e një konflikti politik shqiptaro-turk, pas të cilit fshiheshin aspiratat autonomiste të shqiptarëve.

Këtë realitet u përpoq t’ua bënte të qartë Ismail Qemali edhe diplomatëve të huaj në Stamboll. Duke i përcjellë ambasadorit austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë parashtruan në parlamentin osman, ai theksoi se shqiptarët kërkonin zbatimin e reformave, të cilat do t’u përshtateshin rrethanave të veçanta të vendit dhe nevojave të tij. Kundërshtimi i tyre, theksonte ai, do të çonte në thellimin e mëtejshëm të kryengritjes popullore. Ismail Qemali i bënte të ditur përfaqësuesit të Vjenës në Stamboll, se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë më vete”, çka nënkuptonte autonominë e Shqipërisë.

Sukseset e para të kryengritësve shqiptarë

Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup.

Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Shefqet Turgut pasha u orvat ta përligjte atë në sytë e popullsisë së revoltuar dhe të bindte kosovarët se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë në këtë vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake të komanduara prej tij nuk qenë dërguar për të shkaktuar gjakderdhje, por për të vendosur rregullin e qetësinë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte gjithashtu se qeveria dëshironte t’i siguronte popullit shqiptar të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në interesin e tij dhe të shtetit që të gjithë kryengritësit të dorëzoheshin.

I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.

Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në perëndim të Ferizajt deri në anën jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë, i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan në Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë të tjerë filluan të vepronin në radhët e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë të dezertonin.

Në fazën e parë të operacioneve ushtria osmane pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj, e cila kishte për detyrë të dilte në fshatin Pozharan dhe me një veprim të shpejtë t’i rrethonte forcat kryengritëse të grupuara në këtë rajon, ndeshi në një qëndresë të ashpër dhe e ndërpreu përkohësisht marshimin e mëtejshëm.

Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën perëndimore të zonës kryengritëse. Forcat osmane të përqendruara këtu, më 21 prill, pas luftimesh të rrepta, arritën t’i afroheshin Shtimes që mbrohej nga kryengritësit. U ndërpre lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin. Luftimet vijuan në Shtime gjithë ditën, me humbje të mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë mbështetjen e zjarrit të artilerisë, nuk mundi ta merrte Grykën e Shtimes. Në pritje të përforcimeve të reja nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej nën goditjet e vazhdueshme të kryengritësve.

Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtime përshpejtoi veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë atë në një pozitë kritike. Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.

Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë të mirë të territoreve të vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit. Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.

Beteja e Kaçanikut, Termopilja e Shqipërisë së kohës

Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet Turgut pasha dhe e përbërë në fillim nga 9 000-10 000 veta, e përforcuar me reparte kalorësie dhe e mbështetur nga zjarri i artilerisë, filloi mësymjen kundër 3 000-4 000 kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Shkallën e Kaçanikut të udhëhequr nga Idriz Seferi. Para sulmit të përgjithshëm ushtria osmane goditi me artileri fshatrat përreth. Masakrimi i grave, i fëmijëve dhe i pleqve që kishin mbetur atje, nuk solli, ashtu siç e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha, dekurajimin e mbrojtësve shqiptarë të Grykës së Kaçanikut. Përkundrazi, me gjithë epërsinë e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1 maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan aftësi të veçanta luftarake.

Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti në luftime kundër kryengritësve në Kosovë arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë e madhe e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut. Megjithëse ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme mbi forcat kryengritëse, këto i përballuan sulmet e tyre për shtatë orë rresht, duke kaluar edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit e kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën të dilnin nga rrethimi në mënyrë të organizuar dhe, duke u tërhequr në drejtim të Gjilanit, vijuan ta godisnin armikun.

Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi humbje të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Njësi të posaçme të ushtrisë turke dogjën fshatrat që nuk kishte arritur t’i rrafshonte artileria. Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak dënoi kryengritësit e zënë robër dhe përkrahësit e tyre. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej para popullsisë vendase të grumbulluar me forcë dhe nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të bandës ushtarake.

Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën popullore.

Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha, në ditët e para të majit, i përforcuar edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Një kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi, gjatë marshimit të saj nëpër Kumanovë, përgjatë hekurudhës, ndeshi në të hyrë të Grykës së Konçullit, në mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi. Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane u rezistuan për disa ditë forcave osmane, derisa atyre u erdhi në ndihmë një kolonë tjetër. Megjithatë, qëndresa e kryengritësve vijoi edhe më pas, por në grupe më të vogla, të përbëra nga 150-200 veta. Edhe në këto vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje, u vuri zjarrin fshatrave të tëra.

Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në mësymje në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin në zonën Shtime-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini?, numri i të cilave nuk i kalonte 4 000 vetat. Për dy ditë dhe dy netë rresht u zhvilluan atje luftime të ashpra. Megjithëse nisi nga Ferizaj reparte të garnizoneve të Prizrenit dhe të Mitrovicës, që vepronin anës Grykës së Carralevës, komanda osmane nuk arriti t’i rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan të kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u rënë prapa krahëve kryengritësve.

Taktika që përdorën udhëheqësit e kryengritësve, sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi për një kohë për të përballuar epërsinë e armikut në njerëz dhe në armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë e detyroi ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që të vihej vetë në krye të fushatës ushtarake në Shqipëri.

Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)

Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura nga artileria malore.

Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës, që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim të ushtrisë turke.

Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave të pambrojtura.

Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të tjera.

Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse u gjendën përballë një armiku që kishte epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët vijuan qëndresën në këtë pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në çast, e bënë të pamundur përballimin e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.

Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.

Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë “Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.

Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.

Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin, në luginën e Shalës dhe të Thethit.

E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910.

Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës së Madhe.

Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.

Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi, në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.

Idriz Seferi në tetor 1912, në krye të mijëra luftëtarëve shqiptarë luftoi kundër pushtuesve sllavë në rajonet e Bujanovcit, Gollakut, Llapit e Kumanovës, ku i shkaktoi humbje forcave të Aleancës së shenjtë Sllave, të cilën e udhëhiqte Cari i Rusisë dhe të krishterët e Evropës, përmes Serbisë. Idriz Seferi ka udhëhequr shumë çeta kryengritësish shqiptar në rajonin e Kosovës Lindore, në Karadak dhe në Anamoravë. Ai udhëhoqi çetat në luftë kundër zgjedhës serbomadhe në, vitet 1913-1915 dhe kundër pushtuesve bullgarë në vitet 1916-1918. Vazhdoi luftën për çlirimin kombëtar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare që kishin mbetur nën Mbretërinë serbe, kroate e Sllovene,

Në vitet e fundit të jetës, Idriz Seferi ka qenë i internuar disa herë në kampet e përqendrimit në Serbi së bashku me familjen. I lodhur, i dërrmuar dhe i pa kurrfarë ndihme, ai vdes në vitin 1927.

(Fragmente nga Historia e Popullit Shqiptar) /radiokosovaelire.com /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here