Categories: ARTKULTURË

”Mos u bëni trathëtorë, Se pasdaj do të pendohi..” – Trathëtorët nga Naim Frashëri (Poezi)

Shokë, kemi ne mest tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s’kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh’ e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qofte thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr’ e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë
T’ish ashtu, qe prishur jeta,
S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nderr’ e tyre posht’ e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S’ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjëjnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s’e dinë c’bëjnë,
Janë të verbër e s’shohin.

O, popo ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn’ e Shqipërisë,
S’duanë gjuhënë tënë
Armikët’ e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s’e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

Naim Frashëri /InforCulture.info

InFor. Culture

Recent Posts

Sa kohë i duhet njerëzimit të zbulojë një vaksinë / Shembuj historik

Në të gjithë botën, shkencëtarët po punojnë me shpejtësi rekord për të zhvilluar një vaksinë…

11 hours ago

Si të përdorni sodën e bukës për flokë të gjatë e të shëndetshëm

Flokët janë një pjesë shumë e brishtë e trupit të njeriut por shumë i rëndësishëm…

11 hours ago

Gjon Mili, fotografi shqiptar që çuditi Hollywood-in

Gazeta  franceze “Nuit et Jour” ka botuar, me 12 korrik të 1945, në faqen n°8,…

11 hours ago

Arnold von Harff: Si e fliste Skënderbeu gjuhën shqipe

Arnold von Harff, një kalorës, udhëtar dhe shkrimtar gjerman, u lind rreth vitit 1471 në…

13 hours ago

Hapja e shkollës shqipe për vajza në Korçë, historia e luftës kundër injorancës

“Historia e shkollës së parë shqiptare për vajza, është si një romancë plot aventura. Është…

13 hours ago

Zogu me sistem aerodinamik të një “avioni luftarak” thyen rekordin botëror të fluturimit

Një zog që thuhet të ketë ndërtimin aerodinamik të një “avioni luftarak” është gjurmuar duke…

13 hours ago