“Për sa i takon Ramazanit më ka rënë të agjëroj në të gjitha stinët. E kam pasur shumë të vështirë në fillim, pastaj Zoti më ka qetësuar dhe i kam përballuar të gjitha vështirësitë shumë rehat.
Haja vetëm darkë. Në Ramazan haja iftarin dhe deri në iftarin tjetër nuk paraqitesha më në mencë. Ashtu agjërova 21 ramazanë, me një kokërr qepë në xhep, me një domate apo me një gotë kauçuku në të cilën zeja kos me tamlin që më jepnin kundër helmit.
Ndodhte që buka të mos ishte standard, 800 gram. Meqë mua më jepej rasti të riparoj diçka dhe në guzhinë, një herë vërejta se tepsitë i lyenin me dhjamë derri, por pa bukë nuk rrohej.
U detyrova që me thikë të heq koren e poshtme të bukës , kështu që edhe ato 800 gramë zvogëloheshin edhe më shumë. Ka ndodhur që gjatë verës të kaloj ditën edhe vetëm me një domate, pa shti në gojë kurrgjë tjetër”.
Haxhi Hafiz Sabri Koçi (14 maj 1921 – 18 shkurt 2004)
Biografi
Haxhi Hafiz Sabri Koçi ishte ryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit 1991-2004. U lind më 14 maj të vitit 1921, në fshatin Orenjë të Librazhdit. Mësimet e para fetare i mori në Shkodër, pranë Hafiz Muhamed Bekteshit, Hafiz Sabri Beg Buhatit dhe Sheh Qazim Hoxhës. Pas vitit 1939 u emërua imam në xhaminë e Luguçesmes në Shkodër, pastaj në Xhaminë e Bardhë e, më vonë, në lagjen Dudas.
Më 1952 u emërua imam në xhaminë e Rusit të Vogël e, pak më vonë, në Xhaminë Plakë. Katër vjet më vonë, më 23 maj 1956, u emërua Myfti i Kavajës. Pa kaluar shumë kohë, me kërkimin e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël, u emërua sërish imam në Shkodër. U arrestua më 4 qershor 1966 dhe më 10 shtator të po atij viti, me vendim nr. 34, Gjykata e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor “për tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes” e “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 22 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë.
U lirua më 22 tetor 1986. Më 16 nëntor 1990 ishte ndër nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit, ku u vendos për krijimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, me qendër në Shkodër, që u miratua më 23 janar 1991. Më 14 shkurt të po këtij viti u zgjodh Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Vdiq më 18 qershor 2004./InforCulture.Info