Fatbardh Marku, ndër të paktët artistë shqiptarë që realizon vitrazhe, artistike dhe funksionale.
Dikur ekskluzivitet i mbretërve, sot “xhamat me ngjyra” kanë një përdorim të gjerë në interierin dhe eksterierin e shtëpive.

Aty ku arti takon prakticitetin… Do ta zbulonte teknikën e artit në xham rastësisht në Itali, kur iu kërkua të bënte projektin e një vitrazhi me tematikë katolike. Kur të shikonte nga afër si do të hidhej në xham projektimi i tij, do mbetej i mahnitur. Përvetësimi i teknikës nuk ishte i vështirë dhe s’i mori shumë kohë, pasi për piktorët nuk ka rëndësi se ku shprehen: në telajo, mur apo xham. Kur ai nisi të punonte me këtë të fundit, ishte menjëherë kaq i zoti, saqë dukej sikur kishte lindur për këtë punë. Së bashku me fotografin, Armandin, Bardhi, siç e njohin të gjithë, na bën një guidë në një kishë madhështore në Elbasan, e cila menaxhohet nga katolikët, por që ka një ndikim të theksuar bizantin dhe është ndërtuar nga arbëreshët e Italisë. Projektet e tij të para në xham, por që nuk janë realizuar prej vetë atij, janë vendosur në dritaret ballore të kësaj kishe. Dritaret janë në formë drejtkëndore e kulmojnë në trajtë ovale. Në to, piktori ka krijuar figurat e dy shenjtorëve mbi dy xhama lisho, që kur rrihen nga rrezet e diellit fitojnë më tepër tejdukshmëri dhe kësisoj, ngjyrat gjallërohen. Vitrazhet janë ngushtësisht të lidhura me dritën, sidomos atë natyralen, por ka edhe nga ato që mund të projektohen që në fillim me ndriçim artificial. Për këtë arsye, realizuesi i tyre duhet të ruajë një lidhje të ngushtë me arkitektin që ndërton shtëpinë apo ambientin ku mendohet se do të vendosen punimet. Në të kundërt, nëse nuk vendosen në vendin e duhur, vitrazhet mund të humbasin shumë nga vlera e tyre. Për të dëshmuar këtë fakt, Bardhi na tregon disa nga shtëpitë dhe mjediset ku ka punime, në Elbasan dhe Tiranë. Të gjitha të zgjedhura me kujdes, në varësi të funksionit dhe rëndësisë së tyre. Një punim mbresëlënës, piktori e ka pikërisht në shtëpinë e tij. Vitrazhi madhështor me motive abstrakte, ndan sallonin e ndenjes me ballkonin. “E kam shpëtuar gruan”, thotë ai duke qeshur, por edhe duke dashur të na tregojë në këtë mënyrë anën praktike të vitrazhit. “Ndarjen me ambientin jashtë e bën xhami me ngjyra dhe ne nuk kemi pse vendosim perde. Kjo do të thotë më pak punë dhe lodhje për nusen, se nuk i duhet të heqë, të lajë dhe vërë perde herë pas here”. Por funksionaliteti është i pandarë nga arti dhe vitrazhet janë unike në mënyrën si lidhin ambientet e brendshme me natyrën. Ato janë të tejdukshme, duke e lënë atë të depërtojë brenda, por ndërkohë janë edhe plot me motive, duke mbrojtur kësisoj intimitetin e familjes. Një lidhje e përsosur dhe në harmoni të plotë.


Bukuri e rrezikshme
Është gjithmonë interesante të shikosh atelietë e artistëve. Ato asnjëherë nuk janë njësoj, ama të gjitha kanë diçka të përbashkët. Një kaos të përsosur, nga ku lind dhe zhvillohet arti i tyre. Fatbardhi ka përshtatur si studio shtëpinë e tij të dikurshme, në një vilë dykatëshe, dupleks, jo larg qendrës së Elbasanit. Mbi tryezë, thika dhe mjete pune, një projekt i hedhur në letër dhe pajisja që shkrin bakrin, përmes të cilit xhamat e ngjyrosur lidhen me njëri-tjetrin. Në mur është varur një maskë, që artisti më shpjegon se përdoret për të mbrojtur atë dhe punëtorët nga helmet e ndryshme që lëshohen gjatë punës. Është e rëndësishme të thuhet kjo, sado e pakëndshme të duket, sepse nga kontakti me artistët artizanë kam kuptuar një gjë të rëndësishme. Se arti i tyre “dhemb”, se arti i tyre shitet fare lirë kur mendon se sa rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre për të nxjerrë në dritë ato vepra që na zbukurojnë jetën. “Eh, tashmë nuk ha më mish, të skuqura, nuk pi as duhan dhe as alkool”, thotë Bardhi buzagaz. “M’i ka ndaluar doktori, pasi me punën që bëj duhet të ruaj një shëndet sa më të ekuilibruar. Mbrohem nga helmet që lëshohen gjatë punës, por kjo nuk mjafton”.


Vitrazhet, të bukura dhe praktike
Prejardhja e tyre mbretërore, nëse nuk është ruajtur dot “në protokoll”, të paktën është ruajtur në vlerë. Një punim në vitrazh nuk mund ta ketë gjithkush, pasi ato kushtojnë relativisht shtrenjtë. Por gjithmonë më lirë se sa meritojnë të vlerësohen, sepse janë elegante dhe ndryshe nga gjithçka tjetër që mund të keni në shtëpi. Vitrazhet aplikohen në dyert e brendshme dhe të jashtme, në xhamat e dritareve, por edhe në ato të dollapëve. Mund të vendosen edhe në korniza e të trajtohen si pikturat e zakonshme, varur në mure. Mund të jenë një mënyrë elegante për të bërë ndarjen e ambienteve të ndryshme brenda shtëpisë, si dhe janë zgjidhja ideale për tavanin. Sidomos kur projektohen ndriçimin artificial, në tavan duken dhe më përrallore.
Vitrazhet mund të jenë ose bashkime xhamash me ngjyra të ndryshme për të krijuar një mozaik, ose piktura të ndryshme, punuar mbi xham pa ngjyrë. Ndonjëherë ka dhe motive që merren të gatshme, por ato janë të rralla dhe zënë pak vend në punimin përfundimtar. Shumica e motiveve realizohen ashtu si janë projektuar në letër nga stafi i artistit Marku.

arto
Ka nisur të punojë që në moshë të vogël. Përpos vizatimeve të zakonshme në letër, puna e tij e parë e rëndësishme ka qenë në moshën 12-vjeçare, kur ai realizoi në përmasa të mëdha portretin e aktorit të tij të preferuar, Gerar Philip. Edhe pse dallonte për talentin në pikturë, nuk do të ndiqte liceun, por do të vazhdonte shkollën e mesme të përgjithshme. Mendon se kjo i ka shërbyer për mirë, pasi një formim i përgjithshëm dhe në veçanti studimi i lëndëve matematikore, i kanë shërbyer për të qenë më i saktë e praktik në punën e tij. Në shkollën e lartë do të studionte për skenografi dhe pas kësaj do të realizonte me qindra skena në televizionin publik dhe shfaqje të ndryshme. Për shkak të natyrës rebele, gjërat u ndërlikuan për të në kryeqytet, ku qëndroi pas shkollës, ndaj u detyrua të kthehej në vendlindje, Elbasan. Por edhe aty shpirti i artistit dhe rebelizmi që e karakterizonin, e shtyu të bënte gjëra që dilnin nga kornizat e kohës. “Kam rrezikuar seriozisht ato vite”, thotë. “Por nuk kam qenë thuajse asnjëherë i ndërgjegjshëm për ato që bëja”. Vetë shtëpia ku do të jetonte ishte një “vepër” e tij, krejt ndryshe nga shtëpitë e kohës dhe me “shfaqje të huaja” të mirëfillta. Një dupleks, ku në papafingon që e përdorte si studio, të ngjisnin një palë shkallë në trajtë spiraleje. Tepër e rrezikshme për vitet ’80, kur ajo u ndërtua. Fatbardhi është artist në të gjitha përmasat e tij. Që nga kollaret e veçanta dhe me dizajne të guximshme, e deri te pasionet që ushtron në kohën e lirë. Fotografia është një ndër to, kryesisht i pëlqen të “gjuajë” dhe kapë në foto dritën, siç kërkon ta “kapë” në vitrazhe. Në shumë prej fotove të tij ka arritur të dokumentojë spektaklin që dhurojnë rrezet lojcake me retë, në ditë gjysmë të kthjellëta ose të vrenjtura. Mandej ka fotografuar rrugica të rrëmujshme e të rëndomta, që drita, kur derdhet mbi to, i bën të duken përrallore. Marku shprehet nëpërmjet shumë formave të artit, por e pranon se ajo që e tërheq më shumë se gjithçka tjetër, është vitrazhi. Sepse ky është dhe zhanri më i vështirë artistik ndër ato që ai lëvron, dhe atij i pëlqejnë sfidat. Fatbardh Marku ka marrë titullin “Kalorës” nga Vatikani, të cilin Papa ia akordoi pas punës së shkëlqyer që realizoi në capella-n e ndërtuar rishtazi në Universitetin “Zoja e K’shillit Të Mirë”, në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here