Të  dhënat  për  mënyrën  e  jetesës  në  shek.  XII-XV  janë  mjaft të kufizuara. Ato vijnë
kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare.

Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergj-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan) etj.. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim « katund plak » a « katund i vjetër » etj.. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjin, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë etj..

Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.

Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Konstandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët

detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.

Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale.

Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj.. Në oborrin e banesës kultivoheshin trandafila dhe lule tëtjera.

Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dizinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri  ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendjeartistike.

Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare.

Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë.

Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj..  deri në shek. XIX.

Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin: « rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian… » (në prozën e shkurtër « Kthimi i Skënderbeut në Krujë »). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend « një poltronë despotale », të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm tëmadh.

Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe  marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretëretj..

Për t’u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë  shtresat dhe  jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon GjonMuzaka).

Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj.. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport,  përmendet edhe  buka.  Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet eMesdheut.

Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj.. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të tëvdekurve.

Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrnave. Në dokumentacionin  e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjelltarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishinullishte.

Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera.  Në  kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit,  i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj.. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e më vonshëm.

Shkëputur nga: (Historia e Popullit Shqiptar – Akademia Shqiptare e Shkencave) /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here